Letra për Mehmet Shehun: “Në kampin e Laçit, trupin e të vrarit që u arratis, e lanë 24 orë në oborr te këmbët e të burgosurve

Hysni Kapo, Enver Hoxha, Mehmet Shehu and Ramiz Alia (far right). Gani Xhengo

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon letrën e panjohur e ish-Prokurorit të Përgjithshëm dhe antarit të Byrosë Politike e Sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH_së, Bedri Spahiu, dërguar kryeministrit, Mehmet Shehu, gjatë periudhës që ai vunte dënimin në burgjet e regjimit komunist si “armik i popullit”. Letra e ish-funksionarit të lartë të udhëheqjes komuniste, lidhur me torturat çnjerzore ndaj tij dhe të burgosurve të tjerë politikë në kampet dhe burgjet e regjimit komunist, si Laçi, Rubiku, Fushë-Kruja, Elbasani etj., ku shkeleshin liritë më elementare të të dënuarëve. Si dhe autobiografia e Bedri Spahiut, ish-bashkëpunëtorit më të ngushtë të Enver Hoxhës, që u dënua prej tij në vitin 1955 dhe u lirua nga burgu e internimi, vetëm në vitin 1990, kur u shkri Komisioni i Internim-dëbimeve.

Një ndër ata personalitete të Luftës Antifashiste dhe të udhëheqjes së lartë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, që më pas u dënua si “armik i popullit” e provoi mbi veten e tij torturat nga më çnjerzoret dhe persekucionin e gjatë nëpër burgje e internime, ka qenë edhe Bedri Spahiu. Gjatë viteve që ai vuante dënimin në kampe dhe burgje, i shkroi disa letra kryeministrit Mehmet Shehu, ku denonconte dhunën e egër që ushtrohej nga regjimi në fuqi, ndaj tij personalisht dhe të gjithë të dënuarëve të tjerë politikë që regjimi në fuqi i konsideronte të rrezikshëm. Këto letra të Spahiut, po i botojmë duke filluar nga shkrimi i sotëm, së bashku me autobiografinë të cilën ai e pati shkruar me dorën e tij, pas vitit 1990 kur u lirua nga internimi dhe u rikthye në Tiranë pas 35 vjetësh

Shkëlqesisë së tij

Mehmet Shehut

Kryetar i Këshillit të Ministrave Tiranë

Më lejoni shkëlqesi t’ju paraqes pjesën e dytë të Testamentit tim. Rrethanat e sollën që nuk mund të përmbahesha pa i’u shqetësuar dhe një herë. Nuk po zgjatem, se s’kam asnjë për të shtuar pas letrës shoqëruese të Testamentit të parë.

