Martin Camaj, gjuha e Nolit dhe Konicës

 

Këta dy shkrimtarë shqiptarë,si  përhapës së gjuhës të kulturës dhe edukatorë të gjindes shqiptare në  Amerikë, u gjendën në kushte të tilla sa që qenë të shtrënguem  të shkruejshin në nji gjuhë të kuptueshme nga të gjithë. Zgjedhja e formave, sadopak të njësueme për toskënishten,shënon përpjekjen e parë për normalizimin e gjuhës së shkrueme. Kjo traditë u ndoq  mbas luftës dhe nga ideatorët e gjuhës zyrtare të soçme në Shqipni. Kjo mbështetje në shkrimet e Nolit sidomos,sepse Konica asht  i ndaluem, duhet marrë e kuptue më tepër  në pikpamje metodike të zhvillimit të një proçesi normalizimi. Ndër këto rrethana  nuk dihet nëse Konica ndikoi në trajtimin e gjuhës zyrtare të Tiranës,por do të ishte fare e logjikshme si të ishte ndjekë mbasi ky si shkrimtar e publiçist përdoroi një inventar gjuhësor shumë të pasun.

Ky material është marrë nga kumtesa e Martin Camajt në SEMINARIN NDËKOMBËTAR I FEDERATËS PANSHQIPTARE “ VATRA “ NEW  YORK 28-29-30 NANDUER 1969.

Libri i botuar me rastin e festimeve të GJASHTËDHJETEVJETORIT TË  GAZETËS “DIELLI” NË HOTEL  AMERIKANA New York City, New York, U.S.A. Martin Camaj i shkruan të gjitha përjetimet e tij të këtij përvjetori në revistën Shejzat dhe po ashtu i jepet e drejta për botim edhe këtij libri kushtuar këtij seminari.

Kremtimet e Gjashtëdhetëvjetorit të “Diellit“ në New York nga Martin Camaj

Prej 28 deri më 30 nandor u zhvilluen në New York kremtimet kushtue gjashtëdhetëvjetorit të fletores ma të vjetër shqiptare Dielli. Nuk qe vetëm nji kongres madhështor në dukjen e jashtëme ndër salat e gjana e të farfurishme të Americana Hotel në qendrën e atij qytetitë stërmadh, por dhe nji takim mallëngjyes i mijra shqiptarësh të ardhun nga katër anët e Amerikës, të Kanadahit e të Europës. Dhe dihet se nji takim i tillë , në kushte tona kështu të shpërndamë si jemi, jo vetëm në hapësi, por dhe në mendime e besojma të ndryshme, ishte i lehtë.

Kur ndigjova për të parën herë para dy vjeç në rastin e kremtimeve kastriotiane në Romë nga presidenti i atëhershëm i Vatrës, Anthony Athanas dhe presidenti i sotçëm Peter Chicos se kryesia e kësaj shoqnie  kishte në plan nji takim të tillë, nuk m’u dha të besosha se do t’u arrinte sendërtimi i këtij projekti. Me vullnet e punë të organizatorëve, sidomos të presidentit të kremtimeve Dr.Hamdi Oruçi , të presidentit të Vatrës Chicos e të sa e sa të tjerëve u krye një vepër e shkëlqyeshme shoqënore e kulturore për të mirën  e nderin e emnit shqiptar. Një ngjarje e shënueshme asht kjo që nuk do të harrohet, e cila u përcaktue me vend nga professor Zef Sqirojr në fjalën e mbajtun në Semenarin Kulturor: ”Besoj se në historinë e fisit tonë kjo është e para herë që pasardhës të diasporës shumë të vjetër dhe pasardhës të diasporës më të re takohen së bashku mun këtu në gjirin e Shteteve të Bashkuara që të njihen me njëri-tjetrin si vëllezër të një gjaku dhe së bashku të falenderojnë shpirtin e amëshuar që mban rrënjët e përpanjuara dhe të shumëfishta të lidhura në një trung të përbashkët”

