“Marramendje” e Donika Mustafajt, shfaqet suksesshëm premiera dokumentarit

Albina Gjergji

“Marramendje”, kështu titullohet dokumentari i radhës i autores Donika Mustafaj, prodhim i Radio-Televizionit Shqiptar, premiera e të cilit është shfaqur ditën e djeshme në ambientet e kinema Millenium.

E njohur për tematikat domethënëse që trajton në filmat e saj dokumentarë, edhe kesaj here Donika Mustafaj godet në shenjë dhe vazhdon hulumtimet artistike për të kuptuar dhe shpjeguar marrëdhëniet e ndërlikuara dhe plot ngërçe të shqiptarëve të sotëm me lirinë. Për ta zhvilluar qasjen e saj artistike ndaj temës, autorja zgjedh qëllimisht ato elemente që kanë munguar tërësisht në jetën e shqiptarëve para vitit 1990 dhe që sot janë tregues thelbësore të mirëqënies.

Në filmin e saj të mëparshëm “Autografi”, Donika Mustafaj tregonte se çfarë rëndësie të shpërmasur kishte fituar autovetura në përditshmërinë e shqiptarit, duke nxjerrë në pah se marrëdhënia e tij me autoveturën  ishte njëherësh edhe shumë e ngushtë, por edhe jo harmonike. Kjo vjen ngaqë shqiptari nuk ishte dhe vazhdon të mos jetë para së gjithash kulturalisht i përgatitur për t’u bërë drejues i një mjeti të tillë të shpejtë e të fuqishëm,i cili përbën një nga bazat e dukshme të komfortit të një shoqërie moderne.

Tek “Marramendje” duke iu përmbajtur gjithnjë metodikës së saj për të zbërthyer sa janë shqiptarët të përgatitur kulturalisht për ta ndërtuar dhe administruar mirëqënien që sjell liria,Donika Mustafaj i drejtohet mirëfilli parasë si një simbol dhe si një realitet. Ardhja e lirisë i dha fund njëherë e mirë barazitizmit poshtërues,në të cilin kishin jetuar shqiptarët për afro gjysmë shekulli. Njerëzit nuk e kishin njohur magjinë e parasë për arsyen se vetë puna nuk ishte e shpërblyer. Shqiptarët kishin nëpër duar aq para sa për të plotësuar ditë pas dite nevojat e tyre minimale jetike. Siç u pa më pas ky barazim në varfëri kishte shkaktuar frustracione të thella në mbarë shoqërinë.

Paraja u bë shumë shpejt mishërim i përmbajtjes së vetë lirisë. Në filmin e ri të saj “Marramendje” Donika Mustafaj iu drejtohet firmave piramidale, që lulëzuan dhe u gremisën në mënyrë dramatike në Shqipërinë e mesit të viteve ‘90. Ndryshe nga ç’është thënë e shkruar në mijëra faqe për këtë fenomen, Donika Mustafaj nuk merr përsipër të analizojë dobësitë e sistemit politik e financiar, që lejuan ekzistencën e këtyre piramidave dhe as profilin e atyre që njihen tashmë si “boset e piramidave”. Origjinaliteti i kësaj vepre qëndron në qasjen e shqiptarit si individ, duke shtruar pyetjen çfarë ndodhi në psikikën e tij, si e mundi ëndrra e pamundur për pasurim logjikën njerëzore në atë masë sa ky njeri të dorëzonte me vullnetin e tij të lirë të gjitha kursimet e veta. Donika Mustafaj shmang me kujdes të madh rolin e gjykueses për atë që ka ndodhur. Ajo respekton dhimbjen e humbësve dhe madje e justifikon atë nga ana njerëzore. Ishte një brez i paduruar për të fituar kohën e humbur dhe që gaboi në zgjedhjen e rrugës për ta fituar këtë kohë të humbur në ndërtimin e mirëqënies për vete dhe për familjen e vet.

