Mbi 64 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit, ulje e infeksioneve spitalore
Ministria e Financave dhe Ministria e Shëndetësisë, kanë filluar negociatat për rishikimin e termave të kontratës koncesionare lidhur me sterilizimin e pajisjeve mjekësore që në muajin mars 2019 dhe kanë përfunduar në muajin nëntor të po këtij viti. Ministria e Shëndetësisë njoftoi disa ditë më parë kompaninë për të firmosur amendimet e kontratës. Sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, pas negociatave palët kanë rënë dakord se për çdo ndërhyrje të kryer në një vit mbi 64 mijë ndërhyrje kirurgjikale, çmimi për çdo ndërhyrje pavarësisht llojit të kompleksitetit do të jetë 25 % më ulët sesa çmimi i vendosur në kontratë.
Faktet tregojnë se në fakt kontrata koncesionare bën fjalë për pesë procese pune të të gjithë elementëve që ofrojnë siguri për shëndetin e qytetarëve. Këto pesë komponentë të integruar janë: furnizimi i mbi 100 mijë instrumenteve të rinj bashkëkohorë e cilësorë kirurgjikalë, furnizimi i set-it të instrumenteve kirurgjikalë të sterilizuar përpara çdo operacioni kirurgjikal (dhe për këtë janë ngritur funksionojnë 18 centrale dhe nëncentrale sterilizimi), furnizimi i materialeve një përdorimëshe për trupën operatore dhe për shtratin e pacientit, dezinfektimi i sallave të operacioneve të fund të ditës, si dhe trajtimi i mbetjeve të rrezikshme spitalore pas përdorimit të materialeve një përdorimëshe dhe kthimi i tyre në mbetje urbane.
Në vitin 2014 kur është bërë studimi i fizibilitetit, rezulton se sipas të dhënave zyrtare në Shqipëri në vitin 2013 në spitalet publike janë kryer rreth 50 mijë operacione kirurgjikale. Gjatë studimit ka rezultuar, midis të tjerash, se hera e fundit që në QSUT ishin blerë instrumente kirurgjikalë ishte viti 2004.
Për efekt të përgatitjes së ofertës, në dokumentet e tenderit u është kërkuar ofertuesve që hartimin e ofertës të mbajnë parasysh një numër rreth 63 mijë ndërhyrje kirurgjikale bashkë me të dhëna për ndërhyrjet kirurgjikale për çdo spital me qëllim që të kihej parasysh edhe gjeografia e shtrirjes së shërbimit. Pra që në fazën e dokumenteve të tenderit është parashikuar që në krahasim me vitin 2013, do të kishte një rritje prej rreth 26%.
Zbatimi i kontratës ka sjellë një përmirësim të ndjeshëm jo vetëm të cilësisë së ndërhyrjeve kirurgjikale, por edhe ulje të infeksioneve postoperatore. Sipas të dhënave të njësisë së specializuar në Institutin e Shëndetit Publik, rezulton se nëse në vitin 2015 në Shërbimet 1 dhe 2 të kirurgjisë së përgjithshme në QSUT shkalla e infeksioneve ishte 31,2 % (nga 22 pacientë të analizuar, 7 prej tyre kishin infeksione), në vitin 2017 kjo shkallë ka rënë në 15,4 % (nga 26 pacientë të analizuar, vetëm 4 prej tyre kishin infeksione). Pra shkalla e infeksioneve spitalore në shërbimet e kirurgjisë është përgjysmuar në vetëm dy vite.
Kjo ka sjellë që të kemi edhe shkurtim të ditëve të qëndrimit në spital për një të sëmurë, duke sjellë zvogëlim të kostos së buxhetit të spitalit për një të sëmurë. Për ilustrim, në shërbimin e kirurgjisë të spitalit universitar të Traumës ecuria e ditëqëndrimit mesatar është:
2014 6,5 ditë
2015 5,5 ditë
2016 6 ditë
2017 5,2 ditë
2018 4,1 ditë
2019 3,6 ditë
Sipas shifrave, rezulton se koha e qëndrimit në spital është shkurtuar me 45 %. Shkurtimi i ditëqëndrimit të një të sëmuri në spital bashkë me shkurtimin e ditëve të pagesës së sëmundjes apo invaliditetit për të njëjtën të sëmurë e kalojnë koston që paguhet i kompanisë për një ndërhyrje kirurgjikale. Përmirësimi i ndjeshëm i eficencës së shfrytëzimit të sallave operatore, por edhe të pavioneve të kirurgjisë bashkë me përmirësimin shumë planësh të shërbimit shëndetësor spitalor në të gjithë vendin kanë sjellë një rritje të numrit të të sëmurëve që mund të trajtohen në spital më të lartë, se sa është parashikuar në vitin 2014 kur është bërë studimi i fizibilitetit.