Letra e Enverit në 1945: “Na ekstradoni Jakomonin dhe gjeneral Dalmacon, pasi ata kanë….

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon disa dokumente të panjohura akrkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë, ku bëhet fjalë për një letër të qeverisë shqiptare të kryesuar nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha, (e firmosur nga ministri i Drejtësisë, Manol Konomi), dërguar Komisionit Ndërkombëtar për Kriminelët e Luftës me qëndër në Londër, në muajt shkurt-mars të vitit 1945-së, ku i kërkonte ekstradimin në Shqipëri të Francesko Jakomonit, gjeneral Dalmacos, Salvatore Mellonit dhe Gjeneral i karabinerisë Crispino Agostinucci, duke i akuzuar ata për shumë krime në kurriz të popullit shqiptar.

Komisioni Qëndror Shqiptar për zbulimin e krimeve të kriminelëve të Luftës dhe armiq të popullit, duke shprehur vullnetin e mbarë popullit shqiptar, i cili duke qëndruar besnik i Aleancës së Madhe të Bllokut Antifashist, ka luftuar dhe vazhdon të luftojnë kundër armikut të përbashkët, Gjermanisë Naziste, duke u mbështetur në parimet e mëdha drejtësie që kanë frymëzuar këtë luftë, ka nderin të kërkojë dorëzimin e 1) Francesko Jakomonit ish–Luogotenent në Shqipëri”. Kështu thuhet në mes të tjerash në një letër të Qeverisë Shqiptare që mban datën 23 shkurt të vitit 1945, e cila i dërgohet Komisonit Ndërkombëtar për Kriminelët e Luftës me qëndër në Londër, ku nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë së asaj kohe, Manol Konomit, qeveria komuniste e Enver Hoxhës, i kërkon atij komisioni që të bëjë të mundur ekstradimin në Shqipëri të ish-ushtarakut të lartë italian, Francesko Jakomonit, i cili gjatë periudhës së luftës kishte shërbyer si mëkëmbës (Luogotenent) i Mbretit Viktor Emanueli i III-të në Shqipëri.

Çfarë thuhet më tej në letrën e qeverisë shqiptare drejtuar Komisionit Ndërkombëtar për Kriminelët e Luftës me qëndër në Londër, cilët janë personat e tjerë përveç Jakomonit që Tirana zyrtare i kërkonte për t’i ekstraduar e gjykuar në Shqipëri dhe çfarë akuzash kishte formuluar ajo në adresë të tyre? Për të gjitha këto bëhet fjalë në një sërë dokumentesh arkivore që gjenden në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë, një pjesë prej të cilave po i botojmë më poshtë në këtë shkrim.

Letra për Komisionin në Londër

Vetëm pak ditë pas përfundimit të Luftës, në dhjetorin e vitit 1944, qeveria komuniste e Tiranës e kryesuar prej gjeneral-kolonel Enver Hoxhës, nuk nguroi që të bënte kërkesat e para pranë qeverive të disa vëndeve Perendimore, duke iu kërkuar atyre që të dorzonin në Shqipëri, një pjesë të të arratisurve politikë shqiptarë, të cilët ajo i konsideronte si “kriminelë lufte”. Kjo gjë tashmë është një fakt i njohur prej kohësh, por ajo që nuk është bërë publike ndonjëherë, është fakti se qeveria komuniste e Tiranës në atë kohë, krahas një numri të madh shqiptarësh, kërkonte që të ekstradoheshin në Shqipëri edhe disa prej ushtarakëve më të lartë italianë, që kishin shërbyer gjatë periudhës së Luftës në vëndit tonë, si: Francesko Jakomoni, Salvatore Melloni e Crispino Agustinucci. Kjo gjë bëhet e ditur edhe nga letra e qeverisë shqiptare drejtuar Komisionit Ndërkombëtar për Kriminelët e Luftës me qendër në Londër, ku midis të tjerash shkruhet: “Komisioni Qëndror Shqiptar për Zbulimin e Krimeve të Kriminelëve të Luftës dhe armiq të popullit, duke shprehur vullnetin e mbarë popullit shqiptar, i cili duke qëndruar besnik i Aleancës së Madhe të Bllokut Antifashist, ka luftuar dhe vazhdon të luftojnë kundër armikut të përbashkët, Gjermanisë Naziste, duke u mbështetur në parimet e mëdha drejtësie që kanë frymëzuar këtë luftë, ka nderin të kërkojë dorëzimin e:

