Mbrojtja e Sokratit për Ukshin Hotin

Kjo shfaqje është punuar me tekst të përzgjedhur nga vetë Bajrush Mjaku, në regji të Dritëro Kasapit e Dino Mustafiqit, ku në rolin e gjykatësit- Platonit paraqitet Besfort Idrizi, me skenografi të Krste Xhdidrovit, kostumet e Bllagoja Misvskit, muzikën e Samir Dërgutit dhe kamerat e Fejmi Dautit dhe Besfort Imamit
Mbrëmë në skenën e “Teatrit Poshka”, në kuadër të festivalit të teatrove shqiptare “Ktu Fest” u ngjit bardi i Teatrit Shqiptar nga Shkupi, Bajrush Mjaku, me shfaqjen “Mbrojtja e Sokratit” në regji të Dritëro Kasapit dhe Dino Mustafiq, shfaqje që vetë Bajrush Mjaku është shprehur se ia kushton intelektualit dhe politikanit shqiptar, Ukshin Hoti. 
 
Shfaqja “Mbrojtja e Sokratit” e Bajrush Mjakut, festivalin “Ktu Fest” e futi në listën e festivaleve të mëdha botërore ku është shfaqur kjo shfaqje dhe është nderuar me çmime të shumta si : festivali i Krakovit-Poloni, Kairo-Egjipt, Budva-Mali i Zi, Lublana-Slloveni, Prishtina-Kosovë, Fieri-Shqipëri, Butrinti-Shqipëri, Sarajevë-B e H, Moskë-Rusi, Stamboll-TurqiSt. Petersburg-Rusi … 
Bajrush Mjaku-Sokrati, në bankën e të akuzuarve – në bankën e zezë- që kësaj here nuk ishte e zezë por e ndritur, para gjykatësit, Platonit (Besfort Idrizit) dhe para publikut, me tërë korpulencën e tij e mbushi skenën dhe zbrazi një mori komplotesh dhe kundërakuzash në adresë të gjykatësit (Platonit-shtetit), duke mos hezituar në asnjë çast, përkundër faktit se ishte i bindur se do ta dënojnë me vdekje për veprën që kurrë nuk e ka bërë, duke mbrojtur të drejtat dhe liritë sociale dhe morale!
 
E gjithë kjo mori akuzash ndaj Sokratit ( në rastin konkret ndaj Ukshin Hotit), është punuar me përkushtim të veçantë nga Bajrush Mjaku, i cili për mrekulli përdor teknikën audiovizuele për transmetim të drejtpërdrejtë të “mbrojtjes” së tij përmes tre ekraneve televizive, me mesazhet që fare nuk dallojnë nga gjendja e at’hershme dhe ditëve të sotit në jetën shoqërore, politike dhe gjyqësore.
 
Bajrush Mjaku e përballoi tërë këtë, përfshirë edhe vapën dhe djersët që gjarpëronin nga balli nëpër mollëzat e faqeve dhe pikonin nga mjekra në “bankën e të akuzuarve”, vetëm e vetëm për të përcjellë mesazhin e përkryer të kuptueshëm dhe sofist, tipik sokratian të qëndresës-mesazh që vazhdimisht nxinte në gojë rininë, atë rini të cilës do ti takojë e tashmja dhe ardhmëria. 
“Shfaqjen “Mbrojtja e Sokratit” ia përkushtoj intelektualit të madh shqiptar Ukshin Hoti, të cilin as dora e fortë e fuqisë destruktive (Millosheviqiane) nuk mundi ta heshtë në misionin e tijë të drejtë, që të luftojë për liritë dhe të drejtat e cunguara të njeriut-të shqiptarëve. Ngjashmëritë mes Sokratit dhe Ukshin Hotit janë të dukshme dhe nuk është vetëm mbrojtja e tyre para gjyqit dhe fundi i tyre tragjik pikë ngjashmërie, por është edhe botëkuptimi i tyre për botën e lirë dhe vizioni për të ardhmen e njerëzimit që i bën këta dy burra të ngjashëm. 
 
Them që duke ia kushtuar këtë shfaqje Ukshin Hotit, në fakt ia kushtoj tërë atij brezi dijetarësh që sakrifikuan jetën e tyre duke luftuar të padrejtën dhe të ligën në shtet siç thotë edhe vet Sokrati”, ka thënë Mjaku . 
Kjo shfaqje është punuar me tekst të përzgjedhur nga vetë Bajrush Mjaku, në regji të Dritëro Kasapit e Dino Mustafiqit, ku në rolin e gjykatësit- Platonit paraqitet Besfort Idrizi, me skenografi të Krste Xhdidrovit, kostumet e Bllagoja Misvskit, muzikën e Samir Dërgutit dhe kamerat e Fejmi Dautit dhe Besfort Imamit. 
 
Vlen të theksohet se sot është dita e fundit e festivalit dhe nata përmbyllëse. Sot, në programin matine-paradite do të shfaqet filmi “2 Kohë” me skenografi dhe regji të Ilir Harxhit, ndërsa në rolet kryesore paraqiten: Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Albert Verria, Saimir Kumbaro, Kiço Blushi dhe Todi Bozo. Në mbrëmje në program është perfomansa e “Aktor Made in Albania” e Romir Zalla dhe Marin Orhanasit, shfaqje që edhe do ta mbyll edicionin e dytë të festivalit të teatrove shqiptare “K’tu Fest-Strugë 2015”, me çka përfundon edicioni i dytë i festivalit të teatrove shqiptare “K’tu Fest”-Strugë 2015./KultPlus.com 

SHKARKO APP