Mal Berisha flet për Herman Bernstein, ndajnë dashurinë për Shqipërinë

Ndryshe nga monotonia që ndonjëherë i shoqëron leksionet apo konferencat mbi tema të ndryshme rreth diplomacisë, një prezantim lidhur  me ambasadorin e parë amerikan që shërbeu në Shqipëri në vitet 1930-1933, Herman Bernstein, nga diplomati shqiptar, Z. Mal Berisha, rezultoi tepër informues dhe interesant për një grup të përzgjedhur  të huajsh, kryesisht anëtarë të Intercultural Friends in Tirana (IFIT).

IFIT  numëron më shumë se 200 anëtarë, kryesisht të huaj që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, por edhe shumë gra ambasadorësh që shërbejnë në vendin tonë dhe ka si qëllim t’i njohë të huajt sa më shumë me historinë, kulturën dhe çdo gjë të mirë që ofron  vendi i vogël Ballkanik.

Me ftesë së drejtueses së IFIT,  zj. Nikki Doçi,  z. Mal Berisha, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, ndau me audiencën në hotel “Rogner” fakte interesante rreth figurës dhe kontributit të Bernstein ndaj Shqipërisë dhe marrëdhënieve të saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në periudhën 1930-1933 si një gazetar, shkrimtar dhe diplomat.

  1. Mal Berisha ka realizuar dhe një libër për këtë figurë, të titulluar “Herman Bernstein, a Journalist, Writer, and Diplomat.”

Në prezantimin e tij, të titulluar “A Small Token of the History of Albanian-US-Jeëish Relations, seen from the ‘Ëindoë” of the Office of US Minister, Herman Bernstein,”  z.Mal Berisha nxori në pah rolin e Bernstein ndaj marrëdhënieve të mira midis tre vendeve si dhe përpjekjet e tij për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai tha se Bernstein mësoi akoma më shumë për Shqipërinë gjatë Konferencës së Paqes së Parisit më 1919-ën, ku ai mori pjesë si gazetar si pjesë e delegacionit amerikan së bashku me Presidentin Ëoodroë  Ëilson dhe misionarin e shquar amerikan, Charles Telford Ericson.  “Në këtë konferencë, ata lobuan për mbrojtjen e territoreve shqiptare”, – tha z.Berisha.

Gjithashtu, me interes për audiencën ishte fakti që z. Berisha nënvizoi se më 17 shkurt 1930, Presidenti Hoover emëroi Bernstein si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri për të ruajtur pavarësinë e vendit dhe për të mbrojtur integritetin e Shqipërisë nga Greqia dhe Serbia.

“Në vitin 1925, Presidenti Hoover dha një donacion prej 10,000 $ nga llogaria e tij personale (në kushte anonimiteti) për Shkollën Bujqësore të Kavajës në Shqipëri. Dhe në 1930, Presidenti Hoover do ta emëronte Bernstein si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Si një diplomat i madh që ishte, Bernstein negocioi dy traktate mbi natyralizimin dhe ekstradimin midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, të dy të nënshkruara prej tij”,- tha z.Berisha.

Herman Bernstein ishte një gazetar i guximshëm, një aktivist hebre, një diplomat dhe intelektual i shquar. “Ajo që la pas shkon përtej shërbimit diplomatik që Bernstein kreu në Shqipëri. Shqiptarët treguan shumë dashuri për të. Ai mbetet një figurë e rëndësishme në marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane. Ai mbështeti një vend të vogël ndërsa mësonte dhe shkruante për historinë dhe kulturën e tij, ndihmoi në hapjen e shkollave dhe paralajmëroi botën mbarë për të ardhmen tragjike të këtij vendi. Ai ishte një njeri i madh nga një komb i madh dhe një popull i madh”, tha z. Mal Berisha në mbyllje të prezantimit të tij.

Ftesa

Një ftesë për një prezantim të tillë për z. Mal Berisha nga zj.Nikki Doçi nuk ishte e rastësishme.

“Me z.Mal Berisha u takuam gati një vit e gjysmë më parë. Ishim në Londër për një konferencë pune, ku ishin të ftuar shumë ambasadorë midis të cilëve edhe z. Mal Berisha. Nuk di çfarë të them është tipi i njeriut, kaq zemërbutë. Kur filloi të fliste për Shqipërinë, ju mbushën sytë me lot. Aq shumë e do vendin e tij.  Që atëherë mbajtën lidhje”,- thotë zonja amerikane për njohjen e saj me z.Mal Berisha.

Që nga janari i këtij viti, ajo ka marrë drejtimin e IFIT. “Unë dua që ata të huaj që jetojnë në Shqipëri të dinë sa më shumë për të, të ekspozohen ndaj shqiptarëve të mirë, që kanë zemër për vendin, që po bëjnë mirë për vendin e tyre dhe kështu më shkoi mendja te z.Mal Berisha. U gëzova shumë që e pati rastin të fliste para një audience të tillë. I thashë: “Fol çfarë ke në zemër! Me dashurinë që ai ka për vendin, çfarëdo që të thotë, i del e shprehur shumë bukur,” shton Doçi.

Nikki Doçi, është një amerikane që jeton në Shqipëri që më 1992. Ajo drejton institutin “Jeta e Re” në Tiranë, e cila bashkëpunon kryesisht me të huaj që vijnë në Shqipëri për projekte të shkurtra, më tepër në fushën e shkëmbimeve kulturore.

Reagimet

“Ne ishim vërtetë të nderuar që patëm z. Mal Berisha të ftuar tek Intercultural Friends  in Tirana. Dashuria e sinqertë për vendin e tij është e dukshme sa herë që dikush ka privilegjin ta dëgjojë atë, si në formën e një prezantimi siç ishte ky rast apo në biseda personale me të. Ai dhe bashkëshortja e tij, zj.Donika, e bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë dhe na ndihmojnë ne ta kuptojmë rrugën që ka ndërmarrë për të ardhur deri këtu ku është sot”, -tha  zj.Doçi.

Midis të ftuarve, zj.Jennifer Keller, bashkëshortja e zëvendësambasadorit zviceran në Tiranë, Philip Keller, komentoi se: “Prezantimi i z.Mal Berisha më dha mundësinë të kuptoj akoma më mirë të kaluarën diplomatike të Shqipërisë. E respektoj shumë pasionin e tij në gjetjen e gjithë këtyre dokumenteve që pasurojnë kuptimin dhe rëndësinë e marrëdhënieve diplomatike. Shumë falënderime për të dhe për prezantimin e tij të thellë në gjuhën angleze”, nënvizoi zj.Keller.

Ndërsa zonja e ambasadorit turk në Tiranë, zj.Füsun  Bayraktar, do të impresionohej nga një fakt tepër interesant që z.Mal Berisha ndau me të pranishmit se kopshtari që punonte në Ambasadën Amerikane në Tiranë në atë kohë ishte nga Parku Yildiz në Stamboll.

SHKARKO APP