LIBRI “SARAH”/ Sulejman Gjana përplaset me Pezën: Enveri, amoral. Mbreti nuk mund t’i jepte motrën 

Një debat i hapur publik mbi romanin “Sarah” të Alfred Pezës, botim i Mapo Edition, organizuar tek instalacioni Reja, është shoqëruar me replika të nxehta mes Kryetarit të Lëvizjes së Legalitetit Sulejman Gjana dhe Alfred Pezës. I pyetur nga Alda Bardhyli mbi përpjekjet historike që ka pasur për ta atanemuar figurën e mbretit Zog dhe platformën e legalistëve për të risjellë imazhin e munguar të mbretit, Gjana tha se përpjekje të tilla i ka gjetur edhe në romanin e Pezës. Sipas tij, romani ushqen mite që e dëmtojnë figurën e mbretit Zog. “Vetë historia mbi të cilën është ndërtuar ky roman, ajo e dashurisë mes Sara Blloshmit dhe Zogut, është e stisur. Gjithnjë ka pasur përpjekje për ta treguar mbretin si një lloj aventurieri, por lidhja mes tij dhe Sara Blloshmit nuk qëndron”, tha Gjana.

Lidhur me pretendimin e Pezës se Zogu kërkonte të fejonte të motrën Maxhide me ish diktatorin Hoxha, Gjana tha se kjo është një sajesë, pasi familja mbretërore ishte tepër e kujdesshme në zgjedhjen e miqësisë dhe nuk mund të bënte miqësi me një familje jo të denjë siç ishte ajo e Enver Hoxhës. Sipas tij, Zogu duhet të kishte informacion që Enver Hoxha ishte një dandy, një njeri imoral jo në rangun e familjes mbretërore. Në atë kohë Enver Hoxha sapo kishte ardhur nga studimet nga Franca, ambicioz për të rritur pozitat e tij në vend dhe një fejesë e tillë do ta afronte atë më afër pushtetit. Një tjetër mit, sipas Gjanës është dhe ai i Matit, si një krahinë që dominoi jetën e asaj periudhe, apo miti i mbretit si një njeri që ka bërë krime duke eliminuar kundërshtarët e vetë, politikë apo personal.

”Ka përpjekje në libër për ta mohuar rolin e mbretit në emancipimin e shoqërisë dhe çuarjes së vendit drejt perëndimit, duke ia vënë këtë kontribut Faik Konicës apo Sara Blloshmit”, tha Gjana. Nga ana tjetër Gjana tha se e ka lexuar veprën me një frymë dhe se romani përshkruan shumë bukur atmosferën dhe frymën e kohës gjatë qeverisjes dhe mbretërimit të Shqipërisë nga Ahmet Zogu. Ai vlerësoi veçanërisht stilin e Pezës. Ai tha se disa pasazhe në libër përshembull, i kishin kujtuar Dan Brawn, ndërsa skenat erotike apo narracioni i kishin ngjarë me autorë të tjerë të spikatur të letërsisë botërore, por ku në fakt autori ka qenë gjithmonë vetvetja.

Peza u përgjigj se tek qasja e zotit Gjana, dallohen qartë dy linja të ndara mendimi. Nga njëra anë intelektuali me qasje moderne dhe nga ana tjetër linja e indoktrimit politik, sipas klisheve të vjetra. Autori i Romanit “Sarah” sqaroi se libri i tij, më shumë sesa për individin Ahmet Zogu është një vepër e angazhuar për të ndriçuar si kurrë më parë, gjenezën e përpjekjeve një shekullore të shqiptarëve, pas rënies së Perandorisë Osmane, për tu orientuar drejt qytetërimit perendimor dhe për të qenë në sjellje, në veshje, emancipim, në mënyrë jetese e qeverisje, me kulturë dhe qasje Europiane, siç janë të tillë edhe gjeografikisht.

Përsa i përket asaj që Gjana e konsideroi si miti i raportit mes Enver Hoxhës dhe familjes Mbretërore, Peza tha se ky moment në libër, është thjeshtë një qasje letrare. Përsa më përket mua si shkrimtar, tha ai, fantazia ime mund të ketë shkuar deri atje sa ta bëja Enver Hoxhën të dashurin e Ahmet Zogut ose anasjelltas, por zgjodha ta shmangia këtë, sepse nuk shkonte me linjën e mendimit letrar që përshkon gjithë veprën. Enver Hoxha në vepër, është hallka lidhëse mes romanit të parë “Sarah” dhe vijimit të projektit tim letrar, për të shkruar një triologji, ku vepra e dytë, do ti kushtohet periudhës komuniste,- tha Peza.

