Letërkëmbime per Vitin e Ri mes Dritëro Agollit dhe Gaqo Veshit

 

  Retrospektivë Gazeta “Drita” 1972                                                     

EMERTIMI “VJERSHE”

Letër e Bamkë Çomagës drejtuar Hyskë Borobojkës, ku shprehet dëshira për të shkruar vjersha liriko-satirike dhe për t’i botuar ato në të hyrë Viti i Ri

Të pata shkruar një letër në atë muaj, kur ishte dita më e gjatë e motit dhe tani po të dërgoj një tjetër, kur dita është më e shkurtër. Në s’e lëçit dot ditën, lëçite natën, se do të gjesh pak prehje dhe mendja jote e ndritur do të fluturojë këtej nga unë.

I shunëkënduari Hyskë! Unë, duke lëçitur rrëfimet e tua tepër të ndjera e të përhapura në mendjet e këndonjësve, mora guximin të shkruaja vjesha, në fakt poezi. Në netët pa gjumë, rri në tavolinë dhe thur vargje. Mendimet që më vijnë nuk i thur si gjithë njerzit, por i thur në vjershë. Kam mbushur plot një defter. Lulushja në fillim qeshte me mua, por pastaj më vinte te veshi e më thoshte ngadalë: “Shkruaj Bamkë se e di sa të lezeçme të dalin?” Madje pati guximin të më krahasonte me ty, o i shumënjohuri Hyskë. Por kjo s’është gjë. Hiç s’është. Lulushja ime shkoi në kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe u tha: “Bamka im shkruan vjersha dhe ka bërë një libër të madh me dyqint faqe dhe çdo faqe ka nga një vjershë dhe çdo vjershë ka njëzet e pesë radfhë dhe dua që Bamlën ta futni në Lidhje, ta lidhni me antarësi dhe t’i jepni leje krijuese dhe ta lini vetëm të thurë, të thurë sa të dojë…”

          Kur e mora vesh këtë hap të pamatur të Lulushes më vajti nofulla mënjanë. U zura me Lulushen dhe i thashë të mos shpinte fjalë andej këtej për vjershërimet e mia, se s’kisha dëshirë të dinte njeri për pjellën e mendjes sime, deri sa të hynte Viti i Ri. Dhjetë ditë nuk shkrova asnjë radhë nga dëshpërimi. Pas dhjetë ditëve më erdhi përsëri qejfi. Lulushja me të filluar unë u gëzua, se kujtoi se mua më kishte ikur dashuria e vjershërimit.

          Në këtë letër po të dërgoj pak  nga ato qëmtimet e mia në lëmin e vjershërimit, vetëm të lutem të mos i çoje për botim në ndonjë nga ato fletoret, ku boton rrëfimet e tua, se para teje unë do të errësohesha, o Hyskë i shumëndritur.

    PJEPRRI                               

      Vjersha nr. 1, e shkruar në fund të korrikut.

          Erë e jonxhës vjen nga ara,

                  Erë e jnxhës aq e mirë

                                      Dhe në fushën lara-lara

                                      Çlodhet pjeprri i arrirë.

 

                                      Ne të dy sa keni zbritur

                                      Nga kolltukët e veturës,

                                      Pijmë filtër të mërzitur,

                                      Pijmë NISH cigare-Durrës.

 

                                      Ne të dy sa kemi ardhur,

                                      Ku lëruan gjyshrit tanë,

                                      Koha flokët na ka zbardhur

                                      Dhe në qafa na vu dhjamë.

 

                                      Koha shefa na ka bërë,

                                      Shefa t’ashpër e të mirë,

                                      Por servilë na ka lënë

                                      Ndaj një pjeprri të arrirë…

 

                                      Dhe i flakim republikat,

                                      Çajmë kallzat e thekrit,

                                      Dhe nga xhepat nxjerrim thikat,

                                      I përulemi xha Pjeprrit.

                                     

                                                KUNGULLI

                                Vjershë nr. 2, e shkruar në fund të gushtit

                             Rri shtrirë përkëdhelur nga lumtëria pa fund.

                             I duket sikur bostanët i shtrojnë qilimin.

                             Muataqet era e gushtit ia lëkund

                             Dhe mendja s’i shkon për qarkullimin.

                             -Kungull,

                             Do qarkullosh një ditë!

                             I thonë hardhitë…

 

                                                SHALQINI

                               Vjershë nr. 3, e shkruar në fund të dhjetorit,

                                      Shqlqin,

                                      Mos kujto se ke shije ngaherë!

                                      Në korrik shkëlqen,

                                      Në dhjetor s’ke vkerë,

                                      Shalqin!…

 

                                                      FIKU

                             Vjershë nr.4, e shkruar në fund të qershorit.

                                      Fik,

                                      Mendon se piqesh filli vetë?

                                      Mendim i shtrembër, o i gjorë!

