“Me libër shpije”, si lindi shprehja e famshme shqiptare?

Të gjithëve u ka rënë rasti me siguri për ta përmendur njëherë në jetë shprehjen e famshme “me libër shpije”, e në mos ta keni përdorur e keni dëgjuar.

Por kjo shprehje që konsiderohet si banale nuk ka lindur nga një shkak banal.

Në të vërtetë ajo e ka prejardhjen vërtet nga Libri i Shtëpisë, një mjet kontrolli i banorëve të Shqipërisë dhe lëvizjeve të tyre.

Këtë informacion e ka bërë të ditur Drejtoria e Pergjithshme e Arkivave, teksa ka postuar në faqen e vet të Facebook foto me librin në fjalë.

Libri i Shtëpisë ka qenë në fakt një regjistër, në të cilin shënoheshin të dhënat personale të banorëve të shtëpisë si dhe të personave që banonin në të për periudha të përkohshme. Filloi të përdorej pas Luftës II Botërore, deri në mes të viteve ’60.

Siç shkruan Drejtoria e Arkivave, libri mbahej në banesë, por administrohej nga punonjësit e Ministrisë së Brendshme, të cilët dhe certifikonin vërtetësinë e të dhënave përmes nënshkrimit dhe vulosjes.

Në fotot e mëposhtme shihni Librin e Shtëpisë të Kuvendit Françeskan të Shkodrës. Si kryefamiljar (pavarësisht se nuk kemi të bëjmë me një familje) është regjistruar David Pici.

Mes emrave të banorëve veçojmë At Justin Rrotën, klerik dhe gjuhëtar, apo At Zef Pllumin, klerik dhe rrëfimtar i krimeve të komunizmit.

SHKARKO APP