Mes 60 mijë shqiptarëve në Suedi 

 Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, organizoi festivalin e gjashtë të poezisë shqipe, ”Sofra poetike, Borås 2017”

Nga Nuri Dragoj

Kishim ftesë nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Borås të Suedisë, për të qenë pjesë e Festivalit të gjashtë të poezisë. Ishte pasditja e 7 prillit të këtij viti, kur avioni i linjës Stamboll-Göteborg, me të cilin udhëtonim, kishte hyrë në Gadishullin Skandinav, duke humbur gati ¾ e lartësisë. Koha qe e kthjellët dhe poshtë nesh shpaloseshin pamje mahnitëse të territorit suedez. Pyje të pafund dhe mbi 60 mijë liqene “popullonin” sipërfaqen e Suedisë, shtet anëtar i Bashkimit Europian prej mbi 20 vjetësh. Me rreth 450 mijë kilometra katrore, ose 16 herë më e madhe se Shqipëria dhe rreth 10 milionë banorë, ky shtet nordik numërohet ndër 4 vendet me ekonomi dhe nivel demokracie më të lartë në botë.

Avioni preku pistën e aeroportit të Göteborgut, qyteti i dytë për nga madhësia, pas Stockholmit, me rreth një milionë banorë, ose 300 mijë më pak se kryeqyteti. Në Göteborg mbërritëm në ora 17. Në aeroport bëhej kontroll i rreptë. Madje edhe në dalje. Kisha dëgjuar shumë për tolerancën suedeze, për lirinë e mendimit dhe të lëvizjes, për mungesën e racizmit dhe dëshirën për barazi, por në çast ndjeva një farë zhgënjimi. Po prisnim në radhë. Duhej marrë vula e hyrjes për në Suedi. Punonjësja e doganës, një grua a vajzë nuk di saktësisht të them, po replikonte me një pasagjer. I kërkonte arsyet pse hynte në Suedi, çfarë gjuhësh fliste, sa para kishte me vete…. Debati zgjati më shumë se 7 minuta.

-Çbëhet kështu? – pyeta shokun tim të udhëtimit, Vironin, i cili shkonte për hertë të katërt në Suedi.

-As unë nuk po e kuptoj, – tha ai krejt i hutuar.

Punonjësja e ngriti zërin.

-Më bindni zotëri, përse duhet të hyni në Suedi pa vizë? Viza sllovake që ju keni nuk është shengen! Tjetri këmbëngulte në të vetën, duke folur një anglishte të çalë e bërë veprime me dorë. Punonjësja dukej e nervozuar. Rregullonte herë pas here flokët, duket që ishte instikt I mungesës së qetësisë për të, pasi në fakt kishte një hir thjeshtësie, hir natyral, të mbuluar a fshehur me kujdes, të cilit nuk i shkonte kjo sjellje. Kuptohej lehtësisht që ishte sforcim në karakterin e saj. Kishte një ballë të gjerë dhe të qetë, sy të kaltër e të mëdhënjë, të ëmbël, disi të druajtur por shumë të bukur, ndonëse të jepnin ndjesinë e naivitetit. Kishte fytyrë delikate dhe tërheqëse, gojë dhe dhëmb të bukur, por në pamjen e saj lexohej një farë tronditjeje, pasi dukej sikur nuk guxonte të buzëqeshte.

Thuajse ngriva para një skene të tillë. Për një moment, 1000 mendime a dyshime më shkonin nëpër mend, por nuk pata kohë të zhytesha tërësisht në to, pasi koha kaloi dhe gati një gjysmë ore më vonë, na erdhi rradha për t’u ballafaquar me punonjësen në fjalë. I zgjatëm pasaportat të shoqëruara me ftesat, por ajo na shihte me dyshim. I dhamë dhe biletat vajtje dhe kthim. Përsëri nuk i mjaftuan. Atëherë i thamë profesor Zydi Dervishit, meqë e fliste me rrjedhshëm gjuhën, t’i thoshte që aty, jashtë aeroportit, na priste Sokol Demaku, organizatori i aktivitetit për të cilin qemë ftuar të merrnim pjesë. I dhamë edhe kartvizitën e tij. Ajo e mori në dorë dhe në fyryrën e saj u shfaq një farë ndriçimi, u ndje një paqe njerëzore, një farë pendimi a dhimbje, ndonëse nuk nguroi të formonte numrin. Ndërsa ajo mbante receptorin në vesh, mua më kujtoheshin kontrollet në doganat greke, grisjet e pasaportave, kthimi i shqiptarëve mbrapsht, ndalimi i hyrjes së tyre për në Greqi, thuajse pa asnjë arsye.

Punonjësia suedeze pasi shkëmbeu disa fjali në telefon me Demakun, me një buzëqeshje të ngrirë a të shtirur, vulosi pasaportat dhe na dha të drejtën e kalimit.