                                      Se unë di një të vërtetë:

                                      “Sheh fiku fikun edhe piqet”,

                                      Përndryshe do të piqeshe në borë,

                                      Po në borë nuk ke shokë,

                                      Të gjithë i ke në vend të ngrohtë!…

 

                                                GJELI I DETIT

                                Vjershë nr. 5, shkruar në mës të dhjetorit.

                                      Një burrokrat desh të të hiqte

                                      Nga vendi i yllinjve në bregdet

                                      Se ti kur ndonjë kokërr binte

                                      E haje me lezet.

                                      Kur Viti i Ri e shtroi banketin,

                                      Tha burrokrati mengadalë:

                                      -E dua nga bregdeti  im gjeldetin,

                                      Se erën e ullinjve sjell në valë…

Do të dërgoja edhe ca vjersha të tjera, o i dashuri Hyskë, por kisha droje mos të të besdisja. Nuk e di në se do t’i pëlqejë Nafija jote, se mesa kam nuhatur, ajo ka shije të hollë në rrëfime, ndërsa vjershërimet nuk e prekin. Nafijen e prekin vetëm vjershërimet e poetëve të mëdhej, që kanë emër në tërë vendin. Ata edhe sikur të bëjnë ndonjë budadallëk, asaj i duket sikur kanë thënë ndonjë gjë të mençme. Më fal nëse thashë ndonjë mendim të tepërt për Nafijen tënde, që e nderoj aq shumë

Dhe tani gëzuar Vitin e Ri, i shumëdashuri Hyskë. Bësoj se me të hyrë viti edhe unë do të hyj si ti në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe nga qershori do të marr leje krijimi dhe do të vij ta kaloj në Maliq, se dua të shkruaj vjersha për sheqerin, fazanët, fasulet dhe dëllinjat, si bimë industriale.

Të fala

Revista “Hosteni” 1971                     Bamkë Çomaga

                                                                                       

KOPSHTET E VJERSHERISE

Përgjigje Bamkë Çomagës për vjershat që i dërgoi mikut të tij,  në prak të Vitit të Ri, si dhe disa këshilla të urta, që Hyska përpiqet t’i japë për të vajtur mbarë kopshtet e vjershërisë.

Të pesë vjershat që në dërgove i mora dhe i lëçita me një barrë qejt, o i shumëdashuri Bamkë Çomaga. Teper të mira e të lavdëruara i kishe gatuar. Më gëzove pa masë, sidomos me atë të pjeprrit të arrirë, që prehej në fushën lara-lara dhe unë e ti “nga xhepat nxjerrim thikat” dhe “i përulemi xha Pjeprrit.

Bukur Bamkë, bukur i ke qindisur! Të lumtë dora e pena top t’u bëftë. Ia ke marrë dorën vjershërimit. Sa nuhatëse e shquar paska qënë Lulushja jote, që mori gjithë atë guxim dhe vajti në Lidhjen e Shkrintarëve, kërkoi të të lidhnin me antarësi e të të jepnin leje krijuese. Ti doje t’ia prissje rrugën. Gabim e ke pasur  Bamkë i dashur, pranoje, se Lulushja është grua e kënduar dhe gjithnjë di ç’bën.

Të kujtohet i nderuari Bamkë, kur iu qepe mbi kurris mushkës xanxare të vjershërisë dhe ajo e uruar theri tatëpjetë monopatit sa i hanin këmbët, si e tërbuar?!

-Mbahu Bamkë, se të hodhi!- të thirra sa e pata zënë, – Se ka huqe mushka xanxare, hedh vickla e qëllon me shkelma dhe nuk zbutet kaq lehtë. Sa herë re me hundë e buzë të gjakosura, por si djalli s’ju ndave. E ngarkove deri te veshët me gërma, rrokje, vargje, strofa dhe e fute në kopshtin tënd të vjershërisë, rrëzë dy maleve, përzier me yje.

Tani e ke thurur kopshtin tënd dhe punon në të. Djersët të rrjedhin rrëke nga balli e faqet dhe ti i fshi me peshqirin e madh të livadheve. Flokët i lyen me lëngun e luleve të bjeshkëve. Mbjell, korr dhe vadit kopshtin tënd të vjershërisë me djersën e ballit. Ti e di fare mirë këtë punë, se e ke provuar vetë dhe Lulushja jote kushedi sa netë ka mbetur pa gjumë pas teje. Sa herë të kam thënë:

-Pusho një çikë se u lodhe, se ditën bën mbledhje e natën rri pa gjumë, për t’i gdhendur e limuar vjershat si duhen, kurse disa të tjerë, si puna ime gdhendin e limojnë gjumin  me leje krijuese.     

Të kujtohet Bamkë sa herë të kam gjetur të përkulur në tabanin e kopshtit tënd duke mbjellë me kujdes gërma, rrokje, rima e duke korrur vjersha të shëndetëshme e të pastra, si ajo dëbora  në majën e maleve  e na gostit me libra të mira nga kopështi yt.

