Massafra pranë familjeve që u prekën nga tërmeti, aktivizon Caritasin Shqiptar
Arqipeshkvi i Shkodrës, monsinjor Angelo Massafra, ka drejtuar mesazhe solidariteti nga Athina ku po merr pjesë në Asamblenë e Ipeshkvinjve të Europës.
Me lutjet për viktimat dhe të plagosurit nga tërmeti, Massafra në cilësinë e Presidentit të Caritasit Shqiptar, garanton përfshirjen aktive të kësaj strukture në lehtësimin e shqetësimeve dhe nevojave të familjarëve të tyre.
Massafra: Nga Athina, ku këto ditë po marr pjesë në Asamblenë e Ipeshkvinjve të Europës mbi temën e shpëtimit të krijesës, marr pjesë me dhimbje në gjendjen e krijuar mbas fatkeqësisë natyrore që ka goditur tokën tonë, duke shkaktuar viktima e dëme të konsiderueshme materiale.
Jam pranë familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre dhe kanë pësuar dëme materiale.
Do jenë të gjithë të pranishëm në lutjet e mia dhe në mirësinë e Zotit të mëshirshëm; por në të njëjtën kohë, si President i Caritas Shqiptar, garantoj përfshirjen aktive të kësaj strukture në lehtësimin e shqetësimeve dhe nevojave të tyre.
Zoti pastë mëshirë dhe e ndaloftë këtë plagë që po godet në mënyrë të vazhdueshme tokën tonë dhe uroj që këto rrethana do të na ushqejnë dhe nxisin të gjithëve drejt ndihmës reciproke dhe solidaritetit vëllazëror, të cilat, në momente si këto, duhet të na gjejnë më të bashkuar se kurrë.