Materniteti i Lezhës merr emrin e mjekut të talentuar

Materniteti i Lezhës merr emrin e mjekut të talentuar, Doktor Zef Zefaj

Nga Fran Gjoka

Me vendimin Nr. 41, datë 23. 03. 2018, Shtëpisë së Lindjes së qytetit të Lezhës, iu dha emri i doktor Zef Zefajt, me motivacionin “Për kontribute të çmuara në themelimin e shërbimit spitalor, në rritjen e cilësisë së kujdesit ndaj pacienteve, futjen e teknikave të ndryshme mjekësore për herë të parë në Spitalin e Lezhës me rrjedhojë përmirësimin e shërbimit ndaj pacientit, ngritjen e nivelit tekniko-profesional në rritjen dhe përmirësimin e shërbimit të komunitetit”. Ishin unanim i gjithë këshilli bashkiak i Lezhës.

   “Nga çdo shtatzëni e nisur duhet të lindë një fëmijë i shëndetshëm”.

 itët e fundit, Shtëpia e Lindjes në Lezhë mori emrin e mjekut të nderuar, specialistit, gjinekologut të talentuar, Zef Zefaj, emri i të cilit është shumë i dashur dhe i respektuar jo vetëm në Lezhë dhe rrethina, por shumë më larg. Nuk ishte rastësi dhënia e emrit të këtij njeriu kaq të mirë dhe kaq të njohur, maternitetit të Lezhës, sepse ai njihej dhe ishte i identifikuar me këtë emër, edhe pa procedurat burokratike. Doktor Zefi e kishte gdhendur emrin e tij tek ky institucion me punë, përkushtim dhe rezultate të prekshme. Është pikërisht ky doktor që hodhi themelet e shërbimit gjinekologjik në këtë qytet.

Doktori u lind në fshatin Tresh të Lezhës në gusht 1946, në një familje të mesme fshatare. Nëna e tij rridhte nga një familje e njohur mjekësh popullorë të Bulgjerit të Rubikut. Mbeti jetim që në moshën 4-vjeçare, pasi babai i tij u vra pabesisht nga bandat kriminale të kohës duke u bërë kështu Dëshmor i Atdheut. Shkollën fillore, shtatëvjeçare dhe të mesme i kreu në qytetin e Lezhës, duke qenë kështu ndër maturat e para të gjimnazit “Hydajet Lezha” dhe një nxënës shumë i mirë si në sjellje ashtu dhe në mësime.  Nuk ju nda ëndrrës së tij për t’u bërë një ditë mjek.

 

