Llogaritë e epokës në një zyrë partie
Nga Pëllumb Kulla
Aty nga mesi i vitit 1989 në një zyrë të thjeshtë të punëve të partisë të Estradës së Tiranës, me një dekoracion të varfër prej katër pesë karrigesh një kasaforte hekuri me kyç, një tryeze të thjeshtë prapa së cilës qëndronte karrigia e sekretarit të organizatës bazë dhe diku më lart në mur, një portret i madh i Enver Hoxhës, na ngriti krye nga hiçi një nga ngjarjet më të lezetëshme që kishte brënda ankth, proces hetimor, analizë epokale dhe një parodi të vërtetë të përplasjes klasore
Bungoja kishte me Sallakun, pak a shumë, atë vjetërsi marrëdhëniesh të hapura që kam edhe unë. Në studio e kafene ata rrinin të pandarë.
Para se t’i takoja vetë aktorët kryesorë të ngjarjes, shumë vetë ma treguan atë të bujshme. Ma tregoi Luan Zhegu, që u ndodh aty në një rol të dorës së dytë, pastaj Skënderi ma tregoi vetë e më në fund ma tregoi Leka Bungo.
Tregimet ishin të njëjtë, veç ai i Bungos ka pikë vështrimi më të ndjerë dhe unë do përpiqem të riprodhoj atë…
…. Ishim të tre, unë Luani dhe Skënderi, tregon Leka. Shkuam si zakonisht të pinim kafe dhe i përgojuam ngjarjet e ditës. Ditët ishin të ngarkuara me tension, Byroja Politike kishte njëmijë halle dhe ne i gjetëm variantet e zgjidhjeve që nga kafeneja, por nuk ia dërguam në vesh Byrosë. Le të vriste veten e t’i gjente vetë!
Ishte, po e përsëris, një ditë llahtarisht e ngjashme me të tjerat. Edhe pse nuk isha unë më i moshuari, kamarjerja ma zgjati mua kafen të parit, si gjithmonë, me që në punë isha eprori i dy të tjerëve. Përtypëm sillazhin e thashethemeve dhe kur shkuam të merrnim dosjet tona për t’u ndarë, pashë Skënderin që më parë diç pëshpëshi me Zhegun dhe pastaj m’u drejtua mua:
“Lekë, ne si parti, kemi një punë të bezdisshme për të kryer. A e bëjmë
sot?”
“Aa, ju si parti bëni alamet pune, për nder,” u thashë në frymën e
marrëdhënieve të përditëshme. “Çfarë ndihme kërkoni nga unë?”
“Duhesh dhe ti.” Skënderi m’u duk lehtësisht më serioz se para pesë
minutash në kafene dhe u ktheva nga Luani. Ai m’u duk shumë më tepër hijerëndë.
“Mirë,” u thashë,”zini vend t’ju dëgjoj!” Dhe u ula në krye, në vendin e
regjisorit.
Sallaku me një fytyrë të bezdisur, mw tha se duhet ta zhvillonim bisedën,
në zyrën e tij, të partisë.
Kjo më ktheu 20 e ca vjet prapa, megjithëse që të dy këta njerëz të partisë i
ndjeja vërtet shokë e nuk prisja asedhenjë grimë ligësi prej tyre. Ama, unë i njihja mirë inskenimet e Sallakut, por ajo që më bënte akull, ishte fytyra e Luan Zhegut që ishte bërë e ftohtë dhe e pikëlluar njëkohësisht. Isha i vetmi që nuk desha të shkëputesha nga atmosfera e para pak minutave në kafene dhe po luftoja fillikat ta thyeja atë formalizmin e tyre të neveritshëm.
“Shih shih,” ia bëra duke qeshur ende, “qënka serioze puna!”
“Është pak,” tha Skënderi dhe tundi dorën edhe më me bezdi akoma. “Shkojmë!
U futëm në zyrë dhe tani ishte Skënderi që u ul në krye. Luani u vonua pak përjashta dhe Sallaku vendosi ta priste pa folur. Goja ma mbajti që t’i thosha se po tallnin prapanicën me mua dhe do të kisha bërë mirë t’ia thosha, por Skënderi edhe këtë do ta kalonte pa zhurmë e me finesë.
