Libri që sajdis letërsinë

 

Opinion rreth librit poetik “Hije dheu” të Hasan Selimit

Mark Simoni

Sapo merr në dorë librin “Hije dheu” të poetit Hasan Selimi ndjen si në mistikë, të vijë bash prej brenda poezive vokacioni i brendshëm i këtij autori. Ndjehet gjenetika e kujtimeve që i japin librit dhe poezive një tis të shndritshëm. Imazhe të arealit, ku është sjellë fëmijëria e tij. Poeti artikulon shumë saktë peizazhet dhe atmosferën e vendlindjes. Fëmijëria, si stofi fillestar i krijuesit, na udhëzon drejt karakterit arketipat të këtij poeti. Autori, me një vëmendje artistike, ka fiksuar detaje të jashtëzakonshme. Zotëron dijen e njohjes së anatomisë së sendeve dhe të botës që e rrethon. Hasan Selimi mbetet një detaist skrupuloz deri në besim. Përshkruan peizazhe funksionale pa rënë në grackën e ekzotikës. Ekzotika është situata që ka tunduar shpesh krijuesit duke i bërë ato herë peizazhistë të zakonshëm, herë -herë sentimentalë, e herë të tjera imazhinistë melankolikë. Peizazhet në poezinë e Hasan Selimit janë një dinamikë që lëvizin. Poeti nuk rri kundruall gjërave, nuk merr pjesë vetëm në konstatimin e tyre apo thjeshtë në përshkrimin e tyre. Ai futet thellë ndërgjegjes së fenomeneve, shqetësimeve e dilemave, mbërrin në labirintet më të errëta të dukurive, bash atje ku Poetin e shtynë axhenda e tij si një qenie sociale. Ky autor është një nerv që pulson brenda letërsisë. Dhe ka gjetur këtë lloj energjie që e njeh mirë, për të filluar misionin e tij. Është zëri nervoz që shqetësohet nga padrejtësitë, është gishti tregues që akuzon. Por është dhe melodia e brishtë, është njeriu i përvuajtur që mbërthehet nga dhimbja e kujtimeve për ato që s’janë më. Libri i tij “Hije dheu” është dhe harmonia e ngjyrave, ujëvarave e bjeshkëve. Ky bard gjendjesh dallohet nga tonaliteti dhe energjia e poezive që sjell. Nënvetëdija e tij krijuese herë- herë e shtynë drejt përroit psikik. Shkruan pafund, duke vërshuar, pa reshtur, drejt pasionit të asaj që don të deklamojë. Ky stil ndodh sidomos në temat që kanë të bëjnë me pjesën mistike të tij, atëherë kur Poeti flet për aksin e marrëdhënieve që e lidhin me Hyun dhe shenjtërinë e tij. Libri na tregon më së miri që Hasan Selimi zotëron, me mjete inteligjente, subjekte me të cilët ka rënë dakord ndërgjegjja e tij krijuese, por pa humbur aftësinë ndjesore, për t’i bërë sa më poetike situatat që përshkruan. Bie në sy që vetëdija e tij krijuese është e orientuar ndaj ca shijeve të veçanta e interesante. Ky autor ka guximin e krijuesit që eksperimenton, tenton të tejkalojë rregullat ku është konfiguruar letërsia e trevës prej nga vjen. Tërë bota e tij e mbushur me zogj, zëra bjeshkësh, ujëvara të shndritshme, zmadhon botën tonë të përfytyrimit. Poezia e tij nuk mbyllet në arsyen e dimensionit, por harliset, del nga kuadri i rregullave të traditës, provon stil, gjen gjuhë të reja komunikimi. Uni i tij poetik është zanafillor, thelbësor, substancial dhe vjen pikërisht nga ajo ç’ka është qendra e vetëdijes së tij. Stofi i krijuesit dallohet menjëherë. Në poezitë e Hasan Selimit ndjehet zjarrmia shpirtërore, të cilën e kuron bukur, e rafinon, e kthen në estetikë e letërsi. Ky poet luan që nga bota e tij e vogël e fëmijërisë deri tek tonet e larta universale. Është Poeti i shqetësuar që ka ardhur në këtë botë letërsie të bëjë diçka në emër të iluminizmit të të tjerëve. Ndaj ndërton një korpus të tërë. Temat përbejnë agregatin e tij të madh. Dhe për t’iu dhënë këtyre dimensioneve vezullimin poetik e pamjen magjike, Poeti përdor në letërsinë e tij dhe brishtësinë, delikatesën dhe situatat fine që rrinë në harmoni fare pranë toneve nervoze. Ndodh tamam si në skenat antike, ku pas akteve të ashpra të tragjedive, ne skenë hynin koret e tragjedive me këngët e tyre lirike e shumë sentimentale. Ky libër që kemi në dorë e sajdis më së miri letërsinë tonë, i shton dhe një oktavë melodisë së artit të vargut, i jep dhe ca nur e hijeshi fjalës shqipe, e bën akoma më zonjë krijimtarinë e bjeshkës. Dhe është pikërisht Hasan Selimi që na e celebron këtë situatë.

Kjo është parathënia e këtij libri, botim i shtëpisë botuese “Muzgu”, që doli këto ditë nga shtypi. Një libër luksoz, performant, estetik.

 

SHKARKO APP