Libri i ri, Eni Vasili sjell 7 zëra nga errësira komuniste

“Zëra nga errësira” quhet libri që do të promovohet sot në Universitetin Europian të Tiranës nën logon e “UET Press”, ku shtatë personazhe, disa pasardhës të familjeve të vjetra shqiptare dhe pjesa tjetër fillimisht kundërshtarë politikë të të parëve rrëfejnë ferrin e kampeve të internimit dhe burgjeve të regjimit komunist, ku kanë jetuar të gjithë për shumë vite.

Eugjen Merlika, Klara Merlika, Daut Gumeni, Maks Velo, Rrahman Parllaku, Bashkim Shehu, Simon Miraka dhe Gjon Rrethi vijnë në intervista që hedhin dritë mbi atë çfarë ka ndodhur me njeriun nën diktaturë. Këto rrëfime janë dhënë në emisionin “Studio e hapur” në “News 24”.

Nevila Nika në parathënien e librit shkruan se “Çdo popull ka nevojë të dijë të kaluarën e tij, por në rastin e shqiptarëve kjo është një domosdoshmëri, për shkak se vitet e diktaturës komuniste kanë dëmtuar rëndë kujtesën tonë historike, duke e shtrembëruar atë për shkaqe ideologjike”.

Ndërsa gazetarja Eni Vasili, duke shpjeguar arsyet që e shtynë t’i kushtonte hapësirë të veçantë, në emision e më pas në libër, temës së përballjes me të shkuarën komuniste, thotë se “28 vjet prej kohës kur u rrëzua komunizmi në Shqipëri, ende nuk kemi një proces të përballjes me të shkuarën, ende nuk ka një proces të mirëfilltë të dekomunistizimit të shoqërisë sonë”. Vasili madje e sheh të qëllimshëm mungesën e katarsisit shoqëror kur gjykon se “Duket sikur ka një tendencë për t’i fshehur krimet e komunizmit, së paku, duke heshtur për çfarë ka ndodhur në 45 vjet diktaturë”.

Kontributin e botimit “Zëra nga errësira”, Nevila Nika e sheh si një akt përkundër mungesës së theksuar të dokumenteve arkivore që dëshmojnë për këtë të kaluar. Sipas saj, ky libër, edhe pse në dukje i thjeshtë, është një kontribut i vyer në rindërtimin e kësaj kujtese, që po rrezikohet nga dita në ditë prej një erozioni të frikshëm. “Dëshmitë gojore, si në rastin e intervistave apo edhe dokumentarëve të personave të ndryshëm, shndërrohen në burime jashtëzakonisht të vyera për historianët, sociologët, antropologët, psikologët, politikanët, shkurt për secilin prej nesh”, shkruan ajo.

DËSHMITË

Ka 28 vite që në shtypin dhe publicistikën shqiptare botohen dëshmi, biografi apo dhe romane për komunizmin, por të gjithë pranojnë se jemi ende shumë larg standardit të seriozitetit dhe rëndësisë që ka në jetët tona ajo periudhë.

Në këtë kontekst ende të pasistemuar e pandriçuar, intervistat e realizuara prej Eni Vasilit, si dëshmi në vetë të parë e autentike, janë copëza historie të individëve, por mund t’i konsiderojmë fare bukur si pjesëza të një tabloje të madhe të historisë sonë kombëtare.

“Përzgjedhja e personazheve të intervistuar, që Eni i ka bërë pjesë të këtij botimi, mendoj se nuk ka qenë e rastësishme. Janë shtatë intervista, një zonjë e gjashtë zotërinj të vërtetë, thënë ndryshe me ‘Z’ të madhe. Shtatë persona të ndryshëm si prejardhje familjare, krahine e përkatësie fetare: moshe, formimi e bindjesh. Kanë kaluar nëpër zyrat famëkeqe të Sigurimit të Shtetit e ato të hetuesive, ku edhe janë marrë në pyetje për ‘krimet që kishin kryer ndaj pushtetit popullor’, por tashmë përballë gazetares ndiejnë përgjegjësinë e rëndësisë për të dëshmuar të vërtetën e asaj çfarë ka ndodhur vite më parë me ta e bashkëvuajtësit e tyre”, shkruan Nevila Nika.

Historiania e njohur ka njohur personalisht disa prej këtyre personazheve dhe e kupton fare mirë se sa me vështirësi flasin për vuajtjet e poshtërimet, me të cilat janë përballur pa asnjë shkak a motiv bindës në të kaluarën. “Por përballë gazetares Vasili ata nuk kanë ngurruar të tregojnë e të dëshmojnë me shumë fisnikëri e qytetari historitë e tyre personale”, përfundon Nika.

Përballë zërave të së shkuarës

ENI VASILI/ Përballja me të shkuarën komuniste është një ndër sfidat e rëndësishme të shoqërisë shqiptare. Kanë kaluar 28 vjet prej kohës kur u rrëzua komunizmi në Shqipëri, por ende nuk kemi një proces të përballjes me të shkuarën, ende nuk ka një proces të mirëfilltë të dekomunistizimit të shoqërisë sonë.

Duket sikur ka një tendencë për t’i fshehur krimet e komunizmit, së paku, duke heshtur për çfarë ka ndodhur në 45 vjet diktaturë. Ka pasur përpjekje në media për të zbardhur pjesë të rëndësishme të asaj periudhe të errët, por është bërë ende shumë pak deri tani. “Studio e Hapur”, me mbështetjen shumë të rëndësishme të “News 24”, i kushtoi këtë sezon një hapësirë të veçantë pikërisht kësaj teme, përballjes me të shkuarën komuniste. Janë realizuar tetë intervista të rëndësishme me personazhe që i kanë mbijetuar terrorit komunist.

Ata kanë rrëfyer vuajtjet e jetës së tyre nëpër burgjet dhe kampet e internimit gjatë diktaturës komuniste. Janë tetë jetë të ngjashme, por edhe të ndryshme për mënyrën se si kanë sfiduar diktaturën, duke u mbijetuar torturave fizike dhe psikologjike. Janë rrëfime që më kanë përlotur, por dhe më kanë surprizuar me kurajën, përmes së cilës kanë mundur t’i mbijetojnë diktaturës.

Janë dëshmi shumë të rëndësishme që dokumentojnë ngjarje, që kanë shënjuar historinë e komunizmit. Le të shpresojmë se ky botim, me rrëfimet e tetë personazheve të rubrikës kushtuar kujtesës, në “Studio e Hapur” në “News 24”, besoj se do të jetë një kontribut i rëndësishëm si për studentë, aq edhe për studiues. Kam falënderim të veçantë për tetë personazhet që pranuan të rrëfejnë jetën e tyre në studion tonë, gjithashtu kam falënderim të veçantë për “News 24”, që ka mbështetur pa asnjë kufizim projektin tonë për kujtesën.

“Studio e Hapur”, do të vazhdojë t’i kushtojë hapësirë kujtesës edhe në sezonet e ardhshme për të dhënë kontributin modest për zbardhjen e krimeve të komunizmit.

SHKARKO APP