Me nderime Bedri Spahiu

Hyrje

Dihet se zakonisht testamentet bëhen në prag të vdekjes, por nganjëherë ndodh që hartuesi pasjeton dhe i duhet të bëjë testamentin e dytë, kur vdekja i troket përsëri në derë. Ky është edhe rasti im. Te njerëzit në përgjithësi, pasjetimi është rezultat i një ripërtërirjeje të shëndetit të njeriut, ndërsa tek unë është rezultat i një ripërtëritjeje të ligjshmërisë së Republikës në fushën e administrimit të të burgosurve. Në fakt, në fillim të vitit 1966, të dënuarit që vuanin një izolim prej vitesh u nxorrën në dritë nga dhomat e izolimit të Prepotencës; të burgjeve të aftë dhe gjysmë të aftë, i’u dha mundësia të venë në kampe, duke u nisur nga një qëllim “humanist: që “të mos kalbeshin në burgje”. Të burgosurit që nuk ishin të aftë për punë aq sa duhej ose që dyzonin të venin në kamp, se mos atje do të kishin vështirë në punë, inkurajoheshin nga persona zyrtarë, se në kamp do të ishin shumë më mirë se në burg dhe se askush nuk do t’iu kërkonte punë më tepër nga sa mund të bënin. Jeta e vërtetoi se këto inkurajime ishin të sinqerta dhe të burgosurit në fjalë u kënaqën. U hoq dorë nga inkurajimi dhe përdorimi i brigadave për të rrahur punëtorët e burgosur. U kërcënuan brigadierët se do të dënoheshin penalisht po të rrihnin paskëtaj të burgosurit. Vetë zyrtarët antiligjorë shpallën me gojën e tyre, se rrahja e të burgosurve nuk u lejohet më as vetë zyrtarëve dhe se do të zbatoheshin vetëm dënimet e rregullores dhe, po të ishte rasti, dhe ato të Kodit Penal. Marrëdhëniet e të burgosurve me administratorët u vunë mbi bazë të ligjit dhe të rregullores, mbi bazë të ligjshëmrisë shtetërore dhe pra të dinjitetit njerëzor. Të burgosurit filluan të trajtohen jo më si egërsira të zonave tropikale, të grumbulluar në një rrypinë për t’u asgjesuar, por si njerëz të dënuar nga ligjet e që duhet të mbahen dhe të trajtohen as më mirë dhe as më keq nga sa urdhërojnë ligjet dhe rregulloret e shkruara, të shpallura, zyrtare, publikisht të njohura. Të burgosurit filloi t’u thuhet një fjalë e mirë për aktivitetin e tyre prodhues në fushën e ndërtimit të veprave. Pretendimet e njëanshme të të burgosurve se shteti i dënon njerëzit për t’i përdorur si fuqi robërish, se të gjitha veprat në Shqipëri janë me gjakun dhe djersën e tyre, nuk u përgjegj më pretendimi po aq i njëanshëm i zyrtarëve, të cilët u thonin të burgosurve plot nervozizëm: “Jo ju, por populli i ndërton veprat në Shqipëri. Ju jeni armiq! Do t’ju bëjmë të punoni me pahir deri në frymën e fundit”. Po! U hoq dorë nga një praktikë e tillë. Atyre filloi t’u thuhej se po japin kontributin e tyre në ndërtimin e veprave dhe se do ta japin edhe kur të dalin nga burgu. Nuk u thuhej më se po ndodhi ndonjë rrezik, do të asgjesojmë më parë të gjithë të burgosurit”, se “gjyqi është një gramafon, që këndon pllakën që i vë hetuesia” etj., por u thuaj se edhe pse jeni dënuar nga ligjet, ju jeni shqiptarë, jeni bij të këtij vendi, se edhe ju do të luftoni po të sulmohet Atdheu, se e kemi të përbashkët. Të burgosurve u thuhej se ata që silleshin, do të çoheshin grupe-grupe të shihnin si funksionojnë veprat që kanë ndërtuar vetë dhe ato që ka ndërtuar populli, se do të organizoheshin ndeshje sportive ndërmjet kampeve, e se trajtimi i përgjithshëm i të burgosurve do të përmirësohej. Ç’shpresa, besime, iluzione u ngjallën me të burgosurit! Një frymë optimizmi si një fllad pranvere përshkroi shpirtrat e brengosur të të burgosurve. Ç’është e vërtet kjo vijë e re administrimi nuk ishte dhe nuk mund të ishte një kthesë. Nga ana tjetër, ajo u ndesh në opozicionin e zyrtarëve antiligjorë të bazës, opozicion që e kam vënë në një letër që i kam dërguar Ministrisë së Brendshme më 14 maj 1966. Ky opozicion ishte evident. Ishte një përpjekje ndërmjet administratorëve ligjorë dhe antiligjorë të bazës. Kontradita u kapërcye në mënyrë pozitive. Ligjshmëria doli e forcuar nga kjo përpjekje. Në kushtet e kësaj përtëritjeje, kundërvënia e vjetër aq e shëmtuar e administratori: administratorë mizorë dhe administratorë me fisnikëri ligjore, përballë njëri-tjetrit u zhduk. Në kushtet e kësaj ripërtëritjeje të ligjshmërisë edhe vetë zyrtarët antiligjorë u përtërinë. Ato u bënë më të arsyeshëm, më objektivë, më realistë, më të matur, më pak ngacmues, më pak grindavecë dhe më pak prepotentë. U bë një kthesë. Kjo filloi me një kthesë teorike prej 180 gradë mbi bazë të tezës së Leninit: “Diktatura është një pushtet i pakufizuar me ligj”. 