U dëgjuan hapat e Luanit, urdhëri që i dha rojes që për ndonjë orë të mos na bezdiste njeri dhe pastaj ai u dha në derë.
“Hajde, shoku zëvëndës-sekretar,” i tha Sallaku. “Mbylle derën dhe ulu!”
Luani u ul afër meje. Mbi kokën e Skënderit mbretëronte qetësisht portreti i
Enver Hoxhës. Një atmosferë e ndyrë tradhëtie filloi të vizatohej në trurin tim. Tentova edhe njëherë të thërrisja miqësinë e intimitetin e kafenesë, ta thyeja këtë formalizëm policesk e komunist e pastaj po të mos më ndizte, le të bëhej ç’të bëhej!
“Hë,” u thashë, “nuk po mbani ndonjë shënim, o shokë burokratë të
Partisë së Punës?”
“Nuk ka nevojë,” tha Sallaku, sekretari, shkurt pa u ndalur tek ironia.
Ëëë, do të ketë ndonjë regjistrim zëri diku, mendova. Shikoja Skënderin.
Vetëm periudha e fundit bëhej një vit, që rrija me të ditë për ditë. Atje u kujtova se atë çast, për herë të parë po e takoja si sekretar partie: ishte i neveritshëm! Megjithëse edhe ai, më shumë se zëvendësi i tij, (më i urryer akoma!), mundohej të mos i shuante fare marrëdhëniet shoqërore.
“Shiko si është puna Lekë,” tha butë Skënderi, “është një udhëzim që
partia dëshiron disi të këshillohet me kuadrot që drejtojnë punën dhe të marë mendimet e tyre.”
E besova. E hëngra. Po mirë more qen bir qeni, fillova ta urrej deri në majë të
flokëve Skënderin, nuk ma thoshe dot si shok se si ishte puna para se të vinim këtu ku nuk po komunikojmë dot se jemi në tavë?! Kështu jeni të gjithë ju komunistët. Pabesinë e keni në gjak, ju!
Të gjitha këto i mendoja pa rreshtur asnjëherë së vështruari me seriozitet dhe respekt Skënderin, ndërsa ai vazhdonte:
“E bëmë me drejtorin njëherë e tani po e bëjmë këtë pyetësor me ty…”
Mori frymë thellë dhe vazhdoi: “Ti je me prejardhje bejlerësh, kështu?”
“Hë, more se e dini ju, po hë!” u rreka unë përsëri të thyeja formalizmin.
“Po apo jo?” nguli këmbë Skënderi.
“Po, mor po, po hë,” u rreka edhe një herë më shumë unë.
“Përgjigju më shkurt dhe qartë,” më pëshpëriti ky lugati tjetër që kisha
afër.
Vazhdoi Sallaku: “Ti në këtë periudhë të pushtetit popullor, ke vuajtur
edhe persekutim, apo jo? Të gjithë ne e dimë që je dënuar me punëra të rënda fizike.”
“Po,” i thashë unë paksa i shpërndarë. “Po ikën ato, ashtu ishin kohërat.”
(Varianti i tregimit nga Skënderi është se Leka tha: “Po. Dhe ma bënë mirë,
se e meritoja”. Por varianti i Bungos është më i besueshëm)…
Këtu Skënderi më foli me një seriozitet që nuk besoja se mund të ndodhej brënda asaj qënie hibride:
“Ka patur raste që partia është nxituar në dënimin e njerëzve me vlera.
Sidomos në rrethe, kjo ishte edhe më e shpeshtë. Nuk gabonte udhëheqja këtu lart, por kuadro të veçanta të rrethit… Jam ngarkuar, që në emër të partisë, të të kërkoj ndjesë!”
“Nuk ka rëndësi!” i thashë unë megjithëse kur e tregon ai qenbirqeni,
Sallaku, thotë që unë i mbusha sytë me lotë. Gënjen mu në mes të ditës!
“Partia, Lekë, do që të dijë edhe mendimin tënd për situatat që po vijnë,
por le të fillojmë nga kreu më mirë e lemë të të pyes se ç’mendim ke për këtë.” Dhe Skënderi bëri shënjë lart mbi kokën e tij.
“Për kë?”
“Për shokun Enver.”
