Marrëveshje midis ATSH-së dhe agjencisë jordaneze të lajmeve PETRA
Shqipëria gjithnjë e më shumë po tërheq vëmendjen e publikut të huaj për zhvillimet e saj komplekse, por edhe për historinë , traditat, kulturën dhe në mënyrë specifike, për resurset turistike.
Është kjo një arsye më shumë që vitet e fundit si pikë reference për informacion të zgjeruar nga vendi yne është bërë Agjencia Telegrafike Shqiptare, e cila e ka intensifikuar bashkëpunimin në fushën e shkëmbimit të informacionit me agjencitë partnere.
Brenda një kohe të shkurtër, ATSH ka nënshkruar disa marrëveshje të kësaj natyre, duke bërë të mundur një intensifikim të shpërndarjes së informacionit për Shqipërinë , jo vetëm në vendet e rajonit, por tashmë në shumë shtete që po shfaqin interes për të njohur vendin tonë që nga Azia e deri në Gjirin Arabik .
Marrëveshja parashikon shkëmbimin e lajmeve, fotove dhe videove për zhvillimet politike, ekonomike, sociale, kulturore e më gjerë për të dy vendet: Shqipërinë dhe Jordaninë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, drejtori i Përgjithshëm i ATSH-së, Gëzim Podgorica u shpreh në përgjigje të interesimit të gazetarëve se “dokumenti që nënshkruam sot është një urë e re dhe e domosdoshme komunikimi për të dy vendet. Gjithashtu është një konkretizim i vullnetit mjaft të mirë që kanë të dy vendet tona për të institucionalizuar bashkëpunimin shumë dimensional”.
Menjëherë pas vizitës së Shkëlqesisë së Tij, Mbretit Abdulla II-të në Tiranë, vjen edhe kjo marrëveshje që demostron vullnetin pozitiv të palëve për të për të patur një komunikim sa më intensiv dhe per t’i konkretizuar bisedimet e realizuara në nivelet më të larta shtetërore.
Gjithashtu, zoti Podgorica falenderoi kolegun z. Faisal Al Shboul për gatishmërinë për të realizuar një marrëveshje e cila mundëson një njohje më nga afër të gjitha zhvillimeve të dy vendeve tona mike.
Ai tha se gjatë një takimi që patën vitin e kaluar në Bukuresht me zotin Faisal Al Shboul, diskutuan me njëri-tjetrin për mundësinë e vendosjes së bashkëpunimit, dhe siç po verifikohet sot, kjo u bë e mundur shumë shpejt dhe mori trajtë konkrete.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë PETRA, Faisal Al Shboul e konsideroi një moment me shumë rëndësi për agjencinë jordaneze vendosjen e një komunikimi institucional me Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Tashmë Shqipëria do të jetë shumë më pranë nesh, ashtu si edhe Jordania do të jetë me prezente në Shqipëri, përmes informacioneve që kolegët tanë do të transmetojnë.
Jo vetëm shkëmbimi i informacionit, por edhe ai i përvojave do të jenë një mundësi e re pozitive për të dy institucionet tona. Urojmë që pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, të realizohen bashkëpunime të tjera nga institucionet më të larta të dy vendeve.
Gjatë qëndrimit në Amann, delegacioni i ATSH-së u prit në një takim të veçantë edhe nga ministri i Informacionit të Jordanisë Muhammad Momani, i cili vlerësoi gatishmërinë për të vendosur një komunikim intensive midis dy institucioneve mediatike me shumë rëndësi dhe referente jo vetëm për informacionet brenda vendeve tona, por shumë më gjërë se kaq.
Komunikimi institucional që ne vendosëm sot, është një mundësi që të njohim nga afër jo vetëm zhvillimet e sotme, por edhe ato të së kaluarës- tha Drejtori i ATSH-së, Gëzim Podgorica.
Jordania është një vend më histori interesante dhe dëshmi e një qytetërimi të lashtë. Kjo është një arsye më shumë që duhet njohur dhe ne mund dhe duhet ta bëjmë këtë.
Delegacioni i ATSH-së pati takime edhe me deputetë të komisionit të medias në Parlamentin e Jordanisë, drejtues të radiotelevizionit publik jordanez, gazetarë e të tjerë.