Vironi nuk fliste asnjë fjalë, sikur të qe ai fajtor për shtrëngesën në doganë. Sokol Demaku dhe Hamit Gurguri kishin mbërthyer shikimin në portën e daljes dhe në çastin që ne u shfaqëm, na pritën të gëzuar dhe krahëhapur. Buzëqeshja e tyre na e largoi si me dorë mërzinë e krijuar pak më parë.

-E di që keni patur një farë shtrëngese, por nuk ke çfarë bënë, – tha Demaku.

-Përse, nuk është kontroll i zakonshëm, ky i sotmi? – e pyeta unë.

-Jo bre Nuri, nuk është i zakonshëm. Sot ka ndodhur diçka e keqe në kryeqytetin suedez, – tha Koli dhe ra në mendime. – Diku, në rrugët e Stokholmit, – vijoi rrëfimin ai, një person ka sulmuar me makinë njerëzit në shetitore dhe ka patur viktima. Mësuam se një kamion i vjedhur kishte hyrë me forcë midis njerëzve në një rrugë të Stockholmit, ku ndodhet edhe Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve Suedezë. Kishin humbur jetën 5 persona dhe shumë të tjerë qenë të plagosur. Metrotë ishin mbyllur dhe paniku u shtua më tej, pasi u dëgjuan të shtëna me armë. Ngjarja ndodhi në rrugën Drottninggatan, pranë Ahlens, një zonë dyqanesh në Klarabergstgatan. Agresori terrorist e kishte fytyrën të mbuluar me maskë të zezë.

Ngjarja tronditi botën. Presidenti i Bashkimit Europian, Donald Tusk, pohoi se ishte me zemër në  Stockholm dhe ndante të njëjtin mendim më atë të familjarëve të viktimave. Edhe presidenti i Këshillit Europian Jean-Claude Juncker e cilësoi aktin terrorist, sulm kundër gjithë europianëve. Ambasada shqiptare kishte vënë ne dispozicion numrin +46 762585041 dhe afronte ndihmë për çdo nevojë që të kishin shqiptarët. Atëherë e kuptova përse ishte aq e tronditur pononjësja e doganës. E kuptova përse nuk mund ta lexoja shqetësimin e saj.

Sokoli drejtonte makinën dhe shpjegonte pa rreshtur gjatë gjithë rrugës. Tregonte për autostradat, pyjet halor, cektësinë e tokës për shkak të terrenit shkëmbor, rrëzimin e drurëve gjatë stuhive të forta, prodhimin e energjisë nga era, shtesën që po i bëhej aeroportit, gjithçka shihte dhe dinte. Demaku është burrë i mësuar, i çiltërt, i përzemërt, lexon shumë, i muhabetit dhe mallëngjehet shpejt. Gjëja më e vogël e trondit dhe e bënë të vuajë. Në dukje i fortë, burrë i rrëmbyshëm, ekspresiv, por që lëkundet lehtë, pasi shqetësimet e të tjerëve e bëjnë të vuajë. Vështirë të gjesh njeri më të mirë se ai.

Ndërsa kreu i Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Borås të Suedisë vazhdonte të fliste, unë po udhëtoja me mendim në ngjarjen e hidhur të Stockholmit. Bota nuk ka qetësi. Është folur shpesh për çarmatimin universal, si një domosdoshmëri, jo vetëm për të çliruar burimet financiare dhe për të zhdukur varfërinë, por edhe që njerëzit të mos jetojnë nën ankthin e një lufte shfarosëse. Vetëm kështu njerëzimi do të ngrihet nga gjendja e tij gjysmë shtazore në një stad më të lartë, plotësisht njerëzor. Por Suedia është tjetër. Këtu paqja është vendosur. Shoqëria suedeze ka pranuar vazhdimisht emigrant, pa paragjykim. Madje ¾ e shtesës së popullsisë vjetore janë produkt i hapjes së dyerve për emigrantët, të cilëve u plotësohen të gjitha kushtet e nevojshme. Në parlamentin suedez, pak kohë më parë, qe paraqitur një projekt për ndërtimin e banesave popullore për emigrantët, me kushte jo fort të mira teknike, por që ngriheshin për një kohë relativisht të shkurtër, par shkak të nevojës së madhe që ka për strehim. Por deputetët nuk e votuan. S’mund të pranohej diferencim në cilësinë ndërtimore, sepse prekeshin të drejtat e njeriut!

