Mark Gjoka, interpretues i shpirtit mirditor

 
Nga Jak Rrozhani

Takimi dhe biseda me kompozitorin dhe kantautorin e njohur Mirditor, Mark Gjoka, Mjeshtër i Madh është mjaft i këndshëm dhe tërheqës pasi ashtu i qeshur, i shkathët, përherë në lëvizje dhe tepër komunikues, ka ç`të tregojë për jetën dhe krijimtarinë në vite. Ai në çdo kohë është në kërkim të risive, të gjetjes e përzgjedhjes së talenteve, sidomos të rinj në lëvrimin dhe interpretimin sa më origjinal dhe të pastër të këngëve popullore, folklorike etj. Sidomos të trevës së Mirditës që ai përfaqëson denjësisht, me interpretimin mjeshtërisht tiparet e këngëve origjinale, bashkë me gruan e tij, këngëtaren e mirënjohur Tone Gjoka. Modest dhe tepër kërkues në punën e tij në lëmin e muzikës, me pasionin që e karakterizon, Marku shprehet se: "Kam prekur një aromë dashurie, të dashurisë sime për këngën Mirditore për mbi 30 vite, bashkë me gruan Tone Gjoka, si interpretues dinjitozë në skenat e festivaleve dhe të aktiviteteve artistike brenda e jashtë vendit, duke u duartrokitur dhe marrë trofe, sepse muzika është muza e shpirtit të tij krijues". Kënga Mirditore përbën një dukuri elitare në folklorin muzikor e cila gjatë shekujve kristalizoi tiparet e saj origjinale, me punën e palodhur dhe interpretimin origjinal e dinjitoz në skenë të Mjeshtrit Mark Gjoka me bashkëpunimin në tekstet e këngëve të muzikës së tij me poetin e madh Gjokë Beci, Mjeshtër i Madh dhe këngëtaren e talentuar Tone Gjoka.

Ndaj, kënga mirditore sot është një dukuri e jashtëzakonshme e komunikimit njerëzor dhe ushqim shpirtëror për artdashësit, që  dallon për llojin unikal e origjinal që ajo përfaqëson , me besnikërinë në muzikë dhe interpretim të virtuozit Mark Gjoka, me emocionin që ajo krijon , si vetë flladi dhe ajri i bjeshkëve të Mirditës. Mark Gjoka, Mjeshtër i Madh, është i njohur si një nga mjeshtërit dhe lëvruesit më të shquar të këngës popullore të trevës së Mirditës e më gjerë, kompozitor, këngëtar, instrumentist dhe orkestrues, me shtatë albume muzikore në treg, organizator i dhjetrave koncerteve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Diasporë etj. Ka mbi 20 vjet me grupin “Mirdita folk” dhe “Ansamblin Lezha” si drejtues, me studion e tij muzikore. Nga koncertet e tij të suksesshme brenda e jashtë vendit , do të përmend atë që më ka lënë mbresa si i pranishëm aty,  interpretimi brilant dhe profesional i këngëve popullore e folklorike të artistëve të Ansamblit “Lezha”, në Fest –Folk, Kukaj, Prishtinë, 2015, duke u vlerësuar me çmim të parë , me prezantimin dinjitoz të Mark Gjokës, Tone Gjokës, lahutarit Pjetër Matusha , luajtjes në instrumente nga Gjovalin Ndreca, këngëtarëve: Luçe Simoni, Vera Lushaj, Mide Aliu, instrumentistëve: Kolë Zefi, Nikollë Pera, Fran Uku , nxënësve këngëtarë të talentuar: Ronela Legisi e Redion Piroli. Ata u duartrokitën ngrohtësisht nga artdashësit kosovarë.

Apo dhe promovimi i librit të tij “100 Zambakë Mirdite “, në Odën me sofrën kosovare po në Kukaj, Prishtinë, me libra të autorëve të ndryshëm, ku ky libër u vlerësua për vlerat dhe autoktoninë që sjell me këngët dhe muzikën me nota në pentagram nga Marku, me origjinalitetin dhe pastërtinë e këngëve popullore folklorike të trevës së Mirditës, si pasuri krenari, identitet, me muzikën origjinale të Mark Gjokës dhe tekstet e penës së artë të Gjokë Becit, me vlerësimin e poetëve e shkrimtarëve kosovarë në këtë promovim si: Prend Buzhala, Gjon Gjergjaj, muzikantë, kritikë. Mark Gjoka, me punën  e tij të palodhur e pasionante si krijues e interpretues është vazhdimisht në kërkim të risive e të talenteve në muzikë, sidomos në atë popullore e folklorike mirditore duke qëndruar besnik në interpretim me origjinalitet, tipare e pastërti bashkë me Tone Gjokën sepse këngët e tij janë bërë pasuri e fondit të artë kombëtar të këngës popullore mbarëshqiptare.

SHKARKO APP