Mbrojtja e trashëgimisë, Kumbaro: Një sektor zhvillimi e potencial punësimi

Arkeologjia nuk është më as luks dhe as një aneks i harruar, por një sektor zhvillimi në të cilin jo vetëm mbrojmë pasuritë kulturore, por edhe krijojmë punësime. Aktualisht kemi vende vakante për arkeologë, sepse është rritur kërkesa si pasojë e nevojës së shtuar për të vëzhguar territorin në mbrojtje të arkeologjisë krahas projekteve zhvilluese. Nxis studentët të kualifikohen në këtë sektor, sepse do të ketë gjithmonë nevojë për punën e tyre”. Kështu u shpreh ministrja Kumbaro në ‘workshop’-in e organizuar nga Ministria e Kulturës, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, me temë “Arkeologjia e Shpëtimit në Raport me Zhvillimet e Reja në Territor dhe Ekuilibri Mes Tyre”.

Duke bërë një prezantim të gjendjes së gjetur para tri viteve, Kumbaro e vuri theksin mbi disa nga arritjet më thelbësore të reformës në Trashëgiminë Kulturore, duke qartësuar se përse arkeologjia dhe zhvillimi i territorit nuk e kundërshtojnë njëri-tjetrin, por përkundrazi; nëse ka politika të qarta, ligje të sakta dhe vullnet për të bashkëpunuar, partneriteti rezulton jo i dëmshëm, por i suksesshëm.

“Me partneritetin që kemi me të gjithë institucionet e trashëgimisë si dhe me pushtetin lokal dhe me subjektet private, ne ndryshuam sistemin e menaxhimit të territorit, duke ndërtuar një rrjet koherent bashkëpunimi. Sot nuk kemi asnjë projekt zhvillimi që të mos kalojë vëzhgimin dhe kontrollin arkeologjik. Kjo punë e bërë ka ndryshuar gjërat edhe në sektorin e punësimit. Është një lajm shumë i mirë nëse themi që sektori i trashëgimisë kulturore krijon mundësi punësimi. Sot që ne flasim, vetëm një zhvillues si TAP ka punësuar rreth 30 arkeologë.

Nga ana tjetër, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, e cila ka liberalizuar tregun, ka hapur sektor punësimi duke zbatuar ligjin për të gjitha subjektet e licencuara në fushën e arkeologjisë. Vetë Agjencia me shërbimet që ofron ka arritur të krijojë të ardhura në arkën e shtetit, po aq sa merr nga buxheti vjetor. Janë këto elemente që bëjnë që arkeologjia të jetë jo më një luks, jo një aneks i harruar, por të jetë një sektor zhvillimi me të cilin praktikisht krijojmë punësim. Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi që kemi dhe kjo konferencë e tregon me Universitetin e Tiranës, me studentët e arkeologjisë, të cilët në të ardhmen do ta ketë tregun e punës të siguruar.

Vetëm në tri vite ne kemi arritur të disafishojmë numrin e të punësuarve në sektorin e arkeologjisë duke qenë se ka një menaxhim të ri, një kontroll më të rreptë të territorit, por edhe një ndjeshmëri më të madhe të opinionit publik, që i vjen në ndihmë kësaj politike të re ndaj trashëgimisë kulturore”, tha Kumbaro. Ministrja duke rreshtuar disa nga problematikat e hasura gjatë punës, u ndal tek hartimi i ligjit të ri të trashëgimisë kulturore, ku tha: “Ky projektligj është qëllimisht proteksionist dhe konservator, por jo për të penguar zhvillimin dhe për të ndërhyrë apo prekur asnjë të drejtë themelore private, por për të vendosur rregulla të qarta për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, të munguara apo të pazbatuara deri tani”.

TEMAT
Temat e trajtuara në këtë ‘work-shop’ kishin në fokus disa çështje. Njohjen e publikut/investitorëve me mënyrat dhe rrugët që duhet të ndiqen para dhe gjatë zbatimit të projekteve të tyre, duke bërë pjesë integrale komponentin e trashëgimisë arkeologjike/kulturore. Shkëmbimin e përvojave nga puna në site arkeologjike nga specialistë të institucioneve të Trashëgimisë Kulturore, subjekteve privatë të licencuar në arkeologji, vendëse dhe të huaja, pedagogë të Universitetit të Tiranës apo të shoqërisë civile, që kanë si mision të punës tyre mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë arkeologjike/ kulturore.

Prezantimin e metodologjisë së tarifave të shërbimit arkeologjik, të aplikuara për herë të parë nga ASHA, transparenca e tyre për investitorët dhe niveli i realizimit të tyre në shërbim të performancës dhe mbulimit të shpenzimeve të shërbimeve arkeologjike. Informimin mbi implementimin e platoformës WebGIS, për të siguruar një informacion të plotë, në kohë reale, të sigurt, shkencor, që shërben si një e dhënë mbi potencialin arkeologjik dhe për një mbrojtje efikase të pasurisë arkeologjike. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin përfaqësues të institucioneve të varësisë së Ministrisë së Kulturës, Universitetit të Tiranës, Drejtorive Rajonale të Kulturës Kombëtare, subjekteve/ individëve privatë të licencuar në arkeologji vendës dhe të huaj, pedagogë e studentë, shoqëri civile që kanë si qëllim të punës së tyre mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore.

Pjesëmarrësit shprehën interesin dhe vlerësimin e tyre për domosdoshmërinë e forcimit të marrëdhënieve të ngritura nga ASHA dhe Ministria e Kulturës me zhvilluesit, për një zhvillim të qëndrueshëm të territorit, nëpërmjet faktorizimit të Agjencisë dhe hapjes së tregut të punës shoqërive arkeologjike.

/GSh

SHKARKO APP