Suedia është nga të paktat shtete që paguajnë mësues, me qëllim që fëmijët e emigrantëve të mësojnë gjuhën e tyre amtare. Duke ditur gjithë këto, vrisja mendjen përse të kryhej një akt terrorist në kryeqytetin e këtij vendi, në të cilin nuk njihet as kriza ekonomike dhe as ajo politike. Sbigniev Brezhezhinski*, në librin e tij “Jashtë kontrollit” paraqet në mënyrë realiste rrugët për kapërcimin e krizës së shoqërisë njerëzore, duke vendosur në themel domosdoshmërinë e vetëkufizimit, si praktikë të ndarjes së fitimeve. Sipas tij, ndryshimi kulturor e filozofik është një çështje dallgëzimesh historike dhe jo vendimesh politike të shumëllojshme. Ndryshimi mund të vijë nga rivlerësimi themelor i besimeve qenësore që udhëheqin sjelljen shoqërore, si edhe njohja e nevojës për një koncept shoqërisht të përbashkët, për kuptimin e jetës së mirë. Natyrisht, kur kjo e fundit mbështetet në nocionin e vetëkufizimit, në përmbushjen e kënaqësive vetjake në rrafshin shoqëror. Një konsensus i tillë do të burojë nga pranimi i faktit që, kontrolli i njerëzimit mbi fatin e vet kërkon për orjentim busull morale dhe sens baraspeshe. Përmbushja e pakufizuar e kënaqësive individuale nga pakica relative, jo vetëm do ta shtojë pabarazinë shoqërore për shumicën, por mund të prishë moralisht, si atë që ka me tepricë dhe të varfërin. Mirëpo, në Suedi, ndodh krejt e kundërta. Atëherë përse duhet të kryhen krime makabre në oborrin e atij që të ka hapur derën e shtëpisë, të strehon dhe të ushqen me dashuri? Ka ardhur koha që të kërkohet me ngul nga njeriu, të bëjë zgjedhjen e vetë drejt të mirës, sepse kështu bëhet pjesëtar i veprimeve pozitive të shoqërisë,  në dobi të kapërcimit të baticës së njerëzimit. Veprimet e mira përforcojnë vullnetin e shoqërisë njerëzore drejt prirjes së paqes në botë dhe shmangies së forcave regresive që na shpien drejt vdekjes. Nëse njerëzimi dëmtohet, shkak nuk është mizoria e brendshme e zemrës njerëzore, por paaftësia e tërësisë së individëve për të qenë të vetëdijshëm, lidhur me rrugën që duhet zgjedhur.  Erich Fromm,  në librin e tij “Të jesh apo të kesh”, arrin në përfundimin se kur njeriu bëhet mospërfillës ndaj jetës, “nuk ka asnjë shpresë që të zgjedhë të mirën, por do të bëhet zemërgur, deri në atë pikë, saqë jeta e tij do të marrë fund. Nëse kjo do t’i ndodhë njerëzimit ose pjesës më të madhe të tij, jeta mund të shuhet në çastin e saj më premtues”. Prandaj besojmë se ka ardhur koha të gjendet ilaçi i nevojshëm dhe të shuhet kjo e keqe që ka mbërthyer në ankth gjithë njerëzimin. Por le të kthehemi te aktiviteti ynë.

Festivali i gjashtë i poezisë shqipe ”Sofra poetike Borås 2017”

 Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Borås të Suedisë, në kuadër të 10 vjetorit të themelimit të saj, organizoi festivalin e gjashtë të poezisë shqipe ”Sofra poetike Borås 2017”. Në atë festival morën pjesë krijues shqiptarë me banim në Suedi. Erdhën 5 përfaqësues nga Italia, me në krye shkrimtarin Ndue Lazri, njëkohësisht kryetar i Federatës së Shoqatave Shqiptare atje. Kishte të ftuar nga poetët me banim në Zvicër, Gjermani, Norvergji, Danimarkë, Austri, Angli, pa lenë mënjanë dhe krijues të ardhur nga Kosova. Nga Shqipëria qenë ftuar Viron Kona, Zyhdi Dervishi e Nuri Dragoj. Por mbi të gjitha, në atë festival merrnin pjesë poetë dhe shkrimtarë suedezë, të cilët me diturinë dhe thjeshtësinë që i karakterizonte, sollën me modesti përvojën suedeze, vlerësuan punën e krijuesve shqiptarë në Suedi, duke e cilësuar si komunitetin më aktiv. Pikërisht kjo ishte arsyeja pse Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” dhe Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, gëzonin mbështetjen e drejtuesve të lartë të Komunës së qytetit  Borås.

Vizita jonë në Borås të Suedisë, mes veprimtarëve, poetëve e shkrimtarëve shqiptarë, por edhe atyre suedezë, ishte kënaqësi e madhe, pasi u njohëm me punën e palodhur të vëllezërve tanë për të mbajtur gjallë dhe zhvilluar më tej gjuhën shqipe, për ruajtjen e traditave dhe zakoneve kombëtare. U njohëm pjesërisht me gjeografinë e Suedisë, në mënyrë të veçantë me kulturën e atij populli të emancipuar, që beson se suksesi e ka burimin te puna, që progresin e prek duke parë në sy të vërtetën, një popull që nuk pajtohet me mashtrimin dhe urrejtjen. Edhe sikur vetëm një ditë të jetosh mes tyre, ke çfarë mëson, pasi janë të lirshëm, të thjeshtë, të drejtpërdrejtë, pa paragjykime dhe të përshtatshëm në mjedis me diversitet kulturash.