38 teza që përpara ripërtëritjes së ligjshmërisë u hidhej në fytyrë të burgosurve sa herë ata ankoheshin për shkeljen e të drejtave të tyre të ligjshme. Mbasi nga pikpamja e përgjithshme nuk ka përsëritje identike, as edhe kjo tezë nuk i’u hodh kësaj here të burgosurve në fytyrë në formën e saj klasike, por i’u hodh në një veshje të re: “Ne kemi në dorë diktaturën e proletariarit. Ne veprojmë në bazë të ligjeve dhe të rregulloreve, por për ata që i shkelin ligjet dhe rregulloret përdorin edhe Diktaturën, Dhunën, Drurin”. Thashë më sipër se u bë një kthesë prej 180 gradë në teori, se ripërtëritja e ligjshmërisë u krye mbi tezën teorike që u proklamua në “Zërin e Popullit” në shtator 1965, sipas të cilës vetëm shteti ka të drejtë të ndryshojë ligjet, të bëjë ligje të reja dhe të suprimojë ato që nuk janë të përshtatshme. Nuk u lejohet zyrtarëve të mos u konformohen ligjeve me çfarëdo preteksi qoftë. Ajo që është e mirë për shtetin, për Republikën, për Socializmin, përmbahet në ligjet e shtetit. Shihet qartë se teza e lartpërmendur e administratorëve të bazës dhe kjo e “Zërit të Popullit”, janë antitetike. Interesi i të burgosurve si tërësi, e donte që ripërtëritja e ligjshmërisë të vazhdonte. Interesi i shtetit donte që të vazhdonte. Këtu kemi të bëjmë me një fenomen që mund të duket i çuditshëm, por çudia është një formë e paditurisë. Të dënuarit nga shteti dhe vetë shteti kanë një interes të përbashkët. Kjo është çudia. Kontradiktë! Po s’ke ç’i bën! E çfarë nuk është kontradiktë në këtë botë? Bashkësia e të interesuarve në rastin në fjalë është e shpjegueshme. Shteti i çdo sistemi shoqëror (skllavopronar, feudal, borgjez, socialist), i çdo regjimi (absolut apo demokratik), i çdo forme (monarkike, teokratike apo republikane) ka jo vetëm një funksion klasor, por edhe panshoqëror, domethënë për diçka u shërben edhe kundërshtarëve të tij klasorë. Njeriu mund të jetë një revolucionar me tre brirë ose një kundërshtar me pesë brirë i shtetit, por kur e sulmon dikush me thikë në dorë, do të vejë të struket prapa rojes së sigurimit publik. Procesi i ripërtëritjes së ligjshmërisë nuk mund të mos ishte kontradiktor në fushën e marrëdhënieve ndërmjet zyrtarëve në vështrim që, ndërsa zyrtarët ligjorë do të kapeshin nga e reja, antiligjorët do të përpiqeshin t’i mbaheshin të vjetrës. Po ky proces ishte kontradiktor edhe në një vështrim tjetër. Në fakt, ndërsa administratorët antiligjorë vazhdonin të cënonin vijën e ripërtëritjes së ligjshmërisë nga pozitat e administratorit, të burgosurit e padisiplinuar e cënonin këtë vijë ligjshmërie nga pozitat e antikolektivit. Kështu nëse interesat e kolektivit në të burgosurve puqeshin me ato të shtetit, po në atë kohë veprimi i antiligjorëve zyrtarë kundër vijës së ripërtëritjes ishte korkodant me veprimet e të burgosurve të padisiplinuar. Të dy palët i jepnin dorën njëri tjetrit nga barrikada të kundërta të dy palët duke vazhduar të sillen si para ripërtëritjes, i provokonim të padisiplinuarit dhe të sëmurët nga nervat dhe këta në vend që të mbroheshin me mjetet e caktuara nga ligjshmëria e përsëritur, i kapërcenin caqet e kësaj dhe përdornin mjete të palejuara dhe në ndonjë rast edhe të paarsyeshme. Në kushtet që caktuan proklamimin e tezës teorike të kundërvënies së diktaturës me vetë ligjet e diktaturës, nuk mund të mos kthehej balanca në favor të arbitraritetit. Natyrisht ripërtëritja nuk mund të shkrihej me shpejtësinë që hidhet një tezë, por procesi i kësaj shkrirjeje ka filluar dhe do të vazhdojë. Eshtë praktika e kthesës teorike prej 180 gradësh. Filloi të ketë përsëri nervozizëm ndërmjet administratorëve, antiligjorët zyrtarë riaktivizohen; këtyre fillon t’u marrë lopata ujë; atë që në periudhën e ripërtëritjes e quajtën me seriozitet “Reparti i Riedukimit 323”, zyrtarët antiligjorë tani e quajnë “…Repart Riedukimi”, po ashtu siç e quanin disa të burgosur kur u quajt “Repart Riedukimi”; sharjet, druri, hekurat, telat, dalin mbi masat disiplinore sipas rregullores. Nervozizmi i të burgosurve rritet paralelisht me nervozizmin e administratorëve. Perspektivat e përmirësimit të konditave të jetës u errësuan. Në këtë gjendje luan një rol edhe fakti se të burgosurve, u është mbyllur çdo prespektivë për lirim dhe ju thuhet se do t’i bëjnë me…kallamoqe të gjitha vjetët e dënimit. Ato lirime me kusht që bëhen janë të atilla (të pakta edhe këto janë rastet e të dënuarve që janë në përfundim të dënimit) që provokojnë humorin e të burgosurve, puna ka arritur deri atje sa që kur flitet për rehabilitim; për lirim me kusht, të burgosurit qeshin me ironi.

