Letërsia e mirë i bënë fëmijët të mendojnë

Intervistoi: Fran Gjoka

 Shkrimtarin Viron Kona në një intervistë për “Koha Jonë” flet për rëndësinë që ka letërsia në zhvillimin e fëmijëve dhe në edukimin e tyre.

 Fran Gjoka- Lezhe

– Jeni një shkrimtar  i njohur, sidomos i letërsisë për fëmijë, madje edhe shumë i lexuar nga fëmijët. Si e shpjegoni ju këtë fakt?

-Faleminderit për vlerësimin që më bëni. Pyetja juaj do të dëshiroja shumë që të ishte një realitet. Një shkrimtar, veçanërisht kur  shkruan letërsi për fëmijë dëshiron që lexuesit e vegjël të jenë të shumtë dhe, ajo çfarë është më e rëndësishme, ata t`ia pëlqejnë krijimtarinë.

-Në veprat tuaja, si ato të hershme edhe më të fundit, kemi vënë re se përzgjidhni subjekte dhe tematika interesante. Çfarë mund të na thoni për këtë?

-Nëse nuk je interesant  në krijimtari, nuk ia arrin të tërheqësh vëmendjen e lexuesit, i cili, i ngopur me monotoni, kërkon ritëm dhe origjinalitet, kërkon vizione dhe këndvështrime të reja, kërkon tipa dhe karaktere që nuk i ka takuar më parë në letërsi. Në këtë drejtim përpiqem shumë. Shkrimtarët e mëdhenj u bënë të atillë, sepse gjetën dhe krijuan tipa dhe karaktere të veçantë. Verni krijoi kapitenin Nemo, Kolodi krijoi Pinokun, Lagerlëf krijoi Nils Holgerssonin, Lindgren krijoi Pipi Çorapegjatën… Dedja krijoi Fatbardh Pikaloshin, Bushaka krijoi Çufon dhe Bubin Kaçurel…Ato vepra i kanë rezistuan kohës. Koha  foli me zërin e saj, flet  dhe do të vazhdoj të flas gjatë për ata personazhe të gdhendur mjeshtërisht, për ato fabula aq të bukura, por do të vazhdoj të flasë edhe për autorët e tyre.

-Keni nisur të shkruani që herët. Ç`kujtoni nga vështirësitë e punës suaj në të kaluarën në fushën e botimeve, në raport me të sotmen?

-Çdo kohë ka veçoritë e saj, le të themi, të mira dhe të këqija. Për shkrimtarët,  ndër të këqijat e asaj kohe ishte censura dhe  “kushti” se shkrimtari duhej t`i modelonte  dhe t`i paraqiste edhe personazhet pozitiv,  edhe veten si ndihmës të Partisë…

-Po kjo e sotmja?

-Koha e sotme ka me bollëk lirinë e të shprehurit, por i lë shkrimtarët “thatë”, borxhëllinj të përjetshëm të shtëpive botuese dhe shtypshkronjave. Sigurisht, një  shkrimtarë të vërtetë, nuk e thyejnë vështirësitë, sepse ai ka pasionin, vullnetin, talentin dhe qëllimin për ta çuar gjer në fund misionin e tij. Ai që është shkrimtar, shkruan në çdo kohë. Në çdo kohë ai gjen temën, idetë, subjektet dhe frymëzimin për veprën e tij, pavarësisht rrethanave. Frymëzimi, nuk kushtëzohet me të qenit i varfër apo i pasur, por me talentin e shkrimtarit. Askush nuk e ka gjetur të shtruar, madje shumë nga shkrimtarët e njohur në botë e kanë shkruar letërsinë përmes vuajtjeve dhe vështirësive të mëdha.

Libra të  shkrimtarit Viron Kona

-Nga biografia juaj kuptojmë se jeni edhe fitues çmimesh. Si e ndjeni veten nën pushtetin e këtij vlerësimi?

-Çmimet janë vlerësime që dëshirohen. Ato, edhe të kënaqin, edhe të përkëdhelin sedrën,  edhe të risin krenarinë, por, çmimi dhe vlerësimi më i madh për një shkrimtar është kur ia lexojnë dhe ia pëlqejnë veprën. Kjo është dhe lumturia më e madhe, të cilën nuk do ta zëvendësonin dot dhjetëra apo më shumë çmime të fituara.

