Letra e të dashuruarit që gjendet brenda nesh
Ticiano Tercani – Shkrimtarët, poetët nuk i kursyen vargjet e tyre për dashurinë, ashtu si nuk i kursyen ndjenjat e tyre të hedhura në letër për lulen që dashuruan me gjithë fuqinë e shpirtit. Letrat e dashurisë janë dëshmia e shekujve, janë testament se është forca lëvizëse që përmbys gjithçka, që i bën njerëzit më të mirë dhe më të dashur. Dashuroni shpirtin e pastër, zemrat e thjeshta, mendjen e bukur, dashuroni me rregulla dhe marrëzisht, se jeta pa dashuri është gur që ka peshën e vet, por nëse shpirti nuk ndjen, jeta nuk jeton. Sot e ndiej nevojën të ndalem dhe të të drejtohem ty, i/e dashur. E di të ka zënë gjumi ndonjëherë, i/e mpirë, i/e lodhur, rrallë i/e dukshme…por e di se e ke shtëpinë tek secili prej nesh dhe po të lutem që të zgjohesh dhe të bredhësh nëpër botë. Kemi nevojë të madhe për të, prania jote kërkohet urgjentisht.
Jo, nuk të drejtohem ty i dashuruar vetëm me gruan tënde, me burrin tënd, me fëmijët e ty. Jo, ti je vetëm një copë shumë e vogël dhe ndonjëherë jo shumë e vërtetë e të dashuruarit. Po, të drejtohem ty, të dashuruarit me jetën, me emocionet, me kërkimin e të vërtetave. Ty që e harxhon çdo çast të jetës tënde që ta mundësh frikën, që të gëzohesh në mënyrë origjinale në çdo moment të jetës, që emocionohesh për një Po, po aq sa për një Jo, që kërkon me çdo kusht mirëkuptimin, që lufton që ta flakësh çdo petk sipërfaqësor dhe të padobishëm, që të vishesh për festë me zgjuarsi dhe thjesht elegancë shpirti. Ty që nuk e di se çfarë është ankesa, sepse para se të mbërrish, shkon në drejtimin e duhur që ta drejtosh atë që është e shtrembër, ty që e do diellin, shiun, dritën dhe errësirën.
Të përulem ty nëse nuk të arrita dot dhe të lutem të më dëgjosh. Është rrëmujë këtu jashtë lidhur me identitetin tënd, dikush të shkëmben dhe të burgos vetëm në dashurinë e çiftit. Dil të lutem hapur dhe duku. Mos u kënaq me këtë burgim, rebelohu ndaj kësaj mënyre të ngushtë të këndvështrimeve. Ta dhanë këtë rol, të zbukuruan me tufa trëndafilësh dhe shirita të kuq, t’i mbuluan sytë…është momenti që të dalësh nga ideja sipërfaqësore dhe e sëmurë e dashurisë. Kush është i dashuruar. është me gjithçka, nuk mund të jetë përgjysmë vetëm me një, apo me një personi tjetër, vetëm me të, apo me një kafshe tjetër, vetëm me të, apo me një vend tjetër. Kush është i dashuruar, e do jetën, e respekton, kujdeset për të, e mbron…është mbrojtës i sinqertë dhe trim i shfaqjes edhe më të vogël vitale. E di që po shpërthen, e di se nuk duron dot më. Trokiti çasti që të dalësh në sipërfaqe, ti i dashuruari. i dashuruari eksploron, hesht, vëzhgon, nuk gjykon…i dashuruari jeton. Thyeji zinxhirët që nuk të lejojnë të veprosh, bëhu i lirë që të mbrosh veten dhe botën ku jeton, flaki jashtë gjërat e padobishme, thuaj se dashuria nuk është pronë, përhapu në botë, tek projektet, njerëzit, në natyrë, qesh me sa zë ke dhe derdh lumenj lotësh, na trego se çfarë është vërtet dashuria.
Përgatiti Arjan Kallco