Mbi dëshirën e kryeministrit Rama për ditë pa makina e tym
Nga Mentor Kikia –
Përtej pasojave, si mbyllja e shkollave, dyqaneve, kafeneve, ndërmarjeve etj, të gjithëve këto ditë na ka shijuar jeta karantinore në një drejtim. Rrugët bosh, qetësia dhe mbi të gjitha një ajër më i pastër.
Padyshim, që nën stresin e trafikut, smogut dhe borive të të paduruarve në semafore, pas disa javës, ne do të shfryjmë ndonjëherë duke thënë: Po që ishim mirë kur rrugët ishin bosh mor aman!
Këtë admirim për rrugët bosh e qytetet e heshtura, e kishte shprehur sot edhe kryeministri Rama. Duke ëndërruar për fundjava pa makina, pas pluhur, pa bori dhe me shumë qetësi, për prindërit dhe fëmijët….
Po zoti kryeministër!
Beteja me virusin mund dhe duhet të na bëjë të ndryshojmë ca rregulla në jetën tonë. Padyshim, jeta ka qenë më e shëndetshme pa tenologjinë, por bota ecën përpara e jo pas. Ndaj jeta pa makinat nuk mund të kuptohet. Por ne mundemi ti kontrollojmë makinat, pasi jemi në që i drejtojmë ato, e jo ato neve.
Po, ne mund ti fikim makinat një ditë në javë. Ne mund të shkojmë deri tek furra e bukës dhe tregu në këmbë, në mënyrë që brenda qytetit të mos prodhojmë smong, duke bërë xhiro edhe për qejf. Mund të fiken edhe betonieret dhe kamionet që dalin nga kantieret me rrotat tërë dhe e baltë.
Pra mund ta kemi, jo njëherë në vit, por çdo javë një ditë pa makina. E kam fjalën për ditë pa makina realisht, jo si ajo dita pa makina plot me makina. Tashmë në e pamë të gjithë që me një sirenë policie “Oi oi oi oi”, kjo arrihet.
Por më shumë se kaq, ne mund dhe duhet të vendosim ca rregulla në marrëdhënien tonë me mjedisin. Ne duhet të mësojmë, tashmë po përmes sirenës “Oi oi oi”, të mbajmë dorën e të mos hedhim mbeturinat në rrugë, park, kanal, lumë, përrua e pyll.
Duhet të mësojmë që të respektojmë kriteret mjedisore në ato pak fabrika që kemi, e që bëjnë gjëmën duke na helmuar ajrin e tokën, sepse nuk vënë filtra e matjet treguesve institucioni i shtetit ua bën vetëm kur bie shi.
Ne duhet të mësojmë të respektojmë rregullat, si psh, ti mbyllim mejhanet e tallavave, pas mesnate kur të gjithë, edhe pleqtë e fëmijët, duan të flenë.
Ne duhet të mësojmë shumë gjëra nga kjo epidemi, për të kujtuar se para natyrës dhe kapriçove të saj jemi një hiç dhe duhet të bëjmë gjithëçka për ta ruajtur dhe mbrojtur atë.
Kur virusi të ikë, ne nuk duhet të marrim daullet e tu biem për fitoren, apo shpëtimin, por duhet të mendojmë shumë seriozisht çfarë duhet të ndryshojmë në mënyrën tonë të jetesës.