Debati i plotë

Sulejman Gjana:

Në disa pasazhe libri më dukej sikur lexoja Dawn Brown, kishte disa pasazhe erotike që e bënin më interesant si roman, apo edhe sikur lexoje të tjerë autorë të njohur. Unë e kam lexuar me një frymë dhe me sportivitetin që mund të lexohet një roman, pavarësisht se i përket një periudhe që na intereson shumë. Unë e ndjek jo vetëm si kryetar i PLL, por si një studiues së asaj periudhe dhe si një adhurues i veprës së mbretit Zog. Në fakt përderisa romani trajton një periudhë që është e rëndësishme dhe ngelet e panjohur, gjykoj që përtej interesit që shfaq, është i vonuar. Do të dëshiroja që të shkruheshin edhe vepra të tjera për sa i përket seriozitetit të asaj periudhe.

Unë nga përkatësia ime si zogist dhe si një adhurues i asaj periudhe, në këtë libër gjeta disa gjëra që nuk më habitën, por i shënova. Më duket sikur u përsëriten disa mite, madje u krijuan mite të reja. Të marrim mitet që disa herë shfaqen në këtë libër dhe që janë prodhim i pas luftës së dytë botërore dhe pas ndryshimeve të viteve 1990. Janë gjëra të çuditshme. Vihet theksi në libër që fakti se mbreti Zog ishte një kriminel i cili asgjësonte kundërshtarët e vet.

Ky është një mit që ka lindur në kohën e diktaturës si një akuzë ndaj mbretit Zog. Mite të tjera që ushqehen në këtë libër për sa i përket Sara Blloshmit kur shfaqet në festën te ambasada e SHBA, kur ajo duhej të dënohej sipas ligjeve të kohës, por është njëlloj reference sikur në atë kohë ishim në një lloj mentaliteti siç është konsideruar mentaliteti anadollak i udhëheqjes së asaj kohe, por nuk është e vërtetë. Ky ishte një tjetër mit i ndërtuar gjatë periudhës komuniste.

Mite të tjera të cilat dalin disa herë dhe përsëriten me insistim, revolucioni i qershorit, që nga goja e mbretit Zog nuk mund të kishte dalë si i tillë. Revolucioni i qershorit rezultoi një grusht shteti. Nga goja e tij nuk mund të dilte, por miti i revolucionit të qershorit ushqehet prapë në këtë libër. Pastaj është një pasazh interesant ku thuhet se për të pasur sukses duhet të jesh nga Mati.

Është një tjetër mit. Vazhdon të ushqehet, ndonëse në një roman, që është një sajesë dhe trillim i juaji. Por, gjykoj që vazhdojmë me mitet që jeni mësuar dhe edukuar, sepse i përkisni periudhës së fundit të diktaturës komuniste. Janë këto mite te çuditshme. Prapë ushqen një mit tjetër, fakti që konsiderohet ideja se Ahmet Zogu braktisi Shqipërinë dhe la fushën e lojës së zbrazur. Mite të cilat aspak nuk bashkohem, por që i gjejmë këtu.

Mite të tjera, që janë po aq interesante dhe përbëjnë bazën e lëndës së parë të këtij librit, është historia e dashurisë midis Sara Blloshmit dhe Ahmet Zogut. Edhe kjo është një sajesë që ia kanë atribuuar mbretit Zog. Atij i kanë atribuuar disa aventura. Madje kanë shkuar disa autorë të tjerë deri atje sa i kanë atribuuar edhe një marrëdhënie incestuale me motrën. Gjithmonë duke përdorur figurën e Ahmet Zogut për të krijuar disa legjenda që nuk kanë asnjë fakt dhe asnjë dokument.

Unë e kuptoj që është një roman, e marr me sportivitet, pavarësisht se i përket një periudhe të rëndësishme, ku aktorët dhe personazhet mund të kishin një rol tjetër edhe në roman, pa nevojën e ushqimit të miteve të cilat janë krejtësisht të pabaza. Ajo që më bëri përshtypje është dhe krijimi i miteve të reja në këtë roman siç ishte fakti i historisë së dashurisë imagjinare midis Enver Hoxhës dhe princesësh Mexhide.

Në fakt e kam ndjekur edhe në një intervistë, në një debat që keni bërë me nipin e Ahmet Zogut në lidhje me këtë çështje, realisht unë besoj se ky roman duhet t’u shërbejë të gjithë atyre që do të dëshirojnë të studiojnë periudhën e Mbretit Zog, pasi realisht kur e lexojmë ndodhemi në atë kohë, e keni shkruar me aq mjeshtri saqë dukemi sikur po i përjetojmë çastet e viteve ’20 – ’30, ashtu siç studiuesit apo të cilët janë të interesuar për përudhën e shekullit të kaluar duhet të lexojnë kujtimet e Eqerem Bej Vlorës, për t’u futur në kontekstin e asaj kohe, në atmosferë. Edhe këtu ata që dëshirojnë të dinë diçka më shumë për periudhën ’20 – ’30, do duhet ta lexojnë këtë libër. Pikërisht për të kuptuar shijet dhe atmosferën e asaj kohe.