Para se të fillonte veprimtaria e festivalit poetik, Sokol Demaku propozoi të mbahej një minutë heshtje për ngjarjen e Stockholmit. Më tej, kryetari i Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, pasi përshëndeti pjesëmarrësit në shqip dhe suedisht, ia dha fjalën e rastit z. Bahtir Latifi, anëtar i kryesisë. Më tej përshëndetën shkrimtari Hamit Gurguri, një ndër aktivistët e shquar të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, si dhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” Suedi, Hysen Ibrahimi. Fjala e shkurtër e tyre thuhej në shqip dhe suedisht. Më pas u shfaq dokumentari kushtuar veprimtarisë së qendrës në vite, shoqëruar me një këngë të gjatë, kënduar dhe kompozuar nga rapsodi…

 Zonja Ida Lidemark me kostum kombëtar shqiptar

 Në takim mori pjesë dhe zyrtarja e lartë e Komunës së Boråsit, zonja Ida Lidemark. Ajo ka qenë për vite me radhë kryetare e komunës së atij qyteti, ndërsa për momentin kryeson komisionin e Mjekësisë. Pati diçka të veçantë në paraqitjen e zonjës Lidemark. Pak kohë më parë, Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, i pati dhuruar një kostum kombëtar, punuar në Kosovë. Në kohën kur drejtuesi i asaj qendre, Sokol Demaku, i bëri ftesën për të qenë pjesë e festivalit të 6 të poezisë, ajo iu përgjigj pozitivisht, por miratimin e shoqëroi me një pyetje:

-A mund të vijë me veshjen tuaj kombëtare?

-Me shumë kënaqësi, – i qe përgjigjur Sokoli.

Bisedën e zhvilluar me të, na e tregoi edhe neve, ndonëse nuk ishte i sigurtë në pjesëmarrjen e saj. Por ajo erdhi. Erdhi si një qytetare e shquar suedeze, si një shqiptare e mirë. Kostumi ynë kombëtar i ndrinte. Me atë veshje, Lidemark shprehu respekt për shqiptarët me banim në Borås. Nuk janë pak, por 3500 vetë. Ndërsa në gjithë Suedinë, punojnë e jetojnë mbi 60 mijë emigrantë shqiptarë. Zonja Ida Lidemark u çua dhe me një buzëqeshje të çiltër, e cila ia shumëfishonte bukurinë, vlerësoi me fjalët më të ngrohta festivalin e poezisë, punën e shqiptarëve në tërësi dhe poetëve në mënyrë të veçantë, të cilët japin ndihmesë të çmuar për integrimin e emigrantëve në shoqërinë suedeze. Vlerësoi festivalin e  poezisë dhe ndikimin e veprimtarive të tilla në forcimin e miqësisë midis komuniteteve, duke e konsideruar kulturën e tyre pjesë të kulturës suedeze dhe kontribut për pasurimin e saj.

 Të ftuarit nga Shqipëria

 Në festivalin e poezisë përshëndetën dhe të fruarit nga shqipëria. Prof. dr. Zydi Dervishi falenderoj organizatorët Sokol Demaku, Hamit Gurguri, Hysen Ibrahimi dhe Bahtir Latifi, për punën e madhe që kishin bërë. Sipas Dervishit, në disa aspekte teknologjia e krijimit dhe përparimit të cultures e artit, përngjet me teknologjinë e prodhimit të mjaltit nga bletët. Sikurse bletët që përpunojnë nektarin, polenin e luleve të shumëllojshme, prodhojnë mjaltë cilësisht të mirë, edhe shkrimtarët e artistët që punojnë e jetojnë në hapësirat e kulturuara, krijojnë art me karakteristika të veçanta, të epërme, si reflektim jo vetëm i formacionit kulturor të dheut amë, por edhe i kulturës së vendit pritës, që në shumëçka shndërrohet në mëmëdhe të dytë.

Trysnia centrifugale e sfidave të rënda në rrjedhën e disa shekujve i ka shpërndarë shqiptarët pothuajse ndër të gjithë popujt e botës. Emigrimi është dukuri komplekse, me rrjedhoja kontradiktore në rrafshin ekonomik dhe politik, shoqëror dhe emocional për emigrantët, veçanërisht për popullin shqiptar. Por në aspektin kulturor dhe artistic, emigrimi i shqiptarëve ka sjellë përfitime shumë të rëndësishme, së paku që nga koha kur kryeheroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu mbylli sytë e deri në ditët tona. Artet dhe veçanërisht letërsia e krijuar nga shqiptarët që, në të shumtën e rasteve, dora e pamëshirshme e fatit i detyroi të jetojnë, të punojnë e të krijojnë në vende të tjera, kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten profile të rëndësishëm, me vlera të veçanta në arkitekturën e gjithë krijimtarisë kulturore, artistike, shpirtërore të popullit shqiptar. Pjesë e rëndësishme në linjën e këtyre profileve është edhe veprimtaria kulturore e artistike e emigrantëve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Suedi gjatë 50 viteve të fundit. Veçanërisht pas vitit 2000 veprimtaria kulturore, letrare dhe artistike e kësaj mërgate është zgjeruar vrullshëm. Rol të rëndësishëm në motivimin dhe realizimin e veprimtarive të tilla kanë luajtur “Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptare “Papa Klementi XI Albani”, Qendra Kulturore “Migjeni”, Revista “Dituria”, Radio dhe Televizioni “Dituria” etj.

