“Lule Borë”, jo gjithkush të meriton edhe pse të gjithëve u përket (FOTO)

Nga: Albert Vataj

Nuk ka mbetur budallallëk, perversitet, ndyrësi, injorancë, fundërrinë e çfarëdollojshme, pa marrë interesin dhe vëmendjen e opinionit publik, përmes TV-ve, rrjeteve sociale dhe portaleve të panumërt.

E vetmja gjë që mundi ti shpëtonte këtij rrezatimi toksikues është një ndër gjërat më të vlefta që kanë ndodhë këtë javë në botën e muzikës. Është fjala për Festivalin e muzikës qytetare, “Lule Borë”, i cili parakaloi vokale dhe kapacitete premtuese, shpërfaqi vlera dhe virtuozitete muzikore, mëkoi traditë dhe qytetari përmes një performimi që rrëmbeu adhurueshëm publikun në Teatrin “Migjeni” në datat 13-14-15 nëntor 2017.

Ky aktivitet i cili u mundësua nga Bashkia Shkodër dhe mban vulën e dy emrave të spikatur të muzikës, Markelian Kapedani, drejtor artistik dhe Jetmir Barbullushi, dirigjent, palzmoi një traditë në jetën artistike të Shkodrës, por pa mundur të jetë një ngjarje artistike gjithëshqiptare edhe pse e meritoi.

Megjithëse ky festival i dedikohej këngës qytetare shkodrane, një prej traditave më të vyera të pasurisë tonë shpirtërore, ai nuk mundi të ishte vetëm se një eveniment periferik, ku artistët më në zë të këtij qyteti, dhe muzikës shqiptare në përgjithësi, arritën të sjellin historinë dhe të guxojnë në sprova. Kjo përvojë që vjen në edicionin e saj të dytë, pas një mungimi 27-vjeçar, beri të mundur të gjallojë një magji e kahershme e muzikës dhe të kultivohet në një taban gjithnjë kërcënues ajo trashëgimi që mbetet guri më i shndritshëm në gjerdanin e muzikës popullore shqiptare.

“Ne mendojmë, se të bësh art dhe të përpiqesh të krijosh pjesë me dashuri, me fjalë të ëmbla siç janë fjalët që shoqërojnë tekstet e këngëve, apo të krijosh tingujt e ngrohtë muzikorës që më pas të përqafohen nga këngëtarë të etur për të ndarë muzikë, është një sakrificë e jashtëzakonshme. Sepse jetojmë në thatësirë ndjenjash njerëzore, e mjedisi ku rrimë është i vrazhdë nga natyra dhe ngjyrat i ka disi të mangëta….e të gjesh frymëzimin për të krijuar duhet të rritesh në një dimension tjetër pa ndihmë, pa mbështetje e pa energji. Domethënë që duhet të kesh një zemërgjerësi që kalon çdo cak.

Ndaj të gjithë ata që kanë kontributin sado të vogël, nga maestrot, ekipi organizativ i Bashkisë së Shkodrës, muzikantët, artistët, këngëtarët, ndriçimi, fonia dhe deri tek njeriu që ka ngulur qoftë dhe një gozhdë në këtë skenë….nga të gjithë ne, keni mirënjohjen e pakufishme dhe respektin më të lartë të mundshëm, njerëzor dhe artistik.” citon në prologun e kësaj kushtrimore artistike, ajo që ishte vlerë e shtuar e këtij evenimenti, ajo që ishte luleborë magjepsëse e tre netëve, prezantuesja sharmante, gazetarja dhe një mike e paçmim, Arlinda Çausholli.

Ajo që mbetet për tu veçuar nga kjo ngjarje janë surprizat që solli ky festival, nga të cilat mund të veçojmë pjesëmarrjen e të rinjve, gjithashtu dhe prurja e 22 këngëve të reja që pasurojnë fondin e artë të këngës qytetare shkodrane. Ofrimi i talentit dhe ambicies së tyre përbën lajmin e mirë që shpërndan ky aktivitet. Këto të rinj, krijues dhe interpretues, duke ndjekur traditën, duke e pasuruar këtë thesar, i japin vetes së tyre dhe Shkodrës përmes shpirtit dhe artit të atë frymëmarrje, atë energji, atë potencim të fuqishëm përtëritës që meriton ky qytet dhe që do të bëjë ata të ndjehen krenar dhe të suksesshëm.

Nuk mund të mbetej jashtë panoramës së vlerës që vuri në gurëthemel ky aktivitet, juria e përbërë nga emblemat e artit shqiptar, Osman Mula. Robert Radoja. Enriketa Kuqani. David Tukiçi dhe Julian Deda, mbi të cilët rëndoi përgjegjësia artistike dhe qytetare, që në mes gjithë kësaj magjie të zgjidhnin triumfuesin;

ÇMIMI I TRETE

“Një dashuri troket”
Muzika: Oleg Gjerga
Teksti: Alfred Çapaliku
Orkestroi: Roland Guli
Këndon: Blerta Cina-Shoqëron grupi “Karajfilat që ka Shkodra”

ÇMIMI I INKURAJUES

“Lulja e dashtun”
Muzika: Enis Mullaj
Teksti: Kristian Gajtani
Orkestroi: Enis Mullaj
Këndon: Artemisa Mithi

ÇMIMI I DYTE

“Vajza Shkodrane”
Muzika: Enrik Çefa
Teksti: Denisa Domnori
Orkestroi: Enis Mullaj
Këndon: Lidia Lufi

ÇMIMI I PARE

“Me ty u rrit kanga Shkodrane”
Muzika: Edmond Zhulali
Teksti: Agim Doçi
Orkestroi: Edmond Zhulali
Këndon: Mefarete Laze

Shkodra thërriste gjakun e vet dhe ata që i ndjeheshin borxhli këtij qyteti, si Jetmir Barbullushi, Markelian Kapedani, Sokol Prekalori, Arlinda Çausholli, etj. të cilët nuk pyetën për para dhe përfitime, të cilëve nuk i’u shtrua ndonjë tapet i kuq dhe nuk i’u rezervua ndonjë butafori shkëlqimtare. Ata ishin aty. erdhën për të dhënë më të mirën e tyre, dhe Shkodra, ajo u mëkoi prej shpirtit të saj shpërblesë dhe mirënjohje.

Artistët e mrekullueshëm shkodran, ulën siparin e një eventi që solli në qytetin e tyre, bardhësinë e luleborës, përmes tingujve të mrekullueshëm të këngës qytetare, dhe padashur e shpëtoi këtë magji të muzikës nga vala e shpërthimit toksik që ka ekzekutuar çdo gjallim të përkorë dhe po vret çdo embrion të së bukurës dhe konkurrueses.

SHKARKO APP