Maria, vajza e Lasgush Poradecit
Nga Ben Blushi
Marian e mora në telefon.
Takohemi te Nefeli, tha.
Ça është Nefeli, e pyeta.
Ka ëmbëlsira, tha Maria.
Unë dua një çaj të ftohtë, i thashë.
Edhe unë dua çaj, tha Maria.
Çfarë pune ke bërë Mari, e pyeta.
Ekonomiste te Ministria e Drejtësisë.
Aty dole në pension?
Aty dola.
Nuk u martove kurrë?
Pata një histori që nuk shkoi siç duhet.
Pra je vetëm?
Kam shpëtuar nga demonët, tha Maria.
Nga çfarë demonësh ke shpëtuar?
Nga demonët që të diktojnë jetën: burri, familja, pasuria.
Tani je bërë skllave e Lasgushit?
Vokacioni im ishte të merresha me veprën e babait.
A je e lumtur?
Sigurisht, e kalova Eudaimonian, tha Maria.
Çfarë është Eudaimonia?
Sipas Orakullit të Delfit, Eudaimonia është kulmi i lumturisë njerëzore, pra, pasi njeriu nxjerr
jashtë demonët e vet, atëherë ai arrin majën e lumturisë dhe të mirësisë.
Interesante, thashë unë.
Dy janë parimet e lumturisë sipas Orakullit te Delfit, tha Maria.
Kush është e dyta, e pyeta.
Katametron.
Çfarë është Katametron, pyeta unë.
Katametron do të thotë çdo gjë me masë, pra çdo gjë në masën e duhur: pasuria, miqësia,
dashuria, arti, gjithçka duhet të jetë në këtë masë, që të ndjehesh mirë dhe në paqe me veten dhe
botën.
Kush e përcakton masën, e pyeta.
Njeriu inteligjent, tha Maria.
Pak e vështirë, thashë unë.
Babai im Lasgushi nuk lejonte t’i preknin asnjë pikë mbi i në poezitë e veta, prandaj poezitë e tij
janë të përkryera.
Domethënë, ai e dinte masën optimale, pyeta unë.
Ai ishte i jashtëzakonshëm, tha Maria.
Çfarë ka lënë Lasgushi, e pyeta.
Ka mijëra faqe ditar, dorëshkrime, korrespondenca, letra të cilat unë i lexoj dhe i bëj gati, me ato
merrem çdo ditë.
Me kë i ka korrespondencat?
Me kë nuk i ka, me Asdrenin, me Mitrushin, me kryeministrat e kohës, me të dashurat e veta.
Sa të dashura ka pasur?
Shumë, tha Maria.
Sa shumë?
Po një greke quhej Eleni, një rumune Lula, një austriake Marjeta, shumë ka pasur.
Kam dëgjuar për një holandeze, i thashë.
Roza, tha Maria.
Ça bëri Roza, e pyeta.
Erdhi në Shqipëri, jetoi me babain, pastaj iku.
Ku iku?
Në Milano, Lasgushi e ndoqi pas.
Po pse iku Roza?
Sepse Lasgushi nuk durohej, ishte shumë i vështirë.
Ishte tekanjoz, thashë unë.
Ishte poet, tha Maria.
Pse, si janë poetët?
Platoni thotë që ka katër shkallë çmendurie dhe profetët janë të parët, poetët janë të dytët,
adoleshentët janë të tretët.
Paskam shpëtuar, thashë unë.
Ti nuk shkruan poezi, tha Maria.
Poezisë i ka kaluar pak koha, thashë unë.
Nuk është e vërtetë, tha Maria.
Nuk konkurron dot poezia me instagramin dhe youtube-in, thashë unë.
Po çfarë duan tani njerëzit, pyeti Maria.
Duan prozë, thashë unë.
Ah, domethënë duan thashetheme si këto që po bëjmë ne të dy, tha Maria.
E keni shtëpinë në Pogradec, e pyeta.
Nuk e kemi, sepse babai e shiti.
Kam qenë në atë shtëpi me gjyshin tim dhe Lasgushi rrinte shtrirë në krevat, thashë unë.
Gjyshi jot Dhimitër Shuteriqi na ndihmoi ta rregullonim shtëpinë kur ai ishte kryetar i Lidhjes së
Shkrimtarëve, na dha 100 mijë lekë.
Po pse rrinte shtrirë Lasgushi, e pyeta.
Kishte dhimbje shpine gjithmonë, vuante nga kurrizi.
A kurohej?
Shkonte vazhdimisht nëpër llixha dhe në Voskopojë e në Dardhë.
Ou, edhe në Dardhë, në fshatin tim?
Në Dardhë zuri dhe një të dashur.
Kush ishte kjo, e pyeta.
Një piktore, tha Maria.
Ç’u bë me piktoren?
Edhe ajo e la, tha Maria.
Sa keq, do ishte dhëndër në Dardhë, mund të ishim fqinjë, thashë unë.
Dëgjo sa e bukur, tha Maria.
Ma thuaj, i thashë.
Njëherë, piktorja takoi mamanë time, se njiheshin.
Edhe?
Shyqyr që e more ti, se mua do më kishte shkatërruar jetën, i tha.
Lasgushi ishte poet, thashë unë.
Ishte fantastik, tha Maria.