Humbja e shpresës nga të dënuarit

Të burgosurve, shkurt, iu mbyllim çdo prespektivë; shpresa, besimi, iluzionet, i lanë vendin humnerës së diziluzionit, optimizmi-pesimizmit. Në këto rrethana u shfaq në kolektivin e të burgosurve çiltërsia e dëshpërimit. Në mbledhjet që organizohen nga personeli i komandës ose në takime të rastit me persona zyrtarë, të burgosurit e dënuar pa faj ose për faje që nuk i kanë bërë protestojnë hapur; të torturuarit tregojnë plagët edhe gjykimet e vjetra e të reja. Të vërtetave ideologjike, politike dhe argumentave të zyrtarëve, të burgosurit u kundërvënë hapët të vërtetat dhe argumentat e tyre. Të burgosurit, në masë nuk fshehin më atë që kanë pësuar padrejtësisht dhe mendimet e tyre. Të burgosurit nuk kanë më asnjë interes t’i fshehin ato. Nga ana e tyre, edhe të burgosurit e dënuar konform ligjit, nuk i fshehin mendimet e tyre dhe i mbrojnë ato. Në krah të çiltërsisë së dëshpërimit u shfaq heroizmi i dëshpërimit, ky fenomen që ka pas ekzistuar përpara përtëritjes së ligjshmërisë së vitit 1966. Në kampin e Laçit tre të burgosur thyen rrethimin me kamion. Administrata reagoi duke vrarë njërin prej tyre dhe duke dënuar rëndë të tjerët. Trupin e të vrarit e la 24 orë në oborrin e kampit, te këmbët e të burgosurve. Ajo vuri përballë arratisë individuale tromaksjen kolektive. Represioni ekstrem dhe tromaksja kolektive nuk dhanë rezultatet që priteshin. Pas 15 ditësh dy të burgosur e përsëritën tentativën nga kampi, i Fushë-Krujës në mënyrën dhe mjetet identike. Një nga tentuesit e arsyetoi kështu tentativën e tij: “E dija se nuk kisha asnjë mundësi arratisjeje, por tentova vetëm që të më vritnin. S’dua më të rroj. Erdha fëmijë në burg dhe po plakem. Pse nuk e vrave veten? M’u duk më e lehtë të vritesha nga dora e tjetrit”. Në kushtet e kthesës drejt arbitraritetit po kristalizohen konturet e tre proceseve:

Procesi i nervozizmit të administratorëve dhe kondërnervozizmi i të burgosurve.
Riprodhimi i represioneve ekstreme, represioneve shembullore, i represioneve preventive, i represioneve mbi bazë gjaku, i represioneve të rreme nga njëra anë; çiltërsia e dëshpërimit dhe heroizmi i dëshpërimit nga ana e të burgosurve.
Procesi i forcimit të pozitave të zyrtarëve antiligjorë dhe i dobësimit të pozitave të zyrtarëve ligjorë. Nuk dua të profetizoj, por ajo që më duket se nuk do të ndodhë ndryshe është çështja se çiltërsia e dëshpërimit dhe heroizmi i dëshpërimit të të burgosurve do t’i lerë vendin panikut të represionit. Të burgosurit do të marrin një të goditur të rëndë kur nuk do ta pandehin dhe si kundërrefleks i këtij paniku në rradhët e administratorëve do të shfaqet alarmi i panikut. Zyrtarët ligjorë do të fillojnë të kuptojnë se provokatorët e panikut janë antiligjorët e radhëve të tyre.
Bedri Spahiu

