Memoria historike e kombit

 

Nga Halil Rama

Një udhëtim mbresëlënës në Juglindje të vendit, si bashkëudhëtar i dy njerëzve që bënë epokë, ndalesat dhe bisedat me ta në vende historike e turistike, padyshim që të ngulitet thellë në memorie. Është fat të kesh me vehte në një tur të tillë dy legjendarë, që mbartin mbi supe afro dy shekuj jetë, mbi 95-vjeçarët Rrahman Parllaku dhe Skënder Malindi, që janë memoria historike e kombit.

Ndalesa e parë në Voskopojën e mirënjohur, jo vetëm për pozicionin dhe resurset e shumta turistike, por dhe për një nga ngjarjet e shënuara të Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht, pranë lapidarit kushtuar Dëshmorëve të Brigadës së IV-t Sulmuese, drejtuesit e OBVL vendosin një kurorë me lule. Më pas një bisedë interesante e gjeneral Parllakut, por dhe e Genc Ballancës e Misto Çules – ish partizanë tëi kësaj bridage, jo vetëm për rrugëtimin e saj të lavdishëm por dhe për emrat e skalitur në memorialin e këtushëm. Genci kujton përurimin e Brigadës në vigjilje të vitit të ri të ’’44, kur ishte vetëm 14 vjeç. Pas shtatë dekadash atë e shoqëron edhe bashkëshortja e tij e nderuar, Lemane Ballanca.

Dhe ndërsa meditojmë për të kaluarën e para shtatë dekadave, sytë na mbeten edhe tek emri i dëshmorit Selim Ndreu nga Zall Dardha që ra heroikisht në luftën për çlirimin e Tiranës, i skalitur këtu në Voskopojën e largët.

 

E vërteta mbrohet…

 

E vërteta mbrohet. Personalitete si Rrahman Parllaku, sot e në të ardhmen do të mbeten emri i skalitur në historinë e kombit e në vetëdijen e gjeneratave. Si një memorie historike për të kaluarën, gjenerali – Hero i Popullit dhe “Nderi i Kombit”, si dhe bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët e tij, Skënderi, Genci, Themistokliu e Koli Çobo, teksa kumtojnë për ato vite të zjarrta lufte, japin me emra se kush kanë qenë drejtuesit e formacioneve partizane, si u zhvillua lufta, të rënët dhe të plagosurit. Kujtojnë ata me nderim të veçantë komandantin e Brigadës Nexhip Vinçani dhe komisarin Pëllumb Dishnica, dy nga kuadrot më me përvojë luftarake, të sprovuar në luftimet kundra armikut në qarkun e Korçës, patriotë dhe revolucionarë të brumosur me ndjenja patriotike për çlirimin e vendit. “ Përveç këtyre në Shtabin e Brigadës dhe në komandat e batalioneve u caktuan dhe shumë kuadro të dalluar në aksione dhe luftime të çetave partizane të qarkut të Korçës, si Vaskë Gjino, Petrit Dume, Spiro Shalësi, Pano Xhamballa, Zija Kambo, Gafurr Çuçi, Xhafer Lubonja, Gaqo Peristeri, Vera Pojani, Eleni Pashko, Fatmir Glata, Raqi Qirinxhi, Milo Qirko, Sotir Filto, Halit Mati etj, të cilët me përvojën dhe aftësitë e tyre të fituara në luftimet me armikun, dhanë një kontribut të madh në të gjitha luftimet që bëri kjo brigadë, që nga krijimi e deri në çlirimin e vendit”. Përkujtimi i veprës së tyrenë këto vende historike është një thirrje për të tashmen, për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë territor, për të gëzuar fitoren e lirisë, por edhe për të administruar me kujdes fitoren dhe për të mos u dehur nga arritjet.

Është ky kumtim i kreut të OBVL-së një dokument shtesë në historinë e lavdishme të LANÇ. Kështu do të ndodhte dhe në Boboshticë, gjatë darkës që bashkëluftëtari e bashkëpunëtori, Behar Koçibelli shtroi për dy miqtë e vjetër. Këtu, protagonistët e historisë së lavdishme të LANÇ, Rr.Parllaku e S.Malindi, por dhe miku i tyre i shtrenjtë Shaqir Rexhvelaj, gjejnë rastin të flasin me admirim për Dr.Ymer Dishnicën, një nga figurat më simpatike, më të mençura, më fisnike dhe një nga udhëheqësit kryesorë të LANÇ-it. Ish kreu i parë i OBVL-së, Ymer Dishnica, të cilit në 100-vjetorin e lindjes, Presidenti Nishani i akordoi dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”,  ishte bir i denjë i një familje me tradita të shquara atdhetare e cila i ka dhënë Shqipërisë pesë dëshmorë, përfshi edhe një vëlla të tij.