Prania e afër 70 arbëreshëve me në krye Shkëlqesat Zef Perniciaro , Peshkop i djoçezës së Pianas së Arbëreshëvet, Theodhor Minishi, Arkimandriti i Abacisë së Grotaferrata, nji ndër qendrat me za botnor për studime byzantine e lindore, posoçe dhe shqiptare, e cila drejtohet sot nga njerëz të kombit tanë e shkencëtarëvet të universiteteve italiane si Ernest Koliqi, drejtor i Institutit të Studimeve Shqiptare në Universitetin e Romës, Zef Sqiroj., drejtor i Institutit të Studimeve Bizantine e Neogreke po ashtu në Universitetin e Romës, Namik Ressuli e Nullo Minissi, të dy të Institutit Lindor Universitar të Napolit, të dijetarëvet të ri për studime albanologjike pranë Univeritetit të Munchen-it, të Adv Hasan Dosti, Dr.Rexhep Krasniqit e Adv.Ragip Frashërit, si dhe Dr.Salvatore(Turi) Petrota, President i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare të Palermë, i biri i të ndiemit On. Dr.Rosolino Petrotta e sa e sa të tjerëve, ardhun nergut nga Evropa për të marrë pjesë në kremtimet e Diellit, prania e të gjithë këtyne pati për qëllim të jepte nji shenj njohje e miratim: për veprën e madhe kulturore në të kaluemen e Vatrës e të Diellit, nji shenj njohje e miratimi për përpjekjet e tashme e të ardhshme të tyne në dobi të kulturës sonë e të vepravet të mbara shoqnore shqiptare në atë kontinent të ri.

Martin Camaj siç duket edhe nga përshkrimi entuziast i këtij Seminari me përmasa botërore i jep vlera të veçanta dhe vendit mikpritës Amerikës, për të cilën shkruan – Amerika u ba me kohë vendi i lirisë edhe për të gjitha komunitetet fetare, prandej këto institucione losin edhe sot e kësaj dite një rrol të madh në të gjitha shtresat e shoqnisë që përbahet prej kombesh e racash së ndryshme. Në këtë aktivitet komunitetet fetare u lutën për 28 nëntorin dhe për përkujtimin e 60 vjetorit të gazetës Dielli e Shoqërisë Vatra. Komuniteti fetar musliman i përfaqësuar nga hirësia Salih Myftia, Imam Vehbi Ismaili, Baba Bajrami, Imam Iza Hoxha e të tjerë kryen lutjet në sallat e mëdha të Amerikana Hotel. Ishin të pranishëm dhe hirësitë e klerit arbëresh Perniciaro e Minishi me etërit Stasi, Prençe, Bartalomeo e tjerë …hirësia Lasko dhe kryesia e Vatrës me presidentin Chico-in, z. Ahtanas, z. Christo Thanas, z. Hajdar Tonuzi, z. Petraq Ktona, etjerë. Dr Petrotta, Presidenti i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare, Dr. Ragip Frashëri dhe Shkëlqesia e tij Dhimitër Berati e shumë njerëz të tjerë u bëri përshtypje e dëgjua nga të gjithë të pranishmit me vëmendje të veçantë siç shkruan Camaj fjalimi i kumbueshëm në dialekt shkodran i Hirësisë Salih Myftia.

Në paradrekën e datës 29 nëntor u zhvillua ceremonia madhështore në katedralen e New York-ut, ”Sant Patrik”. Celebruan hirisitë arbëresh Mons.Perniciaro, Abati Minishi me priftërinjtë arbëresh e kryen një meshë solemne me rit lindor. Mesha u këndua në  gjuhën shqipe nga kori në këtë katedrale historike. Mernin pjesë dhe Kardinali i Neë York-ut eminenca Cooke, Peshkopi Stefan Lasko, i cili tha: -“ Besomëni Ati ynë në gjuhën shqipe”. Don Zef Oroshi, përfaqësuesi i klerit katolik shqiptar në Shtetet e Bashkuara mbajti lutjen e rastit. Ky i fundit paraqiti Kardinalin Cooke tek të pranishmit. Kardinali përshëndeti hirësitë arbëresh dhe të gjithë të pranishmit duke e cilësuar këtë mbledhje fetare si ngjarje me rëndësi, dhe gjeti rastin për të folur për historinë e lavdishme të popullit shqiptar.

