Lule, zogj dhe dëshpërim
Nga Ilir Muharremi
Të mërkurën në Galerinë e Hamamit të Gazi Mehmet Pashës në Prizren, është hapur ekspozita personale e piktorit, Shahadin Mejzini. Pjesë e hapjes së ekspozitës së piktorit, Shahadin Mejzini, ishin artistë të ndryshëm, miq e bashkëpunëtorë të autorit dhe nxënës. Artisti i mirënjohur i pikturës, Ibrahim Skenderi, tha se autorin e kësaj ekspozite e njeh prej kohësh, dhe se ai edhe përmes këtij projekti të ri që po e shohim sot , vazhdon të mbaj ritmin e duhur në krijimtarinë figurative, theksoi ai. Vet autori, Shahadin Mejzini, tha se kjo ekspozitë i dedikohet festave të marsit e në radhë të parë asaj të Ditës së Mësuesit, dhe falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e projektit të ri të tij në fushën e krijimtarisë figurative.
Lulet, zogjtë në hapësirë dhe dëshpërimi janë disa nga motivet të cilat i paraqet në pikturë artisti Shahadin Mejzini. Lulet vijnë nga ndërdija e tij, janë të qeta në sfond me një vjollcë shumë të fortë të përzier më të verdhën dhe në vete përmbajnë një ekspresivitet të thellë modernë. Kurse zogjtë herë janë në fluturim, e herë stoik, te ata që fluturojnë vërehet shpejtësia sikurse te futuristët, vetëm se këtu forma e tyre kalon në abstraksion. Përmes ngjyrave intensive, të pastra dhe të mbyllta, të ftohta e të ngrohta, vërtiten ndjenjat, pasionet, dhe vrulli i dufit të brendshëm, dhe theksi kryesor i formave bie në kuptimin e brendshëm, herë është psikologjik e herë individual. Me frymën abstrakte e ekspresive tablotë veçohen edhe për nga imazhet tjera, duke filluar nga shprehja, subjekti, apo aplikimi i teknikës së pikturës.
Sfondi i hapësirës kolorisitike ruan në vete akorde shumë specifike ku përfshihet drita natyrale. Raporti i ngjyrës në sfond është shumë i qetë , poetik, dikund vërejmë ngjyra primare dhe sekondare, por edhe shkallëzime dhe drita kudo në pikturë depërton nga brendësia e vet. Ngjyra ka tingullin dhe është e kumbueshme.
Dikund në epiqendër të kompozicionit përveç që dominojnë zogjtë dhe lulet, vërejmë ca vibrime ngjyrore që përfaqësojnë tredimensionalen. Vrazhdësia e ngjyrës shpreh metaforikisht ikjen nga vetja, tjetërsimin. Kjo ndodh për shkak pamundësisë për të qenë vetja, bëhemi dikush tjetër. Format janë të një lloj kombinimi supremastik të begatuar me kolorit që në tërë kompozicionin rrezaton emocion.
Është konfrontim i rrëmujës së brendshme në spektrin ekspresiv të ngjyrës. Vërejë forma në lëvizje sa poshtë sa lartë , lëvizje të drejta të brushës, dikund të lakuara, por të qëllimshme sa vendosen në të majtën e pëlhurës sa në të djathtën, krijimin e baraspeshës. Pastaj, lind rehatia dhe komoditeti shpirtëror.
Ritmi si dhe harmonia, poashtu bashkëngjitet edhe hapësira pikturave dhe bëhen si elemente më forcuese në tërësinë e kompozicionit. Kompozicionet e tij shquhen me sens ritmik, raporte ngjyrore, trajta të pastra, gërshetim kulturash përmes ngjyrave sepse ngjyra është gjuha më globale. Efekti më i madh kompozicional lartësohet përmes kontrasteve të ngjyrave intensive, pastuoze, koloritit transparent në hapësirën po e quaj qiellore sepse format duken sikur gërvishtin qiellin.
Ndryshe, kjo është ekspozita e tetë personale e piktorit, Shahadin Mejzini. Ekspozita do të jetë e hapur deri të premten. Autori i ekspozitës, Shahadin Mejzini , aktualisht është mësimdhënës i i lëndës së artit figurativ në shkollën e mesme të lartë teknike “ 11 Marsi”, në Prizren.