“Lux lucis, et Anima”, në thellësi të materies së Felix Bilanit

“Lux lucis, et Anima”- “Dritë dhe shpirt”, titullohet ekspozita fotografike  e çelur në Galerinë Fab (pranë Akademisë së Arteve) në Tiranë mbrëmjen e së hënës, nga fotografi dhe reporteri i njohur shqiptar Felix Bilani. Ekspozita “Lux lucis, et Anima” që do të qëndrojë e hapur deri më 29 prill, prezanton një fotoreporter të trasnformuar nga zhanri informativ dhe social, në një personazh artistik, pas ekspozitës së tij të parë, të vitit 2009, me temë nuditetin femëror (me teknikë fotografike bardh e zi). Këtë herë me “Dritë dhe Shpirt”, syri i artistit e drejton objektivin në thellësi të materies, duke zbuluar si një mikrobiologji forma e përbërje sensuale bimore me makron e tij. Jo vetëm bimësia, por edhe shndërrimi i materies së vdekur në të gjallë si objekt dhe peizazh vjen në ekspozitën e Bilanit. Loja me detajet e shëndrron fotografinë e tij në pikturë dhe poezi, ku nuk mungojnë aromat dhe tingujt muzikorë. Metafora si figure qëndrore e artit fotografik të Bilanit, të lejon sikurse një pikture moderne të lexosh në shumëkuptimësinë e imazheve, si objektivi që kërkohet nga arti për ta përjetuar dhe jo kuptuar atë. 

SHKARKO APP