Më falni, a lexoni shqip?

NGA ALBERTA KAMENICA

Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Librit! Sa herë që kremtohet ndonjë gjë në lidhje me librat ndihem pak në faj. Jo se nuk lexoj më sa më parë, jo se kam me dhjetëra libra të paprekur në shtëpi e vijoj të blej të tjerë, jo se vazhdimisht këmbej fletët për minutat torturuese online; ndihem në faj sepse nuk lexoj shqip!

Më kuptoni drejt. Autorët që më interesojnë mua, e zëmë janë nga Franca a Japonia dhe kur hap faqen e parë, vë re që një libër që më tundon është përkthim i një përkthimi. Një mëkat. Preferoj ta lexoj në anglisht, që është thjesht një përkthim në vend të dy, por sidoqoftë, s’të godet njësoj si shqipja. Pastaj, e kam të vështirë të di ç’vlen të lexohet nga autorët shqiptarë e çfarë jo. Kritika letrare në vend, le të themi që mungon.

Më vjen keq që jam kaq e ftohtë ndaj kulturës së vendit tim, por të paktën po përpiqem.

Këtë 23 prill kërkova ndihmën e Kasandra Dragobisë, guruja ime dhe e shumë të tjerëve kur vjen puna te kultura, muzika, letërsia, memet e horoskopi. Kasandra është një puhi e freskët në Instagram. Në fjalët e saj, “Kasandra Dragobia në kohë të lirë, pasi ka rregulluar hesapet me kyltyrën dhe letratyrën, shkon në Krastë dhe sodit kumuriat. Në çdo stinë dëgjon këngët e Armend Rexhepagiqit dhe nuk ka qejf t’i mbajë flokët gjatë si ai.”

Ajo më sugjeroi titujt e mëposhtëm nga autorë shqiptarë. Me përjashtim të “Letra grues seme të vdekun” që është shkruar në gjermanisht nga Gjadri dhe “Perfectum Trinitum,” në italisht, gjithë titujt e tjerë janë shkruar shqip nga autorë shqiptarë.

“Netë shqiptare” nga Mitrush Kuteli

“Rrathë”/Tregime/Novela nga Martin Camaj

“Nata me hënë”/”Pallati i Ëndrrave” nga Ismail Kadare

“Bëhu i bukur” nga Mimoza Ahmeti

“Sy” nga Ardian Christian Kyçyku

“Mjaltë në teh” nga Romeo Çollaku

“Letra grues seme të vdekun” nga Gjovalin Gjadri

“Gjumi mbi borë” nga Ridvan Dibra

“Romani i lumturisë” nga Gazmend Krasniqi

“Secili çmendet simbas mënyrës së vet” (3 vëllime) nga Stefan Çapaliku

“Murgu” nga Artan Fuga

Nëse jeni të dhënë pas poezisë:

“Negative Space” dhe “Homo Antarcticus” nga Luljeta Lleshanaku

Ose, një botim i ri në treg, “Perfectum Trinum,” një përmbledhje poezish nga Eugenio Montale, Salvatore Quasimodo dhe Giuseppe Ungaretti, shqipëruar nga Zef Zorba.

Po qetë me fat, kërkoni nëpër bukinista a në ndonjë qoshkë të qytetit libra të Anton Pashkut si “Tregime Fantastike.” Një ditë do t’ua kërkojnë botimet e vjetra me lutje.

SHKARKO APP