Merr trenin për Shkodër e jeto shpikjen e ëmbël, muzikën jazz

(Për herë të parë në Shqipëri, paralel me organizimet e shumta në Amerikë kremtohet Dita Ndërkombëtare e Muzikës Jazz)

 

Nga Albina Gjergji

E keni menduar ndonjëherë veten, sikur të ktheheshit pas në kohë? Domethënë, më larg akoma… sikur të jetonit në vitet ‘30-të? Në stilin e të veshurit, të vallëzuarit, të dashuruarit, pse jo edhe të flirtuarit? Nëse jo, ky është momenti që jo vetëm ta dëshironi, por edhe ta përjetoni nëpërmjet madhështisë së artit, sepse më datë 30 prill vjen “Swing Marathon”, një super event i organizuar nga “Hemingway Fan Club Albania”, i cili nis në Tiranë e stacionohet tek “Zoja e Randë”, në Shkodër.

I mirëmenduar në çdo detaj nga anëtarët e saj, kjo fundjavë do të tingëllojë jazz. Do të tingëllojë retrospektivë. Femra të trukuara si Ella Fitzgerald, Adelaide, Lena Horne, meshkuj të veshur në stilin e Luis Armstrong, Chet Atkins, Chet Baker, (një nga vokalistët dhe instrumentistët më të adhuruar nga seksi femër i viteve ‘30-të), çapkëne me fustane të ngushta në bel, rruaza të bardha, cigare me pipë, doreza deri në bërryla, flokë me onde shoqëruar me grim të errët e djem me kapele elegante, pantallona teritali deri në kavilje, që mbahen pas tirandave, apo këpucë me lustër, kostume klasike e kapele republike, ky do të jetë look-u i pjesëmarrësve, të cilët do të dëfrehen deri në orët e vona të mesnatës nën ritmet joshëse të muzikës Jazz.

E ndërkohë që në Shqipëri organizohet për herë të parë një maratonë e tillë që zgjat 12 orë, data 30 prill shënon ditën, ku e gjithë bota kremton magjinë e Jazz-it. Kjo festë ndërkombëtare këtë vit do të kremtohet edhe në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Barack Obama dhe zonjën e parë Michelle, ku të ftuar për të luajtur muzikë do të jenë emrat e mëdhenj si: Aretha Franklin, Herbie Hancock, Sting etj..

I konceptuar si një udhëtim imagjinar e me shije të hollë, kjo festë e madhe muzikore edhe në vendin tonë ka për qëllim argëtimin pa limit, një organizim ndryshe për të gjithë nostalgjikët dhe dashamirësit e ritmeve “swing”.

“Swing Marathon” do të nisë nga Tirana e do të mbyllet në Shkodër, një iniciativë kjo e “Hemingway Fan Club Albania”. Për të gjithë ata që do t’i bashkohen kësaj ngjarjeje për udhëtimin drejt Shkodrës së bukur janë menduar trenat, si një herë e një kohë. Artistët pjesëmarrës në këtë ngjarje të veçantë kulturore do të jenë mbi 100. Italiani, Giorgio Cuscito, një prej emrave më të njohur të Jazz-it italian, në pianoforte Luca Filastro, në kontrabas Giuseppe Talone, shoqëruar në bateri nga Alberto Botta, do të jenë vetëm disa nga emrat e artistëve pjesëmarrës. Të tjera banda shqiptare dhe DJ do t’i bashkohen interpretimit të muzikës Jazz mbrëmjen e së shtunës në tarracën e teatrit “Migjeni”.

Nisja do të bëhet nga Tirana për t’u pritur në Shkodër nga miqtë e Jazz-it në orën 16:30 te stacioni i trenit. Të gjithë me biçikleta, të gjithë të veshur si në vitet ‘30-të e të gjithë për t’u argëtuar swing. Po me biçikleta, pjesëmarrësit e këtij festivali do të shëtisin nëpër rrugicat e vjetra të Shkodrës, duke bërë muzikë. Në orën 18:00 përpara “Kafes së Madhe” do të mbahet edhe festivali, ku nën shoqërinë e njëri-tjetrit, grupet e ndryshme do kërcejnë “swing” gjatë gjithë kohës, duke i paraprirë një dite dhe nate plot me aktivitete që shkojnë deri në orën 24:00 në Teatrin “Migjeni” me Party Elektro Swing.

Një festë plot me kamera e fotografë ndërkombëtarë, në fund të mbrëmjes do të zhvillohet edhe një garë mjaft argëtuese për veshjen dhe kërcimin më të bukur, kështu që për të gjithë ata që duan t’i bashkëngjiten kësaj maratone speciale, biletat do mund t’i gjejnë në “Hemingway Bar” në kryeqytet.

Thelbi i Jazz-it është: improvizim i ëmbël, shpikje e ëmbël, ritëm dhe personalitet instrumental. Vishu, vallëzo, dashuro dhe jeto Jazz-in e viteve ‘30-të për një ditë.

E ku tjetër, veçse në Shkodër?!

 

SHKARKO APP