Mark Vuji, një jetë kushtuar dijes dhe edukimit

Nga Fran Gjoka/

“Mësuesi i Popullit”, “Qytetar Nderi i Lezhës Mark Vuji, u nda nga jeta duke lënë pas veprën e shkëlqyer dhe të pavdekshme të punës shumë vjeçare studimore në fushën e studimeve të të nxënit Trashëgimia e tij në fushën e mendimit shkencor, pedagogjik shqiptar do t’u rezistojë kohërave. Ai do të mbetet simboli i njeriut të punës, i arsimit dhe veprimtarisë kërkimore shkencore. Mësuesi shembull i mësuesve, drejtori ynë i paharruar, do të mbetet ikona e arsimit të Lezhës dhe më gjerë. Sa më shumë të kalojnë vitet, aq më shumë do të lartësohet kontributi dhe figura e tij në themelimin dhe zhvillimin e arsimit tonë kombëtar. Mark Vuji ndërroi jetë më 23 korrik 2015, në moshën 85-vjeçare. Kontributi i tij në arsimin kombëtar dhe atë të Lezhës është i një rëndësi të veçantë. Ja si e vlerësojnë rolin e tij në arsimin e Lezhës dhe të gjithë vendit, profesorët e nderuar Musa Kraja, Qazim Dushku dhe Hektor Veshi.        

***

 Prof. Dr. Musa Kraja: Një figurë që meriton mirënjohje               

-E njoha mësuesin e ri të shkollës “Salo Halili “, në lagjen “Zdralej” të Shkodrës, kur unë isha nxënës në klasën e katërt paralele të asaj shkolle dhe z. Marku zhvillonte mësim përballë nesh. Ne kishim mësues z. Sabah Mulën, të cilin më pas na e ndërruan me mësuesin z. Hodo Sokoli. Në një festë të shkollës, më duket në pragun e Vitit të Ri, se ishim në merak se çfarë do të na binte në dhuratat që do të shpërndante shkolla, z.Marku kishte në klasë nxënësen Lirije Çanga  (Baxhaku), recituesja më e mirë e shkollës, e cila atë pasdite shkëlqeu me recitimin e saj. Më vonë e kam dëgjuar emrin e z. Markut, gjithnjë si drejtues shkolle, shembullor dhe punëtor e studiues i zellshëm, me forca të veçanta për studimin dhe përgjithësimin e përvojës së përparuar. Emër i dëgjuar, i nderuar, që kur punonte në shkollën e Koplikut dhe më vonë në Lezhë, duke u integruar aq shumë atje. Shkodrani lezhjan, profesor Marku, e lidhi jetën e tij arsimore e sociale me Lezhën, të cilës i dha gjithë energjitë e pashtershme, potencialet intelektuale, pa asnjë rezervë, për disa dekada, atje ku zunë vend shumë filiza të rinj, sot punonjës dhe mes tyre edhe personalitete të shquara për Lezhën dhe gjithë vendin. Profesor Marku rrezatoi te të gjithë nxënësit, mësuesit e kolegët, në komunitetin lezhjan, i cili, dhe të cilët i falen atij nderimin, dashurinë dhe mirënjohjen e thellë lezhjane. Lezhjanët, mirditorët, shkodranët e më gjerë, shumë shqiptarë e kanë në traditën e tyre mirënjohjen. Me këtë mirënjohje është shoqëruar e shoqërohet mësuesi i madh, studiuesi, drejtuesi thellësisht i specializuar, Prof. As. Dr. Mark Vuji. Tek e shkruaj këtë titull të lartë mësuesie e shkencor njëkohësisht, e them me bindje të plotë tani, por edhe e kam thënë edhe më përpara, se është një rastësi jo e mirë ajo “As.”, në mes të titullit, sepse Ai, Mark Vuji, është profesor i nderuar në të gjitha pikëpamjet, duke e flakur atë “As.”, që në të vërtetë e ka kapërcyer me kohë, para shumë e shumë të tjerëve, që e mbajnë këtë titull të plotë me dinjitet.

