Lutfi Dervishi: Lajmi i rremë e çon limonin në qiell
Gazetari i njohur Lutfi Dervishi, i njohur për ironinë e hollë me të cilat trajton realitetin, vijon të “thumbojë” lajmet e rreme që përcillen nga media elektronike.
Në një nga postimet e tij në rrjetet sociale ai ndalet te disa nga artikujt spekulativ ku flitet për kura popullore kundër koronavirusit.
“I jep lajk, i bën koment, e shpërndan lajmin e rremë se “uji me limon lufton koronavirusin” dhe pastaj bën status ku i kërkon qeverisë “të ndërhyjë se është rritur çmimi limonit!!!!”, ironizon Dervishi.
Ndërkohë, më tej ai fokusohet sërish te lajmet e rreme duke shkruar se: “Lajmi rremë e çon limonin në qiell!
Lajmi rremë se uji ngrohtë me limon lufton koronavirusin ka rritur e do të vijojë të rrisë çmimin e frutit me lëng acid.
Të infektuar me këtë lajm shumë persona janë dyndur për të blerë limona! Çmimi sikundër thuhet në çdo leksion ekonomie tregu caktohet nga raporti kërkesë – ofertë.
Nëse lajmi i rremë do të ishte për qepën- një kokërr qepë sot do të ishte më e shtrenjtë se një kokërr shegë!”, nënvizon Dervishi.