Mbyll me sukses siparin edicioni i 6-të i “Poezisë së pabotueme”

Albina Gjergji

Duke i paraprirë 21 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Poezisë, këtë të dielë Zoja e Randë, Shkodra bash në zemër të shtëpisë së poetit Filip Shiroka priti miqtë e saj më të mirë në aktivitetin e titulluar, “Festivali i Poezisë së Pabotueme”.

Në këtë edicion, i cili numëroi të gjashtin në radhë, morën pjesë jo vetëm poetë konkurrentë të kësaj gare simpatike, por edhe dashamirës të shumtë të vargjeve, të cilët ndanë me njëri-tjetrin emocionet që finalistët e poezisë dhuruan. Diell e aromë Shkodre, në një ambient të kuruar deri në detaj nga organizatorët e “Eko Mendjes” si Mirsad Basha dhe bashkëshortja e tij, Eri Omari, poetët gegë e toskë i shtuan edhe më shumë ngjyrat vendit ku ishte vendosur të mbahej aktiviteti, pikërisht restorant “Tradita” (shtëpia e poetit, Filip Shiroka), i cili nuk ofron vetëm shumëllojshmëri gatimesh SHQIP, por edhe mundësi argëtimi. Sikurse ditën e Poezisë së Pabotueme.

Nën moderimin e Astrit Fanit, jurisë së përbërë nga personalitete letrare si, Primo Shllaku, aktorë të njohur të Teatrit Kombëtar, Ema Andrea, Neritan Liçaj, Agron Dizdari, kritikë letrarë, Zija Vukej dhe me praninë e medias, në Festivalin e Poezisë konkurruan 18 poetë, shumëllojshmëria krahinore e të cilëve në këtë edicion ishte edhe më e larmishme se vitet e kaluara. Gegë e toskë, performuan vargjet e tyre mbresëlënëse me premtimin se ky aktivitet do të rrokë rreth vetes edhe të tjera pena pikante. Erisad Lugjaj, Elida Rustja, Gejsu Zaja, Irgen Dragovoja, Melita Vjerdha, Stela Franja, Arjola Zadrima, Alban Bala, Albina Gjergji, Ela Masllov, Qazim Çela, Alban Tufa, Elvis Ndoja, Kaltrinë Lohaj, Nerinda Hysa, Z., Xhensila Luka, Denada Makaj, Valter Kodra, ishin finalistët e përzgjedhur nga disa faza paraseleksionuese, të cilët përcollën tek publiku botën e tyre mes vargjesh. Një botë plot ngjyra e metafora. Një botë plot diell e hënë. Një botë plot gegë e toskë.

E ndërsa kritika letrare tha fjalën e saj për secilën nga poezitë e interpretuara, fituese e çmimit të parë u shpall Arjola Zadrima, njëkohësisht fituese edhe e çmimit të Medias. Në vendin e dytë u rendit autori, Alban Bala e në të tretin, Elvis Ndoja. Duke duartrokitur fituesit dhe finalistët e tjerë, poeti i mirënjohur, Primo Shllaku në fjalën e tij tha se, këto poezi e autorë duhet të botohen patjetër, pasi bëhet fjalë për kualitete shpirtërore e botë të madhe letrare. Pas aktivitetit u mbajt edhe një kokteil mes poetëve, organizatorëve të Festivalit të Poezisë së Pabotueme dhe pjesëmarrësve të shumtë. Në këtë Festival që mban firmën “EKO Mendje”, kjo e fundit mori ftesë që i radhës të mbahet në Mal të Zi, Lezhë, ose Tiranë. Regjisorja e aktorja Ema Andrea dhe Neritan Liçaj vlerësuan Festivalin e Poezisë së Pabotueme si një event mjaft interesant dhe që Shkodra si djep i kulturës di të organizojë e vargëzojë bukur.

SHKARKO APP