Për Profesor  Mark  Vujin, njeriun  më  të  thjeshtë e të  madhërishëm që kam ndeshur,  fatbardhësisht  dhe kam punuar me të në Këshillin Shkencor të Institutit të Studimeve  Pedagogjike, më shumë se një dekadë, kemi zhvilluar mësime në dy universitete, takuar e  bashkëpunuar në disa konferenca zonale, kombëtare apo ndërkombëtare, në takime  shoqërore etj…  Nuk di si mund të quhet ndryshe thjeshtësia, fisnikëria, shpirti i sakrificës  dhe altruizmi i tij, veçse Mark Vuji, krejtësisht i veçantë. Në moshën e tij, në didaktikë, ai sfidonte edhe më të rinjtë me forcën përgjithësuese që  ka pasur gjithmonë. Një drejtues shkolle apo çdo institucioni, që i shikon njerëzit vetëm si  zbatues, që nuk di të mësojë edhe prej tyre, që nuk i bën asnjë përshtypje ndonjë risi që e ndesh në ndonjë mësues të veçantë e nuk ka forcën e argumentit për ta përgjithësuar, është tipik një drejtues mediokër. Mark Vuji dinte të mblidhte  përvojën e mirë në mësuesit e Lezhës, nektarin e punës së tyre dhe e ngrinte në nivel  shkencor. Të dish të kapësh të renë, ta argumentosh atë për ta bërë pronë edhe e të  tjerëve, i thonë të kesh aftësi përgjithësimi shkencor. Këtë e kishte Profesor Mark Vuji  jo vetëm për mësuesit, por edhe për nxënësit. Prandaj studioi dhe botoi “Nxënësin Vizionar”.  Mark Vuji meriton shumë të studiohet e përgjithësohet. Mendoj që Lezha i ka kapacitetet si  rrallë rrethe të mëdha dhe me siguri do ta realizojë.

***

Prof. As. Dr. Qazim Dushku: Ikona e arsimit shqiptar

Pak muaj më parë u nda nga jeta mësuesi dhe drejtori im dhe i brezave të tërë ish- nxënësish, edukatori i një qyteti të tërë, që aq shumë e deshi dhe aq shumë bëri ai për të dhe për njerëzit e tij. Them papritur, jo aq nga mosha, por nga energjia dhe vitaliteti që shfaqte në studime dhe kërkime në fushën e didaktikës, të pedagogjisë dhe të edukimit në tërësi, nga ndihma dhe mbështetja që ai vazhdonte t’u jepte mësuesve dhe pedagogëve dhe të gjithë atyre që dëshironin t’i futeshin punës së bukur dhe të vështirë shkencore e pedagogjike. Unë jam një nga më të privilegjuarit, pasi kam pasur fatin të jem nxënës dhe mësues i përjetshëm i tij dhe i trashëgimisë së pasur që la në fushën e arsimit, të kulturës dhe të edukimit. Lidhjet e mia dhe bashkëpunimi me këtë njeri kanë qenë më tepër se njerëzore për arsye se ai gëzohej për çdo sukses që unë arrija në fushën e pedagogjisë dhe të arsimit. Ai ishte mësuesi, drejtuesi, pedagogu dhe konsulenti i gjithë jetës time në fushën e arsimit dhe të edukimit, të pedagogjisë dhe të kërkimit. Kjo është arsyeja që e kam të vështirë t’i shpreh impresionet e mia për “të fundin e mohikanëve” në pak rreshta. Gjithsesi, po e provoj. Jam një nga ish nxënësit e tij, që sot i kam kaluar të 60-tat dhe që kurrë nuk do ta harroj ndihmën që drejtori ynë na jepte gjatë viteve të gjimnazit. Ai vinte hera-herazi në shtëpitë tona, duke vendosur ura komunikimi me ne dhe familjet, na orientonte për mënyrën e regjimit ditor dhe të përgatitjes së mësimeve, kërkonte që familja të na mbështeste sa më shumë në arritjen e sukseseve në shkollë, promovonte vlerat e arsimimit dhe të edukimit në ardhmërinë e individit, familjes dhe të shoqërisë dhe domosdoshmërinë e vazhdimit të shkollës së mesme edhe nga vajzat, të cilat vazhdonin të ishin kontingjenti më i rrezikuar i patriarkalizmit të trashëguar të një shoqërie feudale siç ishte kjo e jona.