 -E nisët me “Etje që shuhej”, vijuat me “Pëllumbat”, më tej me “Pulëbardhat” dhe sot jeni magjepsur nga Bubulinoja. Ç`përbëjnë për juve këto personazhe të dashur për fëmijët?

-Veçse kënaqësi, kënaqësi të rrallë. Bubulinoja vetë është  një gjetje origjinale dhe krijimi im më i dashur. Ky fakt më bën krenar. Veç kësaj, rreth Bubulinos janë  mbledhur edhe shumë personazhe të tjerë. Më pëlqen të mendoj  se, edhe ata janë po aq interesant, po aq të bukur, veçse ata kanë një “fatkeqësi”, pasi ekzistojnë dhe veprojnë nën hijen e Bubulinos. Sigurisht, nuk më takon mua të bëj vlerësimin. Janë lexuesit ata që i vënë notën shkrimtarit. Në takimet e shumta që zhvilloj me fëmijë , ata  shprehen  me entuziazëm dhe fytyra u qesh kur, krahas Bubulinos, përmendin edhe Shkencëtarin e madh Këmbëgjatë, Dardin, Fluturushen, kapiten Likun, Erlindin dhe papagallin Çate…

-Ndonjë personazh tjetër të radhës keni krijuar?

-Po, tashmë sapo mbarova së shkruari një përrallë për fëmijë. Personazhi e ka emrin Kolipoç. Edhe ky është tip, karakter. Po qe se, vërtetë do t`ia kem arritur dhe kam krijuar tipin, atëherë  do të vijoj me Kolipoçin, ashtu si edhe me Bubulinon,  me Erlindin dhe Papagallin e  çuditshëm, pra me libra serial. Por kam ende kohë për të vendosur.

-Kur botohet Kolipoçi?

-Sapo është futur në start.

-Çfarë mendoni se u mësojnë fëmijëve shqiptarë personazhet tuaja?

-Shpresoj dhe dëshiroj që ata t`u nxitin lexuesve të vegjël fantazinë, imagjinatën, t`i bëjnë të lexojnë dhe të mos merren tërë ditën me faqebook dhe lojëra elektronike. Jo se ato nuk kanë vlerë, por sepse përdorimi i tepërt i tyre, me kohë e pa kohë, i dembelos fëmijët. Edhe fizikisht i bënë të qullët, por edhe mendërisht. Ata mësohen t`i kërkojnë gjërat të gatshme dhe nuk bëhen dot zotë të vetes. Kurse leximi i letërsisë së mirë, i bënë fëmijët të mendojnë, u jep krahë ëndrrave dhe imagjinatave të tyre më të bukura…

 -Keni shkruar shumë libra, madje për të qenë korrekt janë 32  libra. – Cilat nga këta  ka lënë gjurmë në ndjenjat tuaja prej krijuesi?

-Më vjen keq t`i veçoj, por duhet të jemi realist. Në veprimtarinë e çdo shkrimtari, pak janë veprat që mbeten, që i rezistojnë kohës. Them se nuk do ta shkruaja dot më romanin “Drithërimat e yjeve”, “Bubulinon”; nuk do t`ia arrija t`i krijoja e gdhendja dot më personazhet e “Syqelqit” te libri “Yje mbi Bosfor”,  “Papagallit Çate, që ha një thes me patate”, “Shkencëtarit të madh Këmbëgjatë”, “kapiten Likut”, “Dardit”, “Gjyshit Ambasador”, “Fluturushes”, “Kokëgjembit”, “Mjekërverdhit”…

-Por do të shkruani të tjerë libra, do të gdhendni të tjerë personazhe?

-Sigurisht. Nuk do të heq dorë nga rruga e nisur. Nuk do të vrapojë dot gjithmonë, por, do të ecë. Nuk do të ndaloj.