Por ky pasazh, ky mit i çuditshëm, përderisa duke marrë parasysh se Mbreti Zog i përkiste një prej familjeve elitare të vendit tonë, e cila kishte lidhur me krushqi me familjet më të larta. Ai nuk mund të lidhte krushqi me Enver Hoxhën, të cilin e njihte kush ishte dhe nuk i përkiste shtresës së vet dhe nuk kishte sens dhe s’kishte kuptim. Por, padyshim edhe prej diferencës së moshës midis princeshës dhe Enver Hoxhës. Ai ishte një aventurier, ishte një personazh që nuk kanë shkruar sa duhet, por kanë thënë të vërteta në lidhje me të, madje edhe në kujtimet e veta të rinisë gënjen.

Nuk thuhet e vërteta në lidhje me të, për lidhjet e dyshimta të tij, deri edhe homoseksuale, të cilat ekzistojnë dokumente, pavarësisht se nuk janë botuar, ka referenca. Ju mendoni se mbreti Zog nuk e dinte nga shërbimet sekrete të asaj kohe realitetin e një individi të tillë, një student i paeksesueshëm, i cili nuk i përkiste shtresës së lartë të aristokracisë së asaj kohe, të cilin ju e fusni si një mit të ri që sajoni. I cili do të lejë gjurmë.

Alfred Peza:

Në të gjithë ligjëratën tuaj dallohen qartë se ajo udhëton mbi dy shina, në atë të politikanit dhe në atë të intelektualit. Kur jeni në shijen e intelektualit, kam dëgjuar gjërat më brilante që kam dëgjuar deri tani për librin tim. Gjithçka shkon kështu deri te qasjet që ju i bëni librit si letërsi në tërësinë e vet. Në momenti që futeni në politikë, aty devijoni duke vazhduar që ta shikojmë përsëri historinë e Shqipërisë bardhezi. Kjo është një gjë që nuk më përket, por sigurisht nuk mund të rri pa e thënë. Për sa i përket miteve, për mua nuk është mit, por është realitet.

Po mar shembullin e asaj që ju e cilësuat si miti i konkurencës së Matit me Dibrën, që mer shkas nga një pasazh i librit. E ku aty thuhet se dominoi pas ardhjes së Ahmet Zogut në pushtet jo vetëm qytetin apo krahinën fqinje, por edhe gjithë Shqipërinë. Duke rrëzuar këtë kuptohet se po kaq lehtësisht të rrëzueshme janë edhe ato që ju i numëruat si “mitet” e tjera. Rivaliteti mes Burrelit dhe Peshkopisë, mes Matit dhe Dibrës ka qenë jo vetë në atë kohë, por edhe përpara Zogut, edhe gjatë komunizmit, është edhe sot e kësaj dite, e do të jetë edhe nesër. Kjo është normale. Sikundër është krejt normale rivaliteti mes Kavajës dhe Durrësit, Peqinit dhe Elbasanit, Librazhdit dhe Prrenjasit, Pogradecit dhe Korçës, Selenicës dhe Vlorës, Tepelenës dhe Gjirokastrës, Himarës dhe Sarandës, Sarandës dhe Vlorës e kështu me radhë. Sikundër është edhe rivaliteti mes Romës dhe Athinës, Tiranës dhe Prishtinës, Beogradit dhe Podgoricës, Brukselit dhe Uashingtonit.

Ju lutem, mos e gjykoni “Sarah” me informacionin e sotëm për atë që ka ndodhur më pas, por lexojini ngjarjet e historisë në roman, në kontekstin e atëhershëm dhe deshifrojini mesazhet e tij ashtu siç janë. Artistike dhe letrare, me mesazhe universale dhe jo të personalizuara ngushtësisht, edhe kur ato vendosen në gojën apo përshkruajnë një personazh konkret.

Përsa i përket romancës mes Ahmet Zogut dhe Sarah Blloshmit, ajo është një historia që ka marë indicie nga elementë të vërtetë, por që trillimi siç sot është në roman, ka ardhur si pjellë e fantazisë sime. Eshte një e drejtë dhe zgjedhje prej autori të një vepre letrare. Për kërshërinë Tuaj, fantazia ime artistike ishte shumë e ndezur dhe më e zjarrtë se sa kaq. Ajo shkonte deri atje sa mund ti bënte të dashur Enver Hoxhën me Ahmet Zogun. Por, ia kurseva këtë radhë letërsisë sime dhe kështu mendova se ishte një zgjidhje më e pranueshme letrare në bazë të logjikës dhe dinamikës të asaj që unë kam parashikuar në librin tim. Sikundër, mos harro që kjo është dhe hallka e lidhëse e projektit tim triologjik, ku libri im i dytë do t’i përkushtohet pikërisht figurës së Enver Hoxhës.