Në vitet ‘60, që përkojnë me vitet kur unë dhe disa breza vazhdonim gjimnazin, na bënte në fillim përshtypje fakti që drejtori dhe të tjerë të panjohur për ne në atë kohë dëgjonin mësim dhe bashkë me nxënësit organizonin diskutime për frytshmërinë dhe nivelin e mësimeve të organizuara nga mësuesit, për eksperimentet që bëheshin në lëndët natyrore, për aktivizimin tonë etj. Jashtë mësimit jo vetëm mësuesit, por edhe ne nxënësit shpesh herë na ngarkonte me referime temash të thjeshta që lidheshin me mënyrën e përgatitjes të mësime dhe të sistemit të studimit në tërësi. Dalja para mësuesve dhe mysafirëve të ardhur nga Tirana dhe rrethet e tjera të Shqipërisë për të lexuar punimet tona ishte shumë e sikletshme, por ndjenim edhe krenari prej adoleshentësh. Me vonë e morëm vesh se shkolla me drejtorin tonë në krye po eksperimentonte teknika dhe metoda të reja që lidheshin me rritjen e efektivitetit të tyre në pjesëmarrje aktive në mësim edhe të nxënësve dhe se kjo përvojë po studiohej më seriozitet nga drejtuesit e niveleve më të larta të arsimit në shkallë kombëtare dhe punohej për përgjithësimin e saj në çdo shkollë e rreth.

Metodat dhe teknikat problemore dhe të mësuarit aktiv si dhe ato që lidheshin me të nxënit efektiv janë produkt i “Mësuesit të Popullit” dhe i profesorit e mësuesit tim të gjithhershëm, Mark Vuji. Ato u bënë bazë e studimit, e manualeve në ndihmë të mësuesve dhe pjesë e lëndëve të pedagogjisë dhe të didaktikës për studentët e shkollës së lartë. Shumë teknika, metoda, forma studimi dhe elementë të tjerë didaktikë, që sot pas 50 vitesh na serviren si të reja nga “profesorë, didaktë dhe studiues” të tjerë, nuk kanë asgjë të re me ato të studiuara dhe të provuara për efektivitetin e tyre në shkollë nga mësuesi i pasionuar, drejtori dhe pedagogu ynë model në shkallë rrethi, rajonal e kombëtare. Në të shumtën e rasteve vetëm emërtimi është ndryshuar, por metodat në thelbin e tyre janë ato të cilat u eksperimentuan nga gjimnazi ynë në ato vite të largëta ku organizatori dhe drejtuesi kryesor ishte drejtori ynë. Vetëm në sajë të përkushtimit dhe të pasionit të çuditshëm të tij, gjimnazi i Lezhës në ato vite u bë promotori i lëvizjes për modernizimin e procesit mësimor, edukativ me përqendrim kryesor përsosjen e metodave dhe gjetjen e teknikave që e bënin edhe nxënësin pjesë aktive të mësimit, që sot promovohet me termin” mësim me në qendër nxënësin.” Njohja e gjimnazit “Hydajet Lezha” në shkallë kombëtare dhe ecuria e tij me disa nga gjimnazet më të suksesshme në shkallë kombëtare lidhet vetëm me emrin dhe punën e këtij njeriu që gjithë jetën ia kushtoi arsimit, dijes dhe edukimi.