Kjo e mbushi kupën. Pyetje më të qelbur nuk besoj të bënte njeri. Përfytyro
t’I përgjigjesh një njeriu që ta di atë përgjigje që prej një çerek shekulli! Desha t’i them njëherë: “ E di çfarë o Skënder Sallaku, më mirë po të them se ç’mendim ke ti për të”. Por ajo djall, zyra e partisë, ma prishte. Ma prishte edhe Luan Zhegu, që duke ndenjur urtë e pa fjalë, më dukej më i llahtarshëm.
U mendova gjatë para se të përgjigjesha, se dhjetë herë u mata ta pëlcisja bombën, por prapë!… Hej dreq, mendova, tani këtyre po u vjen fundi. Ditët i kanë të numëruara. Të shkoj unë, për dhjamë qeni kur mund të shtirem edhe një minutë! Një minutëz të vetme, tani, më 1989!
Desha të gjeja një kalim të fismë, të ëmbël, që të mos kërciste shumë me mendimet e mia të porsa shfaqura këtyre maskarenjve jashtë asaj zyre. E mposhta trazimin dhe e bëra gafën: u përgjigja.
Tani që ia panë të mirat atij truku e po më përgojojnë nëpër Tiranë e Shqipëri shtojnë shumë nga xhepi, por atë përgjigje, e dhashë. Dhe është e vetmja përgjigje në atë takim, për të cilën më vjen inat. Me atë unë vulosa triumfin e një karagjozi si Skënder Sallaku që tallet me shokët, me zyrën e partisë, me gjithëçka. Ju thoni që është çapkën. Është. Ai ka lozur komedi me të gjithë: me të atin, me të vëllain, me shokët!.. Po luante edhe me mua. Dhe kungulli i ecën gjithnjë mbi ujë. Dija unë të tallesha më bukur me të se edhe unë kam një fije fantazie, por nuk kam patur komoditetet e Sallakut. Të dashurit e mij, Sallaku ka qenë tërë jetën çapkën i përkëdhelur e kurrë nuk i ka hyrë ferrë në këmbë. Vetëm një i përkëdhelur, mund t’i tregojë anekdota Enver Hoxhës kundër Enver Hoxhës!
“Mendimi im për shokun Enver…” thashë më në fund. “Po nuk mbeti
shoku Enver ta gjykoj unë, mor Skënder, pashë Zotin! Ai është një figurë që ka bërë një vend në elitën e lëvizjes të proletariatit ndërkombëtar!..”
“E kam fjalën më shumë në planin e brëndshëm,” më udhëzoi Sallaku
duke dashur të më shijojë mirë e mirë, si pijanecët që mbarojnë mishin e rreken të nxjerrin palcën nga fyejt e kockave.
“Në planin e brëndshëm, … duhet gjykuar me detyrat që shtronte koha.
Kohërat ishin të vështira dhe ai u bëri ballë atyre!”
“Shkurt, ti shoku Bungo, ke mendim pozitiv?”
(Të t’atë në valle, mor qen bir qeni!) E po të hash një plumb qorr kur lufta po mbaron e ne po kthehemi në shtëpi!
“Natyrisht, pozitiv.”
Sallaku trokiste gishtin mbi tryezë. “E dëgjon ti, shoku zëvendës?”
Zhegu me kokën gati të futur në mes të shalëve, tundi dorën në shënjë
pohimi, medemek, “më mirë nuk bëhet!”
“Dhe ti Lekë, the se je me origjinë bejlerësh,” m’u kthye mua prapë
Skënderi. “Bej? Kështu?”
Eh, bej, ja ashtu.. Jam ca bej” i thashë unë medemek si modest.
“Edhe i persekutuar?”
“Edhe i persekutuar.”
Ai hodhi një sy nga Luani si për t’i marrë një mendje dhe vendosi ta
përfundonte.
“Kurse unë tani,” tha solemnisht Sallaku, “po të jap mendimin që ka
vetë partia për shokun Enver. Të paktën atë, që ka organizata jonë. Ne mendojmë, se ky, shoku Enver, që ti e vlerësove aq lart në emër të klasës tënde të persekutuar, ka marë në qafë një popull të tërë, bile një komb të tërë!”
Unë nuk po e mblidhja veten.
