Mes jetës dhe vdekjes së shkrimtarit Bilal Xhaferi

Nga Hyqmet Zane/Një vit më parë shkrimtari Bilal Xhaferi mbushi 80 vitet e lindjes së tij, por në këtë tetor të këtij viti ai mbush 30 vite nga ndarja mes nesh. Janë momente që meritojnë vëmendje të madhe, aq më tepër në këtë muaj që njihet edhe si muaji i shkrimtarëve. Mes jetës dhe vdekjes së shkrimtarit Bilal Xhaferi ka një botë të tërë ndodhish dhe ngjarjesh të një njeriu që sot e kemi “Nder i Kombit”, por që sa pak vend i kushtojnë  dhe sa në harresë kërkojnë ta përcjellin veprën e tij në këtë periudhë mes dy skajesh nga lindja në vdekje.

Vepra e një njeriu lartësohet më shumë pas vdekjes kur ajo është e mirë. Këtë e kanë cilësuar personalitete. Në të gjitha shkrimet e hedhura në media dhe nga të gjitha diskutimet e bëra, është vënë re një dashakeqësi e përhershme dhe e performuar nga segmente intrigante që i ngjajnë dorës së zezë të sigurimit të shtetit që duan me doemos ta bëjnë pis figurën dhe aktivitetin e këtij njeriu potencial në karakterin e tij, vital në jetën që bëri, madhështor në krijimtarinë që shkroi dhe i papajtueshëm me sistemin që jetoi derisa iku në arratinë e tij për moskthim.

Më vijnë në mendje vargjet e Fan S. Nolit “Syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur”, që janë si të shkruara për jetën e këtij shkrimtari që deshi aq shumë jetën si shqiptar dhe ia vranë babain në emër të sllavo-komunizmit, që shkroi shqip dhe ia grisën veprën në emër të realizmit socialist pse shkroi për jetën shqiptare dhe nuk e njihte jetën e komunizmit sllav. Bilalin e deshën ata që e njohën dhe ia lexuan veprën, e urryen ata që nuk e donin si të tillë dhe që nuk e deshën vetëm e vetëm pse ishte njeri i paangazhuar në politikën e kohës dhe se kishte mendimin e lirë për të vërtetat e kohës dhe të së shkuarës, për të mos i shërbyer sistemit të antivlerave.

Kur Bilal Xhaferi u dekorua me “Nderi i Kombit”, motivimi i bërë është sintezë e një aktiviteti dhe një potencialiteti të figurës së një shkrimtari përmes veprës që ai shkroi.

Unë dhe shumë të tjerë, që ruajnë konsiderata për figurën e këtij shkrimtari, nuk kemi lidhje gjaku apo farefisnie me këtë njeri, as Presidenti i Republikës që e dekoroi nuk ka ndonjë lidhje me Bilalin, por është një kompleks vlerash të patjetërsueshme, është një vepër autentike e arritur, është një jetë e përkushtuar krijimtarisë letrare dhe vetë disidenca e këtij njeriu, që bëjnë të merituar nderimin për këtë personalitet, që me ose pa qëllim kërkojnë ta syrgjynosin në harresë.

Për më shumë se kaq, të gjithë ata që e njohën dhe e jetuan kohën kur Bilali u bë faktor në krijimtarinë letrare, kanë shprehur dhe vazhdojnë të shprehin konsiderimin më të lartë për këtë njeri duke i vënë epitete të ndryshme si “meteor ndriçues në letërsinë shqiptare”. Porse mungesa e pasqyrimit të veprës së Bilal Xhaferit në antologjinë dhe letërsinë që studiohet në shkollat e mesme, duke e lënë në terrin që i krijoi atij sistemi diktatorial dhe vetë sigurimi i shtetit, të lënë në mendje dyshimin se ka një dorë të ligë që kërkon të ligësojë portretin e një njeriu që veç veprat e bëjnë të njohur.

Duket se sajesat e bëra kohë pas kohe nga njerëz anonimë dhe nga ata që dinë të trillojnë histori dhe letra në emër të Bilalit, kanë zënë vend edhe në mendësinë e hartuesve të teksteve shkollore. Por më e keqja që ndodh është se ka edhe shkrimtarë që perifrazojnë mendime apo hedhin idole ironizuese për jetën dhe krijimtarinë e Bilalit, duke anatemuar një vepër që tashmë është shumë e botuar në një lidhje të tërë. Janë dhjetëra e dhjetëra shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, që e njohën dhe e nderuan jetën dhe veprën e Bilalit edhe kur ishte gjallë edhe pas vdekjes së tij. Bilali ishte një shkrimtar, jo i ardhur nga sallonet e aristokracisë, jo i studiuar në shkollat e larta brenda dhe jashtë vendit si ca e ca, por janë vepra që burojnë nga gjenia e mendjes së një njeriu të orientuar në jetën e tij.

Shkrimtarë dhe poetë, kritikë dhe lexues që u njohën me krijimtarinë e Bilal Xhaferrit, nuk kanë lënë rast pa shprehur konsideratat, që nga Ismail Kadare deri tek Vath Koreshi, që nga Skënder Këlliçi e deri tek Adem Istrefi, që nga Adriatik Kallulli e deri tek Emin Riza. Të gjithë këta e bënin këtë në emër të vetëdijes për cilësinë e lartë të krijimtarisë.

Raportet që Bilal Xhaferri pati me sistemin dhe veçanërisht me pjesën obskurantiste të këtij sistemi, me njerëz të udhëheqjes politike të kohës, është hapur një luftë e shpallur dhe e pashpallur për një gjeni që shkëlqeu në vitet ‘60, por që donin t’ja zbehnin shkëlqimin. Jeta e Bilalit ishte një sasi vitesh për të cilat ai mendoi dhe veproi si djalë i mirë i dy prindërve të mrekullueshëm, si vëlla i mirë i motrave, si një patriot i mirë i vëllezërve çamë që nuk ka sesi ta harrojnë se çfarë bëri ai, sa në Shqipëri dhe në Çikago të SHBA-ve, ndërsa vdekja e tij dukej se ishte e paralajmëruar, e paralajmëruar nga vetë segmentet e sigurimit të shtetit që e anatemuan sapo ai iku, që i dogjën redaksinë dhe veprat edhe në Amerikë, që e plagosën dhe derisa e vranë shpirtërisht shkrimtarin e madh.

Mes jetës dhe veprës së Bilal Xhaferrit ka një botë të tërë që duhet analizuar detaj për detaj për të mos i lënë shteg një komandanti kufiri apo ndonjë studiuesi shërbëtor sigurimi që të flasin dhe të publikojnë krijimet e tyre ogurzeza. Bilali lindi si një shqiptar i mirë, lindi si një çam i devotshëm, lindi dhe u bë një krijues potencial dhe emri i tij është i shkruar me germa të arta në historinë e letërsisë shqiptare, duan apo s’duan gojët e liga që kërkojnë të flasin kundër tij.

SHKARKO APP