Profesor Viron Kona theksoi se vinte nga Vlora e Flamurit dhe dëshrionte t’i falenderonte organizatorët për atë punë mbresëlënëse. Në Borås shkonte për të katërtën herë dhe e ndjente veten si në Vlorë. E ndjej të afërt këtë qytet, njëlloj si qytetin e vendlindjes sime në Shqipëri, Vlorën e flamurit. Ndjej të afërt këtu  banorët e dashur dhe paqësor, punëtorë dhe vizionarë, njohë të gjithë qytetin  e tekstilit me stemë dhe monument qendror “Gërshërët”. Njoh sheshin kryesor ku tregohet historia e lindjes dhe zhvillimit të qytetit, njoh rrugët, muzetë dhe monumentet e shumtë përgjatë lumit Viskan, monumentin gjigant të Pinokut, pikturat madhështore dhe origjinale në fasadat e godinave,  njoh nga afër kishën Karol që i ka mbijetuar katër zjarreve që kanë rënë në qytet. Njoh shkollat, universitetin, bibliotekën ku është ekspozuar bukur është përuruar personazhi im Bubulino, qendrën shkencore “Navet”, kopshtin zoologjik, fshatin e lashtë të para 300 vitesh, parkun e liqenit të mbushur me shpendë dhe zogj të llojllojshëm ku unë kam marrë dhe motivin e librit tim “Zonja nga Borasi”… Gjithnjë kam ndjerë këtu gjendje të mrekullueshme emocionale dhe shpirtërore, vërshime ndjenjash të bukura miqësie, të mikpritjes dhe të dashurisë vëllazërore, përjetoj këtu madhështinë  dhe gjallërinë e veprimtarive të bukura e mbresëlënëse si kjo që ka organizuar sot Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” e ku po flitet me gjuhën e  zemrave dhe frymëzimeve të bukura, me gjuhën  e figurave hyjnore të poezisë, me gjuhën e metaforave, krahasimeve, epiteteve dhe figurave të tjera, të përzgjedhura në kanistrat e arta të mbushura plot e përplot  me mendime, thënie të mençura dhe filozofi popullore. Sot po përjetojmë si gjithnjë nga afër forcën e artit dhe poezisë vendase, të interpretuar mjeshtërisht nga poetë dhe artistë suedezë, të cilët edhe deklamojnë bashkë me shqiptarët.

Në fjalën time përshëndetëse, unë vura në dukje se gjatë takimit me shqiptarë jashtë atdheut, ndjejmë dashuri, emocion dhe dhimbje. Populli shqiptar është kombi i vetëm në botë që historia e ka dënuar të jetë i ndarë në 5 shtete kufitare. Por fundi i shekullit të kaluar dhe ky fillim shekulli, ka dhënë shenja mbarësie, pasi Fuqitë e Mëdha e kanë kuptuar dhe pranuar padrejtësinë e bërë ndaj tij dhe shpresojmë që se shpejti të bëhemi një trup. Veshja e funksionares së lartë të Komunës së Boråsit, Ida Lidemark, me kostumin shqiptar, prania e poetëve suedezë në këtë festival poezie, përkthimi i veprave të ndërsjellta në gjuhët respektive, do të ndikojë në shkëmbinin e kulturave, në pasurimin e tyre, por dhe në shpejtimin e integrimit të shqiptarëve. Ne përulemi para popullit sduedez, për dashurinë dhe tolerancën që ka treguar ndaj shqiptarëve dhe gjithë emigrantëve, para këtij populli që respekton në themel të drejtat e njeriut, që respekton punën dhe dinjitetin e çdo individi. Përshendes vëllezërit e mij në Suedi që mbajnë gjallë gjuhën shqipe. Nëse kanë mundur të bëjnë që fëmijët e shqiptarëve emigrantë në Suedi, të vazhdojnë shkollën dhe të mësojnë gjuhën letrare shqipe, meritojnë falenderime të mëdha. Por jam i mendimit se kjo çështje ka nevojë për më shumë refleksion, pasi ende ka fëmijë emigrantësh, jo vetëm në Suedi, por edhe në vende të tjera, që nuk e mësojnë gjuhën shqipe, prandaj lind nevoja të bëhet e pamundura, me qëllim që edhe ata shqiptarë, të cilët nuk i dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe, t’i bindim dhe të mos ketë asnjë nxënës shqiptarë pa e mësuar gjuhën tonë të embël të Naim Farshërit. Të mësojmë nga shembulli i arbëreshëve të Italisë, që e kanë ruajtur gjuhën shqipe për 5 shekuj me radhë. Pasqyrë e kësaj sjellje ndaj shqipes, ishte dhe Griselda Doka, bijë e Kalabrisë, që e flet gjuhën shqipe më pastër se shqiptarët me banim në trojet e tyre.

