Lufta ku protagonistët nuk vriten kurrë
Nga Aleksandër Çipa
Korrupsionit në Shqipëri nuk i janë ndëshkuar kurrë autorët dhe “luftëtarët” e tij me bëma. Bilancet zyrtare, në qeveri të ndryshme, kanë qenë fiktive, ose më saktë, nuk i kanë përfshirë kurrë arkitektët dhe urdhërdhënësit. Janë ndëshkuar përkohësisht pjesëmarrës të dorës së dytë, ose figurantë të tij, por jo protagonistët dhe ideatorët ekzekutues dhe përfitues. Në kohë të ndryshme, palët politike të cilat janë edhe bashkëorganizatore të serialeve korruptive (mbi financat, buxhetet dhe investimet, mbi pronat dhe donacionet publike), kanë ngritur akuza dhe polemika agresive verbale. Këto dy palë, pra protagonistët e korrupsionit të dalë e të zgjedhur prej tyre, kurrë nuk janë detyruar të japin llogari dhe të përjetojnë deri në finale një gjykim të plotë prej drejtësisë.
Proceset e pritshme dhe të shumëdëshiruara për drejtësi, kanë përfunduar në kalenda. Ato edhe kur kanë qenë tronditëse dhe me dosje të pakundërshtueshme, apo “me zë e figurë”, janë mbyllur për shkak të tejkalimit të afateve ose u kanë ndryshuar e u janë rikompozuar lehtësueshëm akuzat. Në kohën e dy viteve të fundit, vakuumi në sistemin e akuzës dhe të gjyqësorit ka qenë alibia e shkëlqyer për inekzistencën e drejtësibërjes, sikundër edhe për korrupsionin dhe sekserizmin masiv nga pushteti në administratë e anasjelltas.
Korrupsioni në vend gjatë dy mandateve të qeverisjes socialiste nuk është një betejë e fituar. Madje, në kuptimin më të pastër të kësaj lufte, duhet thënë se ajo nuk ka filluar. Kush e pretendon këtë, qoftë politikisht, qoftë edhe si premisë mendësie, është hipokrit dhe i padrejtë me të vërtetën që ndjen dhe përjeton haptazi publiku dhe shoqëria. Në vendin ku sistemi i ndryshuar, nuk është sistem në punë, domethënë në funksionim, pasojat e padrejtësisë janë shumë më të pallogaritshme. Ato dramatikisht po shtohen dhe po stivosen. Nuk ka raport periodik që e përfshin dhe e karakterizon këtë gjendje të korrupsionit të trashëguar dhe të shtuar për shkak të drejtësisë së munguar dhe të painstaluar. Në periudhën e afërt kohore, raportet e pritshme ndërkombëtare do të jenë dramatike. Raportet e përgatitura dhe përcjella, rëndom të pa publikuara nga institucionet kombëtare edhe pse empirike (pa paadresuar për autorësinë dhe ekzekutimin e korrupsionit në nivel titullari), edhe pse kryejnë itinerarin ligjor dhe institucional formalisht, përmbajtësisht, nuk ia dalin të shtyjnë dhe vënë në lëvizje procese tek drejtësia.