Autorja mban mirë parasysh se filmin po e bën afro 20 vjet pas dramës. Ajo zbulon tek personazhet e veta mësimet që ata kanë nxjerrë nga ato gabime dhe fuqinë e re morale dhe kulturore që ata kanë fituar, në atë mase sa tani janë të aftë të hedhin një vështrim plot humor mbi këtë periudhë të jetës së tyre. Humori është treguesi më i qartë i pjekurisë që ata kanë fituar dhe njëherësh i jep dritë veprës, për ta kapërcyer zymtësinë që do të duhej të ngjallte një zhgënjim i madh. Personazhet e Donika Mustafajt nuk janë të zhgënjyer me lirinë. Përkundrazi. Ata sot janë ndërtues të shëndetshëm të lirisë.

Në film bie në sy edhe puna shumë e mirë që ka bërë kameramani Arben Ametlli, operatori i zërit Kristaq Kristo, montazhieri Gjergji Pano, miksazhi Ermal Bardhi.

 

“Dita e Verës”, ministria e Kulturës: Ja kalendari i eventeve

Dita e Verës, 14 mars, kjo datë e shënuar i rikthen kryeqytetit festimet popullore. Ministria e Kulturës, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me institucionet artistike, shkollat, artizanët, bizneset, etj., kanë hartuar një kalendar të pasur veprimtarish në  Ditën e Verës.

Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet madhërishëm në qytetin e lashtë të (VALMIT) Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve. Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 Mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan po edhe në Dibër, Strugë e Prespë. Dita e Verës do të festohet si një ditë e vërtetë dashurie. Dashuri për njeriun, për natyrën, për jetën. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë.

Duke iu referuar Ditës së Verës, kësaj feste me një shije poetike të hollë e të rrallë, Faik Konica këshillonte dhe uronte, më shumë se një shekull më pare: “Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriu, veçse sjellin një gëzim të kulluar…”!

Tirana do të krijojë disa sheshe, lulishte dhe kënde arti, ku qytetarët e Tiranës  do të kenë rastin të ndjekin përgjatë ditës aktivitete të ndryshme për të gjitha grupmoshat. Veprimtari të ndryshme artistike do të organizohen nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, Cirku Kombëtar i Tiranës, Teatri Kombëtar i Kukullave, Liceu Artistik “Jordan Misja”, grupet e muzikës alternative, këngëtarët e muzikës popullore, etj.. Në ambientin përpara Galerisë Kombëtare do të kompozohet “Qyteti i Artit”, i rrethuar me piktura të nxënësve të shkollave të ndryshme të kryeqytetit dhe me koncert harqesh nga Orkestra Rinore e nxënësve  të Liceut Artistik  “Jordan Misja”.

Lulet,  simbol i kësaj feste zënë vendin kryesor në këtë ditë, shoqëruar me ëmbëlsirën tradicionale, ballokumen nga Elbasani. Argëtimet për fëmijë do të jenë të larmishme, që nga koncertet, te pikturat e të tjera aktivitete. Në lulishtet, apo sheshe të improvizuara do të zhvillohen edhe aktivitete  e ndeshje sportive për të rinjtë që duan basketbollin, futbollin, etj..

Një risi për Diten e Verës në kryeqytet do të jetë hapja e panairit me produkte shqiptare, në sheshin përpara Piramidës. Agjencia publike “Nxitja e Biznesit Social” organizon në prag të ditës së verës, Panairin e Artizanatit, Tiranë. Ky Panair do të organizohet te sheshi përpara Piramidës. Në Panair do të ekspozohen produktet e 200 Artizanëve nga e gjithë Shqipëria dhe trevat perreth, që u përkasin zonave rurale, të rinj dhe mosha të mesme që hasin vështirësi punësimi, gratë me probleme social-ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe komuniteti rom. Festimet në Ditën e Verës do të nisin në orën 10.00-14.00. Le të urojmë, sërish me gjuhën e Konicës: “Gëzim të kulluar pastë në shtëpinë e çdo shqiptari !”.

SHKARKO APP