Vlerësime për krijuesit

 Në fund të festivalit u bënë dhe disa vlerësime nga Qendra për Kulturë Shqiptare “Migjeni”. Libri i vitit u shpalla romani i Hamit Gurgurit, “Burri ne Provë”. U vlerësuan në mënyrë të veçantë krijimet e Hatixhe Xani Ahmeti, Zyhdi Dervishi, Teuta Haziri, Griselda Doka, Elhame Gjyrevci, Emine Hoti, Ndue Lazri dhe Bahtije Breznica. Nuk munguan fjalët e mira edhe për krijimet poetike të poetëve suedezë Luise Halvardsson, Axin Welat, Anna Matsson, Kristina Bjarnadottir, Mauritz Tistelo dhe Peter Nilson, anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve të Suedisë.

Në festival u promovuan 13 libra të autorëve shqiptarë që jetojnë e veprojnë në atë vend skandinav. Për librin, “Thesari Kombetar nr. 5-6”, referoi prof. dr. Zyhdi Dervishi, për krijimet e poetit Sokol Demaku, sidomos për librin “Magjia e zemrës” referoi studiuesi Nuri Dragoj, për ”Poleni Viking” foli shkrimtari Viron Kona. Fetah Bahtiri u paraqit me ”Fragmente të zgjedhura”, për të cilin referoi z. Hysen Ibrahimi. Për librin me poezi titulluar ”Vullkan i fjetur”, të autorit Bajram Muharremi,  referoi Osman Ahmetxhekaj. Sokol Demaku paraqiti punimin, ”Me shqiptarët në Borås”, për të cilin referoi Remzi Basha. Interesant qe libri i Behide Hasanit, ”Një jetë veprimtari humanitare”, i cili u paraqit nga shkrimtari Hysen Ibrahimi. Hatixhe Xani solli librin, “Mall…larg diellit” që u paraqit nga Remzi Basha. ”Poezitë e nënës” të autores Emine Hoti u referuan nga Hamit Gurguri. Elhame Gjurevci u paraqit me dy libra, njeri me poezi titulluar, ”Emri Atdhe”, dhe romani ”Luisi”,  të dy të referuar nga z. Hysen Ibrahimi. Ramadan Myrtaj pruri librin ”Rrugëtim i një jete të dhuruar”, referuar nga profesor Fetah Bahtiri. Adnan Meroci me librin ”Në hap me Rugovën” referuar po nga Hysen Ibrahimi. Më në fund Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, ndau vlerësimin “Mirënjohje”, që iu dha profesor Sokol Demakut, Remzi Bashës, Xhavit Çitakut, Bedri Pacit dhe Adnan Merovcit.

Hamit Gurguri dhe “Burri në provë”

 Në atë takim u vlerësua libri i shkrimtarit Hamit Gurguri, titulluar “Burri në provë”, në të cilin flitet për terrorin e ushtruar mbi popullsinë kosovare nga strukturat qeveritare të mbretërisë serbo-kroate, vrasjet e shumta, krimet makabre, me të vetmin qëllim nënshtrimin e popullit martir të Kosovës. Lexova gjatë natës pjesën më të madhe të librit. Më terhoqi mënyra e shtjellimit të tij, forca e zakonit, atdhedashuria e tyre, përpjekjet mbinjerëzore për të ruajtur familjen dhe vatanin. Kjo bëri të zhytesha në botën e kosovarëve që detyroheshin të flisnin me kode edhe kur qenë përballë njeri-tjetrit, për të mos u kuptuar mesazhi i bisedës nga qeveritarët serb apo njerëzit e tyre në radhët e kosovarëve. Sepse siç tregonte njeri prej të moshuarëve të Drenicës, ujku bënte herë pas dëme në tufat e tyre. Qentë e stanit reagonin, i thyenin, i zbrapsnin përtej kufijve të kullotës, por ata qenë lukuni ujqërish. Duke qenë të shumtë në numër, nuk iknin pa marrë ndonjë prej bagëtive. Madje linin dhe të plagosura. Dhe baca u kujtonte bashkëfshatarëve faktin se duhej bërë kujdes me to, pasi ujku u kishte hedhur siren. Sapo ai afrohej sërish te tufa, të plagosurat i shkonin nga prapa…