– Në mos gaboj, janë pesë libra tuajt që përshkruajnë personazhe dhe vende jashtë Shqipërisë, si “Dëgjoma zemrën, Budapest!”, “Drithërimat e yjeve”, “Yje mbi Bosfor”,   “Për Ju, miqtë e mi”, “Zonja nga Borasi”. Ç’ lidhje ka subjekti i këtyre veprave me realitetin shqiptar?

-Lidhja qëndron te fakti se ata libra janë shkruar nga një shkrimtar shqiptar. Unë mendoj se ajo që i bashkon personazhet artistikë por, edhe njerëzit në çdo skaj të botës, është shpirti dhe zemra e njeriut të mirë. Kudo njeriun e mirë e dallojnë dhe  e duan. Por, edhe njeriun e keq e dallojnë dhe, nuk e duan, përkundrazi e përbuzin. Te librat që ju përmendët, përpiqem të krijojë e rikrijoj pa u lodhur simbole të miqësisë dhe vëllazërimit mes popujve, të tregoj e shpreh artistikisht se jemi pjesëtarë të së njëjtës familje, të shoqërisë njerëzore; të së njëjtës shtëpi, rruzullit tokësor.

-Jeni përkthyer, madje jeni një nga autorët më të pëlqyer në qytetin Boras të Suedisë. Si lindi ky bashkëpunim me autoritetet letrare të atij vendi?

-Asgjë nuk vjen vetvetiu. Ishin botimet e mia në një revistë shqiptare – suedeze, që tërhoqën fillimisht vëmendjen dhe u bënë shkak që të krijoja lidhja me Sokol Demakun, drejtuesin e revistës, radios dhe televizionit “Dituria” në Suedi dhe, nëpërmjet tyre me drejtuesit e një shkolle suedeze të quajtur “Fjardingskolan”. Sokoli dhe miqtë suedez  erdhën në Tiranë dhe u takuam.

Ishin: rektori Per Kettisen, rektorja Anette Ekelund, mësuesja Sonja Persson dhe Sokol Demaku, i cili u bë redaktori i Bubulinos në suedisht.

Ata vendosën botimin e  Bubulinos, fillimisht për nxënësit e shkollës “Fjardingskolan” dhe më tej libri pati përhapje të  gjerë. Gjatë këtyre tre vjetëve jam ftuar tri herë në Suedi dhe, sa herë kam shkuar kam përuruar nga një libër. Pas ceremonisë së mrekullueshme për përurimin e “Bubulinos”, u përurua “Për Ju, miqtë e mi” dhe, në mars të këtij viti u përurua  “Zonja nga Borosi”, një libër ky, me tregime, me motive suedeze dhe shqiptare. Në përurimin e këtij libri, erdhi edhe kryetari i Bashkisë i Borosit me zonjën e tij, autoritete të tjera, si edhe dhjetëra bashkëkombës shqiptarë nga shumë qytete të Suedisë. Ato përurime, për mua, kanë qenë festa të vërteta. Suedezët dhe, në përgjithësi skandinavët, e nderojnë

Viron Kona duke u takuar me kryetarin e Bashkise së Borosit,

Suedi, Per Olof Hoog gjatë përurimit të librit “Zonja nga Borosi”.

librin. Së bashku me francezët, ata zënë vendin e parë në leximin e librit.

-Nga juve kam lexuar se në Suedi, prindërit marrin fëmijët e veckël në karroca dhe shkojnë me ta në biblioteka.

-Po, është plotësisht e vërtetë. Në këtë mënyrë, prindërit ambjentojnë, edukojnë, dhe e mësojnë fëmijën me librin. Kështu, kur kjo dashuri për librin edukohet që në fëmijëri, atëherë libri bëhet pjesë e pashkëputur e jetës së njeriut.

-Juve jeni anëtar i Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve nga viti 1981. Tashmë, siç mësuam nga mjetet e informimit publik, edhe anëtar nderi i shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë të Suedisë. Ju urojmë për këtë. Pyetja ime është:  A mendoni se duhet të riorganizohet Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë dhe, në ç’ mënyrë duhet bërë kjo?