Autobiografia e Bedri Spahiut

U linda më 13 korrik 1908 në një familje bujqish në lagjen Palorto të qytetit të Gjirokastrës. Nëna vdiq kur unë isha 10 vjeç. Babain në prill 1944 erdhën dhe e morën në shtëpi dy ballista dhe e vranë në një përrua. Trupi nuk u gjet asnjëherë. Gjatë fëminisë time gjendja ekonomike e familjes ishte shumë e rëndë. Babai im, Sinani, shkoi në kurbet (në Turqi) me shpresë për t’u mëkëmbur. Përpjekjen e dytë e bëri më 1922. Gjatë kësaj kohe unë isha në shkollën fillore dhe deri më 1923, unë mbarova 4 klasë me nota të shkëlqyera. Në pamundësi ekonomike për të vazhduar ato klasë që më mbeteshin si dhe gjimnazin, më 16 maj 1923 u nisa për Izmir, ku ndodhej edhe babai, me shpresë për të vazhduar shkollën. Ende pa u çmallur mirë, babai filloi të më fliste për “punë”. “Nuk kam ardhur për punë”- i thashë,- “por për të vazhduar gjimnazin”. Më foli për vështirësitë që kishim ne të ardhurit në një vend të huaj, pa përkrahje e pa pasuri. I shkreti plak. Ai fliste me logjikën e jetës, por ishte një trokitje në portën e shurdhit, se unë isha i pushtuar nga pasioni për të vazhduar shkollën. Pas disa kohe i them babait se një borshiot, Hidajet Xhuveli, që ishte shërbëtor në konsullatën italiane në Turqi, kishte marrë përsipër të më fuste në shkollën Saleziane. Në pritje që të vinte shtatori për fillimin e shkollës, ai kërkonte nga unë si shpërblim, që t’i mësoja djalit të tij shqip. Meqë Salezianët kishin gjimnaz në Stamboll dhe në Kajro, shpresoja që të vazhdoja atje pasi të mbaroja ato vite të fillores që më kishin mbetur në Gjirokastër. Pra, mbarova shkollën fillore italiane në Stamboll dhe mora dëftesën e lirimit, por plani im u hodh në erë nga doktori. Ai më këshilloi të ndërpres studimet, sepse kisha anemi të theksuar. “Eshtë e pamundur!”-ju përgjigja. “Sigurisht”-më tha- “është keq të ndërpresësh studimet, por Meglio un asino vivo che un dottore morto!” I dëshpëruar kthehem tek babai dhe filloi të ruaj bagëtinë bashkë me të. Siç duket, nga ajri i pastër, nga pushimet në natyrën e larmishme, shëndeti im filloi të kthehej përsëri. Ndërkohë (aty nga korriku 1927) vjen në Izmir ambasadori i Shqipërisë në Ankara, Reuf Ficua. Në këto rrethana, u përtëri pasioni im i vjetër për të vazhduar mësimet dhe një shpresë e re më shtyti t’i drejtohem ambasadorit për një bursë nga shteti shqiptar. Ky i pa dëftesat shkollore me notat shumë të mira dhe “Attestato di primo grado” e duke më shikuar drejt në sy, m’u përgjigj. Po! Do të kesh bursë. Nga mesi i shtatorit 1927, isha në Ministrinë e Arsimit në Tiranë në pritje të radhës për t’u futur tek Sekretari i Përgjithshëm. Sapo çela derën, sekretari brofi në këmbë i gëzuar dhe i hutuar. “Bedriu!”-tha.