Vështirë të kuptohej filozofia e bacës nga gjithkush. E kuptonin të diturit, të vuajturit, por jo të huajtë. Madje dhe fshatarët jo krejt. Vështroja autorin e librit, shkrimtarin Hamit Gurguri, dhe më dukej se po hyja brenda shpirtit të tij, në nje prej atyre dramave të përvuajtura, madje të tmerrshme, të zemrave të tyre të ndershme, të zemrave të drejta, të qëruara nga papastërtitë, në ato zemra të mbyllura, të pazbuluara, që rrallëkush i ka njohur. Ishte produkt i shtypjes, i mjerimit, i dhunës reale që ushtrohej ndaj tyre, në çdo çast. Nuk kishin të drejtë të dëgjonin në shqip as radio dhe as të shihnin televizor. Nuk kishte stacione të tilla Kosova. Pas viteve 1970 thoshin se mund të shihnin diçka nga Tirana. Megjithëse biseda rridhte vrullshëm, kalonim nga një temë në tjetrën, nuk pse vështroja sërish fytyrën e Hamit Gurgurit, autorit të librit të vlerësuar. I qeshur, i këndshëm, plotë humor e barcaleta, që nuk shteronin kurrë. Por shihja dhe diçka tjetër brenda tij. Brenda qenies sime, nuk di çfarë më mundonte, dhe nevoja më shtynte ta pyesja. Mos edhe ai kishte vuajtur si të parët e vetë nga kjo dhimbje e gjatë, e fshehur, e thekshme, që s’dukej, që s’dihej, që s’kuptohej nga kushdo, që mund të shpërthente në çdo cast, në vetminë e dhomës së errët? E vështroja, e shihja me dashuri dhe e kuptoja që i rrihte fort zemra nën këmishën e bardhë. Dhe pyesja veten: Mos vallë kjo fytyrë e ëmbël dhe e qashtër kishte rënkuar çdo mbrëmje nën jelekun e lagur, mos kishte qarë me psherëtima për njerëzit e humbur, për plaçkën e grabitur? Apo vallë kishte përjetuar trupin që hidhej përpjetë nga ethet e shtratit të përvlëluar, nga plagët e marra nga xhandarët, për shkak se pati folur shqip? I ndodhte ky shqetësim i madh në qenie e në trup, sepse nuk u bindej atyre që s’e donin Kosovën të lirë. Dhe jam i bindur që, në shpirtin e tyre, ndihej si një plumb brenda plagës së mbyllur, por jo të shëruar tërësisht. A mund të ndiheshin të lëhtësuar tani? Dhe nuk vazhdova të pyesja veten më tej, pasi kasha frikë të hapja temat e trajtuara në libër, nga meraku mos ngjallja prapë vuajtjet e tyre dhe mund t’u zgjoja mallëngjimin. Por jeta e lirë, ndonëse aty në mërgim, shoqëruar me mallin e pashuar për vendlindjen, do të sillte shpejt pranverën në shpirtin e tyre, nga rezet e diellit që shndrinin mbi bar, që rrëshqisnin nëpër degët e pemëve dhe pyjeve të shumtë halor të Suedisë, por edhe atje në Kosovë, ku dielli po ngjitet në horizont për të sjellë më shumë ngrohtësi. Ne shtrëngojmë duart, përqafohemi me mall dhe në damarët e trupit përshkohemi nga një drithmë që rrallë herë provohet, përjetojmë në çast ndjesinë e vetëtimtë dhe hyjnore të një farë dehjeje, që u fal njerëzve të një gjaku më shumë lumturi, se sa mund të kenë të tjerë, gjatë një jete të tërë.

 “Diçka që vjen me lot”

 Festivali i poezisë vazhdonte punën. Ishte çasti për një pushim të shkurtër. Ishim duke pirë kafe me qumësht, kur mu afrua një grua simpatike, e qeshur dhe njëkohësisht e druajtur. Sapo i kisha dhënë dy libra me dedikim z. Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë të Suedisë.

-Mundet t’ju dhuroj një libër me poezi? – pyeti me droje ajo.

-Patjetër, – ia ktheva, – madje është kënaqësi për mua të lexojë poezitë tuaja. Dhe ajo zgjati dorën duke më dhënë librin, titulluar: “Diçka që vjen me lot”. Quhej Teuta Haziri. Nuk bëri asnjë shënim mbi të. Shihte e drojtur, por dhe paksa e hutuar. Donte të thoshte diçka.

Unë shkrova një dedikim mbi librin tim, “Sfidat e poetit”, dhe ia dhurova. E pashë që e mori me dëshirë dhe premtoi se do ta lexonte. Mbase donte dhe librin “Trebeshina një jetë para gjyqit”, por s’qe e mundur. Ata ishin shumë shkrimtarë dhe poetë, kur ne kishim pak libra, pasi aq mund të merrnim me vete.