  1. Francesko Jakomonit ish – Luogotenent në Shqipëri
  2. Salvatore Mellonit ish sekretar i përgjithshëm i Luogotenencës,
  3. Gjeneral i karabinerisë Crispino Agostinucci, shkaktar kryesor të fatkeqësive që ka pësuar populli shqiptar gjatë okupacionit fashist.

Disa prej këtyre kriminelë lufte po gjykohen sot para Gjykatës Italiane në Romë, gjë që është në kundërshtim me vendimet e marra në mbledhjen e Atlantikut, të Moskës e të Teheranit, ku shprehimisht është konsakruar parimi se kriminelët e luftës do të gjykohen në vëndet ku kanë kryer aktet e tyre kriminale. Pavarësisht nga kjo, për zhvillimin e mirë të hetimeve dhe të gjykimit është e domosdoshme që kriminelët e sipërpërmendur të paraqiten para Gjyqeve të Popullit Shqiptar. Aktet që formojnë akuzën e të tre kriminelëve të sipërpërmendur janë:

  1.  Françesko Jakomoni: Para okupacionit të vendit tonë, duke kapërcyer kufinjtë e misionit të tij si Ministër Fuqiplotë i qeverisë Fashiste Italiane në Shqipëri, ka përdorur çdo mjet në përgatitjen e terrenit për invadimin e Shqipërisë: lidhje e konvencione të ndryshme politiko-financiare, penetracioni në rradhët e ushtrisë shqiptare i instruktorëve dhe organizatorëve të rinisë për fashistizimin e saj; mbjellja e farës fashiste në Shqipëri, korruptimi me të holla të disa tradhëtarëve shqiptarë. Mbas 7 Prillit 1939, me cilësinë e tij si Mëkëmbës i Mbretit të Italisë, në Francë, Angli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Rusi, duke shpallur luftë këtyre, organizoi terrorin në Shqipëri për shtypjen e rezistencës së popullit. Urdhëroi kryerjen e operacioneve në stil të gjerë kundër Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar që ndihmonte këtë ushtri. Urdhëroi djegjen, plaçkitjen e shkatërrimin e krahinave të gjera, ku strehoheshin forcat e rezistencës. Urdhëroi burgosjet, internimet në masë të popullsisë shqiptare në fusha përqëndrimi brenda dhe jashtë Shqipërisë. Urdhëroi tortura, vrasje, varje në masë dhe zhdukje misterioze patriotësh. Grumbulloi rreth tij njerëz të korruptuar italianë e shqiptarë për shtypjen e shfrytëzimin ekonomik të popullit shqiptar. Mbolli korrupsionin në aparatin shtetëror. Inspiroi promulgimin e ligjeve me frymë fashiste. Ka qenë inisjator në formimin e organizatës tradhtare të Ballit Kombëtar, duke e financuar. Ka patur gisht në çdo shpërdorim të ndërmarrjeve tregtare–industriale fashiste. Ka vjedhur e grumbulluar pasuri kolosale në dëm të popullit shqiptar dhe ka përdorur çdo mjet për ta përçarë e shtyrë në vëllavrasje.
  2.  Salvatore Melloni: Krahu i djathtë i Francesko Jakomonit dhe bashkëpunëtor i ngushtë i tij në të gjithë ndërmarrjet kriminale. Inspirator dhe urdhërues i vrasjeve, zhdukjeve misterioze, burgimeve dhe internimeve në masë; djegjeve, plaçkitjeve e shkatërrimeve të katundeve e qyteteve Shqiptare. Bashkëpunëtor kryesor i SIM (Servizio Informativo Militare). Organizator i rrjetit të spiunazhit civil në Shqipëri. Ka shkaktuar zinë në popullsinë shqiptare. Eshtë pasuruar në mënyrë përrallore në kurriz të popullit.
  3. Gjeneral Crispino Agustinucci: Para okupacionit fashist të Shqipërisë ka qenë instruktor i përgjithshëm i djelmërisë dhe duke u maskuar e paraqitur si instruktor civil, përgatiti agresionin fashist në lidhje të ngushtë me përfaqësinë diplomatike italiane në Shqipëri. Organizon kollonën e pestë në Shqipëri dhe sabotoi rezistencën e popullit shqiptar kundër agresionit fashist. Gjatë okupacionit ka qenë organizator i karabinerisë italiane. Për të shtypur edhe më fort rezistencën e popullit shqiptar e inkuadroi xhandarmërinë kuislinge në karabinerinë fashiste, duke e udhëhequr këtë në luftë kundër ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Popullit Shqiptar. Organizoi dhe komandoi aparatin terrorist dhe shërbimin informativ në Shqipëri. Djegjet, plaçkitjet, shkatërrimet, torturat, internimet dhe vrasjet në masë të popullit shqiptar janë vepra kriminale të karabinerisë fashiste të komanduar prej tij. Urdhëroi burgosje dhe internime njerëzish të pafajshëm vetëm me qëllim shfrytëzimi e për t’u pasuruar. Me mënyra të ndryshme ka grumbulluar pasurira kolosale në kurriz të popullit shqiptar. Komisioni Qëndror për zbulimin e krimeve të kriminelëve të luftës dhe armiq të popullit, ka bindje të plotë se kjo kërkesë e popullit shqiptar, viktimë e parë e agresionit fashist, do të merret parasysh duke i dhënë sadisfaksionin e merituar”.

