Mangësitë e studentëve në edukimin mediatik

Edukimi mediatik është një nga konceptet që po merr shumë terren në shoqëritë demokratike. Aftësia për ta përvetësuar realisht mesazhin mediatik, për të dalluar informacionin me burime të besueshme nga lajmet e pavërteta ose të deformuara mbetet një sfidë thelbësore për individin, institucionet në të gjitha nivelet, përcakton qëndrime dhe politika të ndryshme zhvilluese në cdo sektor të jetës, lidhet drejtpërdrejt me vendimarrjen për të tashmen dhe të ardhmen.

Nxitja e debateve të lira mbi median dhe informimin

“Kuptimi dhe vlerësimi në mënyrë kritike i përmbajtjeve mediatike nga studentët” është një projekt që ka në fokus media literacy. ABC Tirana Club, një organizatë joqeveritare, kërkon që përmes këtij projekti të nxisë debate të lira mbi median dhe informimin – si instrumente jetësore dhe të pazevendësueshme në një shoqëri demokratike. Për organizatorët qasja drejt tyre vlerësohet me ndikim të madh në sjelljen, perceptimet apo pjesmarrjen në vendimarrje të studentëve.

Prej fillimit të qershorit, me rikthimin e studentëve në auditore, ABC Tirana Club po realizon forume diskutimi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Paraprakisht ka realizuar dhe një sondazh mbi mendimet dhe perceptimet e tyre mbi rolin dhe ndikimin e medias, si dhe tiparet e sjelljes së saj në raport me publikun, me protagonistët e politikës, biznesit, grupet e ndryshme të interesit, shoqërinë civile etj.

Gjetjet e sondazhit janë bazë e mirë për debatin që zhvillohet në forume. Pavarësisht rezultateve nga sondazhi, studentët e universiteteve publike në Elbasan dhe Durrës shprehin opinionet e tyre personale, vlerësime dhe këndvështrime bazuar në eksperiencat e tyre me produktet mediatike, qofshin ato nga redaksi klasike, apo mediat e reja dhe rrjetet sociale”,-thotë Johan Muka, drejtues i ABC Tirana Club.

Mangësi në sistemin arsimor shqiptar për media literacy

Tematika dhe problematika që përfshin forumi studentor mbështetet në aspekte të interesit të të rinjve, psh., cila media është burim më kryesor për t’i informuar; cila media është burim më kryesor për t’i argëtuar; koha që kalojnë në rrjetet sociale, apo duke lundruar në internet; sa njohuri kanë marrë brenda programit mësimor mbi edukimin mediatik; gjatë fushatave zgjedhore në vendin tonë, cili është burimi më i mirë i informimit për ta; sad he si a ndikon media në orientimin për votën e studentëve gjatë proceve zgjedhore; mbi lajmet e rreme dhe të deformuara etj.

Pjesmarrësit kanë evidentuar faktin se në fushën e edukimit për median dhe informacionin ka mangësi në sistemin arsimor shqiptar, ku ende hapat e bëra janë minimale, duke e renditur Shqipërinë në vendet e fundit për përfshirjen në kurrikulat e edukimit shkollor të media literacy.

Projekti “Kuptimi dhe vlerësimi në mënyrë kritike i përmbajtjeve mediatike nga studentët” mbështet me fonde të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit rajonal “Media për Qytetarët – Qytetarët për Median”.

SHKARKO APP