“ Apo jo shoku zëvendës-sekretar?”
“Vazhdo shoku Skënder, ti na përfaqëson!” u pajtua kokulur Luan Zhegu.
Edhe njëqind veshë të kisha asnjërit nuk do t’i besoja!
“Duhen 100 vjet që ky vend të vijë tani në nivelin e vendit më të
prapambetur të Evropës,” vazhdoi flakë për flakë Skënderi. “E kjo është përgjegjësia e tij. E këtë përgjegjësi ta mbajë me shëndet!”
Ikni, mor bij bushtrash!” shpërtheva unë duke kërcyer më këmbë, më
shumë i nxehur me veten që nuk kisha arritur të zbërtheja teatrin e tyre, se sa me dobësinë që shfaqa dhe që tani do të më bënte gazin e horrave…
Këtu mbaron tregim i Leka Bungos…
Luani dhe Skënderi për pak ishin mbytur nga të qeshurit. Bungoja i kish lënë ata të shfrynin seriozitetin e mbajtur gjatë, në një gaz me lotë, kishte zbritur shkallët dhe ish nisur për në shtëpi duke sharë nëpër dhëmbë. Vlonte i tëri.
Pastaj qe kthyer me vërtik dhe u kish vajtur përsëri në zyrë, ku ata nuk kishin ndërmend të pushonin së shijuari frutet e lojës së tyre.
“Kësi shakarash unë nuk do të t’i duroj më Skënder Sallaku!”
Ata nuk rreshtnin.
“Dëgjuat ju bandilla? Të dyve, po ju a them!” tha Leka.
Skënderi pushoi së qeshuri.
“Më vjen keq, Lekë, po ne nuk bëmë asnjë shaka,” tha ai.
“Po atëhere përse qeshni?”
“Qeshim se ti i mbushe brekët, po nuk bëmë asnjë shaka. Ne vërtet kishim
udhëzim të të pyesim dhe të pyetëm. E do të raportojmë lart tamam siç u përgjigje.”
“Raporton ti, por unë nuk të flas më me gojë!”
“Pse?! Ti përgjigjen e dhe të mirë… Apo do që t’u them atyre të
kundërtën?”
Leka nisi të kafshonte thonjtë. “Ti po vazhdon komedinë?”
Hyri në valle Luani, me zërin e tij të butë: “Ti inatosesh kot, Lekë. Skënderi
ta tha që nuk tallet. Na kanë udhëzuar me të vërtetë. Ajo që është për të ardhur keq, është se ti mbase u detyrove të thuash për të, fjalë të mira. Por edhe ata të Komitet të Partisë atë përgjigje që na dhe ti, atë dhe presin! Nuk presin tjetër nga ty.”
“Po natyrisht,“ vinte gjithnjë duke u ndezur më shumë regjisori. “Nuk
është turp të kesh frikë nga ju.”
Luani që deri tani në ndarjen e roleve kish marrë më të voglin, po ia
cingëriste nervat Bungos me urtësi.
“Ti nuk kishe pse të ndjeje frikë,” i thosh ai. “Tani ti e di që punët kanë
ndryshuar për mirë. Të kish ndodhur kjo para pesë a gjashtë vjetëve po, por tani?! Ne nuk të bëmë asedhenjë presion, se të kemi shok. Ne sapo dolëm nga kafeneja. Natë e ditë ne rrimë bashkë. Nuk të vjen zor që të dyshosh qoftë edhe për një sekondë se ne mund të të lemë në baltë ty?! Dëgjomë mua: mirë u përgjigje!”
“Shiko, shiko! Edhe ti, o Brut?!” Lekës i patën shkrepur në kokë notat e
këngës “Çudi, çudi, me ty babi”, që Zhegu këndonte me fëmijët… Leka po pendohej që ishte kthyer nga rruga. Ai që i jepte gjysmës së botës ujë në bisht të lugës, kishte mbetur tani me gojë të kyçur para Luan Zhegut. Skënderi nuk fliste.
“Ah, ju jeni batakçinj! E gjithë partia juaj është mbushur me batakçinj!”
“Edhe këtë e themi atje në Komitet, po të duash!” vazhdoi me zërin e
tij të ngrohtë Luani.