Oficeri britanik i shkruan Enverit

Sipas dokumenteve arkivore që gjenden në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë, në të cilën ndodhet edhe korespondenca e plotë e asaj ministrie me Misionin Ushtarak Shqiptar pranë Komandës së Përgjithshme të Forcave Aleate të Mesdheut me qëndër në Bari të Italisë, të kryesuar prej kolonel Halim Budos, qeveria shqiptare e Enver Hoxhës, kërkesën për ekstradimin e atyre që i konsideronte “Kriminelë të luftës”, përveç Komisionit Ndërkombëtar të Hetimeve me qëndër në Londër, ia dërgoi edhe Gjeneralit amerikan, Jacobs, i cili në atë kohë ishte me detyrën e funksionarit për Shërbimin e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara. Kjo gjë bëhet e ditur edhe nga një letër përgjigjie e Jacobs-it, dërguar Enver Hoxhës më datën 5 korrik të vitit 1945. Në atë letër të ushtarakut të lartë amerikan, shkruhet:

Shërbimi i Jashtëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

I dashur Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha

Duke i referuar në bisedimin tonë të pasur para disa javësh të shkuara mbi çështjen e kthimit të kriminelëve të luftës shqiptare, dëshiroj t’ju njoftoj se letra më datë 22 Qershor 1945 e Ministrit të Drejtësisë, drejtuar Komitetit Ndërkombëtar të Kriminelëve të Luftës në Londër, është dërguar atij komiteti. Në mbështetje të listë së 43 kriminelëve të luftës të pretenduar, që është përgatitur më datë 23 shkurt 1945, atë listë e kisha me vete në Caserta, në udhëtimin e fundit ku u bisedua kjo çështje. Megjithëse nuk mund t’ju siguroj se çfarë masa do të merren, unë mund të them se autoritetet në Caserta janë duke investiguar këtë çështje edhe mundësisht me një kohë të shkurtër mund të meret ndonjë masë.