Kjo pjesë realiteti e korrupsionit nga zyrtarë të lartë dhe sidomos në administratë bëhet edhe më tronditëse nëse kërkon të dhëna apo pasqyra reale për raporte auditimi apo raporte kontrolli. Këto dokumenta që sekretohen nëpër sirtarë dhe përfshihen si dokumenta konfidencialë janë hise tjetër peshuese e korrupsionit zyrtar. Këtë javë, në një intervistë të gjatë në televizionin “News 24”, nënkryetari i parlamentit, deputeti M. Murrizi bëri një denoncim më shumë se tronditës. I mjaftueshëm për të njohur dhe kuptuar lehtësisht anatominë dhe mekanizmin aq të parafinuar të korrupsionit zyrtar dhe, sipas gjasës, institucional në vend. Me cilësinë e deputetit dhe me të drejtën kushtetuese për transparencën, deputeti ka kërkuar informacion dhe dokumentacionin respektiv për disa tendera zyrtarë të zhvilluar gjatë periudhës së fundit të pandemisë. Më herët, këtë denoncim publik dhe institucional deputeti në fjalë e bëri edhe në seancën e radhës në Kuvendin e Shqipërisë. Reagimi i vetëm nga autoriteti shtetëror erdhi prej drejtueses së AKSH. Ndonëse formalisht një përgjigje korrekte, ajo nuk mund të konsiderohet shterruese. Sepse në procedurat tenderuese janë përfshirë institucione të linjës dhe pjesëmarrës të ndryshëm. Fjala, në denoncimin e deputetit nuk është vetëm për respektim ose jo, të barazisë në tender, por për shkelje dhe abuzime të cilat meritojnë sipas vetë nënkryetarit të parlamentit hetimin dhe përfshirjen e SPAK-ut në procesin investigues. Mjafton ky denoncim, i fundit në rradhë, që vjen prej një autoriteti zyrtar në legjislativin e vendit, për të lexuar qartazi vijimin e historisë së regjimit të patrazuar të korrupsionit shqiptar, pavarësisht rotacioneve dhe aq më tepër qeverive.
Historitë, denoncimet, kallëzimet, përgjimet dhe investigimet më tronditëse të dy dekadave të fundit, të cilat kanë zhurmuar e ndezur debatin publik, politik e mediatik, sa e sa herë në vend, kanë patur secila, epilog të sfumuar, të pabujshëm, zhgënjyes dhe me ndikim fatalist. Mosbesimi se në këtë “vend nuk do të vijë ndonjëherë drejtësia e s’do të ndëshkohen krimet e mbetura pa ndëshkim’ jo vetëm mbetet në fuqi, por mbulon ende tej horizontin. Kohët e fundit, palët e dy kaheve politike i mbajnë aq të ndezur motorët e propagandës me drejtësinë. Sipas tyre premtimi qarkullues se drejtësia do të vijë kur të vij unë dhe jo kur je ti, është çelësi real i çmontimit she i inefiçencës së drejtësisë ligjore.
Reforma aktuale, të cilën po e plak pa u zbatuar pengimi dhe vonesa diabolike politike e ka shumëfishuar humbjen e durimit dhe mërzinë publike. Zgjatja në pakohësi e vettingut, zvarritja qëllimkeqe e procedurave për plotësimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, zgjedhja e disa titullarëve të lartë të institucioneve të hetimit, plotësimi i vendeve bosh në organet e prokurorisë dhe ato të niveleve të tjera të gjyqësorit, janë mekanizma të mjaftueshëm për vrasjen e rëndë të shtetit ligjor. Kjo lojë apo luftë, kjo vepër e zezë mbi Republikën mban në fuqi regjimin që pretendon se po instalon sistemin e vonuar që doli prej reformës së cilës ende s’po i vjen mbarimi(!). Për shkak të kësaj mungese dramatike, pesimizmi qytetar vjen duke u shtuar dhe shpresën e zëvendëson arratisja.