“Thuajeni! Doni të na e faturoni ne frikën, të na faturoni Enver Hoxhën
edhe gjithë punët e mbrapshta…”
Skënderi u fut në bisedë përsëri, por vetëm duke iu drejtuar Luanit:
“E Luan Zhegu të thashë? Të thashë që kur të mbarojmë, ky do ta kërkojë
dobësinë e vet tek ne? Të thashë që raca e këtyre bejlerëve, ashtu sikurse na ka marë në qafë për 50 vjet, ashtu do të kërkojë të na e futë edhe më tutje? Të thashë që edhe tani, kur partia është zgjuar dhe është ngritur e tëra në këmbë, se e kuptoi më në fund rolin shkatërrimtar të këtij burri këtu në mur, këta do të vazhdojnë të na thonë, nderojeni se ka qënë burrë i madh ndërkombëtar? Raca e këtyre…”
“Ue, ue, ue!” nuk u besonte veshëve përfaqësuesi i bejlerëve. “Edhe këtë
tezë keni përpunuar mor faqezinj?! Këtë këngë do të këndoni tani ju? Mos u merr me Luanin! Ma thuaj mua drejt e në sy! Ti –mua! Më shiko në sy!”
Skënderi iu kthye e këtu dialogu u bë sureal. “Ku i ke sytë?” pyeti Skënderi.
“ Ah, ja ku i paske! Ke ndonjë ankesë ndaj meje, si njeri? A të kam bërë ndonjë gjë prapa shpine? A nuk të kam mbajtur afër edhe kur e kam patur të ndaluar? Ke gjë me Sallakun?”
“Po ti hileqar, do të flasësh si Sallak, apo si parti?!”
“E do si parti atëherë? Me që jemi në zyrë të partisë, hajde si parti!” ia bëri
tak-fak Sallaku, që dukej se nuk vuante për tekst. “Gjithë këto 50 vjet, a e kemi pyetur popullin, dhe në mes të popullit, a ju kemi pyetur edhe ju reaksionarët? Sa herë kemi mbledhur popullin, ju kemi thirrur dhe ju e kemi kërkuar mendje si parti: “e kemi mirë këtë gjë?” Ju, reaksionarët, ngriheshit të parët: “mirë e keni! Vazhdoni se neve nga pas po ju vijmë!” Na paskeni marë në qafë, mor edepsëza! Ju mor ju, na paskeni futur në qorrsokak e shiko ku e katandisët vendin! Ne të shkretët, me dorë në zemër…
Këtu Bungoja erdhi në gjëndjen shpirtërore të kafenesë dhe një
buzëqeshje rrahu t’i ndrisë fytyrën.
“Me dorën në zemër, se veç asaj në prapanicë mbanit edhe një kobure
në xhepin e brëndshëm…
“E ç’është e vërteta e mbanim dhe një atje!”
“Ata nga ne që ju thanë “e keni gabim” ju i vutë në litar!”
“I vumë… i vumë sepse…”
“Sepse ata që nuk miratonin, nga hetimet dilnin që kishin qenë të lidhur me
armiqtë!”
“Ore vërtet, përse të gjitha hetimet na dilnin ashtu?! Ëh?” Sallaku ishte kthyer e qeshte njësoj si Leka që tani kish ngritur duart para gjithatij inskenimi. “Se me thënë të drejtën asnjë nuk kemi dënuar vetëm për kundërshtime e për kritika. Ti edhe sot që nuk duhet të kesh frikë, vazhdon e këtu në zyrë të partisë, bërtet më shumë se ne: “nuk ka burrë më të mirë se Enveri!” Turp për ty o Leka bej Bungo!”
Ky u përpoq të ishte debati historik që nuk u bë kurrë midis të përmbysurve dhe pushtetarëve, por ai nuk kishte as aromën më të paktë historike, pasi këtu nuk po grindeshin veçse beu më i keq, me komunistin më të keq. Leka thotë se po të bëhej vërtet ky debat midis dy palëve, i duhej lutur Zotit që ata të mos i përfaqësonte Sallaku. Le që nuk kish se si t’i përfaqësonte! Ai nuk pat qenë kurrë me ta!..
Nga “SSallaku ose si qeshnim nën diktaturë” (2001), fq 106