Martin Camaj përshkruan dhe paradën me kostumet arbëreshe nga vise të ndryshme të Shqipërisë. Parakalun me pankarta në duar ku shkruhej në anglisht, ”We are Proud Americans of ALBANIAN HERITAGE” do të thotë (Jemi amerikanë krenarë me prejardhje Shqiptare) në qendrën e New York-ut të quajtur Promenade Rockfeler Center. Darkat që u shtruan me rastin e këtyre festimeve ishin sa madhështore po aq dhe prekëse dhe të paharrushme do të mbeten organizimet e programeve me këng e valle arbëreshe e shqiptare. Në sesionin e parë ku e mori fjalën Dr.Hamdi Oruçi e vuri theksin tek rëndësia që ka kultura për ti bashkuar njerzit dhe se për kulturë ka më tepër nevojë shqiptari se kushdo tjetër. Presidenti i “Vatrës” Peter Chicoos shprehu gëzimin që ka Vatra të presë shkencëtarët nga Amerika dhe Evropa ku studimet shqiptare lulëzojnë ndër qendra universitare, dhe u lut që ky Seminar kulturor të sqaronte nëpërmjet referateve të ndryshme temën e zgjedhur nga  Shoqëria Vatra: ”Kontributi i emigracionit shqiptar në jetën e në fatin e kombit në të kaluarën, detyrat që i parashtrohen sot edhe nesër”. U lexuan letra e telegrame urimi nga të ftuar të cilët nuk e patën mundësinë që të ishin për arësye pune e shëndeti në këto festime. U lexua letra e profesorëve gjermanë të universitetit të Mynçhenit Georg Stadmuller, Alois Schmaus, të docentit Dr.Grimm dhe Bartl.U lexuan dhe mesazhi i Dekanit të Fakultetit të Filozofisë së Palermos professor Lavagninos dhe i profesor Atë Zef Valentini në të cilën u përshkrua historia e studimeve Albanalogjike në Universitetin e Palermos dhe të Seminarit arbëresh në shekullin e kaluar. Njëri ndër ta i cili punoj pa u lodhur për ngritjen e kulturës arbëreshe ishte dhe i ndieri Rosolino Petrotta, për të cilin u mbajt dhe një minut heshtje kujtimi. Me kumtesën e profesor Zef Skirojit filloj Seminari: ”Kuptimi i fjalës Arbër dhe përgjigja e tij në vetëdijen e popullit shqiptar”. M. Camaj në komentin e tij për këtë kumtesë shkruan se Skiroj ndoqi përdorimin e fjalës greke Alvanon, Alvanistis, Alvani, Alvana nëpër kronikat byzantine dhe vjen në përfundimin se këto forma si variante të shqipes Arbër-i kanë vështrimin “gjithë fisi shqiptar” si dhe “vendi apo atdheu i shqiptarëve”. Shqiptari kudo ku shkon dhe ngul vatrën e tij, mu aty krijon e vijon dhe të qenurit “Arbër”- shqiptar. “Është një Shqipëri mistike, një Shqipëri spiritual me plotësimin e të gjitha vlerave morale që çdo shqiptar trashëgon nga autoriteti atëror ua pason pasardhësve të tij me besnikëri”. Për punimin e profesorit amerikan Andreë Torielli, romanist dhe mik i kulturës shqiptare, një  personalitet i Loyola University i ÇIKAGOS, zoti Camaj shkruan se Tema shumë ineresante e këtij profesori mbi hyrjen në Amerikë të shumë kulturave botërore dhe asimilimin dhe shdërimi i kulturave në Shtetet e Bashkuara.” Amerika nuk është një përzierje elementash, por është një filozofi”. Populli shqiptar është një popull shum i vjetër i Evropës, me një individualitet e karakteristika që shqiptarët e vendosur në Amerikë është mirë që ti ruajnë e ti përpunojnë si diçka me shumë vlerë. Kumtesa e professor Zef Valentinit u lexua nga Dr.Parrino, asistent i albanologjisë në Univesrsitetin e Palermos, dhe kishte për titull: “Vlera ekumenike e diasporës shqiptare”. Valentini shkruan Camaj e ka vënë shpesh në dukje se shqiptari është i hapur: duke ruajtur gjithmonë karakteristikat kombëtare kupton më së miri veçoritë e fiseve dhe të ideologjive të ndryshme. Në sajë të kësaj vetie diti të ngrihet mbi ndryshimet që i ndajnë njerzi dhe të vlerësojnë ata çka i afron. Stephen Peters foli në sesionin e tjetër me temë, ”Karakteristikat, kontributet dhe përgjegjësitë e shqiptarëvet të Amerikës”. Analiza që i bën zoti Peters historisë së shqiptarëve në Shtetet e Bashkuar të Amerikës është me të vërtetë një kontribut shumë i vleshëm, sidomos për objektivitetin në gjykime në lidhje me perspektivën që u hapet njerëzve me origjinë shqiptare në këtë kontinentin vital e të madh.

Kastriot Kotoni

 

SHKARKO APP