Ligji grek i luftës dhe arvanitët muslimanë

Nga Saimir Lolja

Pjesa jugore e Shqipërisë së Poshtme thërritet nga shqiptarët me emrin Çamëri. Për të ndeshet edhe emërtesa perandorake romake Epir-us e shekujve I – IV e.s. e marrun prej shprehjes gjeografike në Shqip “Tokat e Pirit” duke i ngjitur prapashtesën perandorake romake perëndimore -us. Rrënojat E Pirit, qytetit arban shumë të lashtë, ndodhen afër fshatit Zhulat të Gjinokastrës. Tokat E Pirit u përvijuan për herë të parë si një rajon shtetëror i Greqisë së Madhe në vitin 1913 duke përdorur për të emërtimin romak Epirus. Përdorimi prej Greqisë së Madhe i emërtimit “Epirus” dhe mëtimi se “Epiri është grek” nuk do të thotë se “Greqia” e krijuar për herë të parë në histori në vitin 1830 bëhet “Greqi e lashtë”.

Në Shqip, Ar  bana (e folur veriore) = Ar bëra (e folur jugore). Këto fjali rrënjë përshkruajnë veprimin themelor të bujqëve të paktën që 12’000 vjet më parë. Prej tyre lindin emrat cilësor të njëjtë në thelb dhe pak të ndryshëm në thurje: Arban = Arbër = Arbëresh = Arbëror = Arbanas = Arbanit = Arvanit = Arnaut (osmanisht) = Arnavut (turqisht, sot) = Alban = Albanian (prej të huajve) = Shqiptar = I-lir. Meqenëse germa B në gjuhën kishtare bizantine Katharevousa lexohet V, atëherë emri cilësor Arbanit u shndërrua në Arvanit. Sipas rrobes fetare të besimit, Arvanitët vendas dallohen në të krishterë ortodoksë dhe muslimanë. Gabimisht, dhe mbjellur qëllimisht nga propaganda kundrashqiptare, vetëm arvanitët vendas muslimanë të veriperëndimit të Greqisë së Madhe nënkuptohen nga shqiptarët si çamë.

Pas kryengritjes së arvanitëve të krishterë në vitin 1821, Lidhja e pa çertifikuar Entente e perandorive Britani-Rusi-Francë krijoi më 3 Shkurt 1830, për herë të parë në histori, një principatë fetare jo perëndimore të quajtur “Greqi” dhe me sipërfaqe sa 1/6 e Greqisë së Madhe të sotme. Për tradhti ndaj Europës e Perëndimit, “Greqia” u përvijua si një shtet që do ringjallte perandorinë lindore të krishterë ortodokse të fikur në vitin 1453. Prandaj edhe sot, shtetas “grek” do me thënë jo një njeri më kombësi por një besimtar i krishterë ortodoks, që përdor edhe gjuhën kishtare bizantine Katharevousa të përshtatur për popullin (Dhimotiki), që emrin e ka me prapashtesat fetare bizantine -os e -is, dhe urren muslimanët e çfardolloji.

Lidhja Entente u çertifikua me firmat e vitit 1907 dhe në shekullin XX, për tradhti ndaj Europës e Perëndimit, edhe do zmadhonte akoma “Greqinë” edhe do krijonte tre herë Jugosllavi (Serbi më të Madhe). Me ndihmën e perandorisë Austro-Hungareze, shkollarët e spikatur shqiptarë mbajtën një Kuvend në datat 14-22 Nëntor 1908 në Manastir ku caktuan Abecenë e njësuar shqiptare me germa perëndimore. (Pjesëmarrës në Kuvend qe edhe çifti fisnik amerikan Phineas dhe Violet Kennedy.) Në Tetor 1912, me shtysën e Lidhjes Entente, Serbia e Madhe, Greqia e Madhe, Mali i Zi e Bullgaria ndezën Luftën I Ballkanike për t’u sulur me oreks të shtuar që të kapnin sa më shumë troje shqiptare që kishin mbetur si vilajete osmane. Në kushtet kur trojet shqiptare ishin ose nën ushtrinë turke ose nën ato serbe, greke, malazeze e bullgare, me këshillën e Austro-Hungarisë përfaqësuesit shqiptarë arritën të shpallnin mëvetësinë shqiptare në Vlonë më 28 Nëntor 1912. Tre muaj më pas, ushtria greke pushtoi për herë të parë Janinën më 6 Mars 1913, e ashtu Çamërinë të cilën vazhdon ta mbajë të pushtuar.