Dr.Dishnica, si dhe pasardhësit e tij në krye të OBVL-së, Parllaku e Malindi kanë meritën e orientimit të veprimtarisë së kësaj organizate në vlerësimin realisht të historisë së luftës së lavdishme Nacional Çlirimtare, duke shmangur shtrembërimet e periudhës së regjimit totalitar, mohimet dhe politizimet e bëra si rezultat i regjimit diktatorial të E.Hoxhës. Pikërisht, për të penguar këtë qasje negative, këtë tendencë të dëmshme si për demokracinë ashtu edhe për historinë e popullit shqiptar,  Dr.Dishnica e gjeneral Parllaku, së bashku me 64 personalitete, gjeneralë dhe luftëtarë, figura politike të respektuara, por fatkeqësiht të dënuar nga regjimi komunist formuan Organizatën e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVL). Në këtë grup bënin pjesë figura politike të respektuara që kishin qenë drejtues të reparteve partizane e ministra, siç ishin: Kiço Ngjela, Manol Konomi, Fadil Paçrami, Maqo Çomo, Skënder Malindi, Edip Ohri, Myfit Guxholli, Sotir Budina, Sadik Bekteshi (gjeneral lejtnant-Hero i Popullit), Muhamet Prodani (gjeneral lejtnant-Hero i Popullit), gjeneral-majorët: Nexhip Vinçani dhe Ernest Jakova; luftëtaret e shquara, drejtuese në luftë e aktiviste të OBVL: Selfixhe Broja(Ciu), Zenepe Golemi (Ashiku), Liri Belishova,Vera Ngjela (Pojani), Mine Doraci e të tjera, por fatkeqësisht të dënuara nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës. Pasardhësit e tyre në këtë organizatë, por dhe drejtuesit e degëve të OBVL, Jorgji Terca për Tiranën, Genc Ballanca për Durrësin e Fluturak Vinçani për Korçën, edhe në këtë udhëtim drejt vendeve ku para 70 viteve luftuan dhe fituan përballë pushtuesve nazifashistë të vendit, rrëfejnë heroizmin e luftëtarëve, të të vrarëve dhe të plagosurve, të atyre që në fakt e bënë luftën dhe që meritojnë edhe respektin më të madh.

 

Një enciklopedi e gjallë

Më të rinjtë në këtë bashkëudhëtim, si gazetari e poeti i talentuar ushtarak Sakip Cami dhe dy vëllezërit ish ushtarakë, Miço e Trifon Llupo, teksa e dëgjojnë nga afër, shohin te Rrahman Parllaku një emër të veçantë dhe personalitet që të krijon afërsinë dhe ndjenjën e respektit për figurën e tij si dhe për ngjarjet, fenomenet dhe personazhet që i zë në gojë gjatë bisedave spontane. Kjo edhe për faktn se gjeneral Parllaku, duke qenë njëra nga figurat më të shquara të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri, përkundër moshës 96-vjeçare, ka një kujtesë fenomenale e kondicion të lakmueshëm, dhe si një enciklopedi e gjallë zë një vend të veçantë në kujtesën tonë historike. Kujtimet e tij për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare janë një kontribut i çmuar. Lufta Antifashiste, mbrojtja e vendit, “lufta e brrylave”, qëndrimi për 17 vjet në qelitë e errëta të diktaturës, Lufta e Kosovës më 1999, krijimtaria publicistike e aktiviteti intensiv në mbështetje të proceseve demokratike e të shtetit ligjor e forcuan karakterin e tij. Nëntëdhjetë e gjashtë vjet është një kuotë shumë e lartë. Gjeneral Rrahman Parllaku ka meritën se e ka rritur këtë kuotë të lartë, megjithëse i është dashur të përballojë shumë furtuna gjatë jetës dhe ç’është më kryesorja e ka arritur jo i drobitur, por në formë të shkëlqyer fizike dhe mendore që e shfaq dukshëm edhe gjatë këtij udhëtimi shtigjeve të lirisë.., një formë që do ta kishin zili edhe të rinjtë.

