Letra/Ngjela i kërkonte Ramiz Alisë në 1987 rehabilitimin e Fishtës

Burgu i Burrelit, viti 1987. I dënuari politik Spartak Ngjela nis një letër të pazakontë në adresë të dy prej figurave më të rëndësishme të sistemit diktatorial, Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia dhe Sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH, Foto Çami.

Letra është e zbuluar këto ditë në Arkivat e Shtetit dhe është e veçantë për shumë arsye. E para, për shkak të kërkesës që parashtron. E dyta, për mënyrën se si një i dënuar politik, që quhej armik i popullit, u drejtohej dy zyrtarëve që kishin në dorë jetën dhe vdekjen e çdo shqiptari. Aq më tepër të një të burgosuri politik. Ngjela, pa patur asnjë frikë për jetën e tij, kërkon rehabilitimin e figurës së madhe të Gjergj Fishtës, të cilën regjimi komunist e denigroi dhe masakroi me të gjitha mjetet.

Spartak Ngjela, i dënuar prej vitit 1978 për agjitacion dhe propagandë, i kërkonte kupolës së sistemit që t’i japi vendin që meriton figurës së poetit Gjergj Fishta. Me një tekst dinjitoz dhe mjaft të goditur, brenda pak radhëve Ngjela paraqet gjithë kalvarin e goditjes së Fishtës si anti-sllav dhe jep arsyet se përse duhet ringritur figura e poetit. Nga burgu i Burrelit, Ngjela shprehet se është koha që kombi shqiptar të njihet me epizimin e poetit të madh. Në Kosovë prej 5 vitesh kishte nisur zgjimi i studentëve dhe organizimi i shqiptarëve. Për këtë arsye, Spartak Ngjela u sugjeron drejtuesve të sistemit monist se ky është “cak çasti kur shpirti i lirë e i papërkulur shqiptar në Kosovë ka nevojë më tepër se kurrë të dëgjojë nga Radio Tirana epizmin sublim të “Lahutës së Malësisë”.

Veç kontekstit historik dhe kërkesës së guximshme për Gjergj Fishtën, letra që gjendet në Arkivin Shtetëror, dëshmon edhe një herë karakterin rebel e të pakompromis me të keqen të avokatit që njohim sot. Në atë vit, tashmë të largët, ishte detyrim që kujtdo t’i drejtoheshe me fjalën “shok. Por Spartak Ngjela edhe në letrën për Ramiz Alinë nuk heq dorë nga shprehja që atëherë quhej borgjeze; Zotëri! Një fjalë që në atë kohë duhet të kishe guxim të çartur ta përdorje, sidomos në një letër zyrtare për njeriun më të pushtetshëm në vend. Por shkruante Spartak Ngjela! E jo një intelektual dosido.

Letra ka vlerë edhe për sfidën e hapur dhe denoncimin që Ngjela u bënë Ramiz Alisë e Foto Çamit. Në një fjali ai ka përmbledhur gjithë kundërshtinë dhe mospërputhje me sistemin. “Le të mos keqkuptohemi; asesi nuk po dua t’ju jap mend! Por diçka tjetër desha t’ju kujtoja; përpara Shqipërisë jemi të barabartë, paçka se ndërkohë policët janë nën urdhrat tuaja e mbi shpinën time”,- shprehet Ngjela në letrën e tij.

Qamil Xhani

LETRA E SPARTAK NGJELËS PËR RAMIZ ALINË

Letër drejtuar!

Zotit, Ramiz Alia

Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor

dhe

Zotit, Foto Çami

Sekretar i Komitetit Qëndror të PPSH

Tiranë

Për poetin Gjergj Fishta

Zotërinj!

Besoj, s’jam aspak i gabuar kur shprehem ndaj jush se ka ardhur bash koha që Gjergj Fishtës, epikut tonë më të madh, t’i jepet vendi që meriton. Afërmendsh këtu është fjala për një qëndrim zyrtar, sepse populli atë s’e ka ndarë kurrnjëherë nga vetja.

Pse u dënua Gjergj Fishta në vitin 1946?

Sepse jugosllavët e konsideronin antisllav. Dhe ai në të vërtetë nuk se ka qenë i tillë – Fishta s’është kurrë racist – porse, duke qenë një shqiptar krenar, s’kishte sesi të mos mallkohej nga të gjithë ata që kanë ëndërruar shfarosjen e popullit shqiptar.

Pikërisht nga një i këtillë precedent historik e sotmja ka nevojë të ngutshme për poezinë arbërore të Gjergj Fishtës.

Ka kohë, më tepër nga një shekull ka, që poezia shqiptare ecën krahas shqiptarizmës, prandaj ndërkaq është cok çasti kur shpirti i lirë e i papërkulur shqiptar në Kosovë ka nevojë më tepër se kurrë ë dëgjojë nga Radio Tirana epizmin sublim të “Lahutës së Malsisë”.

Edhe diçka tjetër…

Nëse historia e Shqipërisë qysh prej Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1980 ka qenë një fenomen jugor-qemalian (1) për vetëqenien dhe bashkimin e popullit shqiptar si trung, ajo pas Pranverës së Madhe të vitit 1981, ka hyrë në hullinë e një fenomeni verior-kastriotian për vetëqenien dhe bashkimin e popullit shqiptar si etni arbërore.

PS:

Zotërinj!

Le të mos keqkuptohemi; asesi nuk po dua t’ju jap mend! Por diçka tjetër desha t’ju kujtoja; përpara Shqipërisë jemi të barabartë, paçka se ndërkohë policët janë nën urdhrat tuaja e mbi shpinën time.

Spartak Ngjela

I burgosur politik në burgun e Burrelit.

Burrel më 7.12.1987

 1-Është fjala për Ismail Qemalin

Shënimi i bërë ( më poshtë) në dokumentimin e letrës nga zyrtarët e kohës, viti 1987

Përmbledhje

Armiku Spartak Ngjela, nga Reparti 321 në Burrel, në letrën që i drejton shokëve Ramiz Alia e Foto Çami, thotë:

-Ka ardhur kohë që Gjergj Fishtës, epikut tonë të madh, t’i jepet vendi që meriton. Shton se Fishta është dënuar në vitin 1946, sepse jugosllavët e konsideronin antisllav. Shkruan se ai s’është racist, por, duke qenë një shqiptar krenar, s’kishte s’i të mos mallkohej nga të gjithë ata që kanë ëndërruar shfarosjen e popullit shqiptar. Ka ardhur çasti, thotë, kur shpirti i lirë e i papërkulur shqiptar në Kosovë, ka nevojë për më tepër se kurrë të dëgjojë nga Radio Tirana, epizmin sublim të “Lahutës së Malcisë”.

– Në letër shkruan: “Në se historia e Shqipërisë qysh prej Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1980 ka qenë një fenomen jugo- qemalian (për Ismail Qemalin), pas pranverës së madhe të vitit 1981 ka hyrë në hullinë e një fenomeni Verior-Kastriotian, për vetëqenien dhe bashkimin e popullit shqiptar si etni arbërore”.

25.12.1987                                                      Elisabeta Haxhinasto

SHKARKO APP