Megalomania e mëmëdhetarëve virtualë

Nga Çapajev Gjokutaj*

Zvicra i thotë lamtumirë Botërorit. Nga reagimet në rrjet kupton se shumë shqiptarë kanë bërë tifo për skuadrën zviceriane.

Është krejt e natyrshme. Kur ka shqiptarë që bëjnë tifo për Brazilin a Francën, për Gjermaninë, Spanjën a Italinë, pse të mos ketë edhe për Zvicrën?

Për më tepër se në kombëtaren zviceriane u aktivizuan me dinjitet katër lojtarë me origjinë shqiptare.

Gjoba për shqiponjën e Shaqirit dhe të Xhakës në ndeshjen kundër Serbisë, pas gjasash ishte një faktor plus që i nxiti shqiptarët të shprehnin simpati e të bënin tifo për Zvicrën.

Faktor ekstrasportiv natyrisht, por është në natyrën e futbollit që t’i bashkojë njerëzit sipas identitetesh kolektive, përfshi këtu edhe identitetin etnik.

Gjithsesi janë pavend komentet e tipit: me 4 shqiptarë, o zviceranë, arritët deri këtu, herë tjetër merrni dhe ca të tjerë të arrini në finale, se nuk ecet përpara vetëm me orë, lopë e çokollata.

Këta mëmëdhetarë virtualë, përpara se të rrahin gjoksin për origjinën shqiptare të futbollistëve, bëjnë mirë të kujtojnë se kush i rriti dhe, sidomos kush i formoi si futbollistë.

Unë jam me ata që thonë se s’ka ndonjë gjë të keqe të krenohemi me njerëzit e gjakut shqiptar, që bëjnë emër jashtë.

Por gjella me kripë e kripa me karar.

Shumë më tepër duhet të vrasim mendjen ç’duhet të bëjmë që talentet nga të gjitha fushat të mund të zhvillohen edhe këtu, në dheun mëmë.

S’ke ç’thua për ata që ngjiten mbi talentin, djersën, arritjet individuale të Xhakës me shokë dhe prej andej shpërfillin Zvicrën e zvicerianët, si vend që ditka të bëjë vetëm orë e çokollata.

Janë seriozisht rëndë.

S’ka fjalë a këshillë që të mund t’i shpëtojë nga megalomania, e cila në këtë rast i ka rrënjët në një kompleks të thellë inferioritetit.

(Nga cikli ‘Katakombet e kombit’)

SHKARKO APP