“Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” prezantohet në Ulqin

U promovua romani i fundit i shkrimtares Mira Meksi «Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë» ditën e mërkurë, më 29 korrik 2015 nga “Kalimera Poetike” në Ulqin.

Ky manifestim tradicional, i cili u orgaznizua nga datat 29-31 korrik 2015, ditë që përkuan edhe me Panairin e Librit «Ulqini 2015», si një vazhdimësi e  traditës së organizimit të kësaj veprimtarie, që pritet gjithmonë me shumë interes nga pushuesit e Ulqinit gjatë këtij sezoni, nuk munguan shkrimtarë të njohur shqiptarë, por dhe nga vendet e tjera të rajonit.

Edicioni i sivjetshëm, i 23-të, vazhdoi traditën e edicioneve të kaluara, por kësaj radhe mysafirë të tij ishin shkrimtarja Mira Meksi nga Shqipëria, shkrimtari akademik kroat Luko Paljetak dhe shkrimtari shqiptar nga Mali i Zi, Fran Camaj, të cilëve iu kushtua një mbrëmje autoriale.

Qëllimi kryesor i kësaj veprimtarie ishte promovimi i krijimtarisë më të mirë letrare shqiptare, por edhe ballkanike dhe të huaj, në mënyrë që ta bëjë atë të njohur për publikun vendas dhe turistët.

“Kalimera Poetike” vlerësohet si ngjarja më e rëndësishme në fushën e letërsisë ndër shqiptarët në Mal të Zi dhe më gjerë. Duke pasur parasysh rrugën e zhvillimit të kësaj veprimtarie ndër vite, mund të thuhet se “Kalimera Poetike” është shndërruar në orë letrare akademike të letërsisë shqipe. Gjatë ditëve të zhvillimit të saj, Ulqini shndërrohet në qendër dhe vendtakim të shkrimtarëve shqiptarë dhe atyre nga rajoni. Ky manifestim i shërben po ashtu pasurimit të ofertës turistike të Ulqinit gjatë sezonit turistik.

SHKARKO APP