Dhuna, zhvendosja nga vendbanimet, tretja dhe ndryshimi i besimit fetar me detyrim, grabitja e pasurive dhe pronave, masakrat dhe dëbimet jashtë vendit binin mbi muslimanët, edhe ata Arbanitë, sa herë që rajoni i tyre i dhurohej Greqisë. Si në Serbinë e Madhe (Jugosllavi), tërë arvanitasve vendas në Greqinë e Madhe iu ndalua edhe shkolla Shqipe. Një gjenocid i ngjashëm Lindor kundër banorëve të besimit të krishter ortodoks mori shtrirje të madhe në perandorinë e rrëgjuar osmane me fillimin e Luftës I Botërore në vitin 1914. Si pasojë, shumica e banorëve osmanë të besimit të krishter ortodoks deri në fund të vitit 1922 qenë ose vrarë ose dëbuar në Greqi.

Konferenca e Paqes në Paris u mbajt në 18 Janar 1919 – 21 Janar 1920. Me shtytjen e kryeministrit britanik David Lloyd George që premtonte se Greqisë së Madhe do i njihej zmadhimi akoma nëse pushtonte territore osmane, ushtria greke zbarkoi në Smirna (Izmir, sot) më 15 Maj 1919 dhe sulmoi në thellësi. Për shkak se perandoria osmane ishte në çastet e fundit të agonisë, përfaqësuesit e saj nënshkruan më 10 Gusht 1920 Traktatin e Sèvres, afër Parisit, kundrejt Britanisë, Francës, Italisë e Japonisë. Traktati i Sèvres që fikte përfundimisht perandorinë osmane i dhuronte Francës, Britanisë, Greqisë së Madhe e Italisë edhe në Anadoll territore të mëdha. Kur komandën e ushtrisë turke e mori Mustafa Qemali dhe pasi mbrritën furnizimet ushtarake nga Rusia bolshevike e Vladimir Iliç Leninit (një urith gjerman), ushtria turke kundërsulmoi në Gusht të vitit 1922. Lufta Greko-Turke mori fund më 11 Tetor 1922 me dëbimin e ushtrisë greke nga Anadolli. Bisedimet e paqes filluan në Lozanë të Zvicrës më 20 Nëntor 1922. Traktati i Lozanës u nënshkrua nga Britania, Franca, Italia, Greqia e Madhe, Japonia e Rumania më 24 Korrik 1923. Ai njihte formimin e Republikës së Turqisë në kufijtë që janë sot.

Një marrëveshje Lindore e nënshkruar që më 30 Janar 1923 si pjesë e Traktatit të ardhshëm të Lozanës qe shkëmbimi i 1.2 milion banorëve të besimit të krishterë ortodoks të mbetur në Republikën e Turqisë me 400’000 banorë të besimit islam në Greqinë e Madhe. Shkëmbimi qe i detyrueshëm, i dhunshëm, i rrëmujshëm, me humbje të panumërta jetësh njerëzish dhe me këputje të shtetësisë nga vinin. Në atë shkëmbim popullatash e pësuan shumë arvanitasit vendas muslimanë e veçanërisht ata në veriperëndim të Greqisë së Madhe, Çamërisë. Qeveria shqiptare u përpoq nëpërmjet organizatës së Lidhjeve të Kombeve që në atë shkëmbim popullatash të veçoheshin arvanitët vendas muslimanë nga besimtarët islamikë të kombeve të tjera.

Me ndihmën britanike, një grusht ushtarak në Greqinë e Madhe rivuri në fuqi më 25 Nëntor 1935 mbretin George II. Ay caktoi më 13 Prill 1936 ushtarakun nazist Ioannis Metaxas si kryeministër (www.metaxas-project.com). Ky, nga ana e tij dhe me firmën e mbretit, vendosi më 4 Gusht 1936 sundimin e tij nazist duke shpërndarë Kuvendin, ndaluar partitë politike dhe përjashtuar Kushtetutën. Dhuna mbi arbanitët vendas muslimanë u shtua dhe menjëherë u urdhërua ndalimi i plotë i përdorimit të gjuhës Shqipe. Lufta II Botërore në Europë filloi më 7 Prill 1939 kur ushtria italiane sulmoi Shqipërinë dhe përfundoi pushtimin më 11 Prill. Mbas dy ditëve, Britania e Franca u shpallën mbrojtëse të pavarësisë së Greqisë së Madhe. Më 16 Prill Shqipëria u tret si shtet politik duke u bërë pjesë e mbretërisë italiane. Më 3 Qershor 1939, Italia e avulloi Ministrinë e Jashtme shqiptare dhe diplomatët e huaj u larguan nga Tirana. Britania e pranoi zyrtarisht tretjen e Shqipërisë me Italinë më 31 Tetor 1939.

