Më bëj që të rri në shtëpi

Nga Kastriot Kotoni-
“Shikimi Përtej Orës” me autore Brixhilda Verri Kajmaku.
“Miku më i mirë është ai që më çoi drejt një libri të ri”, – A. Linkoln.
Sipas “Teorisë së letërsisë” roli i lexuesit në veprën letrare u shfaq kryesisht në çerekshekullin e kaluar, mbasi kishte kaluar periudha për interesimin e autorit, pra shkurt u rrit numri i lexuesit rudimentar për një shekull, derisa erdhëm tek lexuesi i cili njeh kodet letrare, sepse të lexosh duhet të jesh i familjarizuar me teknikat letrare, me rregullat që na ndihmojnë që të zbulojmë kuptimin, por siç po shohim rëndom në media tona të gjithë shqiptarët shfaqen pas biblotekave të areduara me stil dhe thirrjes për të rigjetur librin si mikun e vyer në këto ditë karantine shqiptarët nuk po i përgjigjen. Libri në Shqipëri i është gjendur shqiptarit në ditë të këqija, mjafton të tregojmë vitin e hidhur 1997, ku e vetmja shpresë dhe kurajo vinte nga leximi i librave sepse të fëshëllente plumbi në vesh dhe shumë viktima të asaj lufte pa kuptim erdhën nga këta politikanë të papërgjegjshëm të cilët erdhën në pushtet me urrejtjen ndaj librit, kujtoni djegiet e librarive në vitin 1992 dhe e mbyllën po me djegien e biblotekës së Universitetit Bujqësor Tiranë. Duhet netë dimri për të treguar sjelljen e politkës shqiptare në këtë shekull, a thua se u harruan djegiet, sekuestrimet, burgosjet e shkrimtarëve, lexuesëve e botuesve, çensuruesve këtë e kemi si fenomen të trashëguar nga pushtuesit e ndryshëm. Ndaj them që të mbash shqiptarin në shtëpi, ku rëndësia e librit ka rënë përtokë, se do hapeshin kazino pafund e jo të ishte shtuar numri i librarive dhe biblotekave, u ngritën shtëpi botuese sipas mbështetjes politike dhe korrupsionit në tenderat e librit shkollor, u hapën panaire libri si panaire universitetesh dhe si tribuna politike. Sot e duam librin për ta përdorur si komardare për të shtyrë ditët e karantinës, vonë shumë vonë dhe gati paradoksale. Shijoni më mirë pltatformat dixhitale, mbani ndonjë kuti tavlle në krahë, se edhe loja e shahut po shkon drejt zhdukjes, fusni në xhepa ca gurë dominoje apo ndonjë pako me letra bixhozi dhe kufjet në vesh tek digjoni muzikë tallava, se ndryshe si shpjegohet që në këtë vend është rritur numri analfabetëve? Po meqë akoma nuk është shuar fara e lexuesve të librit ndër ne mendova të shkruaja disa rreshta për një libër të ri sepse fundja ne nuk kemi pritur pandeminë për të lexuar e të qëndrojmë në shtëpi pa kurrëfarë kënaqësie, tash edhe kënaqësinë që na jep të lexuarit e të shkruarit e propozojnë si shpikje origjinale dhe larg mos qoftë na kthehen kohët e leximit të detyrueshëm, por të mbarojë sa më shpejt kjo situatë karantine e të performojnë me celularin më të fundit e makinë me pilot automatik e paketa turistike që i dërgojnë njerzit rreth botës apo pse jo edhe në hënë.