Kështu, në vitin 1964 filloi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe i përfundoi ato në vitin 1969, në degën e mjekësisë së përgjithshme. Pas diplomimit, doktor Zef Zefaj filloi specializimin në maternitetin e Tiranës si obstetër – gjinekolog për rrethin e Lezhës. Aftësitë, përkushtimi ndaj profesionit dhe respekti ndaj njerëzve e rriti atë jo vetëm në planin fizik, por në planin profesional dhe human. Specializimin e mbaroi në dhjetor të vitit 1972 dhe, që nga ajo ditë ka punuar Shef i Pavionit në maternitet dhe i shërbimit të obstetrikë-gjinekologjisë së rrethit të Lezhës. Pas viteve ’70, shërbimi ndaj nënës dhe fëmijës mori përmasa të fuqishme. Kështu, nga 3 maternitete që kishte Lezha, u bënë 16, nga 8 mami e infermiere u bënë 88 në vitin 1975. Ky zgjerim i shërbimit shëndetësor, forcoi më shumë disiplinën dhe kualifikimin për të gjitha mamitë e infermieret e shërbimit të rrethit, të drejtuar me pasion të veçantë nga dr. Zefi, si Shef i Shërbimit Obstetrik-Gjinekologjik dhe nga ish kolegu i tij, i ndjeri Llesh Mataj, Shef i Shërbimit Pediatrik, për të cilin dr. Zefi ruan kujtime të pashlyera. Është për t`u theksuar se, gjatë kësaj periudhe e deri në vitin 1997, dr. Zefi dhe ekipi i tij shëndetësor, ka kryer në periudha dhe kohë të ndryshme, rreth 100 lindje jashtë mjedisit spitalor, në kushte të vështira të terrenit, në  zonat malore dhe fshatrat e thella të rajonit të Lezhës. Meqenëse gjatë viteve studentore dr. Zefi pati marrë pjesë aktive në rrethet shkencore të mjekësisë dhe praktikat që organizonte fakulteti, temën e parë shkencore në repartin e kirurgjisë të spitalit Shkodër e ka referuar në sesionin e dytë shkencor të studentëve. Në vitin 1970, në bashkëpunim me dr. Apollon Gjebrenë, botoi temën e parë në revistën “Shëndetësia Popullore”, e cila u prit mjaft mirë nga rrethet shkencore të mjekësisë, ndërsa nga viti 1973 deri në vitin 1990, në 12 sesione shkencore të Spitalit Lezhë, ka pasur mjaft tema shkencore dhe të karakterit profesional të përgatitura nga ana e tij, ku disa prej tyre të botuara në revistat “Shëndetësia Popullore” apo “Nëna dhe Fëmija”. Duke qenë Shef i Shërbimit Obst­etrik-Gjinekologjik, puna e dr. Zefit ka qenë e përqendruar në parandalimin e vdekshmërinë foshnjore dhe lindjeve të shëndetshme të fëmijëve, por kur pati nisur punë kishte gjetur një bilanc negativ të vdekshmërisë foshnjore. Vetëm në vitin 1972 kishin gjetur vdekjen 44 fëmijë për 1000 lindje, kurse, me punën vetëmohuese dhe profesionalizmin shkencor, ekipi i drejtuar nga i mirënjohuri dr. Zef Zefaj arritën ta ulin vdekshmërinë foshnjore nga 44 në 15 vdekje për 1000 lindje. Ky ishte një sukses i jashtëzakonshëm, jo vetëm për dr. Zefin dhe kolegët e tij, por edhe për komunitetin e këtij rajoni. Dr. Zefi nuk mund të harrojë kurrë ato periudha të vështira kur blegtoria u tufëzua nga sistemi i mëparshëm dhe mungesa e lëndëve ushqimore, sidomos për nënat dhe fëmijët mungonte, prandaj i duhej të luftonte me burokracitë në pushtet për të kërkuar krijimin e kushteve minimale dhe lehtësuese, sidomos për gratë shtatzëna. Mund të themi se me dhjetëra herë, për një abort, dështim apo lindje, dr. Zefi dhe bashkëpunëtorët e tij kanë marrë rrugën në këmbë dhe me vështirësi, duke sakrifikuar natën dhe ditën, në shi dhe në diell, me rrugë e pa rrugë, në zonat e thella malore.

 

Mjek human dhe me zemër të madhe, por dhe i përgatitur profesionalisht

Puna e kualifikuar dhe vetëmohuese e gjinekologut të ri dha shpejt rezultate, pasi nisën ndryshime të shpejta dhe funksionale. Kështu, pësoi ndryshime dhe materniteti i Lezhës, nga një ambient me 4 dhoma, në një spital të mirëfilltë me mbi 60 krevate të sëmurësh, i cili në vitet 96 – 98, u mor në provim si spital Mik i Fëmijëve” dhe e fitoi këtë titull si i 192 – ti në Europë dhe i pari në Shqipëri. Vlen të theksohet se iniciativa e tyre për ta përpunuar fëmijën e porsalindur në barkun e nënës, për ta lënë fëmijën 24 orë pranë nënës, për të asistuar edhe babai në lindje, për ta ushqyer atë vetëm me gji, bëri që materniteti i Lezhës të jetë një shkollë kombëtare gjinekologjike për këtë novacion, duke i imponuar Kuvendit të  Shqipërisë që në atë kohë të miratonte një ligj, duke u bazuar në eksperiencën pozitive të këtij ekipi pune. Rezultatet e asaj pune të madhe e vetëmohuese janë referuar në konferenca dhe seminare kombëtare e ndërkombëtare nga dr. Zefi dhe bashkëpunëtorët e tij. Nisur nga eksperienca që fitoi në spitalin rajonal të Lezhës dhe aftësitë e tij profesionale në vitin 1993, dr. Zefi u  dërgua për eksperiencë pune në Tunizi, bashkë me një grup mjekësh, ku si qëllim kryesor ishte të implementoheshin edhe në Shqipëri metodat shkencore të planifikimit familjar. Në vitin 1995, bashkë me disa mjekë specialistë ka bashkëpunuar për hartimin e ligjit “Mbi Abortin”. Eksperiencë e paharruar shkencore ishte edhe ajo e specializimit të kryer në Kantonin Frankofon të Vodit në Zvicër në bashkëpunim me Caritasin zviceran dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