Natën e 28 Tetorit 1940 kryeministri Ioannis Metaxas e ktheu mbrapsht kërkesën e prerë italiane që të pranonte hyrjen e ushtrisë italiane. Mbas disa orësh, ushtria italiane filloi mësymjen në Greqi përgjatë 145 km të kufirit shqiptaro-grek. (Dita e 28 Tetorit, në përkujtim të fjalës së një kryeministri nazist që kishte katër vjet që sundonte si i atillë, www.metaxas-project.com, vazhdon të jetë festë zyrtare në Greqinë e Madhe.) Ushtria greke furnizohej ushtarakisht me çdo gjë nga Britania dhe si fuqi ajrore e saj ishin avionët britanikë. Ndërkohë, zbulimi ushtarak britanik pat zbërthyer kodin e ndërlidhjeve gjermane e italiane që në Prill 1940. Komanda britanike njihte pa ndërprerje imtësisht gjendjen dhe planet e ushtrisë italiane. Si rrjedhim ushtria greke e përballoi shpejt ushtrinë italiane, kundërsulmoi dhe nuk ndaloi në kufirin shqiptaro-grek por vazhdoi dhe pushtoi gjysmën e territorit të Shqipërisë jugore. Edhe ushtria gjermane nga Greqia do ta pushtonte Shqipërinë në Shtator 1943.

Me këshillën britanike, qeverie greke përgatiti dhe mbreti George II firmosi Ligjin e Miratuar Nr. 2636 më 10 Nëntor 1940 (Figura 1). Ai përcaktonte Italinë dhe Shqipërinë si shtete armike dhe shtetasit e tyre, përveç atyre me origjinë greke, si armiq. (Meqenëse Greqia u krijua në vitin 1830, atëherë, bie fjala, nëse disa himariotë janë grekë kur e pse kanë ardhur ata në Himarë pas vitit 1830?) Ligjit të Miratuar i njihej zbatimi që më 28 Tetor 1940. Ndonëse dihej se Shqipëria nuk mund të ishte sulmuese, ai qe një mjet i artë për të vazhduar dëbimet dhe përvetsimet e pasurive shumë të mëdha të tundshme e të patundshme të shqiptarëve që kishin ndodhur që me shpalljen e pavarësisë shqiptare. Ai përkufizonte se si do veprohej ekonomikisht ndaj shteteve dhe shtetasve armiq. Marrëdhëniet ekonomike dhe financiare ndërpriteshin kurse pasuritë e tundshme dhe të patundshme shkëputeshin përkohësisht nga pronarët (sequestration, ang.). Dhe caktohej qeveria greke që t’i shfrytëzonte ato pasuri të tundshme e të patundshme pa iu humbur emrat e pronarëve dhe qëllimet e pronësive (conservative confiscation, ang.). Të ardhurat monetare prej atyre pasurive derdheshin në një llogari të posaçme në Bankën e Greqisë.

Ligji i Miratuar 2636/1940 nuk kishte të bënte me shtetasit e Greqisë, përfshirë edhe arvanitët vendas muslimanë. Ai, pasi përcaktonte Italinë dhe Shqipërinë e tretur si shtete armike, kishte forcën e ligjit ekonomik për raste të tilla dhe nuk i shpallte luftë Italisë dhe Shqipërisë. Ndërkohë, qëllimisht, tradhtisht, pa aftësisht, gabimisht, Ligji i Miratuar 2636/1940 dhe arvanitët vendas muslimanë janë së bashku shartuar shterpë në dijeninë shqiptare si “Ligji grek i Luftës kundër edhe çamëve”. Çamëria nuk u bë pjesë e Shqipërisë edhe me ndryshimet e kufijve gjatë Luftës II Botërore. Arvanitët vendas muslimanë, të cilët qëllimisht e gabimisht quhen çamë e jo grekë në marrëdhëniet shtetnore, qenë pa ndërprerje shtetas të Greqisë së Madhe dhe ndaj tyre u krye gjenocid edhe në Qershor 1944 e muajt në vazhdim.