Por dije se nuk është vetëm kopshti yt i vjershërisë, o Bamkë Çomaga, se ka edhe kopshte të tjerë. Ja aty ku fërfëllijnë krahët pëllumbat e turtujt dhe nisen drejt reve, ku çel ylli i mëngjesit, ku fryn zefir, nga vjen erë limoni, borigë e rrëshirë e aromë lulesh, janë kopshtet e miqve tanë të vjetër. Njëri e ka kurdisur kopshtin e tij buzë nje “liqeni”, ku “hesht një lopatë” dhe “një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal të Thatë”, tjetri, ku mërzen capi me zile e ku zihet krapi. Janë shumë, i shumënderuari Bamkë e s’i numuroj dot të gjithë. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt. Nuk ua ha kollaj qeni shkopin. Secili e ka thurur mirë e bukur kopshtin e tij të vjershërisë dhe i bën shërbim çdo vit e më shumë, duke i bërë qilizëm, kush më thëllë e kush me cekët, sipas takatit. Edhe shëndet edhe bereqet kanë.

Po unë, o i shumëdashuri Bamkë, kam një shqetësim këtu në zemër. Ty të vajti nofulla mënjanë kur more vesh një hap të pamatur të Lulushes tënde, që vajti e u ankua në Lidhjen e Shkrimtarëve se s’po të lidhnin me antarësi e s’po të jepnin leje krijuese të krijoje vjersha. Por mua më ka mbetur qafa shtrembër duke shikuar disa, që duan të bëhën vjershëtorë si ty. Hop, kapërcejnë gardhet e kopshtëve të botës e hyjnë brenda. Ja, një ditë shoh nja dy a tre prej tyrë, që marrin yrysh e hidhen përtej gardhit të kopshtit të një mikut tonë të vjetër. Në dorë mbajnë nga një prashajkë të vogël, nga ato që plaku yt e imi, rahmet paçin, prashitnin qepët në pranverë. Me to duan të gërmojnë tabanin e vjershërisë të mikut tonë për të nxjerrë ndonjë rimi a vark,që u duhet.

-More të uruar! – u thirra sa i pashë. – Po ku u ze dhembi gjë në atë tokë të kullotur. I zoti i saj ka vjete që po e punon kopshtin e tij të vjershërisë. Në fillim e rëmiu me shatë, pastaj mori një kazëm të prehtë dhe i bëri një punim të thellë. Më vonë s’përtoi t’i kthehej përsëri dhe i bëri qilizëm më bel, tri pëllëmbë thellë. Tani ka marrë atë plugun e madh, që i hap brazdat sa të futesh ti e unë brenda dhe po e punon një bojë njeriu thellë. Po e sheshon, po i hap hendekë për kullimin e ujrave të tepërta. Të kënaqet syrie të bëhet zemra mal kur e heh. Çfar t’u bëj? Ata s’ikun dhe unë thyej një purtekë thane dhe u bije veshëve të largohen. E lënë kopshtin e mikut tonë dhe hidhen në arën e një tjetri. Nxjerrin nga trasta prashajkat dhe fillojnë të gërmojnë.

-More të mirë! – u them prapë. – Ky arën e tij të vjershërimit e ka bërë qilizëm me plugun e madh një metër thellë, sa i ka nxjerrë tabanin,  ç’do të bëni ju me ata prashajkë sa një çipirok?…

Përsëri përdor purtekën e thanës e u bije veshëve, por ata hidhen e kapërcejnë në kopshtet e tjera. Njëri merr lart nga arat e atij që i bije fyellit prej shelgu dhe pa i thënë të zotit as “puna mbarë” futet në kopshtin e tij. Tjetri merr fushën tatëpjetë dhe hyn në kopshtet e tjerë të thurura me gardhe. Po unë kam frikë, o Bamkë Çomaga, se gardhet kanë hunj dhe, larg qoftë, mos mbetet  ndonjë i ngulur majë tyre. Më vjen keq, se kopshtet kanë edhe pojakë të sertë, që s’ta bëjnë të gjatë, të zënë t’i çkulin veshët e ta zbrazin trastën me mall të huaj në mes të udhës. Ca të tjerë hidhen këtej nga arat e rrëfimeve.

-More të uruar e të bekuar! – u them gjënej.- Ç’kërkni këtu? Nuk e shihni se këtej janë pronat e prozës. Mos doni t’i bëni çorbë e përshesh bashkë vargjet e vjershave me radhët e rrëfimeve?..

U bije të largohen e të marrin fushat, kodrat e malet për të gjetur toka të reja vjershërimi. Shumë prej tyre i kanë gjetur kopshtet, i kanë punuar e zbukuruar dhe prodhimet i kanë të mbara. Por për disa, më vjen keq, o Bamkë i shtrenjtë, se mbetën sinoreve e gardheve të botës dhe s’kanë ndonjë çikë mall nga thesi i tyre.

Këto janë disa mendime  për vjershërinë dhe kopshtet e saj, që po t’i dërgoj t’i lëçitësh bashkë me Lulushen, që e nderoj dhe e respektoj aq shumë

Të fala me shëndet e bereqe  Hyskë Borobojka  

SHKARKO APP