Makinat me qira, trend apo nevojë…

Nga Shpëtim Shushku –

Në botë, përveçse trend, marrja e një makine me qira është më tepër një nevojë. P.sh. në SHBA edhe pse shumica e njerëzve mund të kenë në pronësi më shumë se një makinë, ata e marrin me qira makinën për pushime ose për udhëtime të gjata, sepse makinat e tyre të përditshme nuk janë përshtatshme për këto qëllime.
Kurse në Europë ka të bëjë më shumë me anën ekonomike, pasi taksat siguracioni dhe mirëmbajtja e një makine kushtojnë më shtrenjtë, ndërkohë që transporti urban funksionon më së miri. Prandaj jo pak njerëz mendojnë që pse të blesh një makinë që nuk e përdor në çdo kohë? Përveç kostos së blerjes, duhen paguar taksa dhe shërbime që mund të shmangen. Në vend të kësaj, kur të duhet një makinë mund ta marrësh me qira për aq kohë sa të nevojitet, dhe për secilin rast merr makinën që i përshtatet.

Zotërimi i një makine në pronësi është duke dalë mode

Në një të ardhme jo fort të largët, kur të shkoni diku me një mjet nuk keni për tu kthyer më me të, por dikush tjetër do të vijë ta marrë e të udhëtojë me të nga atje ku e latë ju. Blerja e makinave po bëhet gjithnjë e më pak e përhapur me kalimin e kohës, duke u zëvendësuar nga makinat e huazuara dhe me sistem vetë-ngarjeje.
E ndërsa kompanitë e makinave me qira po përhapen së shumti dhe grupe të ndryshme njerëzish po mbështeten në këtë mënyrë të re, shifrat tregojnë se grupmoshat e të rinjve po e braktisin blerjen makinave personale.
“Dekada e ardhshme do të jetë automatizimi i makinave, dhe prania e makinave personale do të jetë gjithnjë e më e vogël”, tha Mark Fields, Presidenti dhe CEO i Ford për gazetën The Independent, e cila shkruan “Në këmbim të ndoshta 20 € në ditë, mund të marrësh në përdorim të pakufizuar një aset që vlen 10,000 €. Në këtë mënyrë ke mundësi ta ndërrosh makinën sa herë të duash, sipas nevojës dhe rastit”.
Kurse britanikja tjetër The Sun raporton se: “Pronësia e makinave në Mbretërinë e Bashkuar ra me gati 10 përqind vitin e kaluar, me rritjen e kontratave të lizingut deri në 12 përqind”, sipas ContractHireAndLeasing.com.
Në SHBA, më shumë se 2.10 milionë automjete janë pjesë e tregut të makinave me qira, e cila gjeneron të ardhura me vlerë 1050 $/automjet në muaj. Amerika Veriore dhe Europa përbëjnë pjesën më të madhe të tregut me më shumë se 65 % globalisht…, shkruan monitor.al.

Biznesi i makinave me qira ka gjetur hapësirën e tij edhe në Shqipëri
Prej vitesh, biznesi i makinave me qira ka hyrë edhe në Shqipëri dhe po konsolidohet në mënyrë të vazhdueshme vit pas viti. Një makinë me qira është kursim kohe dhe të hollash për emigrantët që vijnë në vend për pushime apo vizita tek të afërmit e tyre, sikurse është një zgjidhje optimale për turistët por edhe vendasit që duan ta eksplorojnë më shumë Shqipërinë në një kohë relativisht sa më të shkurtër.
Ky shërbim aksesohet sot shumë lehtësisht nga cilido vend i botës, në sajë të internetit nëpërmjet faqeve online, rrjeteve sociale, apo dhe aplikacioneve smart (whatsapp, viber, face, etj).

Problemet që has biznesi i makinave me qira në Shqipëri
Marrja e një makine me qira nuk është më çështje luksi, por nevoje dhe rasti. Sikurse është edhe një biznes për ato kompani që kanë zgjedhur ofrimin e këtij shërbimi. Por dhe pse ky biznes ka njohur zhvillim në vendin tonë, sfidat që has nuk janë të pakta.
Menaxheri i “SDS Services” në Elbasan rendit një sërë çështjesh që duhen trajtuar në këtë drejtim:
“Në radhë të parë – thotë ai, mungon një legjislacion i mirëfilltë që rregullon aktivitetin në këtë sektor. P.sh. një nga problemet në legjislacion dhe që ndeshet shpesh është që gjobat vihen në emrin e makinës e jo të shoferit. Dhe hedhja e gjobave në sistem vonon disa ditë, për rrjedhojë gjobën detyrohet padrejtësisht ta paguajë kompania, e jo shoferi kundravajtës.
Si në çdo biznes tjetër, edhe në këtë sektor ka mungesë kontrolli ndaj konkurrencës informale, gjë që ndikon jo pak tek bizneset e ndershme që mbajnë barrën fiskale, dhe për këtë duhet të kenë mbështetjen e instancave përkatëse.
Po ashtu, mungon edhe kultura e marrjes me qira të makinave, çka çon hera-herës në keqkuptime mes kompanive dhe klientëve rreth termave të marrëveshjes (karburanti, kilometrazhi, garancitë etj).
Infrastruktura rrugore në vend, sidomos në zonat rurale lë për të dëshiruar. Kjo i dëmton makinat dhe rrit dukshëm kostot e shërbimit dhe të mirëmbajtjes së tyre.
Edhe sezonaliteti është një tjetër sfidë, pasi përveç periudhës së verës kur vendi dyndet nga turistët e emigrantët, dhe gjatë festave të fundvitit, pjesa tjetër e vitit është shumë e dobët në këtë sektor, pavarësisht faktit që shpenzimet e kompanisë, sigurimet dhe taksat mbeten të njëjta”.