I gjithë libri, të gjithë romanin dhe historinë e rrëfyer aty, përfytyrojini vetëm në mënyrë letrare. Ngjarje konkrete, në një periudhë konkrete, me personazhe realë apo të trilluar, për të dhënë mesazhe të caktuara. Për ta bërë më të prekshme këtë, në mënyrë figurative, unë kam marrë të gjithë lëndën e një kalaje të rrënuar, të lënë në harresë, diku në periferi të kujtesës sonë historike dhe me këtë lëndë dhe me këto materiale, kam rindërtuar sipas fantazisë sime, një vilë moderne.

Lexojeni sipas këndvështrimit dhe dëshirës tuaj, por mos harroni veç një gjë. Ky libër është një përpjekje serioze për të sjellë në një kontekst letrat një realitet që fatkeqësisht në mënyrën më të papërgjegjshme i’a kemi mohuar vetvetes: Përpjekjen tonë jo të djeshme, as të sotme, por plot 100 vjeçare për orientimin europian dhe perendimor të Shqipërisë.

Sulejman Gjana:

Mbreti Zog nuk u përket vetëm legalistëve, iu përket të gjithë shqiptarëve. Këhstu që ju keni dhënë një kontribut duke i dhënë një figurëmë humane që e njeh letërsia deri më sot.

Në fakt kam edhe një ndërhyrje për orientimin e vendit tonë drejt qytetërimit evropian, është mëse e vërtetë që në atë periudhë u bë orientimi perëndimor i vendit tonë dhe u arrit emancipimi i popullit shqiptar.

Por në libër ia atribuoni Sara Blloshmit dhe Faik Konicës, ndërsa realiteti historik është krejtësisht ndryshe, sepse ishte një projekt i Ahmet Zogut që përpara atij momenti ku Sara shfaqet te mbrëmja e kalimit të viteve te amabsada e SHBA dhe para bisedës që zhvillon me Faik Konicën mbreti Zog, biesdë e cila përshkruhet në libër sikur të ketë ekzistuar, nga niveli i lartë artistik që ju shkruani. Por fakti që ia atribuoni Sarah Blloshmit dhe Faik Konicës, duket sikur bëni një tentativë që t’ia hiqni meritat Mbretit Zog.

Alfred Peza:

Sarah Blloshmi dhe Faik Konica, përveçse personazhe janë edhe simbole, janë figuracione artistike të dy dimensioneve për të cilat ka aq shumë nevojë Shqipëria. Mos i lexoni këto dy emra në roman, si dy njerëz, si dy personazhe që janë aty për t’i vjedhur meritat historike Ahmet Zogut apo ndokujt tjetër. Por shihini ato si dy dimensione të reja, që Ahmet Zogut vetë i bëjnë një nder të madh, sepse e bëjnë tredimensional. E bëjnë një udhëheqës shqiptar brenda të cilit janë edhe Ahmet Zogu, edhe Faik Konica, edhe Sara Blloshmi. Janë edhe lideri politik, edhe lideri intelektual edhe muza e emancipimit tonë shoqëror.

Henri Çili:

Rëndësia e këtij libri, e këtij romani që hap një moment të ri në letrat shqiptare, le t’i quajmë letrat shqipe të gjitha prurjet, por ta shohim si një impuls të hapësirës kulturore shqiptare, të Tiranës intelektuale, për të sjellë diçka. Ne kemi nevojë të kthejmë biografitë e letrarizuara. Madje ka lindur në Hollywood një gjini tjetër, biopix, një biografi filmike. Shqipëria me personazhe të tillë si Ahmet Zogu, në çdo plan, ose pse jo dhe personazhe të tjera si Mehmet Shehu apo Enver Hoxha, Ismail Qemali etj., përtej pozitivitetit apo negativitetit që i kanë sjellë Shqipërisë, mund të kategorizohen në personazhe të letrarizueshëm, të ekranizueshëm.

Pra janë ¾ të gatshëm për trillin letrar. Këtu e shoh unë rëndësinë e kësaj historie të sjellë nga Peza në romanin “Sarah”. Nuk ka rëndësi se sa i moralshëm apo korrekt me moralin ka qenë mbreti Zog apo anasjelltas. Mbreti Zog i përmbush të gjitha kushtet për të qenë një personazh historik dhe letrar. Ai është personazh në kërkim të autorit, siç thotë Markez. Unë do doja ta shikoja film këtë roman, një pjesë apo degëzim të tij.

SHKARKO APP