Ushtria greke kishte ngecur 14 Divizione përballë ushtrisë italiane në jugun e Shqipërisë ndërkohë që i kishin mbetur dy Divizione në kufirin greko-jugosllav dhe katër Divizione përgjatë kufirit greko-bullgar. Më 2 Mars 1941 komanda perandorake britanike zbarkoi në Greqi Brigadën I të Korracuar britanike, Divizionin II nga Zelanda e Re dhe Divizionin VI nga Australia, gjithsejt 62’000 ushtarë të cilët u rreshtuan si skalion i dytë. Më 6 Prill 1941 Armata XII gjermane sulmoi nga ana e Bullgarisë dhe Jugosllavisë, dhe në 10 Prill hyri në Selanik. Po në 10 Prill forca perandorake britanike filloi tërheqjen duke luftuar. Brenda 20 Prillit 1941 Divizionet greke qenë dorëzuar dhe komanda gjermane i lejoi ushtarët e oficerët të ktheheshin në shtëpi bashkë me armët e tyre të lehta; një gabim që do ta vuante më vonë. Pushtimi i Greqisë kontinentale përfundoi në 30 Prill 1941 dhe i kushtoi ushtrisë perandorake britanike 11’840 ushtarë kurse asaj gjermane 5000 ushtarë. Në Greqinë e Madhe të pushtuar, ushtria gjermane mbulonte rajonin e Maqedonisë jugore me portin e Selanikut, Athinën me portin e Pireut dhe disa ishuj. Pjesën në lindje e mbulonte ushtria bullgare dhe të tërë pjesën tjetër e mbuloi ushtria italiane deri në Shtator 1943, më pas ushtria gjermane. Holokausti, me ngazëllimin e shtuar të qeveritarëve grekë, filloi të zbatohet menjëherë pas pushtimit.

Një pjesë e ushtarakëve dhe komisarëve prifta të dorëzuar u rreshtuan menjëherë në formacione të ndryshme në shërbim të forcave të pushtimit. Ndërkohë, me arvanitas të krishterë nga malësia e Sulit në Çamëri dhe komisarë prifta, komanda britanike formoi në Shtator 1941 dhe e komandoi nga Kajro e Egjyptit “ushtrinë” me dy regjimente të emërtuar Lidhja Kombtare Demokratike Helene (?!) e të drejtuar nga Napolon Zerva. Drejtoria Britanike e Operacioneve të Veçanta (Special Operations Executive – SOE, ang.) e paguante 16 stërlina ari/muaj Napolon Zervën kurse rreth 2000 mercenarëve të tij u jepte dy stërlina ari/muaj. Bandat e Lidhjes Kombtare Demokratike Helene (LKDH – EDES, dhim.) vepruan vetëm në Çamëri, jo kundër ushtrive të pushtimit, vetëm kundër njësiteve ushtarake sllavo-komuniste dhe nga fundi i luftës kundër arvanitëve vendas muslimanë të mbetur në Çamëri.

Flota perandorake britanike bllokoi brigjet greke menjëherë pas pushtimit dhe si pasojë edhe një kokërr gruni nuk futej për popullatën e Greqisë së Madhe. Si rrjedhim, Holodomori  në dimrin e fundvitit 1941 – fillimvitit 1942 u mori jetën 300’000 shtetasve grekë për shkak të urisë në të ftohtë. Një pjesë tjetër e ushtarëve të dorëzuar dhe rezervistëve i siguroi burimet njerëzore Partisë Komuniste Greke të hidhte në veprim Ushtrinë Liridhënse të Popullit Grek (ULPG – ELAS, dhim.) në Qershor 1942. Meqenëse fuqia e saj rritej, qeveria e Athinës dhe komanda gjermane formuan në Prill 1943 me 22’000 ish-ushtarë e komisarë prifta të dorëzuar Batalionet e Sigurimit (Evzonoi, dhim., sot përbëjnë Rojet Presidenciale). Ata luftuan kundër ULPG dhe kryen tërë llojet e krimeve.

Pas dorëzimit të ushtrisë italiane në 8 Shtator 1943 rajonet e zotëruara prej saj u mbuluan nga ushtria gjermane. Ajo e bëri me dije popullatën se për një ushtar gjerman të vrarë do të pushkatoheshin rreth dhjetë banorë. Më 24 Shtator 1943, partizanë të UPLG vrasin gjashtë ushtarë gjermanë që ishin duke bërë banja dielli në Shkallë të Paramithisë në Çamëri. Në mbajtje të fjalës së dhënë, ushtria gjermane pushkaton mbas pesë ditësh 49 banorë të Paramithisë.