Tre apo katër ditë para se të ndahej nga kjo botë folëm në telefon. Ai ishte në Lezhë duke pirë një kafe me mikun tone të përbashkët, gazetarin e njohur, Fran Gjoka, i cili i është gjendur afër sidomos gjatë viteve të fundit ku ai kishte më shumë nevojë. Personalisht e falënderoj atë dhe të tjerë që kanë kryer një mision të tillë, që jo kushdo e bën. Fjala e tij e fundit e imja në telefon me të ishte: Të premten, datë 24 Korrik do të takohemi në Lezhë. Ndërsa fjalia e tij e fundit ishte e zakonshme për mua: Urime në punën shkencore e pedagogjike! Fatkeqësisht ai u shua një ditë më parë se unë të vija në qytetin tim të dashur. Ai u nda nga jeta, por trashëgimia e tij në fushën e arsimit dhe të edukimit do t’i rezistojë kohërave. Jam i bindur se sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë do të vlerësohet kontributi i tij përmes veprave që la pas. Pas shumë vitesh mësuesit dhe studiuesit e ardhshëm do ta kuptojnë edhe më mirë thellësinë e mendimit të tij, aftësinë për të vëzhguar dhe eksperimentuar, për të bërë përgjithësime e nxjerrë konkluzione, që do ta ndihmojnë shkollën e shoqërinë në demokratizimin dhe emancipimin e tyre të mëtejshëm. Mësuesi i mësuesve, drejtori ynë, është ikona e arsimit të Lezhës dhe jo vetëm. Askush nuk mund të krahasohet me të. Një personalitet si ai së paku do një shekull të vijë. Ne të tjerët jemi thjeshtë nxënës të tij dhe përfitues të punës dhe të aktivitetit të tij. Jeta bën punën e saj, por ky njeri i ngjan një mali, të cilit sa më shumë t’i largohesh, aq më i lartë do të duket dhe sa më shumë t’i afrohesh (jetës dhe krijimtarisë së tij), aq më i madhërishëm do të shfaqet.

