Me rastin e 70 vjetorit të rënies së Marie Shllakut

“Kosovë, Gjaku im t’u baftë dritë! Maria”

Prizren, -1946- Lufta e Dytë Botërore, me përfundimin e saj, ka shndërruar fytyrën, klimën e më në fund edhe shpirtin e kësaj toke. Ndoshta diku është sqaruar qielli, mbretëron paqja dhe shpirtrat janë gjallëruar; jo vetëm diku, por në më të shumtët e vendeve. Në Kosovën tonë veç jo kështu. Për tre vite ajo ndenji në gjirin e nënës Shqipëri e, ndonëse nën okupimin e huaj, ajo kështu qe më e kënaqur se sa nën robërinë serbe, sepse pa nënë je jetim. Gjithë bota e festoi fitoren e luftës por jo Kosova. Sa e tmerrshme: të ndahesh nga nëna do të thotë të veçohesh edhe nga bota. Për Kosovën kish filluar një kalvar i ri. Ky nuk vinte vetëm nga sllavi, por nga sllavi komunist; gjëmë kjo e dyfishtë.

Po i shkruaj këto radhë duke pasur përpara portretin e një vajze të hijshme, të cilin e përshkon një buzëqeshje melankolike. Sa shumë flet nuri i kësaj fizionomie! Do të ish vështirë të shpjegohej se si ata sy të zinj aq të bukur të një femre, të shfaqin tinëzisht shkëndinë e një shpirti heroik. Aty pasqyrohej ndoshta edhe fati i saj: hiri i bukurisë, bashkuar me madhështinë stoike të martirit. Qe një lule në pranverën e jetës, një lule që u këput nga një dorë mizore, një lule e moshës së re, 24 vjeçarjaMarieShllaku. E lindur ne Shkodër, shkoi në Kosovë me mision atdhetar. Gjatë luftës ushtroi aktivitet antifashist, ndërsa pas ripushtimit sllavokomunist të Kosovës, ajo u hodh në ilegalitet si një nga organizatoret kryesore të lëvizjeve, që çuan në kryengritjen e famshme të Drenicës, të udhëhequr nga heronjtë legjendarë Shaban Polluzha dhe MehmetGradica.

Ja ç’thotë ajo për misionin e saj të shenjtë: “Unë do të qëndroj nëpër male si trimja Nora Kelmendi dhe Shote Galica, dhe do të luftoj për Kosovën si amazonë deri në pikën e fundit të gjakut”. –(cit. Nga libri MarieShllaku i I.Metajt, f.16). Po, jeta e kësaj ZhanD’Arke shqiptare, sado e shkurtër, është e dendur me ngjarje; është të thuash një epokë. Kjo figurë e virtyteve të rralla, radhitet mes figurave më të shquara patriotike të periudhës së luftës dhe sidomos pas asaj, në rajonin e Kosovës.

Duke menduar kështu, më rrëmbeu kujtimi me flatrat e tij magjike dhe më ktheu 70 vjet prapa duke më çuar në qytetin ku kam kaluar fëmijërinë, në Prizren, në shkollën që ndiqja dhe pikërisht në atë sallë ku u zhvillua gjyqi i Maries.

Isha 15 vjeç atëherë dhe nuk e dij nëse fati më dhuroi atë hir për të cilin Dostojevski ka thënë që një kujtim i shtrenjtë i fëmijërisë, lot rol më të madh se sa edukata e një jete të tërë. – Nuk dij, veç që, si çdo njeri, kam harruar shumë gjëra të jetës, por episodin që dua të tregoj këtu, nuk kam mundur ta harroj kurrë. Mirë thotë një fjalë e urtë gjermane: “Të harrosh është shpesh më e vështirë sesa të kujtosh”. Mirë pra, unë qesh i pranishëm në gjyqin e tre udhëheqësve të kryengritjes së madhe të Drenicës që u mbajt në vitin 1946 në Prizren. Gjykoheshin tre burra dhe një grua: një katërshe(*) vetëmohimi të rrallë. Portreti që kam përpara është i asaj që kam parë të gjallë para 70 vjetëve në atë grup. Oh, ajo megjithëse vajzë e re, nuk dukej më e tillë!

Ajo u kap e plagosur rëndë dhe para se të dilte aty, në atë gjyq, kish përshkuar ferrin e hetuesisë, i cili ia kish djegur freskinë e moshës që paraqet portreti që shoh tani. I kish mbetur porse, ajo esencë që nuk digjet, që nuk fiket, që nuk mposhtet: drita e bindjes ndaj një feje, ndaj një dashurie jo tokësore, po sublime; ajo tani ishte një apostulle e shqiptarizmit. Këtij ideali ajo ia kushtoi rininë dhe tani, në bankën e të akuzuarve, po priste të flijonte edhe jetën për të. Fytyra e saj ish asketike, thatime dhe e zbehtë, në kontrast ekstrem me flokët dhe sytë e saj të zinj. Vihej re një e grisur e lehtë në supin e bluzës së saj të bardhë. Përballë, si zakonisht, qëndronte trupi gjykues ku spikaste figura e prokurorit. Ai kish së pari pamjen e një borgjezi plot shëndet; pastaj të një intelektuali që e fliste shqipen me elokuencë. Tek e shihja, mendoja: një shqiptar që e flet gjuhën amtare kaq bukur të jetë kaq antikombëtar? E quanin AliShukriu. Më së shumti, ky ia drejtonte pyetjet Maries. Ja një pjesë e dialogut që mbaj mend:

Pyetje: Çfarë kërkonit ju në atë kryengritje?

Përgjigje: Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Pyetje: Për çfarë regjimi mendoni ju?

Përgjigje: Për një republikë demokratike si ajo e Nolit.

Pyetje, – Prokurori: Po Fan Noli e ka lavdëruar regjimin e sotëm në Shqipëri me Enver Hoxhën në krye, i cili siç dihet është me ne.

Maria heshti pak kokulur sikur ra në mendime e pastaj, rrëmbimthi ngriti kokën në shenjë sfide e tha me zë të lartë:

-Sido që të jetë, Kosova duhet të jetë e pandarë nga Atdheu!

Duke thënë këto fjalë, ajo i ra fort tavolinës me grusht. Nuk mbaj mend më tej, veçse atëherë m’u duk se nga krisma e atij grushti, ushtuan malet e grykat e Kosovës dhe jehona përshkoi anembanë Shqipërinë. Ata të katër u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan.

Ata qenë katër yje që zunë vend në qiellin e lavdisë shqiptare, e aty ku është më e errët nata, aty ndrisin më shumë yjet…

Pastaj, “nuk ka natë që të mos gdhijë, sado që të jetë e gjatë” – (Shekspir). E kur të arrihet kjo, atëherë do të shndërrohen në rreze dielli, të atij dielli që do ta ndriçojë përjetë Shqipërinë e bashkuar etnike.

Islam Spahiu

(*) Është fjala për katër persona që u gjykuan në Prizren më 1946, këta ishin:

1- MarieShllaku 24 vjeç

2- At Bernard Llupi 60 vjeç

3-Kol Parubaj 40 vjeç

4- Gjergj Martini 29 vjeç.

 

SHKARKO APP