Më duket se edhe sot Gjokë Beci ndëshkohet dhe fluturon

 

Pasnesër, në Fishtë, vendlindja e poetit të madh, Gjergj Fishta, miq të poetit Gjokë Beci, mblidhen dhe kujtojnë, jo vdekjen e tij, por kulmin e krijimtarisë së tij të titulluar "Një zambak i bardhë mbi gur". Një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt, kantautori Kolë Zefi (autor i këtij shkrimi), ka shkruar mbresat e tij, vende- vende edhe të hidhura nga trishtimi që poetin nuk e ka më pranë. Por edhe nga neveria e atyre që e dënuan politikisht poetin sa ishte gjallë.

Kolë Zefi më dërgoi shënimet e tij me dëshirën për t'i publikuar në gazetën KJ.

Ja ku janë shënimet e mikut të Gjokë Becit.

Frrok Çupi

_________________________________________

Nga Kolë Zefi

Kantautor

Edhe sot më bëhet se po dënohet kënga e Gjok Becit. Aq shumë u dënua dhe u vërtit portave të Ferrit gjatë kohës së diktaturës komuniste…

Është një fakt shumë i rrallë, kur analizon se si u dënua kënga e poetit të madh, Gjok Beci… Për një fjalë gojë.

Aq më tronditëse është se me sa kujdes u përgatit kurthi. Nga një mbrëmje e gëzuar me shokë, të nesërmen në mëngjes Gjokë Beci u ndodh në birucë e pastaj në punë  "riedukimi" në një ndërmarrje ndërtimi.

 Po kujt i shkeli në kallo Gjok Beci? I shkeli në kallo Stalinit dhe stalinizmit… Cilit i zuri diellin? Iu zuri diellin stalinistëve… Po kujt i interesonte dënimi i tij?… Iu interesonte atyre që nuk iu interesonte arti, as kultura, as njeriu, as identiteti…

Apo, të paaftët që e shikonin Gjokën të rritej para syve të tyre duke rrezatuar me poezinë e tij një energji të madhe?!  Me vargjet e tij monumentale krijonte një barrierë të pakapërcyeshme për mediokrit e kohës, prandaj duhej "eliminuar".

Kam qenë prezent kur njeri prej këtyre i tha “Artistit të Popullit” Çesk Zadeja:

– Gjoka është i talentuar, por fluturon!.

– Po, tha i madhi Zadeja, menjëherë. Po tha,  ai fluturon me të vëretetë dhe fluturon deri tek një shtresë e jonizuar në qiell, sa kam menduar se po të kisha fat të fluturoja dhe unë atje, atëherë unë do t'i kisha shkruar vargjet madhështore:

"Po ku ka si ti o Shqipëria ime!/ O kreshnikja përmbi gur/ Rrjedh në këngë e ligjërime/ Ballëlarta me flamur"

Kështu strategjia e tyre për të bindur opinionin dha efekt të kundërt. Por ata nuk humbën kohë, kaluan në variantin "B".

Kurthi:

Gjoka punonte shumë. Ai e donte shumë Fishtën, Naimin, Kadarenë. Ai ishte një atdhetar i madh. Ai njihte palcën e këngës burimore mirditore dhe shqiptare. Ai jetonte me poezinë, e shkruante atë, e rishkruante, e limonte, e konturonte dhe i jepte shpirt asaj. Dhe pastaj dilte po me atë frymëzim dhe ua lexonte njerëzve poezitë e tij.. 

Atë natë kurthngritësit e pritën deri vonë  që Gjoka të dilte nga zyra e Shtëpisë së Kulturës, ku punonte dhe e ftuan për kafe. Gjoka pranoi menjëherë. Ai rrinte me të gjithë. Ishte i dashur, zemërmirë, i ditur dhe ngjarjet dhe fenomenet i analizonte. Ata i dinin këto fakte dhe në bisedë e sipër i thanë:

– Fëmija është enigmë, nuk dihet kurrë se ç'bëhet.

– Jo -tha Gjoka,- fëmija dihet se ç'bëhet, po ta çosh në shkollë për pilot, bëhet pilot, po ta çosh në shkollë për shofer bëhet shofer.

Ata e kundërshtuan duke thënë se ajo që thanë e kishte thënë një njeri i madh. Gjoka tha:-Kushdo që e ka thënë, paska qenë gomar.

Ata menduan me vete: "Bingo!" dhe ju hakërruan Gjokës."Ti leckë ke guxim t'i thuash gomar Stalinit"

Gjoka shtangu.

Ata lajmëruan urgjent sigurimin dhe komitetin e partisë. Byroja u gdhi në një mbledhje të gjatë. Dhe Gjoka përfundoi i internuar në Ndërmarrjen e Ndërtimit në Mirditë. Tani, mediokërve nuk kishte kush tua zinte diellin më. Ata vazhdojnë të kënaqen me "gabin" e mediokritetit të tyre edhe sot e kësaj dite, duke shfrytëzuar punën e të talentuarve, si hienat që grupohen për të rrëmbyer gjahun e luanit.

SHKARKO APP