Mark Mesulit kush ia dha titullin: “Profesor” ?
Nga Ismet Balaj –
Mark Mesuli u lind në tetor të 1952 në Dom (Gjegjan) të Mirditës , që administrohet nga rrethi i Pukës. Mban mbiemrin “Mesuli” fshat afër Munellës, ku kanë qenë të parët e tij. Arsimin fillor e tetëvjeçar e kreu në vendlindje. Shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” (1971) dhe Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër (më 1976) dhe u titullua mësues i arsimit tetëvjeçar.
NË PUNË DHE NË JETË DUHET BËRË MË E MIRA E MUNDSHME
Edukata familjare: të jetosh me djersën e mundin tënd, dhe formimi arsimor: mëso dhe eduko brezat e rinj që të sfidojnë kohën e të përballojnë vështirësitë që sjell jeta, formuan te Marku disa tipare të rëndësishme. Dashuria për profesionin dhe përpjekja për të realizuar detyrat sa më mirë, u bënë bashkudhëtare të gjithë jetës së tij. Kudo ku punoi, si mësues e drejtor shkolle në Kuzhnen, Gojan i madh, Mesul, Gojan i Vogël dhe Gjegjan realizimi i detyrave mësimore dhe edukative është vlerësuar e mirë në të gjitha kontroll dhe analizat e bëra nga organet eprore. Arritjet janë përgjithësuar si modele të mira nëpër format kualifikuese që bëheshin për përgatitjen e vazhdueshme të kuadrit mësimor. Për nivel përgatitje bashkëkohore dhe arritje cilësore , është aktivizuar në ndihmë dhe kontrolle nga Seksioni i Arsimit dhe i Kulturës në shkolla të ndryshme. Ka drejtuar komisionin metodik të lëndëve gjuhë dhe letërsi shqipe të zonës dhe ka ndikuar në aftësimin e mëtejshëm të mësuesve të këtyre lëndëve.
Vëmendje të posaçme i kushtoi edhe aktivizimit në problemet jashtëshkollore të zonës dhe njëkohësisht u bë një nga mbledhësit dhe studiuesit e kulturës materiale e shpirtërore nga mësuesit më të të suksesshmit prandaj edhe u zgjodh kryetar i degës së gjuhë-letërsi të Shoqatës së Arsimtarëve të rrethit Pukë. Kontributi i tij është edhe në FESH (botim 1985)(fq 1217). Materialet e mbledhura, të sistemuara e të studiuara me kujdes i ka kumtuar në veprimtari të ndryshme lokale e kombëtare. Disa prej tyre janë botuar në “Buletini Puka dhe Shkolla,” në gazeta si “Zëri i Popullit”, “Mësuesi”, “Përpjekja”,” Koha jonë”, “Nacional”, si edhe në revistat “Studime Historike”, Sociale, pedagogjike , filologjike etj. Me të njëjtin përkushtim ka kryer edhe detyrat si anëtar i Këshillit të Rrethit (1992) dhe i Qarkut Shkodër 2000- 2007. Dy herë radhazi është zgjedhur kryetar i Komunës Gjegjan. Fakti i rizgjedhjes, tregon se edhe në këtë fushë ai ka drejtuar me drejtësi e ndershmëri, por edhe me kompetencë. Për gjithë sa ka bërë në shërbim të qytetarëve Bashkia Pukë i ka dhënë titullin :”QYTETAR NDERI”.
” NUSEN MERRE NGA BIJË FISI, PËR NGROHJE MERR DRU LISI…”.
Kjo fjalë e urtë u ngulit fort në ndërgjegjen e Mark Mesulit, prandaj edhe hulumtoi me zell në zonë për të gjetur njeriun më të cilën do të ndërtonte jetën që kishte përpara. “-Nga zona jonë gjeje biro fatin tënd. Gjithë Mirdita ia njeh zakone e tradita dhe e mirëkuptojnë çiftet më mirë njëri-tjetrit”, -i thoshte babai…Në spitalin e Gjegjanit punonte një infermiere nga Gojani, nga familje e njohur me emër “Çuni”. E kishte njohur që kur ishte ajo ishte në Durrës, në shkollën e mesme të infermierisë . Nga njëra anë ishte dëshira e madhe që të mbaronte shkollën e lartë, nga tjetër dëshira për t`u martuar dhe filluar jetesën bashkëshortore. U realizuan të dyja brenda një viti. Në ato vite bëhej një propagandë gjysmë ilegale për të lindur jo më shumë se dy-tre fëmijë. Po nuk e përfilli këto porosi, por atë të babait:’-Më ngjaj mue, or bir. Nantë nipa e mbesa, bile edhe ma shumë se unë, i due t`i shoh prej teje e nuse Davës…,kush lind, do të rritet; secili ka fatin e tij,- theksonte hera herës Ndrecë Mesuli. Dhe ndodhi mrekullia: Nëntë djem e vajza njëri pas tjetrit, secili më i bukur, secili më i mirë, secili më i shëndetshëm se tjetri e mbushen shtëpinë, oborrin, sytë e shpirtërat e prindërve si edhe e gjyshes e gjyshit.. ..Nga fundi i viteve tetëdhjetë një gazetar i Radiotelevizionit Shqiptar i kishte bërë një vizitë në shtëpi. Kishte mbetur pa fjalë kur kishte parë djem e vajza si drita, plot shtëpia, kurse ky (gazetari) moshatar i Markut ishte ende beqar. E kishte intervistuar Markun se si mundët që t`i rris 9 fëmijë, kur edhe gjithë vendi po përballej me një krizë të madhe ekonomike etj. Emisionin e kishte transmetuar si model i një familje intelektuale me 9 fëmijë që përballon me sukses vështirësitë. Këtë e transmeton në një emision televiziv. (!)