Në mbrëmje hapa librin e saj. Kishte poezi brilante, plotë figura letrare, të cilat kryesisht i kushtoheshin dashurisë, plagëve të saj, ëmbëlsisë dhe brengave, dashurisë së vendlindjes etj. Kishte një varg goditës, poezi që shprehnin revoltë ndaj zakoneve prapanike që e burgosnin dashurinë, që i vinin peng për të mos e lënë të lulëzonte e vraponte kur dhe si të dëshironte, mos pajtim me dhunën ndaj grave e vajzave shqiptare, apel për t’i hedhur sytë nga shoqëritë e përparuara, për të marrë më të mirën e tyre dhe për të ruajtur gjithçka të vyer nga traditat e kombit të vetë. Libri përmbledh një tematikë të gjerë të botës femërore. Në radhë të parë ai është radioskopi e ndjenjave të fshehta të vajzave dhe grave, skaner për shpirtin e fshehtë të tyre. Padyshim, brenda radhëve të këtyre poezive, kryefjala është dashuria. Autorja me profesionalizëm zbulon shpirtin e femrës, ndriçon zemrën e saj, brenda së cilës fshihet përmasa e sakrificës, pasionit, vuajtjes, ndonjëherë edhe pendimit, shpesh herë e dëshirës për t’i rijetuar “gabimet” apo “lajthitjet” mbrëmësore të rinisë së hershme. Aty nuk ka biografi personale poetike, por rozonancë të impulseve femërore të fund shekullit XX dhe fillim shekullit XXI, me gjithë ulje-ngritjet, diagramat, reflekset, vuajtjet, pagjumësitë, dobësitë dhe magjinë e saj. Vargjet janë ndërtuar me figura letrare, të cilat kuptohet që s’janë gjetur me lehtësi, por ajo që ka rëndësi është fakti se janë figura të arsyeshme e të logjikshme, jo të hedhura kot.

E lexova gjithë librin në një natë dhe më në fund thashë: Bravo Teuta! Na ke dhënë një mësim të mirë me këtë libër, ndaj të urojmë suksese të mëtejshme!

 Emine Hoti dhe “Jetë ferri”

 Emine S. Hotin e takuam në mbrëmjen e datës 7 prill. Kishim vetëm një orë që kishim mbërritur në Borås të Suedisë. Hamit Gurguri dhe bashkëshortja e tij Qerimeja (Shota), na kishin ftuar për darkë. Bashkë me ta ishte dhe Sokol Demaku, bashkëshortja e tij, Sabrija, Bahtir Latifi etj. Gjatë asaj mbrëmje u njohëm dhe me Emine Hotin. Kishte lexuar shkrimin tim të botuar në gazetën “Dituria”, ku flitej për aktivitetet e organizuara nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, si dhe Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Ajo fliste me dashuri për rilindësit, për veprën e tyre, pranonte nevojën për ta patur ende si busull orientimi programin për bërjen e kombit, hartuar nga Sami Frashëri. Të nesërmen u njohëm me botimet e saj, një prej të cilëve ishte romani i titulluar “Jetë ferri”. Një libër që u thotë ndal martesave pa dëshirën e vajzës, martesave me ndërmjetësi, të cilat vrasin shpirtin e dlirë të tyre, duke e detyruar çikën të mbyllej në një dhomë me atë që nuk e njihte, që nuk e donte, për t’i lenë përherë me lotë në sy. Mbase mund ta quajmë një roman autobiografik për nga mënyra e rrëfimit. Por kjo nuk prish punë, pasi brenda tij e gjejnë vetën shumë gra e vajza shqiptare. Aty flitet për martesa, prej të cilave nuk vuanin vetëm vajzat, por dhe prindërit e tyre. Ata e ndjenin dhimbjen e lidhjeve të pastudiuara mirë, ndonëse nuk e shprehnin. Pranonin që ishin të detyruar t’i nënshtroheshin forcës së zakonit, të mos u bindeshin thirrjeve të zemrës së tyre. Shpesh këtë ndjesi përjetonin dhe ata që bëheshin burrat e imponuar të atyre vajzave, zemra e të cilave tulatej brenda zgavrës së kraharorit, ku rrihte pa pushim e shpesh herë me dënesë. Ata e shihnin që kishin pranë, në gjerdek, një grua që nuk do t’i qeshte kurrë buza, por që edhe ai, ca nga dëshira dhe ca nga zakoni, duhej t’i shfaqej përpara për t’i thënë se ishte burri i saj, burri që i kishte caktuar fati. Paçka se do ta shihte për një kohë të gjatë, të skuqur a të zbehtë në fytyrë. Dhe shpesh për t’u shfajësuar, të moshuarit ngushëlloheshin me shprehjen: Martesa është llotari! Dhe në jetë, në shumë raste, ashtu ndodh në të vërtetë. Numrat që të bien rastësisht, shpesh janë më të mirët. Jo rrallë herë, edhe dashuritë përfundojnë me dështim. Mbase edhe më keq. Thonë se e tillë mund të ketë qenë dëshira e Perëndisë. Pra një libër që mbart brenda vetes dhimbje, dyluftim me vetveten, me mendësitë e njerëzve që na rrethojnë, me mjedisin shoqëror të dukshëm dhe të padukshëm, me të sotmen dhe të djeshmen, duke përcjell njëkohësisht mesazhe të ngrohta e plotë jetë për të nesërmen, për brezat që vijnë.

 * Zbigniev Brzhezhinski, ish-këshilltar i Këshillit të Sigurimit Kombëtar, pranë Presidentit të SHBA-ve, në vitet 2005-2009, këshilltar pranë Qendrës për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare si edhe profesor i politikës së jashtme amerikane në shkollën e studimeve të avancuara ndërkombëtare.

SHKARKO APP