Në mediat e vendit listimi i bëmave dhe operacioneve korruptive vijon të mbetet i bujshëm. Pesha dhe vlera reale kriminale e tyre përherë qëndron në krye të shqetësimit dhe mendjes së publikut. Për ketë shkak, si kërcënimi prej madhimit të tyre, ashtu dhe pesimizmi në nivelet bazike të shoqërisë kanë ndjerë perceptimin se janë pjesë e horizontit dhe për nesër. Mjafton të sjellësh në vëmendje atë që po ngjet me tregun dhe pasuritë kombëtare të hidrokarbureve dhe qartazi e kupton se mekanizmi i grabitjes dhe skllavërisë, si regjim i patundur në këtë sektor, janë fryti i mungesës së drejtësisë dhe i fuqisë së korrupsionit shtetëror. Zinxhirët e oligarkëve të hedhura mbi administratën, pra mbi shtetin, dhe drejtësinë duke kapur dhe marrë nën pronësi me procedura dhe akte të dyshimta (pse jo edhe kriminale) sektorët më fitimprurës të ekonomisë dhe pronësisë publike në vend, janë pjesa më e errët e shtetit joligjor. Mekanizmat e ndërhyrjes, shfrytëzimit dhe kapjes së drejtësisë së korruptuar dhe sistemit e kanë shndërruar një pjesë të shtetit të sillet si parashtet. Mbi këtë merimangë kleptokratësh dhe përballë protagonistëve me gjëmë e me bëma financiare e korrupsioni, drejtësia është premtim i premtuar, por jo një projekt i ngritur. Në kohën e tanishme, kur premtimit për këtë projekt të
dëshiruar i është përfshirë , por sidomos po i angazhohet fuqimisht edhe aleanca me besim (SHBA-Bruksel), vonesa dhe kohëzgjatja po shumëfishojnë dëshpërimin publik.
Muajt e fundit, kësaj të keqeje aleate indirekte po i bëhet edhe pandemia me regjimin e saj aq kompleks e me kaq pësime për liritë themelore demokracinë. Në këtë regjim të luftrave të ashtu-pagëzuara si antikorrupsion, në të cilat protagonistët dhe autorët “nuk vriten kurrë”, demokracia jonë jo vetëm që mbetet hibride, por përjeton një inefiçencë në shtim. Sikurse theksohet te libri “ Si manipulohen zgjedhjet” nga Nic Cheeseman dhe Brian Klaas, nën një të keqe si regjim dhe përballë monstrave të tijm vendi është i dënuar të vuajë e zgjedhë demokratët e rremë të cilët: “…e kanë më të lehtë ta mbajnë pushtetin kur njollosin dhe dëmtojnë burimet e pavarura të informacionit që sfidojnë narrativën zyrtare shtetërore”.
Kjo kategori politike në sistem dhe në uzurpim të plotë imponon dhe legjitimon regjimin e autokracisë dhe të komandimit të centralizuar. Të tillët e kanë zëvendësuar detyrimin për transparencë dhe llogaridhënie me sistemin dhe funksionet, në mos si autoritaristë qeverisës, të paktën si demokratë të rremë e si premtues zhgënjyes. Këta të fundit, sikundër edhe të parët, janë demokratët e rremë në një demokraci paçavure. Në regjimin e tyre drejtësia është alibi, ndërsa akuzat dhe denoncimet e vërteta janë mundësi verbale, por kurrsesi procese që vihen në lëvizje dhe mbyllen nga gjykatat.
Verdikti i së vërtetës për luftrat e korrupsionit dhe regjimit të korruptuar, në republiçkën pa sistem drejtësie, është fatkeqësisht ai pa “të vrarë” të meritueshëm dhe të domosdoshëm. Për këtë arsye kapitujt e korrupsionit në këtë republikë të shprishur janë jetëgjatësia e saj, domethënë e republikës së parritshme dhe të pashëndetshme. Protagonistët dhe ekzekutuesit e korrupsionit në këtë vend janë tutorët që vijnë si mandatorë dhe shndërrohen në shfrytëzues e dhunues të shtetit ligjor. Këta në kohën e të qenit opozitë skicojnë projektin e kryqëzimit të korrupsionit të paraardhësve. Në mandatin e tyre qeverisës mbivendosin shtresën e tyre të korrupsionit duke ripërsëritur tradhëtinë e besimit utopist të votuesve të cilët keqardhshëm mbesin, për të cituar Kunderën, “në kërkim të së ardhmes së humbur”. Dhe në këtë fat të ripërsëritur, të luftës së cilës nuk i “vriten” kurrë “luanët apo mamuthët” e korrupsionit, qytetarët dhe gjithë shoqëria jonë mbeten e vijojnë të konsumojnë jetën në regjimin hibrid.