Lulzim Basha ju mëson shqiptarëve, si pihet kafja e mëngjesit dhe dy hapat e rëndësishme të kësaj pirje

Njoftohemi se një ndryshim i madh, për mirë, ka plasur sot me opozitën shqiptare, jo parlamentare. Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, është shfaqur që herët në mëngjes, në lokalin me emrin e bukur Sofia, për të pirë një kafè.

Pasi ka kryer këtë veprim, kryetari Basha ka shpërndarë në Instastory, dy foto të bëra ashtu si pa mendje, të cilat kanë tronditur të madh e të vogël, me një fjalë, çdo njeri që i ka parë.

Në këto dy fotografi, shpjegohet për mbarë popullatën shqiptare, se si pihet kafja e mëngjesit dhe sidomos cilët janë dy hapat, që e realizojnë këtë proces.

Hapi i parë, sipas Bashës, është porositja e kafès dhe hapi i dytë, po sipas Bashës, është pirja e kësaj kafèje me miqtë.

Gjatë kësaj kafe-pirje, Basha dhe miku i tij i panjohur (sigurisht një njeri nga populli i thjeshtë), kanë qëndruar në këmbë.

Çuditërisht ky fakt, pra qëndrimi në këmbë, nuk është klasifikuar, si hap i veçantë i kafe-pirjes.

Pirja e kafès dhe publikimi i këtij procesi; 1- POROSITJA dhe 2- PIRJA, duket se po afrojnë zhvillime të reja, të rëndësishme  në gjirin e opozitës.

Nënvizojmë edhe njëherë, që ky është rasti i parë, që Luli kryen veprime të rëndësishme, që herët në mëngjes.

Kujtojmë që, tre vjet më parë, në vitin 2017, Luli ka kryer veprime ngrënie-pirje, në zgjedhjet e vështira politike të atij viti.
Në mbrëmjen e 21 Qershorit të vitit 2017, katër ditë para zgjedhjeve, pas mitingut të Vlorës, Luli u ndal në Lushnje dhe hëngri një byrek të shoqëruar me dhallë.

Zoti Dashamir Shehi, i pyetur se si i dukej veprimi i fundit politik i Lulzim Bashës, për kafèn e pirë në kafene Sofia dhe dy hapat që njeriu duhet të hedhë në kafe-pirje, dha këtë përgjigje:

– Mender, kujt i plasi by** me sa hapa e piu kafen e mëngjesit Luli?!

Shihni dy fotot dhe dy hapat e rëndësishme gjatë pirjes së kafès së mëngjesit në kafenenë Sofia, nga lideri Basha dhe aplikojini çdo mëngjes këto rregulla në jetën tuaj.

TPZ.al/ Rubrika satirike “Tej e këtej”

SHKARKO APP