Për këto 40 vjet si “gardian” i shëndetit të nënës dhe fëmijës, jo vetëm që ka futur dhe zbatuar të gjitha metodat shkencore në punën e përgjithshme dhe në operacionet e ndryshme gjinekologjike, por mund të them se rreth 4000 lindje kanë kaluar në dorën e tij. Raporti i vdekshmërisë foshnjore me lindjet arriti 10 / 1000 dhe që nga viti 1994 nuk kanë pasur asnjë vdekje të nënave. Çdo vit dr. Zefi realizonte rreth 400-450 operacione dhe në maternitetin e Lezhës lindin rreth 1400 fëmijë në vit. Është emocionuese të thuash se në maternitetin e Lezhës sa ishte në punë ai, kanë lindur 43 mijë fëmijë nën asistencën dhe kujdesin mjekësor të dr. Zef Zefajt. Puna e tij pasionante dhe eksperienca e madhe në gjinekologji, bëri që në vitin 2005, dr. Zefi të botojë si bashkautor librin “Pyetje dhe Përgjigje në Gjinekologji”, ndërsa më vonë botoi një libër të dytë mbi problemet gjinekologjike. Ai është trajnuar në seminare të ndryshme dhe ka mbaruar kursin e kualifikimit si “Menaxhues i Lartë i Shërbimit Shëndetësor”, organizuar nga Caritas Zvicër dhe Ministria e Shëndetësisë. Gjithashtu ka kryer kualifikime dhe specializime në sektorin e Obstetrikë-Gjinekologjisë, në sektorin e Planifikimit Familjar, ku ka qenë për 10 vjet drejtues i politikave të planifikimit familjar të zonës së veriut. Po kështu, ka kryer dhe kualifikime të shkurtra në Yverdon (Zvicër), Tuniz (Tunizi), Stamboll (Turqi), Moskë (Rusi). Motoja e dr. Zefit ka qenë: Gjithë jetën time, derisa të kem forca, do të vazhdoj të qëndroj e të punoj si mbrojtës i shëndetit të nënës dhe fëmijës, do të jap gjithçka për të shtuar dhe shpëtuar jetë”, i orientuar gjithmonë që: “Nga çdo shtatzëni e nisur duhet të lindë një fëmijë i shëndetshëm”. Në vitin 1995, pas eksperiencës së fituar në shumë vende të Evropës, për herë të parë u praktikuan në maternitet metodat e reja “Roomenigen” në lindje, ku u kërkua edhe asistenca familjare, u vlerësua praktika e vendeve të zhvilluara që lidhej me lindjen e fëmijës në prezencë të nënës dhe ushqyerjen e tij vetëm me ushqim natyror, duke e bërë të panevojshëm biberonin. Për hir të së vërtetës duhet thënë se Lezha u bë modeli i një koncepti të ri dhe për këtë arsye, pas kësaj eksperience në mbrojtjen e shëndetit të nënës dhe fëmijës, materniteti i Lezhës u bë shkollë kombëtare dhe vendi ku merrej eksperiencë nga shumë institucione shëndetësore në Shqipëri. Arritjet  e tij iu bënë me dije të gjithë materniteteve të vendit. Niveli tekniko-profesional e shkencor i punonjësve të maternitetit të Lezhës është krahasuar shpesh me klinikën universitare të Maternitetit të Tiranës. Krahas shumë aftësive dhe virtyteve të larta, si njeri me zemër e shpirt të madh ndaj çdo jete që niste, te dr. Zefi binte në sy vetëmohimi dhe shpirti i lartë i sakrificës. Gjatë 40 viteve të punës vetëmohuese si obstetër, gjithmonë e kudo u është përgjigjur në kohën dhe vendin e duhur urgjencave mjekësore, kudo ku është kërkuar, deri në fshatrat më të thella, jo vetëm të rrethit të Lezhës, por dhe në Kurbin, Mirditë, Krujë e deri në fshatrat e Pukës.