Prof. Dr. Hektor Veshi:  Një jetë për edukimin e brezave

Kam bindjen se në jetën e çdo njeriu të shoqërive, ku arsimimi bëhet tipar i shoqërisë, mësuesit i rezervohet vend i veçantë në ndërgjegje, në kujtime, respekt e vlerësim, krahas prindërve dhe të tjerëve në rrethin e ngushtë të tij. Kujtojmë p.sh., edukatoren e kopshtit, mësuesin e klasës së parë, mësuesin e lëndës që na pëlqen më shumë, mësuesin që ka ditur të na japë mësim si me lavdërimin e merituar edhe me kritikën konstruktive, në kohën e duhur, të argumentuar, me tonin e ngrohtë e dashamirës… të paharruar. Në parashtresën tonë, kemi parasysh si mësuesit e paharruar të shkollave ku na ra rasti të arsimohemi, por sidomos figurën e mësues Mark Vujit. Madje, aq sa e kemi njohur, edhe pse e ndiejmë se jemi të paaftë t’i përafrohemi aq sa e meriton, aq sa do të duhej. Themi aq sa e meriton, se ai, për aq sa jetoi dhe kontribuoi si pedagog e drejtor  jo vetëm në rrethin e Lezhës, por edhe jashtë tij, u njoh në auditore nga nxënës të moshave të vogla e të rritura, nga kuadro mësimdhënës e drejtues të arsimit, brenda e jashtë rrethit etj. etj. Themi aq sa do të duhej, sepse është vërtet e pamundur ta përmbledhësh veprimtarinë e tij me gojë e me shkrim, të publikuar në libra për shkolla të mesme e studentë të shkollave të larta, në punime tematike të referuara në seminare brenda apo jashtë shkollave në Lezhë etj. recensa e oponenca të punimeve të disertantëve të fushës së arsimit të mbrojtura në institucione shkencore qendrore në Tiranë e gjetkë… pa harruar edhe mësime të gjuhëve të huaja, për fëmijë lezhjanë dhe tema me vështrim të ri, shkencor pedagogjik, si anëtar i Akademisë se Shkencave të Edukimit në Tiranë, këto rreth dhjetë vitet e fundit etj etj.. Unë, si person, që e njoha jo edhe aq thellë, e ndofta prandaj dukem paksa i paqartë apo siç thuhet, “I hallakatur” në këto radhë shkrimi, në nderim të kujtimit të tij, edhe aq sa e njoha, renditem me shumë nderim krahas çdo ish nxënësi e mësuesi, kuadri drejtues dhe prindi që, sa qe gjallë Mark Vuji, dëgjoi me modesti dhe u kujdes të kuptojë përmbajtjen e atyre që thoshte ai, duke parë pastaj dobishmërinë e provuar para tij, në të gjitha hapat e jetës dhe shkallët e sukseseve. E këtu, në radhë të parë, unë mendoj se janë vargu i gjatë i intelektualëve lezhjanë, mirditorë, kurbinas etj., si dhe artistët, shkrimtarët, këngëtarët etj. të këtyre trevave të vendit tonë. Në kohën e tij, në vitet e kontributeve të gjithanshme të tij si mësues e drejtues shkollash në Lezhë, rrethi  i burrave të shquar të dijes si  Gjergj Fishta, Ndre Mjeda etj., njohu ngritje të paparë arsimore e artistike, letrare etj., që sot kanë bërë emër edhe larg e jashtë tij si Ndoc Gjetja, Preç Zogaj,  Rudolf Marku  etj. apo studiuesi i thelluar i pedagogjisë prof. Qazim Dushku etj.* E njoha profesor Markun në fundvitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, kur vinte në ISPedagogjike (ish, sot IZHA) për të diskutuar ndonjë problem në Këshillin Shkencor apo në grupe pune për probleme të zhvillimit të arsimit si forcimi i përmbajtjes së lëndëve mësimore, parashtrimi i sintetizuar i përmbajtjes dhe gjetja e zbatimi i metodave sa më efikase të mësimdhënies e mësimnxënies. Në atë kohë, “violina të para” për këto probleme ishin profesorët (ndryshe quheshin edhe Akademikë) Hamit Beqja dhe Bedri Dedja. Si punonjës i ri në atë institucion, më vonë sekretar shkencor, i vetmi institucion shkencor për arsimin parauniversitar në vend, vija re se kur vinte fjala për metodat, akademikët, ia besonin fjalën përfundimtare, “Mark Vujit të Lezhës” !…( E vura jo pa qëllim në thonjëza konsideratën e tyre si besim, por edhe si autoritet i “imponuar” përmes krijimtarisë, përkushtimit dhe mbrojtjes së duhur shkencore që iu bënte dijeve të veta, të provuara më parë në klasa, me nxënës pra, jo të rekomanduara se “e di unë”!