-Duhet ta kishim edhe ne Lidhjen tonë të shkrimtarëve. Jemi ndër të vetmit vende të botës, që s`kemi Lidhje shkrimtarësh dhe artistësh. Por kemi me bollëk kafene`. Veçse, në kafene` pihet kafe dhe raki. Shkrimtarët kanë nevojë për tjetër gjë. Ata do ta dëshironin një mjedis të ngrohtë, ku të takohen, të këmbejnë mendime, të vlerësohen dhe të nxiten, t`u shtrëngohen duart për përkushtimin ndaj krijimtarisë. Qëndrimi më pranë dhe vlerësimi i shkrimtarëve dhe artistëve do t`i ndihmonte edhe vetë drejtuesit shtetëror dhe politikanët të kulturohen ca më shumë. Ndonëse ata “i dinë” të gjitha, mendoj se e kanë të nevojshme edhe këtë kulturim.

-Herë – herë në shtyp ka “ sulme”  kundër Ismail Kadaresë, çfarë mendon?

-“Pema që ka më shumë kokrra, goditet më shumë”.

-Aludohet se kritika e sotme bie shpesh në nivel recensional. A mendoni se vërtetë ekziston kritika sot dhe në çfarë niveli jeton ajo?

-Kritika, thotë populli, është  ilaç që, edhe pse nuk të pëlqen, duhet, sepse të shëron. Por jo çdo mendim kundër, është kritikë. Kritika e keqe i bënë keq edhe krijuesit, edhe lexuesit, edhe vetë personave që e bëjnë atë pa përgjegjësi. Kritika e sotme rrëshqet shpesh herë në recension, është e sipërfaqshme dhe emocionale, ndodhë që është edhe qejf-bërës-e, panegjirike, por, më mirë ajo se iç. Unë besoj se një  lëvdatë, nuk e dëmton aq shumë krijuesin e vërtetë, sepse, ai, pak e shijon kënaqësinë dhe lëvdatën; ai ndodhet vazhdimisht në lëvizje, në bashin e anijes, me duart e kapura fort në  timon. Ai është një kapiten që ka gjithnjë përpara dhe pambarim hapësira dhe dallgë të reja; është një alpinist, që i duhet të ngjitë vazhdimisht male përherë e më të lartë, ai nuk ndalon. Edhe kur, le të themi, “ai ngjit” Everestin, majën më të lartë të Botës, atëherë hedh vështrimin përsëri lart dhe larg, kërkon “t`i ngjitet” Olympus Mons, malit më të lartë të planetit Mars…

-Nisur nga gjykimi juaj, cili ka qene kritiku me real i veprës suaj dhe, si ju ka ndihmuar për ta përmirësuar punën dhe veprat e tjera letrare?

-Vetë lexuesit, veçanërisht fëmijët, kanë qenë vazhdimisht kritikët e mi më të mirë, sepse ata nuk kanë as paragjykime dhe as zili. Kur shkoj në takime, ose nëpërmjet  telefonit, mesazheve  dhe letrave, ata më bëjnë dhjetëra pyetje dhe, me mënyrën se si pyesin më vënë shpesh herë në mendime. Janë ata që  më frymëzojnë dhe  që  më ndihmojnë.

Kur ata nuk e  përmendin një personazh, atëherë unë e shoh veten në shigjetën e kritikës. Vepra e keqe zakonisht kalon pa u ndjerë, trajtohet me indiferencë, sikur nuk është. Është më mirë të kritikohet një vepër letrare, sesa të mos përmendet fare. Për shkrimtarin, kjo është kritikë e rreptë.

-Sot shkruhet shumë, botohet shume dhe lexohet pak. Është e vërtetë?

-Që shkruhet shumë, s`ka asgjë të keqe. Që lexohet pak, është keq. Që botohen vepra jashtë standardeve, kjo është shumë më keq. Na takon të bëhemi barrikadë ndaj të shkruarit keq, ndaj atyre që e shëmtojnë dhe e përdhosin gjuhën tonë të bukur.

-Duke qenë se jam nga Lezha,ç`mund të më thoni për krijuesit e saj?