Në Maj 1944, ULPG formon në Çamëri me arvanitë vendas muslimanë Batalionin IV “Ali Demi” si pjesë e Regjimentit XV të saj. Më 27 Qershor 1944, me udhëzim nga Dërgata ushtarake britanike SOE e fshehur, duke e bërë me dije ushtrinë gjermane të pranishme dhe duke mos u penguar prej saj, i quajturi Regjimenti XVI i LKDH filloi masakrën gjenocidale kundër arvanitëve vendas muslimanë në qytetin e Paramithisë. Ajo u pasua nga masakrat, dëbimet, shkatërrimet e djegiet në Parga në 28 Korrik 1944, në Filat, Spatar dhe vende të tjera më 23 Shtator 1944. Të zhgënjyer se xhamitë nuk i shpëtuan, ata që mundën morën rrugët të llahtarisur në këmbë drejt Shqipërisë. Të mbeturit, kryesisht fëmijë, gra e pleq e plaka u mbyllën në burgun e Paramithisë të ruajtur nga bandat e LKDH. Burgu ishte shfarosës sepse me kushtet çnjerëzore të tij vdisnin 7 ose 8 vetë në ditë.

E urdhëruar që në 26 Gusht 1944 të përgatitej për tërheqje, Grup-Armata E e ushtrisë gjermane filloi sipas urdhërit tërheqjen nga Greqia në 3 Tetor 1944. Prapavija e saj perëndimore pasi hyri në Shqipëri e la Sarandën më 10 Tetor 1944 ndërsa praparoja e fundit kaloi kufirin greko-maqedonas natën e 1/2 Nëntorit 1944. Ushtria britanike mbrriti në Çamëri në Nëntor 1944 dhe i mori me makina arvanitët vendas muslimanë që kishin mbetur gjallë në burgun e Paramithisë dhe i dërgoi në Igumenicë. Nga aty, i ngarkuan ata në anije të vogla dhe i zbritën në Sarandë.

Në Dhjetor 1944, brigadat e ULPG shpartalluan bandat e LKDH dhe mbeturinat e tyre u mbartën me anijet britanike në Korfuz. Të joshur, në Janar 1945, arvanitët muslimanë nga Filati u kthyen në shtëpitë e tyre. Në Korfuz, më 15 Shkurt 1945, komanda britanike e shkriu LKDH dhe mercenarët e saj i rreshtoi në njësitet e Rojes Kombtare që kishte formuar për qeverinë greke. Më 15 Mars 1945, njësitet e Rojes Kombtare me ish-banditë të LKDH u sulën dhe masakruan këdo që gjetën në Filat. Të paktë qenë ata që duke vrapuar arritën gjallë në Shqipëri.

Mijëra arvanitë vendas muslimanë u vranë, po aq humbën jetën rrugëve të përzënies, dhe me dhjetra mijëra u dëbuan. Pronat e shtëpitë u dogjën ose u shkatërruan dhe çdo gjë me vlerë u grabit. Veç dëshmive të gjalla, p.sh. nga  Sali Bollati, mjafton të lexohen librat ditarë Molla e Sherrit (Apple of Discord, 1948) dhe Diçka e Sprovuar (Something Ventured, 1982) e drejtuesit të Dërgatës britanike SOE në Çamëri, kolonelit Christopher Montague Woodhouse, për të prekur të vërtetën. Për shembull, në një dëftim të tij në 16 Tetor 1945, me citimin arshivor FO 371/48094/18138, shkruhej: “…Zerva, i nxitur nga Misioni Aleat nën drejtimin tim, i përzuri çamët nga shtëpitë e tyre në vitin 1944….”.

Forcat komuniste jugosllave, ato sllavo-komuniste në Shqipëri dhe ato të LKDH në Çamëri u krijuan, u furnizuan, u armatosën dhe qenë imtësisht të drejtuara nga komanda britanike në Kajro të Egjyptit deri në Shtator 1943 e më pas në Bari të Italisë. (Është domosdoshmëri të shfletohet libri “Receta pa komb”.) Sipas porosisë nga Lidhja Entente, urithi britanik Enver Hoxha nuk urdhëroi ndonjë njësit partizan sllavo-komunist që të pengonte gjenocidin kundër arvanitëve vendas muslimanë në Çamëri. As forca sllavo-komuniste ULPG, edhe pse kishte shtatë Brigada në Çamëri, nuk i pengoi masakrat e dëbimet që kryen bandat e LKDH.

