Libri më pranë fëmijëve, iniciativa e veçantë e Bibiliotekës “Gjergj Fishta”, Lezhë

Përgjatë një viti, që prej krijimit të saj në 2016, “Biblioteka e Lëvizshme”, vazhdon udhëtimin e saj në shkollat e zonës rurale në Lezhë, duke gjetur miq të rinj, të etur për të udhëtuar në histori të reja.

Nxënësve të 28 shkollave rurale në Lezhë – siç transmeton Atsh – vazhdojnë t’ju ofrohen libra jashtëshkollorë përmes kësaj iniciative të bibliotekës dhe pushtetit vendor të këtij qyteti. I kthyer tashmë në një praktikë që përmbush detyrimin e shërbimit ndaj nxënësve aty ku jetojnë, kjo iniciativë ka për qëllim nxitjen e kulturës përmes leximit. Drejtoresha e Bibiliotekës Publike “Gjergj Fishta”, Lezhë, Suela Bala bën me dije se “ditët e fundit janë shpërndarë libra në dy shkollat e Torovicës, ku lamë 50 libra, 23 në fshatin Malecaj dhe 40 libra në shkollën Pjetër Zarishti të Blinishtit”.

“Me një interes shumë të madh u pritën këta libra disa ditë më parë edhe nga nxënësit e shkollës së Rrilës, të cilët tashmë kanë në duar 52 libra të rinj, ndërsa nxënësit e Shënkollit kanë mundësi për të zgjeruar dijet e tyre me anë të 79 titujve”, sqaron Bala.

Është detyra jonë, shton Bala, që të shkojmë pranë atyre fëmijëve që duan të lexojnë, t’u ofrojmë libra, me synim që të arrijnë shprehinë e të lexuarit, duke krijuar një marrëdhënje të ngushtë dhe të përhershme me librin.

Me anë të këtij projekti Bashkia e Lezhës u vlerësua vitin e kaluar me çmimin e parë në nivel kombëtar për praktikat më të mira inovative të qeverisjes vendore, me Bibliotekën e Lëvizshme. E konceptuar si një mundësi për fëmijët që nuk kanë mundësi ekonomike, apo kohore për të udhëtuar drejt Bibliotekës së Lezhës, është kjo e fundit që po shkon tek nxënësit.

SHKARKO APP