Në këto ditë ku njëkohësia dhe bashkëkohësia janë thuajse të njësuar me të tashmen e pandemisë së koronavirusit në të gjithë botën, kur e gjithë bota është në kërkim të një historie, ose dukurie të ngjashme me këtë fenomen, ku humbja e jetës ka shkaktuar jo pak viktima, por edhe pasojat e saj kanë përcaktuar fatin e njerëzimit. Shkrimtarë të ndryshëm kanë përshkruar gjendjen shpirtërore të popujve në kohë të ndryshme, që nga Bokaço me romanin e tij të famshëm “Dekameroni”, Kamy me romanin “Myrtaja” e Markez me romanin e tij “Dashuri në kohën e kolerës”, por thellësisht i bindur se nuk është një artefakt romani “Shikimi Përtej Orës” i një shkrimtareje të re si Brixhilda Verri Kajmaku me një parathënie të jashtëzakonshme të dramaturgut Fadil Kraja. Vonesa, si një krimb që bren lëvozhgën e trupit për të arritur në palcën e tij, pra për ti marrë jetën, bëhet lajtmotiv, nganjëherë shpesh i frikshëm i krejt romanit, shkruan në parathënien e këtij romani i madhi Fadil Kraja në janar të vitit 2017. E zgjodha këtë roman, sikur e shkruan edhe dramaturgu i shquar Fadil Kraja në parathënien e këtij libri, sepse kemi nevojë për një roman të tillë, kaq elegant dhe aq mësimdhënës. Faleminderit Xhilda që na mundësove që edhe ne “Të shikojmmë përmes orës”.
Në faqet e para të romanit jepet një personazh i rënduar psikologjikisht me emrin Bora, e cila vuan nga epidemia e “vonesës”, që bashkëqytetarët dhe bashkëmoshatarët e saj nuk e shohin. E tashmja funksionon si një funksion kronosi, ku ditët i ngjajnë njëra-tjetrës së bashku njëkohësisë së një ditë-diellore pa natë. Ndërfutja e personazheve të tjerë, që lidhen me personazhin qëndror Borën, është edhe çelësi i suksesit të shkrimtares, që në një roman prej 100 faqesh ka ditur të shprehi nëpërmjet intuitës së saj dhe me figuracion çdo detaj të personazheve. Shkrimtarja ka ditur të ndërtojë konfliktin emocional si pjesë të zbërthimit të ideve të saj nga goja e personazheve, por edhe e ka mbajtur lexuesin përherë të ngjitur pas makthit që krijohet nga situatat “surreale”. Absurdi i një kohe ku njerëzit ecin pas fitimit e pas të mirave materiale duke nxituar, se gjithmonë janë të vonuar, është momenti i virusit të “Vonesës”, i cili dalëngadalë fillon e shtrihet në të gjithë popullsinë e qytetit. Pika kulminante, ku personazhi i parë, ose siç thuhet tani “pacienti zero” është viktimë e virusit të “Vonesës”, është gjetja autentike e shkrimtares së talentuar Brixhilda Verri Kajmaku. Psikologia Nilda, ngjan me mjekët e sotëm heronj, por edhe ajo është drejt humnerës, gati që ti falet këtij virusi alogjik, dhe një dorë e shtrirë nga jashtë e shpëton nga kthetrat e gjykimit, paragjykimit dhe opinionit. Tërheqja e shkrimtares në honet e psikoanalizës e çojnë lexuesin shumë larg dhe falë orientimit artistik ajo ka zgjidhur situata shumë delikate, mes paralelizmave të personazheve që i ka vënë në krah të njëri-tjetrit. Shumçka në roman është edhe pak si në letërsinë e Dostojevskit po ashtu edhe të Kafkës dhe Kamysë e cila shprehet nëpërmjet monologjeve dhe dialogjeve të personazheve. Kompozicioni i veprës është ndërtuar sipas kapitujve me emëra e përshkruar me ndjenjë të thellë, dhe me figurshmëri, personazhet kanë ngjyra e karaktere të ndryshme plotë drithije në ndërgjegjen e tyre të dhëna mjeshtërisht nga autorja. Nilda dhe Beniani janë në të njëjtin burg si qenie trup e shpirt, po me pozita të ndryshme, ajo si e burgosur ai si roje burgu. Shpirtrat e të rinjve flasin me simbole ato përballen me shumë vështirësi, të cilat janë sa njerëzore, aq edhe absurd të një kohe absurde ku opinioni të dënon sipas dëshirës së ashtuquajturit “Virus” i cili u bë shkak për vdekjen e Borës. Dera e hapur për opinionet e rëndon shumë edhe gjendjen e familjarëve të viktimave dhe kështu autorja e përcjell me një shtrirje emocionale që e çon në ngjitje aktin e pendesës së prindërve të Borës, të cilët ia kishin vënë fajin për vdekjen e saj psikologes Nilda, si i fundmi njeri të cilën ajo kishte takuar.
