Mbi 131 mijë vizitorë në 10 muaj në Kalanë e Beratit

Kalaja e Beratit është një ndër pikat turistike e cila ka një numër vizitorësh që vjen gjithnjë në rritje. Ajo përbën një nga atraksionet turistike më të preferuara në Shqipëri për turistët e huaj dhe ata vendas.

Numri i turistëve që vizituan kalanë në qytetin e Beratit gjatë periudhës janar – tetor 2019 është vizituar nga 131,157 vizitorë dhe duke e krahasuar kështu me të njëjtën periudhë me një vit më parë ka mirëpritur rreth 7700 vizitorë më shumë.

Nacionaliteti i turistëve të huaj që kanë vizituar këtë kala janë gjermanë, italianë, bullgarë, francezë, sllovenë, amerikanë, spanjollë etj. Berati mbetet një nga destinacionet kryesore ndërkombëtare falë atraksioneve kulturore dhe natyrore që ka.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II p.e.r.

Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.

Disa prej tyre janë: Kisha e Shën Triadhës, e cila i përket fundit të shek. XIII dhe fillimit të shek. XIV. Në brendësi të saj ka afreske mjaft interesante. Pas kishës së Shën Todrit gjenden kishat e Shën Kollit, Shën Kostandinit, Shën Helenës, Shën Mërisë Vllaherna etj.

SHKARKO APP