Me respekt e dashuri Gjeneral-Kolonel

 Jam fort i sinqert i Jueji 

 J.E. Jacobs

 Gjeneral-Kolonel

 Enver Hoxha

 Drye Comansant T’ U. N. C. Shq. Tiranë

Letra e qeverisë shqiptare nga ministri i Drejtësisë, Ministri Konomi

Sipas dokumenteve të arshivës së Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë, ku ndodhet e plotë korespodenca në mes asaj ministrie dhe Misionit Ushtarak Shqiptar i atashuar pranë Komandës së Përgjithshme të Forcave Aleate të Mesdheut me qëndër në Bari të Italisë, bashkangjitur me kërkesën për ekstradimin e gjeneral Dalmacos nga Italia në Shqipëri, qeveria shqiptare ka paraqitur edhe një kërkesë tjetër, ku sipas saj, janë shënuar të gjitha krimet që ka bërë gjenerali italian gjatë periudhës së Luftës në Shqipëri. Në atë dokument që është firmosur nga Ministri i Drejtësisë së asaj kohe, Manol Konomi, midis të tjerash thuhet:

Qeveria Demokratike e Shqipërisë

                                                              Kryeministria

Komisjoni Qëndror për Hetimin e Krimeve dhe Kriminelëve të Luftës…

Nga këto vërtetohet botërisht se vrasjet e shëmtuara të heroinës Margarita Tutulani së bashku me vëllanë e saj, të katër djemëve të Vlorës të ekzekutuar me rastin e vrasjes së marshall Lomabrdit, varja e nëntë djelmoshave nga kampi i Porto-Palermos dhe ekzekutimi i tyre, një pjesë në Shkëmbin e Kavajës dhe një pjesë në Tepelenë, janë vepra kriminale të urdhëruar drejt për drejt prej Gjeneral Dalmacos.

Populli i krahinës së Vlorës kujton me tmerr periudhën e dimrit 1943 kur mercenarët dibranë të komanduar prej kriminelëve me famë, Halil Alija dhe Selim Kaloshit, kishin shkuar atje me urdhër të Gjeneral Dalamcos, për ta grabitur e torturuar në mënyrë çnjerzore. Mbas kapitullimit të Italisë Fashiste, gjeneral Dalmaco, në kundërshtim me thirrejt që iu bënë si nga ana e Qeverisë së Badoglios ashtu dhe prej udhëheqësve të Lëvizjes Nac-Çlirimtare dhe Gjeneralit, Komandanti i Divizionit “Firence”, ndaloi bashkimin e ushtrisë italiane me forcat e çlirimtare të vëndit dhe u bashkua me forcat gjermane.

Vrasjet, çdukjet misterioze, burgimet dhe internimet në emër të popullsisë civile, djegjet, plaçkitjet dhe ç’katërrimet e katundeve dhe qyteteve shqiptare, dhe organizimi i aparatit terrorist, janë vepra kriminale të kryera me urdhër të gjeneral Dalmacos.

Komisjoni qëndror për zbulimin e krimeve të kriminelëve të luftës, interpret i vullnetatit të mbarë popullit shqiptar, që kërkon me insistim gjykimin e shpejtë të kriminelëve të luftës prej vetë gjyqeve të tij, dhe duke u mbështetur në parimet e drejtësisë dhe në vëndimet që janë marrë prej aleatëve të mëdhenj, simbas të cilave çdo fajtot do të gjykohet prej gjykatave të vëndit ku ai ka kryer fajet, kërkon dorzimin e kriminelëit të liftës, Gjeneral Dalmacos, për të dalë përpara gjyqit të popullit shqiptar.

Për Komisjonin Qëndror

                                                                                      Kryetari

                                                                                Manol Konomi

Memorie.al

SHKARKO APP