Mehmetaj: Ky parlament, noter i akteve të paligjshme të Ramës

Nga Kejdi Mehmetaj*

Jam e habitur në fakt nga ky reagim i drejtueses së seancës sepse të jem e sinqertë gjatë  gjithë ditës nuk degjuam asnjë fjalë të tepruar, përkundrazi të gjithë jemi treguar shumë të vetëpërmbajtur. Dhe po të kishim marrë dhe modelin që udhëheq drejtuesen e seancës, pra Kryeministrin, fjalori i kolegëve këtu duhet të kishte qenë, nuk e disa qindra herë më shumë i prishur dhe i ekzagjeruar. Sepse në fakt i vetmi model që kemi marrë nga ky Parlament, që kur drejtohet nga Kryeministri Rama, është ai i mungesës së etikës, mungesës së seriozitetit dhe mbi të gjitha ofendimit dhe cinizmit përballë shqiptarëve që çdo ditë e më shumë i varfëron dhe i robëron me mënyrën e tij  të qeverisjes. Unë në fakt do doja shumë që të kisha guximin ti drejtohesha këtij Parlamenti me fjalët “Të nderuar” ashtu siç ka qenë në kulturën e këtij Parlamenti  qysh prej krijimit të tij si një parlament pluralist. Por sot më shumë se asnjëherë nuk e ndjej veten në gjendje tu drejtohem kolegëve ti mi si të nderuar edhe pse shumë prej tyre në fakt janë të tillë. Sepse ky parlament duke qenë asgjë më tepër sesa noteri apo noterët e akteve të paligjshme dhe antikushtetuese të Kryeministrit, ka bërë që kur dalim nga kjo sallë dhe ballafaqohemi me qytetarët dhe ballafaqohem me moshatarët e mi, të dëgjoj prej tyre vetëm një fjali. Që ky Parlament duhet të shpërbëhet një orë e më parë. Për ata që janë të nderuar në këtë sallë se ka një pjesë që aspak nuk e meritojnë këtë fjalë, unë refuzoj që të shikohem nga qytetarët dhe nga votuesit e këtij vendi si pjesë e atij sekti që duhet shpërbërë. Dhe ndihem krejtësisht e keqardhur që më është dashur të bashkëjetoj në këtë sallë prej 5 vitesh tashmë, me ata që vendin tonë e kanë kthyer përmbys dhe kanë bërë që të humbasë shpresa e që mijëra qytetarë, por mbi të gjitha mijëra të rinj e të reja të talentuar, të lënë këtë vend sepse këtu nuk ka më shpresë. Sepse ata nuk kanë më besim te e ardhmja. Thënë këtë edhe duke pasur parasysh se ndoshta vetëm këtu tek ne mund të flitet për dekriminalizim për Vetting, si nevoja imediate që shoqëria të kthehet në udhën e saj të ligjshmërisë. Edhe pse konteksti në të cilin ne flasim është mëse i drejtë edhe do të ishte thjesht një vlerë e shtuar e një moral i shtuar në shoqërinë tonë që po degradohet çdo ditë e më shumë si rrjedhojë e kësaj qeverie. Kur dalim e takojmë miqtë tanë nëpër botë, ndihemi keq që të flasim sesi rezultatet e dekriminalizimit janë disa deputetë që kanë lënë sallën, janë disa kryebashkiakë që kanë lënë detyrën. Ndihemi keq që ne kërkojmë Vetting për veten tonë, sepse ky vend, institucionet e këtij vendi kanë humbur funksionin e tyre, kanë humbur detyrën dhe nuk janë më në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Por e kuptoj fare mirë, i dëgjova pothuajse të gjithë kolegët e mazhorancës që folën këtu. Në fakt më vjen keq, por mu dukën të gjithë pak si përsëritës. Po t’i dëgjoni të gjithë ju ftoj merrini nga fillimi në fund, as presjet e as fjalët nuk kanë ndryshuar nga njëri-tjetri, por janë identikë njësoj. Madje habitem sesi disa prej tyre preferojnë të përdorin edhe fjalë që në fakt nuk u shkojnë, sidomos atyre që i njohim si të qenurit tek ajo pjesa e nderuar, se pjesën tjetër as nuk dua ta referoj e as ta shoh fare, sepse ashtu nuk duan t’i shohin as qytetarët e ndershëm të këtij vendin.

Dhe teksa i dëgjova kuptova pse kjo pjesë e Parlamenti nuk do të jetë në gjendje sot të votojë pro kontrollit të vetvetes, ashtu siç ka kërkuar kontroll për gjyqtarët e këtij vendi, prokurorët, policët e këtij vendi, e tani guxon të kërkojë edhe për profesorët e këtij vendi. Nesër do kërkojë edhe për doktorët e këtij vendi e për inxhinierët e kështu me radhë. Sepse çdokush në këtë vend e meritoka të përballet me një gjyq publik, përveç këtyre që në fakt janë të vetmit që e meritojnë gjyqin publik. Por mos kini merak se këtë gjyq po ua bëjnë qytetarët, siç po ua bëjnë studentët kur shkoni atje dhe ballafaqoheni me ta. E dilni jo kokë ulur, por të pazotë. E kështu të pazotë do të jeni edhe në vazhdim për t’iu përgjigjur kërkesave dhe thirrjeve të tyre.

E si mund të votojnë këta për Vettingun kur gjatë kohës që kanë qenë në Parlament, nuk kanë ditur të votojnë qoftë edhe një akt të vetëm që do t’iu shërbente qytetarëve. Qoftë një akt të vetëm që nxit investimet në Shqipëri. Qoftë një akt të vetëm që nxit punësimin. Qoftë një akt të vetëm që rrit dhe përmirëson kushtet në të cilat jetojnë qytetarët shqiptarë. Qoftë një akt të vetëm që të ulë taksat. Qoftë një akt të vetëm që t’i ndihmojnë ata qoftë në sektorin e shëndetësisë apo në sektorin e arsimit apo në çdo sektor për të cilin ne si deputetë të zgjedhur të këtij Parlamenti mbajmë përgjegjësi përpara qytetarëve tanë.

Por përkundrazi, pa iu dridhur qerpiku, pa e menduar dy herë, por pa thënë qoftë edhe një fjalë të sinqertë apo pendimi përballë qytetarëve, kanë votuar këtu ligje edhe koncesione korruptive si ai i Teatrit Kombëtar apo siç bënë dje me dekretin e kthyer të Presidentit. E pra ja këta që në mendjen e tyre kanë vetëm të zhvasin qytetarët, të përfitojnë nga qytetarët e ndershëm të këtij vendi. Madje t’i dëbojnë ata për të forcuar pozitën dhe pushtetin  e tyre për të fryrë xhepat e tyre. Normalisht që s’do të kenë guxim të kontrollojnë veten, por do shpikin soj e soj shpjegimesh, si edhe këtë herë fajin t’ia hedhin opozitës.

*Fjala në Kuvend e deputetes së LSI-së, Kejdi Mehmetaj

 

SHKARKO APP