Çmimet
Çmimet variojnë sipas llojit dhe madhësisë së makinës, psh. nëse është luks, fuoristradë, multivan, katërvendësh, ekonomik etj. Megjithatë për periudha javore dhe më të gjata aplikohen ulje drastike deri në gati 50 % të vlerës së qirasë.
Vlerën e qirasë e përcakton lloji, fuqia, marka, madhësia dhe gjendja e makinës, ku sigurisht makinat e vogla janë më të lira. Sa më e madhe dhe e fuqishme makina, aq më i lartë është edhe çmimi.
Çmimet arrijnë kulmet e tyre në periudhat kur kërkesa është më e lartë, pra gjatë verës dhe dimrit, pasi në këto periudha rritet fluksi i turistëve dhe emigrantëve që kthehen në atdhe. Kur fluksi bie edhe çmimet bien. Në sezon fluksi mesataret e çmimeve shkojnë 25-35 euro/dita, kurse gjatë pjesës tjetër të vitit mesatarja arrin deri në vetëm 8-10 euro/dita.

Dokumentet e nevojshme
Kur merret një automjet me qira, kompania e shërbimit ruan një fotokopje të pasaportës apo letërnjoftimit, si dhe një fotokopje të dëshmisë së aftësisë për drejtim automjeti (patentë) dhe ia bashkangjit kontratës së qirasë.
Qiradhënësi duhet të lërë paradhënie një depozitë garancie (që zakonisht është 200 Euro), e cila në rast konstatimi kundravajtjeje, dëmtimi të automjetit dhe pajisjeve gjatë periudhës së qiramarrjes, përdoret për mbulimin e kostos së riparimeve të nevojshme apo kundravajtjeve. Në mungesë të kundravajtjeve apo dëmtimeve, depozita e mësipërme i kthehet qiramarrësit e plotë.

Disa këshilla për të marrë me qira një makinë gjatë udhëtimit

Nuk ka asgjë më të mirë se një udhëtim familjar me makinë, sidomos nëse jeni me pushime. Makina personale sigurisht që është opsioni i parë që ju vjen në mendje, por nëse nuk keni një të tillë ose makina juaj nuk i përmbush specifikat e nevojshme për këtë udhëtim, zgjidhja e duhur natyrisht është të marrësh një me qira. Kjo është e lehtë dhe mund ta bëni online ose me telefon para se të udhëtoni. Në rreshtat e mëposhtëm do t’ju japim disa këshilla dhe taktika që duhet të dini, në mënyrë që të merrni me qira makinën më të volitshme.

1. Zgjidhni kompaninë e duhur
Shumë kompani ofrojnë shërbimin e makinave me qira, por jo të gjithë kemi kohë për t’i shfletuar të gjitha, apo jo?! Pothuaj në çdo rreth të Shqipërisë ka disa kompani të tilla, për Elbasanin ju rekomandojmë SDS Services www.sds.al.
2. Rezervoni herët
Kjo këshillë vlen për thuajse çdo gjë që ka të bëjë me udhëtimet. Sa më herët të rezervoni, aq më shumë do të keni mundësinë e një marrëveshjeje të mirë.
3. Shmangni aeroportin
Kërkoni që makinën ta merrni në një vend tjetër përveç aeroportit, sepse nëpër aeroporte ka gjithmonë kosto shtesë. Kjo këshillë është veçanërisht e dobishme për qytetet me aksese të mira transporti. Por nëse nuk keni zgjidhje tjetër, atëherë mund ta merrni makinën që në aeroport.
4. Sa vjeç jeni?
Në shumicën e vendeve, nuk mund të marrësh një makinë me qira nëse je nën 21 vjeç, dhe në disa prej këtyre vendeve ka një kosto shtesë nëse je nën moshën 25 ose mbi 65 vjeç, sepse kompanitë e makinave me qira i konsiderojnë këto kategori si “më shumë të prirura për aksidente”. Prandaj nëse jeni disa veta në një udhëtim, rezervojeni makinën në emrin e personit me moshën më të përshtatshme.
5. Injoroni shtimin e opsionit të sistemit të navigimit
Shtimi i sistemit të navigimit është kosto shtesë, injorojeni këtë opsion dhe përdorni Google Maps. Nuk do të gjeni ndonjë ndryshim të madh.
6. Sigurohuni që makina të jetë e rregullt kur ta merrni
Bëni një kontroll të plotë të automjetit para se ta merrni, dhe nëse ka ndonjë dëmtim sigurohuni që të jetë e përmendur në formularin e kontratës së qirasë. Bëjini foto makinës me telefonin tuaj celular nga të gjitha anët në mënyrë që të keni foto specifike të kohës dhe datës që nga marrja në dorëzim të makinës. Pagesa e një dëmshpërblimi për një dëm që s’e keni bërë ju është gjëja e fundit që do të dëshironit.
7. Merrni me qira makinën më të vogël që ju nevojitet
Mendoni për markën dhe llojin e makinës që ju nevojitet, merrni në konsideratë edhe konsumin e karburantit. Kjo nuk do të thotë që duhet të marrësh një makinë të vogël sa një kuti sardeleje, por mendoni vetëm për çka ju duhet dhe mos u tundoni të rezervoni një makinë që është më e shtrenjtë sesa ajo për të cilën ju keni nevojë.

Pushime të mbara…!

SHKARKO APP