Kështu ndodh edhe me Skënder Malindin, ish studentin e shkollës ushtarake të Milanos, Itali, i cili në kohën kur po përgatitej për të dhënë provimet e të titullohej oficer, në vitin 1940 nuk pranon të marrë pjesë në një ceremoni të ngritjes së flamurit italian, duke deklaruar se ky nuk është flamuri i kombit të tij. Pasi kthehet në atdhe, me fillimin e lëvizjes antifashiste merr kontakt me udhëheqësit e luftës, si me Mestan Ujanikun, Gjin Markun, Kahreman Yllin e të tjerë, duke u aktivizuar në organizimin e luftës në rrethin e Skraparit.

Në fillim të vitit 1943 komanda e Qarkut Berat e cakton komandant çete në komunën e Çepanit. Çeta nën drejtimine tij merr pjesë aktive në të gjitha veprimet luftarake në qarkun e Beratit kundër fashistëve italianë. Më 20 shtator 1943 emërohet komandant i batalionit “Rinia” (Margarita Tutulani). Në krye të këtij batalioni ka marrë pjesë në të gjitha luftimet kryesore të zhvilluara, si në Tendën e Qypit, Qafën e Kiçokut, Bubës, Qafë Shkozë, Paraspuar, luftime të ashpra këto që përballuan Operacionin armik të Dimrit 1943-1944. Në një luftim në Paraspuar të Beratit, Skënderi plagoset rëndë. I mjekuar në spitalet partizane nuk gjeti shërim. Me krijimin e Brigadës së 7-të Sulmuese, ashtu siç ishte i plagosur caktohet komandant i Batalionit të Parë të kësaj brigade, por në gjendjen që ishte nuk mund ta ndiqte e drejtonte batalionin. Në shtator 1944 dërgohet për mjekim në Itali, në spitalet aleate. Aty u nënshtrohet dy operacioneve që i shpëtuan krahun, por mbeti invalid i Luftës. Plagosja ia ndërpreu karierën ushtarake në Luftë, por Skënderi me aftësitë e tij, i arriti shokët. Me këto merita të njeriut-legjendë u njohëm më nga afër gjatë këtij udhëtimi të gjatë, nga Korça në Ersekë, Leskovik, Përmet e Këlcyrë. Në Borovë, ku kryem homazhe në varrezat e 107 martirëve të Borovës, por dhe në Përmetin e Kongresit historik të përcaktimit Për “një Shqipëri demokratike, popullore, sipas vullnetit të popullit” (vullnet ky që u tradhëtua dhe u përçmua nga ish diktatori Hoxha), si dhe në Grykën e Këlcyrës mësuam ngjarje historike të rrëfyera me  mjeshtri të rrallë e realizëm nga koloneli në pension Skënder Malindi. Ne më të rinjve, si dhe vajzës së talentuar të gjeneral Parllakut, Tatjanës e Ilirit, djalit të Skënderit na shërbeu ky udhëtim për të  evidentuar vlerat e vendeve e ngjarjeve historike, dhe në veçanti kontributin që japin Rr.Parllaku e S. Malindi në historiografinë shqiptare. Ndërkohë, ne si dhe veprimtarët e OBVL, Nadire Dervishi, Haki Bulku, Ibrahim Shesha e Dashamir Tahiri, ndjemë nga afër karakterin objektiv në përshkrimin e ngjarjeve të jetuara nga drejtuesit e talentuar të LANÇ, Parllaku e Malindi, që prej fëmijërisë së hershme, pranë familjes, përjetimet nga rinia dhe shkollimi, si edhe përfshirjen e tyre vrrullshëm, në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Stacioni i fundit i këtij turi historiko-turistik ishte Përmeti, si sinonim i një qyteti me një mikpritje të rrallë, qytet i luleve, i këngëve popullore dhe mbi të gjitha i burrave emërndritur në historinë tonë kombëtare. U larguam me mbresat e një peizazhi me vlera mjedisore të pazevendësueshme, tepër çlodhës dhe rekreativ për vizitorët e shumtë…..

 

SHKARKO APP