Mediokriteti në letrat shqipe

 

"Në panairin e fundit të librit pamë të shiteshin si petullat, librat e disa letrarëve që po bëjnë çmos të ngrihen në nivelin e ëndërruar të shkrimtarit mediokër (nuk shiteshin mjeshtra si Borges, Joyce apo Rulfo, por shiteshin ata!) pikësynim për të cilin po punojnë shumë, çka se janë ende larg. Mes tyre ka edhe njerëz të politikës, të gazetarisë, të Facebook-ut, e të tjerë. Janë lëshuar të gjithë me lugë në brez në gjolin e letërsisë shqipe, me shpresën se është bërë kos. Çfarë qyfyresh estetike! Çfarë gallate tragjike"…

Nga Shpëtim Kelmendi

Sa herë duam të përkufizojmë mungesën e talentit dhe nivelin e ulët estetik të ndokujt në fushën e arritjeve të artit apo të kulturës, rëndom na pëlqen të përdorim termin “mediokër”. Duke shqiptuar këtë term, mendja na thotë se i kemi larë duart me individin të cilit ia mveshim, dhe kujtojmë se e kemi përulur sa më s’ka. Në fakt, shpeshherë, me apo pa vetëdije, ne i mveshim akshit një cilësi që, s’duhet të jemi edhe aq të sigurt se e zotërojmë edhe ne vetë.

Gabojmë goxha rëndë, nëse mëtojmë ta përdorim termin “mediokër” në cilësinë e asgjësimit tërësor estetik të dikujt, kur në fakt, ky term do të thotë thjesht mesatar. Por, të jesh mesatar, ju duket vërtet diçka e kollajtë? Kurrsesi jo. Do të thotë të jesh diçka. Për ta merituar këtë emërtim, duhet shumë punë dhe përpjekje serioze. Sepse një mediokër është i përkushtuar, i kulturuar dhe jo pa talent. Talent mediokër, por ama talent!

Duhet të tregohemi të përmbajtur për të thënë se kultura dhe arti ynë e meritojnë të quhen mediokre, sepse kësisoj u japim një vend të rëndësishëm në hapësirën kulturore të rajonit. Mediokri përbën një vlerë që s’mund të konsiderohet dhe aq kollaj e paanshkalueshme. Mediokriteti ka arritjet e veta. Mediokriteti është diçka. E, nuk mund të ndjehemi edhe aq të sigurt se kultura dhe arti ynë është diçka. Sigurisht, ne themi po, jemi diçka, por rezultatet na kundërshtojnë me tërë forcën. Parë nga ky këndvështrim, të thuash për shembull se “Realizmi socialist arriti të prodhonte vetëm art mediokër”, është shumë e gabuar. Shprehja e duhur do të qe: “Ajo që arriti të prodhonte realizmi socialist nuk ka kurrfarë lidhje me artin, por është thjesht një bullshit i organizuar në mënyrë militare”. Kësisoj, mediokër mund të quajmë vetëm dy a tre më të mirët e kësaj gjëje apo gjëme të realizmit socialist, që gabimisht qe quajtur art.

Sot, nëse quajmë dikë shkrimtar-mediokër, kemi treguar respekt për të, sepse e kemi quajtur shkrimtar. Shtresa tjetër nën të është e përbërë

Mes gjithë atyre individëve shqiptarë që kanë vendosur ta çojnë jetën dëm duke u marrë me art, mbase vetëm nja njëqind syresh meritojnë mbase të quhen mediokër, kurse rreth nja dhjetë të tjerë mund të kuturisim t’i quajmë artistë të vërtetë. Kusuri, jo që s’janë artistë fare, as prej vërteti e as prej betoni, por kurrsesi nuk meritojnë të quhen mediokër, sepse në këtë rast termi do të kishte peshën solemne të një titulli honorifik. Por, pavarësisht faktit nëse duam ta besojmë apo jo, deti as është bërë e as do të bëhet ndonjëherë kos. Në artomaninë shqiptare, që veç shqiptare nuk është për nga vizioni estetik, tematika, stili – përkundrazi, një aliazh i përbindshëm keqkuptimesh, imitimesh e plagjiaturash – është e zorshme dhe pothuaj e pamundur të ndeshësh artistë, vepra e të cilëve zotëro parametrat e një arti bashkëkohor, që lëviz në të njëjtin rrafsh cilësor me vendet e tjera. Është aq e pamundur të hasësh punë origjinale dhe bashkëkohore e njëkohësisht shqiptare, madje aq e pamundur saqë, nëse iu krijohet ndonjëherë bindja e një zbulimi të tillë, besojeni se është thjesht iluzion.