- “Sa mirë që erdhe vetë. E di, e di. Na ka shkruar Reufi. E kam bërë aktin gati për gjimnazin e Shkodrës. Tani çoje vetë. Hajt, udhë e mbarë dhe suksese!” Ky ishte Thoma Papapanua, ai mësues i Gjirokastrës që më 1923, ndërmjetësoi tek Javer Beu që të më jepej një bursë për të vazhduar shkollën. Fillova gjimnazin pas pesë vjetësh sorollatje. Pesë vjet të sakrifikuar në altarin e fukarallëkut. Por për këtë humbje, as që mendjoja në ato kohë. Kryesorja ishte se kisha marrë bursë dhe më ishte siguruar gjimnazi. Por a ishte siguruar vallë? Në pranverën e vitit të dytë të shkollës, më erdhi fletë-thirrja për ushtar. Drejtoria kërkoi shtyrjen derisa të mbaroja vitin shkollor. Thirrja ishte arbitrare, se unë isha djalë i vetëm dhe si pasojë përjashtohesha nga shërbimi ushtarak. Ju drejtova Fuat Kikinos, kryetar i Zyrës së Rekrutimit, por pa dobi. Me të dalë nga kjo zyrë, ndeshem ballë për ballë me Pandeli Dilon, një banor i lagjes time. “A të shkretën!”- ja bëri Pandeliu, kur mori vesh hallin tim. “Si nuk erdhe pak përpara! Për gjysmë ore kohe humbe një rast të mire”. Pandeliu më tregoi se në kazermat që ishin përballë, një vit më parë ishte çelur Shkolla e Oficerëve të Artilerisë (me mësues oficerë italianë) dhe se sivjet ishte shpallur një konkurs për nxënësit e rinj dhe se gjysëm ore përpara kishte mbaruar afati i paraqitjes së lutjeve. “Megjithatë”-shtoi Pandeliu-“kapitenin e lashë në zyrë. Të shkojmë një herë. Mbase e pranon lutjen”. Ishte një nga momentet më të vështira të jetës time. Unë kisha lindur ditën e një ylli të keq për shkollën e rregullt, por tani duhej vendosur nëse do të pranoja të shkoja ushtar dhe, mbasi të kryeja shërbimin, të flakesha në togun e të papunëve, ose nëse do të pranoja të futesha në shkollën e artilerisë për të pasur pas dy vjetësh një rrogë të siguruar, me shërbimin e urryer të oficerit. Pranova këtë të fundit dhe fillova Shkollën e Artilerisë në Tiranë. Por cili ishte ideali im në atë kohë? Për ta bërë të qartë këtë duhet të kthehem prapa, në periudhën kur jetova në Izmir. Në Turqi qëndrova 4 vjet e gjysëm, prej 16 maj 1923 deri 15 shtator 1927. Dy vjet i kalova në shkollë ku kisha siguruar fjetje dhe ushqim. Dy vjet e gjysmë bëra jetën e kurbetit. Kjo jetë ishte një luftë për strehim, për ushqim, për punë. Punova në disa vende pune. Privacionet ishin bashkëudhëtarët tanë. Vajta në Izmir me idetë e nacionalizmit shqiptar, me mendime demokratike dhe republikane. Dashuria për njerëzit, dhimbshuria për të vuajturit, pabarazia sociale, bënë punën e tyre. Shtojmë këtu edhe propagandën marramendëse sovjetike që hynte në atë kohë në Turqi. Unë përjetova në mënyrën më të natyrshme idetë e Revolucionit të Tetorit dhe u ktheva në Shqipëri me bindje komuniste. Tërë jetën i’a kushtova komunizmit dhe u desh një praktikë e gjatë individuale dhe kolektive, në ndërtimin e shtetit dhe të jetës nacionale, për t’u bindur se kombi i çdo sistemi begatohet, por kamja dhe skamja riprodhohen brenda begatisë, se pavarësisht nga sistemi dhe nga shkalla e begatisë, kombi është i detyruar të aplikojë shpërndarjen e diferencuar të të ardhurave kombëtare dhe të ketë një bashkëjetesë të formuar nga akumulues dhe punëtorë. Eshtë një bindje e sajuar me shumë vonesë, por më mirë vonë se kurrë. Kështu unë bëra divorcin me komunizmin. Periudha e jetës time me idetë komuniste në kohë ndahet në tri faza: Faza e parë fillon në shtatorin e 1927 dhe mbaron në gusht 1931 (në Shkollën e Artilerisë). Në këtë fazë aktiviteti im është propaganda komuniste në shkollë. Faza e dytë fillon në gusht 1931 (në Ushtrinë e Zogut) deri në tetor 1941. Në Ushtrinë e Zogut unë krijova “Grupin Komunist të Ushtarakëve” (ndoshta do të ishte më mirë të quhet “Rrethi i Ushtarakëve”). Në 11 qershor 1937 u arrestova duke qenë oficer bashkë me shumicën e shokëve të grupit. Kryengritja e Fierit kishte dështuar dhe meqë ne kishim lidhje me ta, na arrestuan me akuzën: “Pjesmarrje në të, subversin në ushtri dhe propagandë komuniste”. Pas 7 muajsh hetuesi, na liruan dhe mua me Tahir Kadarenë, na internuan në Gjirokastër. Në vitin 1938, u arrestova bashkë me Tahirin në Vlorë, sapo zbritën nga një vapor jugosllav ku kishim hipur në Sarandë me emra të rremë, për të vajtur jashtë shtetit. Nga Vlora përfundova në birucat e Gjirokastrës, ku ishte vendi i internimit. Gjatë kohës që isha i internuar në këtë qytet, krijova “Grupin Komunist të Gjirokastrës”. Në Konferencën e Gjirokastrës, u zgjodha sekretar i parë i partisë për Gjirokastrën dhe më vonë komisar politik i qarkorëve Vlorë-Gjirokastër. Kur u formua Shtabi i Përgjithshëm, unë isha anëtar i këtij Shtabi. Në Berat u zgjodha anëtar i Byrosë Politike dhe me këtë funksion isha deri në 17 qershor 1955. Faza e dytë si komunist (dhe që përfshinte periudhën gusht 1931-tetor 1941), ka të bëjë me formën organizative të punës sime. Rezultatet e arritura me njërin apo tjetrin individ, unë i përforcoja me një punë të vazhdueshme propagandistike. Isha një gjuatës njerëzish që më duheshin, aq sa shokët më emëruan “Kaçatori”. Faza e tretë fillon në nëntor 1941 (themelimi i Partisë) dhe mbaron 17 qershor 1955, që unë arrestohem sapo kalova derën e sallës ku bëhej plenumi i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe më izoluan për pesë ditë në një shtëpi. Kjo erdhi si pasojë e luftës sime të gjatë kundër politikës së Enver Hoxhës. Mbas 5 ditësh, më 23 qershor 1955 internohem familjarisht në Elbasan. Më 1 qershor 1957, arrestohem dhe izolohem në Kalanë e Kaninës në Vlorë, prej ku transferohem në 4 janar 1958 për Tiranë. U dënova me 25 vjet. Në 6 tetor 1974, lirohem nga burgu dhe internohem drejt në Selenicë. Lirohem nga internimi më 10 maj 1990, ditën kur u shpërnda Komisioni Internim-dëbimeve. Arrestimi im i parë ka qenë më 1925 në Turqi, kur unë nuk pranova të flas turqisht. Akuza: “krim i përdorimit të gjuhës amëtare”. I dyti më 11 qershor 1937 në Ushtrinë e Zogut. I treti më 1938 kur arratisëm me Tahirin. I katërti në nëntorin 1941, për organizimin e hedhjen e trakteve së bashku me Bajram Sinoimerin. I pesti 13 mars 1942, arrestohem i tradhëtuar nga një golemas. I gjashti më 4 janar 1958, tani si armik i komunizmit. Jam internuar 4 herë; më 1934 para se të vinte Konti Çiano në Tiranë, më 15 Shtator 1937, kur më liruan nga hetuesia e ushtarakëve. Më 23 qershor 1955 në Elbasan kur përjashtohem nga Partia. Më 6 tetor 1974 mbasi lirohem nga burgu i Burrelit.
“Lavdi Zotit!”-thoshte gjyshi im, kur binte fjala për shtetin- “e kalova qindin e nuk e pashë derën e Hyqymetit, as për mirë e as për keq”. Mua nipit të tij më takon të them: Lavdi Zotit! Të gjithë regjimet shtetërore më kanë arrestuar, vetëm për çështje politike./Memorie.al

SHKARKO APP