Me lule në duar, burrat shqiptarë nuk fshehin emocionet për Shën Valentin
“Dashuria dhe qielli e bëjnë njeriun qiellor”, do të thoshte Shekspiri. Në këtë ditë me shi, shqiptarët si çdo vit tjetër e kanë pritur festën e të dashuruarve “Shën Valentin”, në rrugët e kryeqyteti me lule në duar dhe përqafime të cilat duket se këtë ditë marrin tjetër kuptim. Të privilegjuarat e kësaj feste duket se janë femrat dhe meshkujt të zhveshur nga paragjykimet i shikon me lule dhe dhurata të ndryshme. Tomorri thotë për “Shekulli”-n se ka 30 vite martesë me bashkëshorten e tij. Ai tregon se në çdo vit i ka dërguar lule dhe pse e pranon që dhuratat për njeriun më të shtrenjtë duhen me shpesh. “Bashkëshorten e kam marr me dashuri. U njohëm në gjimnaz, më pas vazhduam fakultetin bashkë. Sot punojmë në të njëjtin vend. Nga kjo marrëdhënie kemi sjell në jetë dy djem”, thotë ai. Në fjalën e tij 55-vjeçari tregon edhe momentet e vështira me të cilat jeta i ka përballur, por kanë zgjedhur të jetojnë çdo të mirë dhe të keqe bashkë. “Duhet të jem më i kujdesshëm ndaj saj. T’ blej lule më shpesh”, thotë ai.
Problemet
Arbeni është një tjetër burrë i cili sot ka dalë në sheshin “Skëndërbej”, për t’i blerë lule të fejuarës së tij. Ai thotë se është viti i dytë që feston me të fejuarën dhe emocionet janë të papërshkrueshme. ” Kam dalë t’i blej lule sot. Po e deshe një njeri “Shën Valentin”, është çdo ditë, por festat duan edhe lekë. Të ardhurat nuk janë fort të mira dhe qejfet nuk i plotësojmë dot gjithmonë”, deklaron ai. Sakaq thotë se përkushtimi ndaj kësaj feste, duket se po e humbet shkëlqimin nga viti në vit. “Ekonomia është e dobët, pas këtij fakti vijnë zinxhir të gjitha gjërat e tjera. Këto hallet, problemet e përditshme ndonjëherë na bëjnë të dalim nga vetja dhe të bëjmë veprime që nuk na lënë hapësirë më pas për të festuar. Me çfarë shikoj nga vitit në vit, jo vetëm kjo festë por të gjitha në këtë vend po zbehen. Nuk ka më gjallëri, nuk ka më dëshirë. Shqiptarët duan të ikin. Kjo është festa më e madhe”, thotë ai.
Shitësit
Tregtarët e luleve duket se janë njerëzit më të përkëdhelur të kësaj dite. Ata thonë se interesi për të blerë është i madh, por në fund maksimumi që munden të bëjnë qytetarët është të marrin dy apo tre trëndafila. Afërdita tregton prej vitesh tregton lule, duke bërë edhe krahasimin e shitjeve ndër vite. “Këtë vit kanë munguar buqetat. Maksimumi blejnë dy apo tre lule, kryesisht karafila pasi është lulja më e lirë”, thotë ajo. Më tej shton se moshat që preferojnë të bëjnë dehurat lulet janë nga më të ndryshmet. “Moshat janë të ndryshme. Më së shumti janë meshkujt që blejnë lule, por nuk kanë munguar rastet kur edhe femrat kanë zgjedhur të bëjnë dhuratë buqeta aspak modeste” përfundoi ajo.
Historia
Shën Valentini ishte një shenjtor i cili jetoi në shekullin e tretë në Romë. Ai u lidh që nga mesjeta me simbolin e dashurisë së sinqertë. Asgjë nuk dihet me siguri për të, përveç faktit që quhej Shën Valentin dhe se vdiq më 14 shkurt në rrugën “Flaminia” në veri të Romës. Dita e Shën Valentinit festohet në shumë vende të botës edhe pse është një ditë pune. Kjo ditë u lidh fillimisht me dashurinë nga vargjet e Xhefri Kaucer në mesjetë, kohë kur lulëzoi tradita e romancës. Simbolet e ditëve të sotme për Shën Valentinin janë zemrat, pëllumbat dhe engjëlli Kupid. Në shekullin e 19, dedikimet për Shën Valentinin jepeshin përmes kartolinave, të cilat u bënë shumë popullore. Sot mesazhet jepen nëpërmjet rrjeteve sociale, fotove dhe dhuratave të cilat duket se minimizohen nga viti në vit.
Burimi: Gazeta Shekulli