Ndikimi i virusit në qytet kishte ndarë njerëzit në dy opinione dhe ai kishte rrezik të shrihej edhe më tej, por edhe pse mbaheshin manifestime proteste dhe zhvilloheshin debate televizive ato nuk po ndikonin më për të ulur numrin e të prekurve nga virusi i “Vonesës”. Diskursi i shkrimtares ka vënë në gojën e Benianit, emrin e një personazhi si hetuesi Lenci, i cili nga dilemat e tij për ti shpëtuar kësaj gjendje të rënduar të qytetarëve të këtij qyteti sheh një dritë shprese falë egos profesionale. Tundimi për ta mbaruar këtë roman sa më shpejt e për të arritur finishin e ngjarjeve me shumë makthe psikologjike të përshkruara me mjeshtri nga autorja, të shtyn ta rilexosh si kurrë ndonjiherë një libër e veçanërisht në këto kohë plotë dilema e pa përgjigje. Hetuesi i policisë heton, sikundër doktorët që kontaktojnë me të gjithë personat që ka kontaktuar “pacientin zero”. Hetuesi ka shansin ose të bëhet viktimë e virusit ose të gjejë forca të shpëtojë të afërmit e tij dhe veten, duke u distancuar nga njerëzit e infektuar dhe të rigjejë veten si një profesionist i regjur. Autorja e këtij libri me titull “Përtej Orës” ia beson zgjidhjen e kësaj enigme shkencës. Ajo vë në gojën e peronazhit të saj, hetues Lencit këto rreshta: – Kur mora përsipër ngjarjen e shumë dëgjuar iu përkushtova me mish e me shpirt. E arrita përfundimin e mbeta i kënaqur. Arrita ta identifikoja alfën, identitetin e vonesës. Jo vetëm kaq, por edhe banesën e tij. Agremistianin si një personazh e ndeshim rrallë në letërsinë artistike, veç në filmat e Hollivudit, por kurrsesi në historinë e letërsisë shqiptare. Autorja ka gdhendur me mjeshtri, si asnjë shkrimtarë tjetër, njeriun viktimë të fatit të tij i cili në tërë metafizikën e tij, si trupore dhe shpirtërore ka shtrirë tentakulat si të një përbindëshi duke shpikur virusin e “Vonesës” si një akt shpagimi për t’i bërë njerëzit që të nxitojnë, sepse janë gjithmonë vonë, që të kishin si ai orën e dhimbjes, trishtimit, dështimit dhe vdekjes. Shembujt si tek temat romantike të shkrimtarit Hanry James dhe shumë shkrimtarëve të tjerë të cilët me vdekjen e personazhit të tyre e bëjnë atë të kthehet në një shkak absolut për papranueshmërin e jetës. Për më tepër se kaq: Vdekja është burim i jetës, dashuria lind nga vdekja, në vend që ajo ta ndërpres atë, kanë ndikuar edhe në këtë roman të Brixhildës. Intriga është thurur me shumë inteligjencë nga autorja, çdo fjalë dhe vepri im i personazhit ka rëndësinë e vetë.
Për të shprehur në fund të fundit, se ishte forca e dashurisë së Benianit për Nildën, e cila shëmbi çdo vështirësi dhe triumfoi mbi të keqen, në analogji me kohën e sotme, ku vetëm forca për të dashur tjetrin do të na çojë drejt një fitoreje me këtë pandemi botërore.
Përgatiti: Kastriot Kotoni.

SHKARKO APP