Dr. Zef Zefaj “Mjeshtër i Madh i Punës”

Për merita të shquara në punë, dr. Zef Zefaj është nderuar me urdhra e medalje të ndryshme pune, por duhet përmendur urdhri “Për Shërbime Shëndetësore” të klasit të parë, dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë. Kudo që të pyesësh për Dr. Zefin, të gjithë flasin me  respekt e konsideratë të thellë. Ai mbeti përherë një model cilësor i dashurisë njerëzore, një burrë me zemër të gjerë, që rrezaton mirësi, dashuri e përkushtim, gjithmonë në mbrojtje të jetës që sapo nis, në mbrojtje të vazhdueshme të shëndetit të nënës dhe të fëmijës.

Dr. Zefi  gjykon me profesionalizëm, sinqeritet e dashamirësi edhe punën e mirë dhe plot përkushtim që bëjnë kolegët e tij mjekë në repartin që punoi për 40 vjet me radhë. Figura e tij tashmë është e njohur dhe e respektuar jo vetëm në Lezhë, por në të gjithë Veriun e Shqipërisë e më gjerë. Ai është vlerë e çmuar e qytetit të Lezhës, prandaj Presidenti i Republikës e ka nderuar mjekun e njohur me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”, sepse ai përherë ka qenë dhe mbetet mes njerëzve, i rrethuar me dashurinë dhe respektin e tyre kudo, qoftë të punonjësve me të cilët punoi një jetë të tërë, qoftë me kolegët, qoftë me pacientët e tij. Shumë shpejt dr. Zef Zefaj është shndërruar në një ikonë të mjekësisë shqiptare, një ndër figurat më të dashura publike dhe të admiruara jo vetëm për Lezhën. Ai njihet si një mjek tepër human, i ndjeshëm dhe njerëzor. Prandaj dhënia e emrit të tij Maternitetit ku punoi gjithë jetën e tij me përkushtim e devotshmëri, është një vlerësim shumë objektiv. Ai e meriton! Këtë e tregojnë dhe fjalët e kolegëve të tij, që u thanë me rastin e 50-vjetorit të ngritjes së Spitalit të Lezhës. Prof.

Dr. Gjergj Thedhosi: “Duke paraqitur periudhën para viteve ‘90 dhe ndërtimin e këtij materniteti, vlerësoj lart bashkëpunimin shkencor dhe futjen e teknikave të reja të gjinekologjisë dhe reaminicionit, sidomos të nënave dhe fëmijëve.”

Prof. Dr. Hasan Hafizi: “Vlerësoj lart shërbimin 50-vjeçar e të papërtueshëm të dr. Zef Zefaj, duke sakrifikuar natë dhe ditë familjen e tij, duke ngritur dhe vlerësuar lart Rexhinën si bashkëshorte model dhe mbështetëse në situata të vështira ku Zef Zefi kalonte në spital.”

Doktori i Shkencave Mjekësore dhe Drejtori aktual i Spitalit Rajonal Lezhë, Leon Kaza, duke bërë shaka para auditorit të pranishëm me rastin e 50-vjetorit të krijimit të spitalit të Lezhës, në një koktej të organizuar, tha: “Dr. Zef Zefi jo vetëm që ka punuar shumë me të rinjtë mjekë dhe me punonjësit në përgjithësi, por gjithnjë ka qenë dhe mbetet një bukëdhënës. Është teper i ndjeshem human e miqësor, por kaq është edhe dinjitoz dhe konseguent në gjërat themelore të bindjeve dhe ekzigjenzave që e përbëjnë të plotë personalitetin e tij”.

Kurse unë, autor i këtij artikulli vlerësues dhe qytetar i Lezhës, shpreh respektin dhe konsideratat e mia më të larta për këtë personalitet të shquar, duke i uruar atij jetë të gjatë, mbarësi të përhershme në detyrën e madhe si mjek dhe lumturi familjare.

Ndihemi të nderuar që në Lezhë kemi një mjek të këtij niveli, vlerat e tij i njeh e gjithë Lezha, me të nderohet e gjithë Shqipëria.

Faleminderit dr. Zefi për gjithçka ke bërë dhe vazhdon të bësh për jetën dhe të ardhmen e kombit – fëmijët!

SHKARKO APP