Kanë kaluar vite. Pema e familjes së Mark Mesulit ka sot 21 nipa e mbesa. Ajo ka përhapur degët e saj duke formuar familje të reja jo vetëm në Gjegjan, Lezhë, Tiranë, por edhe në Angli, Greqi, Itali, Gjermani e Francë. Të gjitha pasqyrojnë modelin e familjeve shqiptare të emancipuara që i prijnë jetës në radhë me mendje të kthjelltë dhe me punë të ndershme. Kudo që ndodhën sfidojnë kohën që jetojmë.
LIBRI, IDHULLI I MARK MESULIT, BUKA E SHPIRTIT, BASHKUDHËTARI I PËRHERSHËM I JETWS SW TIJ
Mësuesit ia nxiten dëshirën për të lexuar, duke i afruar edhe libra jashtëshkollor. U bë lexues i pasionuar i librave që atëherë kishte biblioteka e vogël e shkollës. Si fëmijë që ishte, fluturonte me personazhet e përrallave, apo të tregimeve të tyre. Nisi të blinte libra aty në librarinë e lokalitetit të Gjegjanit. Pasioni për të lexuar sa më shumë, për të kuptuar sa më mirë prej tyre, u bë një motiv që iu bë bashkudhëtar gjithë jetën. Ndonjë lekë që i jepnin prindërit, nuk i blinte gurabie, i blinte libra dhe kështu nisi udhën biblioteka e tij. Librat i donte dhe i mirëmbante me kujdes. Dhe tani, mbas afro 50 vitesh, kënaqet kushdo kur sheh e kupton se si e ka shtuar e rritur bibliotekën Mark Mesuli. Biblioteka flet vet. Në tri dhoma ka 9 rafte me 9 kate secili raft me libra të ngjeshur njëri pas tjetrit, bile edhe në dy radhë, gjallojnë aty afro pesëmijë të fushave të dijeve shoqërore. Biblioteka ka edhe dhjetëra sirtarë, kapakë brenda të cilëve janë koleksione gazetash, revistash, ditarë më se tridhjetëvjeçar, dosje që përmbajnë materiale të mbledhura, por edhe shumë prej tyre të studiuara që kur Marku filloi punën si mësues e deri më sot. Marku thotë: “Për çdo muaj, duke kursyer, i ndaja lekët e rrogës për ushqim, por edhe për libra. Çdo libri që e kam blerë dhe është në këtë bibliotekë, i kam hedhur një sy me kujdes, mund të them si nëna fëmijën, pastaj e kam ndarë atë që duhej studiuar me qëllim të caktuar. Librat janë bukë shpirti, janë miqtë e mi të mirë, që më japin mend, dije, me mbushin shpirtin me botën e djeshme por edhe të sotme. Unë dhe librat kuvendojmë bashkë. I kam skeduar të gjitha siç i ka çdo bibliotekë. Duket sikur i përshëndes, por edhe ato më përshëndesin. Çdo ditë jam bashkë me to. Ndiej kënaqësi të veçantë. Unë asnjëherë nuk jam vetëm, …Prej librit, ashtu si edhe prej njerëzve të mijë të shtrenjtë ndahem, vetëm kur të më ndalet fryma…”.
Në dokumentarin “Ndue Shyti, Gjeniu i Çiftelisë”, skenari Mark Mesuli, regjizori Engjell Ndocaj, thotë:”Kur pashë bibliotekën e Mark Mesulit në Gjegjan të Pukës, jam befasuar. Besoj se rrallë mund ta ketë një bibliotekë kaq të pasur intelektual tjetër në Shqipëri dhe në Ballkan…”.