Më 13 Tetor 1944, tre Brigada britanike hynë në Athinë ndërkohë që shumica e Greqisë së Madhe ishte në duart e forcave sllavo-komuniste. Më 3 Dhjetor 1944 në Athinë, ushtarët britanikë dhe ish ushtarët e Batalioneve të Sigurimit tashmë policë qeveritarë qëlluan mbi një turmë shumë të madhe përkrahësish të forcave sllavo-komuniste duke vrarë të paktën 28 vetë. Në vazhdim, një luftë me përdorim artilerie, tankesh e avionësh do të përflaktë Athinën. Si përforcim komanda britanike zbarkoi e futi në luftime Divizionin IV Indian të Këmbësorisë. Mbas 37 ditëve forcat sllavo-komuniste u larguan nga Athina. Një luftë civile ndërkombtare do përcëllonte tërë Greqinë e Madhe e popullatën e saj deri në 16 Tetor 1949 kur do përfundonte me humbjen dhe dëbimin e forcave sllavo-komuniste të quajtura Ushtria Demokratike e Greqisë (?!). Mbretëria vazhdoi dhe vetëm në 8 Dhjetor 1974 Greqia do të shpallej  Republikë, për herë të tretë.

Në vitin 1947, Italia e Greqia nënshkruan traktatin e miqësisë në të cilin Greqia e Madhe nuk e njihte më Italinë si vend armik. Marrëdhëniet e tyre ekonomike nisën në 4 Maj 1955. Projekti i Lidhjes Entente për të krijuar Federatën Komuniste Ballkanike duke tretur Shqipërinë në Jugosllavi u prish në vitin 1948. Dhe meqenëse përfundimi i Luftës civile ndërkombtare në Greqi dukej qartë, në 13 Maj 1949 botohet në gazetën qeveritare greke Ligji i Miratuar 1138/1949. Ai kushtëzonte që nëse një vend do quhej jo armik duhej të miratohej një ligj i ri i nga qeveria dhe mbreti, dhe të botohej në gazetën qeveritare.

Shqipëria nën regjimin sllavo-komunist ishte vend i mbyllur dhe me Greqinë e Madhe nuk do kishte deri në 7 Maj 1971 as marrëdhënie diplomatike. Domethënë, qëllimisht, arbanitët muslimanë të dëbuar ishin të penguar të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe kërcitjet e pasurive të tundshme e të patundshme të thyera në Greqi të Madhe nuk kishte vesh politik që ta dëgjonte. Në fund të vitit 1952, kishin mbetur 18’622 arvanitas muslimanë të dëbuar nga Çamëria në Shqipëri që akoma kishin statusin e refugjatit me nënshtetësi greke. Ligji Nr. 1654 i datës 19 Prill 1953 i shtetit shqiptar nën regjimin sllavo-komunist u dha atyre shtetësinë shqiptare me detyrim, pa përjashtim, duke u ditur se Greqia nuk ua kishte hequr nënshtetësinë atyre. Domethënë atyre u mbulohej me detyrim në mënyrë të njëanshme shtetësia greke dhe njëkohësisht ata bëheshin “qytetarë armiq” sipas Ligjit grek 2636/1940. Po sipas porosisë për t’i tretur e shkëputur nga origjina, qeveria sllavo-komuniste në Shqipëri ndërmori në vitet 1946-1973 një fushatë propagande, burgosjesh, pushkatimesh e degdisjesh familjare kundër arvanitëve muslimanë të dëbuar.

Ditarët e Luftës të Komandës së Epërme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der Wehrmacht, 1940-1945) u renditën në tetë vëllime nga një ekip historianësh të kryesuar nga Percy Ernst Schramm në vitet 1961-1965. Në ta nuk përmenden çamë apo arvanitas vendas muslimanë që bashkëpunonin me ushtritë e pushtimit në Greqinë veriperëndimore. Ndërkohë që aty përmenden, bie fjala, marrëveshjet për mos luftim me Napolon Zervën. Banditët e këtij kryen, me porosi, në Qershor-Shtator 1944 e Mars 1945 masakra dhe dëbime mbi arvanitët vendas muslimanë sepse këta të fundit edhe ishin ndër muslimanët e fundit të mbetur në Greqinë e Madhe bizantine edhe mbështetnin ULPG të drejtuar nga Partia Komuniste Greke. Edhe nëse ka patur prej arvanitëve vendas muslimanë bashkëpunëtorë me forcat e pushtimit, numri apo vlera e tyre kanë qenë të papërfillshme. Ata gjithmonë kanë qenë ose nën urdhrat e qeverisë qendrore në Athinë ose janë përdorur në Shqipëri. Për më tepër, veprimet e tyre as nuk mund të krahasohen me numrin dhe krimet e Batalioneve të Sigurimit apo forcave të tjera qeveritare greke ose me 300’000 të vdekurit prej Holodomorit të shkaktuar nga flota britanike në dimrin 1941/1942. Nëse meshkujt dhe tërë popullata do kishin qenë bashkëpunëtorë të pushtuesve, atëherë komanda e ushtrisë gjermane do i kishte penguar bandat e LKDH të kryenin masakrat, dëbimet e burgimet në Qershor-Tetor 1944.