Shikoni letërsinë shqipe! Ende ka letërsibërës që vijojnë të krijojnë të frymëzuar nga shkrimtarë të shekullit XVIII, XIX, duke rrëfyer gjëra të mërzitshme, që s’kanë të bëjnë asfare me shijen dhe ritmin e brendshëm të lexuesit bashkëkohor. Stili i tyre rrëfimor i ngjan një karroce të vjetër që kërkëllin nëpër kalldrëmin tonë mesjetar, a thua se ndërkohë nuk është zbuluar energjia atomike, njeriu nuk ka zbritur ende në hënë, sondat nuk po vrapojnë për në Mars, nuk ekzistojnë ende avionët supersonikë dhe mjetet e stërholluara të komunikimit e të informacionit. Duhet patur parasysh se njeriu i kohës sonë, në rastin tonë lexuesi, nuk jeton më në qyp; ai ka mundësi të mëdha njohjeje, kulture, informacioni, përdor smart phone, I-Pad, e sa e sa mjete të tjera ndihmëse që, sigurisht, jo gjithmonë mund të të japin përparësi. Por, dua të them se, letërsibërësit në fjalë nuk mund t’i trajtojnë këta lexues si veten e tyre, pra si injorantë dhe të prapambetur. E mund ta thuash me plot gojën se injoranca e shkrimtarëve shqiptarë është e pakrahasueshme. Një pjesë e më të përkushtuarve në letërsibërje, arrin deri tek Kamy e Sartri; ca të tjerë mbërrijnë tek letërsia hispano-amerikane, dhe rropaten duke na vizatuar dofarë personazhesh që s’kanë lidhje me realitetin dhe mendësinë tonë shqiptare. Jetojmë në mijëvjeçarin e tretë, njerëz, ndaj bëjmë mirë ta mbajmë parasysh këtë fakt. Shqipëria jonë është një vend që ofron një terren të shkëlqyer për shkrimtarët mediokër. Por, sa keq që i kemi me aq pakicë këta lloj shkrimtarësh.

Në panairin e fundit të librit pamë të shiteshin si petullat, librat e disa letrarëve që po bëjnë çmos të ngrihen në nivelin e ëndërruar të shkrimtarit mediokër (nuk shiteshin mjeshtra si Borges, Joyce apo Rulfo, por shiteshin ata!) pikësynim për të cilin po punojnë shumë, çka se janë ende larg. Mes tyre ka edhe njerëz të politikës, të gazetarisë, të Facebook-ut, e të tjerë. Janë lëshuar të gjithë me lugë në brez në gjolin e letërsisë shqipe, me shpresën se është bërë kos. Çfarë qyfyresh estetike! Çfarë gallate tragjike.

Duhet të matemi para se t’u themi mediokër përdoruesve të artit, individëve që lënë pas dore zanatin e tyre dhe merren me hartime letrare, individëve që përfitojnë nga statusi social, politik, ekonomik, për t’iu imponuar si shkrimtarë të mëdhenj lexuesve shqiptarë, e për t’u “grabitur” paret e ushqimeve në këmbim të librave të tyre të dobët, pa gjuhë, pa stil, pa një subjekt të hajrit, e sidomos të realizuar me një fond leksikor prej 200 fjalësh!

Këtyre individëve u duhet goxha punë për t’u shndërruar në mediokër, por ku i dihet. Mbase ia dalin. Gjithsesi, lind pyetja: nëse janë më pak se mediokër, si duhen emërtuar? Epo, nëse janë më pak se mediokër, nëse letra prodhohet ende nga druri, nëse për të botuar librat e tyre duhen prerë pemët e pafajshme të pyllit, të cilat thithin dioksid karboni dhe na japin oksigjen, atëherë këta letrashkrues duhen emërtuar thjesht  si “zullumqarë ekologjikë”.

Gjithsesi, dashtë Zoti e na shtohen mediokrit, sepse pa këta, të jemi të sigurt se nuk do mund të shtrohet kurrëndonjëherë rruga e vërtetë e artit, rrugë mbi të cilën, në një të ardhme jo dhe aq të largët, do të parakalojnë kalorësit e vërtetë të Urdhrit Estetik: artistët e mëdhenj shqiptarë. (MAPO)

SHKARKO APP