Në fillim të këtij viti kaloi me sukses një operacion të vështirë tumor në kokë. Megjithëkëtë, në muajin shkurt promovoi në Hotel Internacional librin e tij të radhës Bardhok “Biba dhe Mirdita”. Është në gjendje të mirë dhe vazhdon të lexojë e të shkruaj rregullisht.
Çifti Mark e Davë Mesuli ka lindur e rritur nëntë djem e vajza; ka “rritur” nëntë rafte dhe i ka mbushur me pesë mijë libra; nëntë libra ka botuar deri tani dhe ka në plan edhe dhjetë të tjera. E theksoj se pa ndihmën e pakursyer të bashkëshortes, Davës që mban titullin NËNË HEROINË, krahu i djathtë i tij, nuk do të kishte këto arritje.
ATMËMËDHEU MBI TË GJITHA, YLLI POLAR I MARK MESULIT
Të flijohesh për atdheun është sakrifica më e shenjtë dhe e shtrenjtë për njeri. Atdheu mbrohet me njerëz të gjallë edhe duke derdhur djersë në tokën e tij. Me punë të ndershme begatohet edhe toka, jeta e njerëzve bëhet me e pasur, shpirti më i lumtur. Dashuria për atdheun shtohet sa më shumë të punohet për të e të marrësh fruta prej saj. Familja Mark Mesulit jep një shembull shumë të mirë se si atdheu mbrohet në çdo front të punës e të jetës duke lindur e rritur breza të rinj të përkushtuar për të, ti hedhesh në jetë të zotë, të guximshëm e me iniciativë për të vepruar kudo që të jenë.
Më 2009 i dhurova librin :”Luzha dhe Luzhjanët gjatë shek..XVI-XX, pjesa e parë” i shkrova si më poshtë:
“ I dashuri Mark Mesuli! Po të dhuroj librin: “Luzha dhe luzhjanët gjatë shekujve XVI-XX, pjesa e parë” që i kushtoj vendlindjes sime dhe bijve të saj kudo që ndodhën, që ju e meritoni si shok i njohur në punë e në jetë prej 40 vjetesh me ideale të përbashkëta.
Për kulturën e gjerë të fituar me shkollë e studim individual,” duke lindur” e rritur një bibliotekë, që çdo intelektual do ta kishte lakmi (paçi kujt t`ia lini) dhe veprimtari praktike prej më se 30 vitesh si mësues, edukues dhe drejtues i brezave të rinj, të cilët kanë parë te Ju shembullin që duhet të ndjekin për punën e madhe hulumtuese, studimore e botuese që po bëni, për të ndriçuar burra të Mirditës me vlera kombëtare si Pal e Dedë Nikolla, “Ndue Shyti, gjeniu i Çiftelisë”, por edhe për ngjarje madhore kombëtare, “Një Kullë në Histori” (kushtuar Qeverisë së Parë Shqiptare formuar në Kimëz, fshat afër Gjegjanit, më 1911, pas pesë shekuj robërie otomane.
Për faktin se jeni familjar shembullor për kohën që jetojmë, por edhe për ato qëdo të vijnë pas nesh, sepse keni rritur dhe edukuar nëntë djem e vajza, të përkushtuar e të përgatitur për jetën, ndaj janë faqebardhë kudo që ndodhën në Shqipëri, në Evropë e në botë.
Për përfaqësim të denjë të virtyteve të burrave të hershme të Mirditës së Lashtë, por edhe të re, me vizione largpamëse duke pasur YLL POLAR, ATDHEUN, mendje e zemër, fjalë e vepër në shërbim të tij, të cilit do t`i kushtoni edhe gjithë jetën që keni përpara.
Duke të uruar shëndet të mirë, mendje të kthjelltë dhe energji të mjaftueshme për të vazhduar krijimtarinë pa e ndërprerë asnjëherë, paç jetë të gjatë 100 vite edhe gëzime njëri pas tjetrit. Ismet Balaj Tiranë më 15 nëntor 2009”.(Botuar në librin e tij: Një jetë përmes ditarit ”faqe 495.
Të gjithë ata që e njohin Mark Mesulin, e nderojnë dhe respektojnë duke iu drejtuar me titullin:” PROFESOR”. Këtë titull nuk ia dha as ndonjë komision atestimi, por puna dhe arritjet e tij. Në gjysmën e dytë të shekullit XX, në sistemin socialit, u bënë përpjekje maksimale për përparimin e atdheut, u përgatitë edhe inteligjenca jo vetëm në qytete, por edhe në çdo fshat të Shqipërisë. Një nga këta është edhe Mark Mesuli, që rrezaton virtyte shqiptare, kulturë të gjerë e qytetërim evropian bashkëkohor.
Tiranë, më 16 gusht 2020 Ismet Balaj Tel 0672159689