* Gjatë shërbimeve në Lezhë kemi njohur mësues të arsimit të përgjithshëm dhe mësues specialistë. Njëra nga mësueset e arsimit të përgjithshëm ishte zonja Fatbardha Dhrimaj. Respektin dhe vlerësimin për ish drejtorin e shpreh me këto fjalë: “E ku dinim ne ç’ishte arsimi, ç’probleme kishte e si zgjidheshin ato. Marku, shumë i respektuari Mark, me atë urtësinë e tij na dha saktësinë shkencore në çdo aspekt të punës, më bëri mësuese dhe më vonë edhe drejtuese të aftë…” I thelluar në metodat pedagogjike, profesor Marku, vetëm duke ndjekur gjatë një viti praktikat mësimore, vëzhguese e përshkruese të bimëve, kafshëve e dukurive apo shërbimeve mbi to, kur i kërkonte teknologjia, ditën e natën, në formë individuale apo bashkërisht si klasë, shkroi një monografi të shkurtër, ku nënvizoi me forcë organizimin dhe bashkëveprimin mësues-nxënës, që të shmangej lodhja, të rritej bashkëveprimi dhe të mund të mësonin e të mbanin mend të gjithë: qëllimin, mjetet, rezultatet dhe pasojat në se nuk do të kryheshin ndërhyrjet me metodat e duhura. Dha kështu edhe shembullin se si një person jo specialist i fushës, me dashuri, vëmendje sistematike dhe thellim shkencor, mund të kontribuonte në lehtësimin e vështirësive, rritjen e rendimentit të të mësuarit dhe edukimin e dashurisë për profesionin. Në nderim të kujtimit, të karakterit mirëdashës ndaj kolegëve e shokëve të punës mësimore në shkollat bujqësore, që atëherë -1986 kishin arritur numrin 280 (dyqind e tetëdhjetë!), po citoj diçka nga diskutimi i tij kur  paraqita disertacionin për mbrojtje në Këshillin Shkencor të IS Pedagogjike me 27 anëtarë.“Si lexues i materialeve të botuara prej tij (H.V.dv) mendoj se ky studim ka ardhur nga nevoja e shkollës pra, autori, studimit i ka paraprirë me disa shkrime e botime serioze që mësuesit specialistë i kanë studiuar e shfrytëzuar. Mbështes oponencat shkencore që dhanë mendime nga më të mirat. Disertacioni (Probleme të ngritjes së mëtejshme të nivelit shkencor e metodik të Bujqësisë së përgjithshme- lënda bazë formuese profesionale e planit përkatës mësimor të shkollave të kohës- shën.i HV- dv) i shërben shumë nevojave të mëdha që ka shkolla e mesme bujqësore. Duke pasur parasysh këtë punim, them se drejtoria e ISP dhe drejtoritë arsimore të Ministrisë së Arsimit t’u japin përparësi botimit të tyre sepse mësuesit specialistë të lëndëve profesionale kanë mangësi që reflektohen në procesin mësimor. Kapitulli III,  ku flet për metodat, mendoj se është punuar mirë dhe i ndihmon mësuesit që japin lëndën… Duke u mbështetur në këto, jam i mendimit që Këshilli Shkencor të miratojë materialin dhe shoku Hektor Veshi e meriton plotësisht gradën shkencore “Kandidat i Shkencave” (ndryshuar në “Doktor”- 1994) se ka paraprirë me një material të dobishëm për problemet e shkollës”. Dashamirësi zemërbardhë për çdo koleg, Mark Vuji, pas asaj mbledhjeje më inkurajoi për t’i vënë objektiva vetes që të arrija shkallë të tjera më të larta të kualifikimit shkencor pasuniversitar.* Gjatë mbi dhjetë vjetëve të fundit, unë isha shkëputur nga veprimtaritë sistematike të punëve të shkollës për shkak të moshës. Por profesor Marku vijonte, sikur të ishte i ri, madje duke qenë i lidhur me arsimimin e nxënësve në Tiranë dhe të fëmijëve që donin të mësonin gjuhë të huaja në Lezhë. Aktivizohej edhe me shkrime nga pedagogjia familjare në shtypin e kohës. Tema kryesore ishte sidomos rritja dhe edukimi sa më i shëndetshëm i fëmijëve për t’i përballuar me sukses sfidat e shoqërisë së re ku hyri Shqipëria pas fillimviteve ‘90 të shekullit të kaluar. Koha do të kërkojë një bibliografi të hollësishme të punimeve të tij gjatë afro gjashtëdhjetë a më shumë viteve. Aty, pa dyshim do të zinin vend nderi tre libra dinjitozë “Filozofia arsimore e Akademikut Gjergj Fishta”, “Vetëvlerësimi mësimor” dhe “Vizioni mësimor” në disa seri. Studimi vijues i asaj biblioteke pedagogjike, pa dyshim do të mund të nxirrte në dukje si problemet e hasura, edhe ide origjinale të tij personalisht apo të shkollës sonë, në reformat e vazhdueshme e në sistemet shoqërore ku ka kaluar Shqipëria gjatë afro një shekulli, shekullit të njëzet e në vijim.* Kur u dha njoftimi në kanalet radiotelevizive të vendit, u pezmatova thellë dhe mallkova pamundësinë shëndetësore për të shkuar në Lezhë e t’i bëja nderimin modest, duke e puthur në ballë si njeriun që u shkri një jetë për diturimin dhe lartësimin  e disa brezave  shqiptarë.  Mundësinë e vetme që kisha ishte: thirrja e kolegut e mikut Prof. Dr. Pajtim Bejtja, për të pirë një kafe hidhërimi e kujtimesh për Mësuesin e Popullit, Mark Vuji, i cili, këtej e tutje do të qëndrojë: i pazbehur nga koha në zemrat e çdo shqiptari arsimdashës; i  adhuruar nga lezhianët në kufijtë e një idhulli.

SHKARKO APP