  1. Kona, N. Gjetja, F. Gjoka

-Lezha ka qenë vazhdimisht një trevë e begatë dhe e shëndetshme për krijuesit. Ata janë ndjerë mirë aty sepse  vetë populli dhe elita intelektuale, ka ushqyer vazhdimisht dashuri dhe nderim për njerëzit e penës dhe të  artit. Mund të flasë gjatë për krijuesit lezhjanë. Me mjaft prej tyre jam njohur nga afër. Mund të përmend këtu Preç Zogajn, Agim Isakun, Remzi Lanin, Medi Dashin, Nikoll Lesin, Shpresa Ramën, Ndue Dragushën, Gjergj Shytin,Mark Simonin, Gjavolin Gjeloshin etj.         

Por, mendoj se më i talentuari, më origjinali dhe më i veçanti mbetet për letërsinë  lezhjane Ndoc Gjetja, të cilin sot nuk e kemi më mes nesh. Me veprat e tij poetike, Ndoci ynë   i ka lënë Lezhës dhe letërsisë një testament të madh letrar. Ndoci i takon asaj plejade poetësh që i vijnë shumë rrallë një vendi. Atij i këndonte shpirti dhe zemra. Me mirësinë dhe dritën në zemër dhe në sy, ai të bënte menjëherë për vete. Vargjet e tij do të jetojnë gjatë dhe do të mbeten të gdhendura në mermer, sepse krijimtari e Nocit të mirë, rridhte drej e nga zemra. Për ta nderuar emrin e tij në këtë intervistë, më lejo z.Fran, të recitoj një strofë nga poezia e Ndocit me titull “ Dashurisë”

Më hidh në zjarr, në det, në ferr!

Më hidh në baltë, më hidh në hon!

Veç të lutem mos më lër,

Në atë vend ku ti mungon.

-Të dalim pak nga tema, ç`mendon për politikën që bëhet në Shqipëri?

-Është fushë e gjerë, por do dëshiroja të nënvizoja se, për politikën, jo rrallë herë ka keqkuptime ose interpretime të gabuara. Politika në Shqipëri fatkeqësisht është konceptuar e trajtuar si “armë” në duart e një njeriu, kundër një njeriu tjetër ose më gjerë. Që ka parti të ndryshme, që ka mendime të ndryshme, që ka kundërshti për shumë gjëra, nuk është keq, përkundrazi është mirë. Gjë e keqe, është kur ka shterpësi idesh, vizionesh dhe mendimesh të reja, kur “beteja” për pushtet vihet mbi qëllimet dhe interesat e popullit. Populli priste më shumë nga demokracia në këto 20 vjet. Por politika që ka drejtuar këtë demokraci shpesh herë ka qenë gënjeshtare, rrenacake.

Kanë ndodhur shumë ngjarje të hidhura dhe dramatike për popullin. Grupime njerëzish, ekstremistë partiakë e kanë parë e trajtuar njëri – tjetrin si armiq dhe jo si kundërshtarë politik dhe, si pasoj, koston e ka paguar gjithnjë populli. Ngjarje nga më çuditshmet dhe më dramatiket kanë ndodhur në vendin tonë, ndërkohë që,  atë që  bënë njeri e prish tjetri. Bëj e prish si “Qilimi i Penelopës”, por ky “qilim” është shtruar mbi shpinën e popullit e popullit të varfër.

Për ngjarje të caktuara, mund ta konkretizoja figurativisht idenë time artistike, me atë që quhet “Valle e ujqërve”. Kur ujqërit janë të lodhur dhe të uritur, në pikë të dimrit, vihen në një rreth dhe ia nisin të ecin njëri pas tjetrit pa pushuar. Kur njëri bie në dëborë nga lodhja, të tjerët i sulen dhe e hanë. Pastaj, vallja vazhdon. Bie edhe një tjetër. Edhe atë e gllabërojnë. Vijojnë përsëri vallen, deri sa ngopen duke ngrënë e shqyer njëri-tjetrin. Viktimat më të shumta në numë janë të pafuqishmit, ata që nuk i rezistojnë dot vështirësive të mbijetesës, dhe, kësisoj, ata kthehen në ushqim për  ujqërit e tjerë.

-Keni besim në të ardhmen?

-Besoj dhe shpresoj për më të mirën…

Faleminderit!

SHKARKO APP