Vetë Ligji grek i Miratuar 2636/1940, vendimi i Ministrisë së Ekonomisë 14882/1947 dhe asaj të Financave greke 3574/1947, si dhe Ligji grek i Miratuar 4506/1966 përjashtojnë shtetasit shqiptarë me origjinë greke nga ndikimi i Ligjit grek 2636/1940. Si rrjedhim, arvanitasit muslimanë që janë vendas në Greqi, me origjinë greke, kur u bënë nënshtetas shqiptarë me Ligjin shqiptar 1654/1953 përjashtohen nga ndikimi i Ligjit grek 2636/1940. Domethënë, pasuritë e tundshme dhe të patundshme të tyre janë atje në vend. Duke kujtuar se regjistrat janë të arshivuar dhe shtetësia greke për arbanitët muslimanë nuk është hequr (Figura 2), dhe ngase kur ata u dëbuan arritën në Shqipëri vetëm me rrobat e trupit, është përgjegjësi e qeverisë shqiptare që bashkë me qeverinë greke të hapi udhën që ata të shkojnë në vend e të marrin dokumentet e tyre, përfshirë edhe pasaportën greke. Që të bjerë rrjeta penguese të paktën në një anë e të hapet udha, mjafton që shteti shqiptar të nxjerrë një ligj i cili zhvleftëson Ligjin e tij 1654/1953. Sepse kjo gjë që u rikthen vetëm emrave të arvanitëve muslimanë të listës përkatëse statusin e refugjatit me nënshtetësi greke. Kjo çkyçje nuk u cënon nënshtetësitë (pasaportat) e tanishme trashëgimtarëve dhe familjarëve të tyre.

Me Britaninë e Francën si shkesë, marrëdhëniet diplomatike Greqi-Shqipëri do të shtyheshin derisa u vendosën në 7 Maj 1971. Shkesët u kujdesën që të mos përmendej çfuqizimi i Ligjit të Miratuar 2636/1940 në Greqi të Madhe dhe të mos bëhej zë për arvanitët muslimanë të dëbuar në Shqipëri. Në 28 gusht 1987, qeveria greke njeh zyrtarisht Shqipërinë si një vend jo armik. Shqipëria dhe Greqia nënshkruan më 26 Mars 1996 Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë. Ay Traktat pasi kaloi hapat e Kuvendeve dhe Presidentëve të dy vendeve hyri në fuqi më 4 Shkurt 1998. Edhe pse ay Traktat mirënjeh të dy shtetet, edhe pse marrëdhëniet shtetërore Greqi-Shqipëri janë të plota, edhe pse Neni 15 i atij Traktati kërkonte heqjen e pengesave ligjore që shtetasit e njërës palë të gëzojnë pasuritë në territorin e palës tjetër, akoma çfuqizimi i Ligjit të Miratuar 2636/1940 nuk është bërë Ligj i Miratuar i botuar në gazetën qeveritare greke.

Arsyeja është se vlera e pasurive shqiptare të grabitura në Greqi të Madhe para dhe në Nëndor 1940 bashkë me vlerën që ato kanë prodhuar nga shfrytëzimi (compound interest, ang.), dhe që duhet të kthehen, është shumë e madhe. Pasuritë shqiptare që u grabitën në Nëndor 1940 ishin hotele, shtëpi, restorante, ndërmarrje të ndryshme, sipërmarrje financiare, troje, toka bujqësore, pyje, kullota, livadhe, pensione, para të ruajtura në banka, etj. Disa shembuj pa llogaritur vlerën e prodhuar nga përdorimi, riqarkullimi e koha jepen më poshtë:

(1) Vila e Hasan Prishtinës në adresën Vasilisis Olgas 32, Selanik, kushton sot të paktën katër milion Euro. Ndërkohë, shteti shqiptar paguan që nga viti 1999 qera për Konsullatën e tij të Përgjithshme në Selanik.

(2) Shteti shqiptar harxhoi 2.5 milion Euro në vitin 2002 për ndërtesë Ambasade Shqiptare në Athinë ndërkohë që 6.3 km më larg në rrugën Vasilisis Sofias është godina e ish-Legatës Shqiptare e grabitur me Ligjin grek 2636/1940 dhe të cilën qeveria greke vazhdon ta shfrytëzojë.

(3) Duke cituar librin “Lufta e Fundit” e autorit Mentor Nazarko, toka shqiptare të shpronësuara me dhunë me “reforma agrare” që nga firmosja e Shqipërisë së pavarur në Korrik 1913 e deri në Nëntor 1940 janë 350’000 hektarë. Duke u nisur nga një llogaritje e bërë në Kuvendin e Shqipërisë në 25 Qershor 1925, tatimet nga përdorimi i atyre 350’00 ha për vitet 1913-1940 të pa derdhura në shtetin shqiptar dalin 456 milion franga ari vlerë e vitit 1940. Dhe tatimet e pa derdhura për vitet 1941-2021 janë (2021-1941) *456 milion /(1940-1913) = 1351 milion franga ari me vlerë të vitit 1940.

(4) Toka të përvetsuara me Ligjin grek 2636/1940 janë 260’000 hektarë. Tatimet nga përdorimi i kësaj sipërfaqe toke për vitet 1941-2021 të pa derdhura në shtetin shqiptar dalin (2021-1941) *456 milion *(260’000 /350’000) /(1940-1913) = 1003 milion franga ari me vlerë të vitit 1940.

Një frangë ari = 0.29025 gram ar i pastër. Në datën 11 Janar 2021 çmimi i arit është 59.56 US$/gram dhe 1 Euro = 1.22 US$. Atëherë, vlerat e mësipërme së bashku janë (456+1331+1003 = 2810 milion franga ari) *0.29025 *59.56 /1.22 =  39’817 milion Euro sot = 39.817 miliard Euro sot.

Duke cituar librin “Lufta e Fundit” e autorit Mentor Nazarko, çmimi i atyre 350’000 + 260’000 = 610’000 ha tokë ishte 203 milion franga ari në vitin 1941. Duke marrë një çmim mesatar toke sot prej 22 Euro/m2 dhe 1 ha = 10’000 m2, atëherë vlera e 610’000 ha është 610’000 *10’000 *20 = 134.2 miliard Euro sot. Gjithsejt, vlerë toke e tatime janë 174 miliard Euro sot.

(5) Pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të Vangjel Zhapës në shekullin XIX në Rumani e Greqi ishin të jashtëzakonshme. Në 30 Nëntor 1860, ai la me testament që një pasuri e madhe monetare të shkonte tek njerëzit e tij në Labovë të Madhe të Gjinokastrës. Ai i kërkoi komisionit të trashëgimisë të Athinës që, pas vdekjes së kushëririt të tij Konstadinit (i cili vdiq me 1892), të kryente dhurimet sipas testamentit. Ligji grek 2636/1940 e pengoi përsëri zbatimin e testamentit dhe trashëgimive ligjore për njerëzit e fisit të tij. Në vitin 1955, qeveria e Tiranës bëri një përpjekje të ngathët të pafrytshme për të tërhequr në Shqipëri 800 milion US$ (6.36 miliard Euro sot) të cilët Vangjel Zhapa ia kishte lënë në ruajtje Patriarkanës së Krishterë Ortodokse në Stamboll dhe qeveria turke ia kishte ngrirë përkohësisht derisa t’i dilnin trashëgimtarët.

Këto janë veçan nga vlera si dëmshpërblim që Greqia e Madhe duhet t’i paguajë Shqipërisë për dëmet dhe masakrat e ushtrisë së saj gjatë Luftrave Ballkanike, Luftës I Botërore, në Nëntor 1940 – Prill 1941 e Gusht 1949. (Gjygji në Shqipëri për ngjarjet e vitit 1997 nuk është bërë akoma që të dalin hollësitë edhe për këtë.)

Dhe këto janë veçan nga vlera e pasurisë së grabitur plus vlerën e shtuar të tyre (compound interest, ang.) që iu përket arvanitëve vendas muslimanë të dëbuar në Shqipëri më 1944-1945.

E thënë në mënyrë të përmbledhur, e gjithë Greqia përbën borxhin (liability, ang.) tek Shqipëria.

 

SHKARKO APP